E enjte, 25.04.2024, 02:21 AM (GMT+1)

Mendime

Fahri Balliu: Dy zonjat Rama duan të bëjnë miellin e bukës së zgjedhjeve me akuza kundër meje

E merkure, 08.04.2009, 06:32 PM


Dy zonjat Rama duan të bëjnë miellin e bukës së zgjedhjeve me akuza kundër meje

Nga Gazeta 55
 
Deklarata e plotë dhënë sot nga botuesi i "Gazeta 55" si reagim ndaj akuza të ngrituar ndaj tij në disa media

Në këtë konferencë për mediat, dua të jap sqarimet e duhura për akuzën në gotë që kanë ngritur segmente dhe qarqe të caktuara që për interesa të mirëfillta politike, kanë keqintepretuar dhe mashtruar opinionin publik, lidhur me një të ashtuquajtuar aferë timen me Delijorgin. Ju bëj me dije se në shkurt të 2006, vajza ime ka firmosur një marrëveshje si 1/5 e një firme që po hapte Delijorgi për gërmim dherash. Që nga momenti i krijimit të kësaj firme, as vajza ime dhe as unë, nuk ka asnjë lidhje me këtë firmë e cila vdiq sa lindi. Unë posedoj të gjithë dokumentat e lëvrimit financiar dhe në këto dokumenta, emri i vajzës sime, e aq më shumë unë, nuk figurojnë. Të bësh biznes, dhe jemi në 2006 në rastin në fjalë, nuk është një gjë e ndaluar me ligj. Por, ky biznes, sipas mediave dhe sipas qarqeve politike, u dashka bërë me njerëz me biografi të mirë ose të keqe. Unë mendoj se ky sulm, është i denjë thjesht për shfaqje të huaja dhe dokumentat e krijimit të kësaj ndërmarrje kanë qenë me kohë në prokurori: është studiuar, analizuar dhe është parë që nuk ka asnjë gjë në ngarkim timin apo të familjes sime. Në këto kushte, duke qenë se janë të dështuar në këtë pikë, ia dhanë këtë dokument drakulës së medias, i cili e përtypi me nofullat e tij të gjakut, për t’ua dhënë kolegëve tanë, ne dhe opinionit publik, si një aferë ku do të goditeshin Balliu, apo ata që janë prapa Fahri Balliut. Sigurisht se në këtë dokumet dhe në dhënien e tij, është përfshirë padyshim prokuroria, sepse kjo ka qenë legale në websitin e QKR-së dhe që mua as më ka shqetësuar dhe as më shqetëson. Atë mund ta merrte çdo njeri. Kurse e dhënë në këtë formë, është për t’i shërbyer sadopak strategjisë dhe politikës të dy zonjave Rama, një e bashkisë dhe një e Prokurorisë, dhe është e lidhur drepërdrejt me luftën që bën gazeta dhe media bashkë me shtëpinë botuese që unë drejtoj, kundër segmenteve të genjeshtrës, mashtrimit dhe implikimit në krime të vjetra dhe të reja. Unë jam thjesht një botues gazete. Unë nuk kam kërkuar kurrë as në opozitë dhe as sot, asnjë lëshim dhe asnjë nder nga qeveria. Nuk jam paraqitur në një tender, siç është paraqitur drakula për të marrë tendera dhe për të bërë presion. Unë, gjithashtu nuk e kam shitur gazetën 500 mijë euro dhe më pas ta blej 1000 euro, që është simbol dhe emblemë e pastrimit të parave dhe kurrë ndonjëherë - as në këtë biçim dhe biçimsëz firme - as në ndonjë tjetër, nuk kam kërkuar para publike; nuk kam asnjë tendencë që më shtyn drejt sfrytëzimit të taksapaguesve, siç ndodh me të tjerët. Natyrisht se në këtë terren politike që luajmë ne gazetarët, do të kemi sulme të dukshme e të padushme; do të kemi siç është bota e vjetër e skutës nga vijnë këto sulme që të anatemojnë vlerat reale të botës intelektuale, botës së medias të vendit dhe t’i zëvendësojnë ato me bastardë dhe hajdutë që u vjedhin edhe shokëve 20 mijë euro dhe të bëjnë sa të munden që njerëzit që janë në radhët e para të luftës për të vërtetën, të jenë të dyshuar. Por sigurisht se kjo nuk zgjat dhe nuk nxjerr miell për të bërë bukën e zgjedhjeve Edi Rama dhe shërbëtorët e tij të rekrutuar, herët apo vonë.

Pyetje dhe përgjigje

Zoti Balliu, ju në mënyrë të drejtpërdrejtë akuzoni prokuriorinë për dhënien e këtij dokumenti?

Unë mendoj se prokuroria është angazhuar për dhënien e këtij materiali, pasi vetë prokurorja ka thënë sot se: “Unë e dija këtë. Kam pasur dijeni për atë dokument”. Kuptohet që ky material nuk përbën asgjë dhe nuk ka asnjë gjë. Nuk ka asnjë lidhje me këto veshjet që dëshiron të bëjë ky “Gërdeci i Medias”. Duke qenë se është siç po ju them, ky u përpoq ta faktorizojë për interesa të atyre që u shërben tani. Ju i keni parë. Ne jemi kolegë dhe nuk mund të bëjmë sikur nuk i dimë gjërat. Ai është i renditur në një luftë për jetë a vdekje kundër raporteve të suksesit që ka kjo qeveri dhe kjo maxhorancë. Ai përpiqet që të errësojë sa të mundet.

Zoti Balliu a mund ta sqaroni edhe një herë pozicionin e vajzës suaj në këtë shoqëri?

Kur është krijuar kjo shoqëri, vajza ime ka marrë pjesë me 20% aksione në fitim. Kjo firmë do të mblidhte dhèra. Në momentin që ajo ka firmosur, që i bie të ketë qenë shkurti i 2006-tës, pra nga ky moment dhe deri më tani që ne po flasim, ajo ka aq dijeni - bashkë me mua - për këtë firmë, sa keni dijeni edhe ju, apo ndonjë qytetar që kalon në rrugë, dhe për këtë, jo vetëm prokuroria, por edhe gjithkush që ka hetuar këtë për ta bërë pikë goditje, e ka shumë të qartë, dhe unë vë në dispozicion të kujt të dojë, të gjithë dokumentat dhe është fiks kështu siç po e them unë. Që kurrë asnjë lek, as ka fituar dhe as ka luajtur rol, as ka pasur marrëdhënie ajo, apo unë, apo edhe familja jonë, me këtë firmë. Firma krijohet për të përfituar, apo jo?. Por nga momenti që nuk ke përfituar, në të je thjesht, formalisht me emër. Zoti

Balliu, vajza juaj u largua nga kjo firmë se nuk kishte fitime, apo për arsye të tjera?

Po. Firma s’ ka pasur aktivitet për dijeninë tonë. Ka qenë e mbyllur. Dhe unë as që e kam vrarë mendjen se çfarë ndodhte me të pas tri vjetësh. Nuk kam pasur dhe nuk kam asnjë dijeni, dhe nuk kam as më të voglën qindarkë të vjedhur prej saj.

Në shkurt të 2009, kjo shoqëri, me letra rezulton akoma aktive. Kam parasysh këta dy ortakët e tjerë që janë tërhequr nga shoqëria...

Ata bëjnë punën e tyre. Se çfarë bëjnë ata, është tjetër çështje. Unë po flas për pjesën time, e cila është e vdekur. Nuk ka aktivitet. Kjo është lehtësisht e provueshme, sepse janë dokumentat e bankës. Por, pikërisht këto dokumenta kanë frikë.

Zoti Balliu, ju po thoni se aksionet janë të vajzës dhe tuajat?

Nuk ka lidhje kjo si të jetë e vajzës, si të jetë e imja; nga unë do kalojnë tek ato të vajzës, nga vajza do kalojnë tek unë. Ajo ka firmosur për të marrë pjesë në aksione dhe pastaj që nga ai moment, nuk ka marrë pjesë. Marrja pjesë në firmë ka qenë një vendim i saj, jo imi.

Në momentin që ajo ka firmosur, ka derdhur siguracion?

Jo. Pasi kjo bëhet me 100 mijë lekë të vjetra. Realisht, e gjithë kjo është një furtunë në gotë.

Pse vajza juaj, sapo hyri në një biznes, u tërhoq?

Motivet e saj mund të jenë të shumta. Por, shoqëria ka vazhduar pa këtë. Për dijeninë time dhe të vajzës, është e mbyllur sepse ne e mbyllëm atë punë dhe nuk jemi marrë më me atë gjë. Kjo gjë është e vdekur. Për t’u bindur për këtë, duhet të shikosh dokumentat financiarë. Ato e provojnë të vërtetë këtë që po them.

Kryeprokurorja u shpreh sot se “Do të vërtetohet nga prokuroria” - ju çfarë deklarate do të bëni përsa i takon pjesës në të cilën vajza juaj ka qenë në 2006?

Prokurores i them të vazhdojë. “Pushka top” le t’i bëhet. Kjo nuk ka lidhje as me Fahri Balliun, as me vajzën e Fahri Balliut. Ky është një formalitet. Kjo është një mendësi komuniste. Le të marrim anën e kundërt. Firma mund të kishte zhvillim dhe mund të kishte marrë të ardhura. Në çfarë ligji hyn kjo që nuk duhet të marrësh. Pse i ndodhi këtij Gërdeci. Atëherë po largohemi të gjithë se nuk dihet se çfarë i ndodh atyre që drejtues të tjerë mediash bashkëpunojnë me ta. Atëherë çfarë do të bëjmë. Këto janë thjeshtë agjitacion e propagandë. Ai po mundohet të ndëshkojë autoritetin tim me nenin “55”. Janë dëshira dhe pasione për të nxjerrë vaj politik në zgjedhje.



(Vota: 3 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora