E premte, 19.04.2024, 09:31 AM (GMT+1)

Mendime

Feti Zeneli: NATO dhe 7 prilli shqiptar

E merkure, 08.04.2009, 06:49 PM


NATO dhe 7 prilli shqiptar

Nga Feti Zeneli
 
Sot është dita kur në selinë e NATO-s në Bruksel është ngritur edhe flamuri shqiptar, për t’u valvitur përjetësisht krenar, krahas 27 flamujve të tjerë, që përfaqësojnë vendet anëtare të Aleancës së Atlantikut të Veriut. Në këtë mënyrë kjo ditë do të kthehet në simbol të sigurisë, krenarisë dhe dinjiteit tonë kombëtar, megjithëse ngritja e flamurit është një formalitet i diktuar nga marrja e dokumentit të anëtarësisë së Shqipërisë në NATO. Deri më sot kjo datë përkujtohej si dita e pushtimit ushtarak të Shqipërisë nga Italia fashiste. Ka ndodhur kështu plot 70 vjet, qysh nga 7 prilli i vitit ’39. Por deri në fund të vitit ’90, kjo ditë përveçse përkujtohet, festohej nga komunistët edhe si “dita e rezistencës” së popullit shqiptar ndaj pushtuesve të huaj, ndërkohë që historia na tregon krejt të kundërtë; se nuk ka patur asnjë lloj rezistence, përderisa brenda pak orëve pushtuesit italianë mbrritën në Tiranë. Dhe siç dihet, pushtimi i kryqytetit është pushtimi i gjithë vendit. Sidoqoftë “rezistenca” dhe “heroizma” të tilla i mbushën mendjen diktatorit komunist se, vendi që ndërtohet “me forcat e veta” edhe mund të mbrohet nga “i gjithë populli ushtar”, duke ndërtuar bunkerë e duke ngritur “çeta vullnetare”. Fati e desh që kjo lloj “rezistence” e viteve të minizmit të mos vihej në provë, se do të kishte rezultuar më keq se rezistena e 7 prillit ’39, me të vetmin ndryshim se “populli ynë ushtar” do kishte shkuar i gjithi “mish për top”. Mbase këtë llogari bënin “imperialistët dhe social-imperialistët gjakatar” të asaj kohe dhe arrinin në përfundimin se, s’kishte pse ta pësonte populli i pafajshëm. Kështu që zgjidhja e vetme ishte rrëzimi i diktaturës komuniste në Shqipëri dhe vendosja e sistemit demokratik si në të gjithë botën, gjë e cila, pas shumë tentativave të dështuar në kohën e regjimit hoxhist, u bë e mundur vetëm me krjimin e Partisë Demokratike në dhjetor të vitit ’90. Duke filluar nga ky çast historik, i shumëpritur; “për shqiptarët, dielli do të lindë atje ku perëndon”, siç shkruante një prej rilindasve tanë largpamës.
Largpamësi dhe guxim të pashoq ka treguar për 7 prillin e sotëm edhe lideri demokrat, Prof. Dr, Sali Berisha. Me iniciativën e tij të drejtpërdrejtë, qysh në vitin ’92, menjëherë sapo Partia Demokratike erdhi në pushtet, Shqipëria bashkohet me Këshillin e Bashkëpunimit të Atlantikut të Veriut. Dy vjet më vonë; pra në ’94-n, vendi bashkohet me Partneritetin për Paqen, ku Tirana zyrtare ishte ndër të parat vende që firmosi këtë dokument. NATO, ashtu si dhe Bashkimi Europian, pas përmbysjes së diktaturave komuniste në vendet e Europës Lindore, u ndeshën me kërkesën e këtyre të fundit për t’u anëtarësuar sa më shpejt në strukturat e tyre politike, ushtarake dhe ekonomike, por kërkesa e Shqipërisë ishte arsyetuar nga presidenti Berisha si “një rast i veçant”. Në vitin ’96, forcat shqiptare bashkohen me forcën paqeruajtëse të NATO-s në Bosnje–Hercegovinë. Në 25 korrik të atij viti, ish-ministri shqiptar i Mbrojtjes, i ndjeri Safet Zhulali, do deklaronte se, “Shqipëria synonte të modernizonte mbrojtjen e vet dhe të intensifikonte marrëdhëniet me NATO-n dhe fqinjët e saj gjatë katër viteve të ardhshme”. Por qysh në të parin e “katër viteve të ardhshme”, u rikthyen në pushtet social-komunistët shqiptare, nëpërmjet “revolucionit demokratik të vonuar” të ’97-ës, të cilët i çuan në “kalendat greke” proceset integruese të vendit tonë në NATO dhe BE. Për 8 vjet rresht në pushtet, të majtët nuk bënë pothuajse asgjë në dobi të këtyre proceseve, përkundrazi i dëmtuan ato me qeverisjen e tyre të korruptuar dhe inefiçiente. Ishte vetëm riciklimi në pushtet i demokratëve, pas zgjedhjeve të 3 korrikut ’05, që riktheu shpresën e integrimit euroatlantik të shqiptarëve, përveç të tjerash, edhe për faktin se qeverisja e demokratëve kishte dhëna prova të qarta në këtë drejtim, qysh në vitet ’92-‘96. Kjo ishte arsyeja që në prill ’08 Shqipëria merr zyrtarisht ftesën për t’u anëtarësuar në NATO, gjatë Samitit të Aleancës në Bukuresht të Rumanisë. Brenda një periudhe të shkurtër kohe, 26 vendet anëtare të NATO-s ratifikuan në parlamentet e tyre protokollin e anëtarësimit për Shqipërinë dhe në harkun e një viti vendi ynë, së bashku me Kroacinë, anëtarësohen me të drejta të plota në NATO, duke e çuar në 28 numrin e anëtarëve të Aleancës.
Këto janë fakte të njohura dhe të vlerësuara botërisht. Në ceremoninë e dorëzimit të dokumentit që zyrtarizoi hyrjen e vendit tonë me të drejta të plota në NATO, presidenti Obama theksoi, midis të tjerash tha se, Shqipëria e meriton plotësisht anëtarësimin, jo vetëm nga që ka dëshmuar me veprime mbështetjen ndaj NATO-s, por edhe sepse ka ndërmarrë reforma mjaft të suksesshme për konsolidimin e demokracisë dhe ekonomisë së tregut. Kjo ngjarje e madhe historike ka gëzuar të madh e të vogël në Shqipëri e jashtë saj, me përjashtim të opozitarëve tanë zemërkatran që kanë bërë sikur kanë gëzuar e festuar në 3 prill. Dhe më shumë se sa sedra e opozitarit të sëmurë ata i ka shtyrë drejt një qëndrimi të tillë, trashgimnia e moralit komunist. Natyrisht, në formulimin e kësaj konsiderate nuk nisemi thjesht nga fakti se, përfaqësuesit politikë të saj nuk dolën për të pritur delgacionin në Rinas, po nga gjithë qëndrimi i tyre njëvjeçar, qysh nga Samiti i Bukureshtit e deri më sot. Gjatë gjithë kësaj kohe ata janë përpjekur që ky proces të dështojë, pasi vetëm kështu i shërbente interesit të tyre primitive për pushtet politik. Të ndodhur prej vitesh në krizën e alternativës së tyre qeverisëse, ata i bazojnë shpresat e rehabilitimit të tyre vetëm tek fatkeqësitë e të tjerëve. Kjo ka qënë arsyeja që ata kanë zgjedhur si alternativë të vetme triumfimi, “Gërdecin” dhe thashethemet për korrupsion qeveritar.  Duke parë pikëllimin dhe përbërjen e grupit të manifestuesve majtist të shtunën e kaluar, ku mungonin totalisht kasketat që përbëjnë bazën e elektoratit të tyre, u kuptua fare qartë që, shpirtin atyre, më shumë ua lumturon Gërdeci i shkatërruar se sa Shqipëria e integruar në NATO. Në kushtet e depresionit dhe dëshpërimit që u shkaktoi ecuria e mbarë e këtij procesi, kreu i tyre arriti të artikuloi thënien e turpshme, me reminishenca të së kaluarës, për shndërrimin e “NATO-s në problem pas zgjedhjeve të përgjithëshme të 28 qershorit në Shqipëri”. Nuk besojë se do të ketë ekzemplarë tjetër të këtij lloj në botë që mund të thurë monstuozitete të tilla. Të aspirosh për liri e demokraci të vërtetë nuk do të thotë të bësh propagandë partiake, por politikë kombëtare. Të zhvillosh demokracinë nuk do të thotë që gjithnjë të "luftosh" nga llogorja jote e skajshme partiake. Ndërsa të aspirosh për integrimin e vendit në NATO dhe BE, do të thotë të ofrosh konsensus e bashkëpunim, dhe jo “shkopinjë nën rrota”, pasi reformat në Shqipëri kryhen, në radhë të parë, për shtetasit e këtij vendi, për vetë vendin tonë dhe për mbarë kombin shqiptar. Por një sjellje e tillë politike nuk mund të manifestohet duke fjetur përnatë krah për krah me fantazëm e babë Myslymit. Dhe kjo s’është papjekuri, por ligësi politike.
NATO mund të jetë problem, vetëm për ta kanë fobi nga liria dhe parapëlqejnë dikaturën e rinovuar si shëmbëlltyrën e përçudnuar të saj. Për demokratët e vërtetë, NATO është veçse mrekulli e lirisë. Në përfundim të fjalës së tij, në mbledhjen më të fundit të Aleancës, të mbajtur në Stasburg-Këln, kryeministri Berisha u është drejtuar në shqip të gjithë të pranishmëve: “Dua të përshëndes të gjithë shqiptarët që sot e tutje do të kenë lirinë e tyre të garantuar, do mund të ndërtojnë të ardhmen që meritojnë, në liri, dhe nuk do të ecin kurrë më të vetëm. Do ta mbyll duke ju adresuar përshëndetjen më tradicionale dhe të vjetër shqiptare TUNGJATJETA për ju dhe kombet tuaja!”. Jo pa qëllim, i ka artikuluar në shqip, këto fjalë, kryeministri Berisha, i cili gjithnjë ka një vizion të qartë për lirinë dhe mekanizmat e garantimit të saj. Në këtë mënyrë ai përkufizoi në mënyrë  brilante dhe autentike vlerat demokratike të NATO-s, për të cilën në Samitin e Bukureshtit, me emocion të dukshëm e të përligjur, ai pati thënë në anglisht: “This is a miracle of freedom” (Kjo është një mrekulli e lirisë). NATO është i vetmi organizëm prestigjioz aktualisht në botë që ndërthur politikat e reformimit demokratik me ato të angazhimit ushtarak për zhvillim ekonomiko-shoqëror dhe propseritet kombëtar. Në këto kushte, anëtarësimi në NATO nuk lidhet dhe aq me standartet ushtarake se sa me standartet e funksionimit demokratik të shoqërisë, ku kërkohet të respektohet ekonomia e tregut, prona private, e drejta e njeriut, zbatimi i politikave të fqinjësisë së mirë, dhënia e kontributit për forcimin e sigurisë ndërkombëtare, etj. Pra, është një garant i lirisë në përgjithësi dhe jo vetëm i lirisë së sovranitetit kombëtar. Nga ana tjetër, anëtarësimi në NATO është "paradhoma" e anëtarësimit të vendit tonë në Bashkimin Europian. Ky fakt e bënë anëtarësimin e Shqipërisë në NATO një ngjarje me përmasa historike. Dhe për të gjitha këto arritje duhet përgëzuar, në radhë të parë, qeveria e Partisë Demokratike dhe kryeministri Sali Berisha, pavarësisht propagandës komuniste që po bëhet për t’i zhvleftësuar këto merita. Disa militant të majtë apo ish-sigurimsa, një dreq e di, s’i kishte zënë gjumi gjithë natën, duke pritur emisionin: “Koha për t’u zgjuar” të Bashkim Hoxhës për të thënë  lloj-lloj buqallallëqesh e ligësish për festën e së dielës pasdite si: “njerëzit janë nxjerrë më detyrim të festojnë”, “janë sjellë nga rrethet”, “pse duhej gjithë kjo festë”, etj. Ja ky është brumi me të cilën i bënë “petullat” e premtimeve qeverisëse opozita. Por ky kontigjent përputhet si “tenxherja me kapakun” me udhëheqësit e së majtës. Kur vetë liderët socialistë, metistë, gjinushistë, paskalistë, etj., thonë se, “me ardhjen tonë në pushtet, ne do ta nxjerrim vendin nga kriza”, me sa duket, e anëtarësimit në NATO, në BE dhe strukturat e tjera euro-atlantike; nga militantët e thjeshtë mund të presësh gjithëçka. Po si mund të quhet në krizë një vend që anëtarësohet me shpejtësi në strukturat euroatlantike, që po liberalizon vizat me vendet e BE-së, që ka rritjen më të madhe ekonomike në Europë, që impresionon botën me efektivitetin e reformave, etj? A kanë mend në kokë këta njerëz, apo jo?!... A do të gabojnë përsëri shqiptarët t’u japin edhe njeherë tjetër pushtet këtyre njerëzve të papërgjegjshëm, siç bënë në ’97-ën? Me qëndrimin e mbajtur gjatë një viti rresht ku u finalizua anëtarësimi me të drejta të plota në NATO, ata e treguan fytyrën e tyre të vërtetë, prej ekstremistësh të pandreqshëm.
Anëtarësimi në NATO duhet t’na gëzonte e mobilizonte të gjithëve, për të parë nga e ardhmja jonë e përbashkët dhe jo nga e kaluara përçarëse, pavarësisht se për shumë kohë, edhe gjatë viteve të demokracisë kemi qënë peng i pushtetit dhe mendësisë politike të asaj force, që duke perifrazuar një thënie nga Makrezi i Halifaksit do ta quanim: “Një lloj komploti kundër pjesës tjetër të kombit”. Është trashgimtarja legale dhe reale e PPSH-së, për të cilën George Orwell do të thoshte se: “Ashtu si për fenë kristiane, edhe për socializmin reklama më e keqe janë pasuesit e tij”. Politikanët e majtë duke qënë se nuk arritën gjë me veprimet e tyre të mbrapshta për të penguar anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, por përpiqen tani të përfitojnë nga ky fakt, jo vetëm duke i atribuar vehtes merita që nuk i kanë patur, por edhe duke sajuar lloj-lloj opinionesh diskretituese për qeverinë “Berisha”. Po me të njëjtin zell po punojnë ata për të bindur institucionet ndërkombëtare me pretendime se, ende “nuk është pjekur molla” e bërjes së kërkesës për statusin e vendit kantidat për anëtarësimin në BE. Dhe për ta bërë sa më të besueshëm pretendimin e tyre, kanë vënë në shënjestër procesin zgjedhor, i cili me përgatitjet e deritanishme, sidomos për sa i përket paisjes së të gjithë zgjedhësve me karta identitei, tregon se do të jetë sipas standarteve më të mira europiane. Normalisht një opozitë e përgjegjëshme duhej të bashkohej me mazhorancën për përshpejtimin e këtij procesi, pasi është në interes të të gjithë vendit. Këto janë çështje madhore, të cilat nuk mund të bëhen asnjëherë preh e politikave të vogëla partiake. Tashmë pas anëtarsimit në NATO, politika e majtë shqiptare duhet të tregojë pjekuri dhe xhelozi të ulët. Kjo është “politika e re” për të cilën ata përgjërohen ditë e natë. Politikë e re do të thotë të mbrosh interesat e vjetra të kombit për liri e progres shoqëror. Opozita duhet të ofrojë konsensus e bashkëpunim, jo vetëm për proceset e integrimit të vendit, por edhe për probleme madhore në zhvillimet e brendshme social-ekonomike në vend, të cilat kanë nevojë për zgjidhje afatgjata. Kjo kërkesë shtrohet sot, më shumë se çdo herë tjetër, në mënyrë që 7 prillin ta festojmë të gjithë si ditën e valvitjes në  NATO të flamurit të Arbërisë dhe jo ta përkujtojmë si ditën e zisë, duke recituar vargjet: “U nxi deti, u nxi qielli/ Nëno u sterrua dielli…”



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora