E premte, 19.04.2024, 10:00 PM (GMT+1)

Mendime

Kastriot Myftaraj: Shqipëria nga Italia fashiste tek NATO, me Traktatin e Varshavës në mes

E marte, 07.04.2009, 05:37 PM


Paralele 1939- 2009: Shqipëria nga Italia fashiste tek NATO, me Traktatin e Varshavës në mes       

Nga Kastriot MYFTARAJ

Në 25 mars 1939 Italia i dërgoi Shqipërisë një kërkesë në formë ultimatumi që midis dy vendeve të arrihej një traktat aleance dhe bashkëpunimi, përndryshe Italia fashiste do të pushtonte Shqipërinë. Të tetë nenet e traktatit i jepnin Italisë në Shqipëri më pak të drejta se ç’ ka pa asnjë marrëveshje SHBA, fuqia kryesore e NATO në vendin tonë. Sipas projektit të marrëveshjes që kryediplomati italian në Shqipëri, Jacomoni i dorëzoi Mbretit Zog, Italia kërkonte:
1)Aleancë ushtarake mes dy vendeve për t’ u mbrojtur reciprokisht nga sulmet, çka nënkuptonte se Italia do ta mbronte Shqipërinë nga fqinjët.
2)Italia do të siguronte ndihmë në rast të cenimit të sovranitetit të Shqipërisë.
3)Duke u njohur autoriteteve shqiptare të drejtat për ruajtjen e rendit dhe të mbrojtjes nga agresioni i huaj në vend, Italia do të përdorte mjetet që i konsideronte të nevojshme për të përmbushur detyrimin e marrë më lart.
4)Qeveria shqiptare do të lejonte përdorimin e porteve, aerodromeve dhe të rrugëve nga ana e Italisë.
5)Përfaqësitë diplomatike në të dy vendet do të ngriheshin në nivel ambasadash
6)Italia do të jepte ndihmë teknike e financiare për Shqipërinë dhe në këtë kuadër në çdo ministri shqiptare do të vendosej një funksionar italian, në postin e sekretarit të përgjithshëm.
7)Midis dy vendeve do të bëhej një marrëveshje doganore e monetare për shkëmbimet në përshtatje me tregun e brendshëm të dy vendeve.
8)Qytetarët e dy vendeve që banonin në shtetin tjetër do të kishin reciprokisht të njëjtat të drejta.
Siç shihet, termat e projekt-traktatit qenë formuluar në atë mënyrë që të pranoheshin nga Mbreti Zog, parlamenti shqiptar dhe opinioni shqiptar pa cenuar dinjitetin e tyre. Në projekt-marrëveshje përmendej më tepër se një herë sovraniteti i Shqipërisë, literalisht dhe praktikisht. Madje për të ushqyer dinjitetin e shqiptarëve bëhej koncesioni i madh që përfaqësia diplomatike të ngrihej në nivel ambasade, gjë që ishte krejt e pazakonshme në atë kohë, në marrëdhëniet mes një fuqie të madhe si Italia dhe një vendi të vogël si Shqipëria. Në atë kohë, SHBA, Britania e Madhe, Franca , Gjermania, marrëdhëniet diplomatike me Shqipërinë i kishin në nivel legate, në krye të së cilës qëndronte një ministër fuqiplote.
Ajo që të bën përshtypje në termat e projekt-traktatit është se Italia përveçse kërkonte të drejta ndaj Shqipërisë merrte përsipër edhe detyrime, dhe jo vetëm ushtarake por edhe financiare. Italia merrte përsipër që të financonte mbajtjen dhe zhvillimin e shtetit shqiptar, gjë që në fakt e kishte bërë në sajë të një sërë marrëveshjesh të tjera që nga viti 1925. Në rast se Mbreti Zog do ta kishte pranuar këtë projekt-traktat, ai do të vazhdonte të rrinte në pushtet dhe pushtimi italian i Shqipërisë në 7 prill të atij viti nuk do të kishte ndodhur. Duket se kanë qenë pikërisht termat e kujdesshme dhe të moderuara të projekt-traktatit që paraqiti Italia, ato që e bindën Mbretin Zog se Musolini po luante një blof dhe se nuk do të kishte pushtim, në rast se Tirana e refuzonte ultimatumin e Romës.
Nga termat e traktatit kuptohet qartësisht se Italia nuk kishte dëshirë që ta pushtonte Shqipërinë. Vetëm një vit më parë, në 1938, Italia kishte bërë një marrëveshje me Britaninë e Madhe, fuqinë kryesore të kohës në Europë, dhe Musolini gëzonte një reputacion të madh në Londër, ku Winston Churchill e kishte quajtur vetëm pak vite më parë, si ligjvënësin më të madh të kohës. Nëse shikon termat e projekt-traktatit që Italia i paraqiti Shqipërisë në mars 1939, shikon se Italia kërkonte me anë të tyre më pak të drejta se sa SHBA kanë në Shqipëri, në kuadrin e NATO, si dhe në mënyrë informale, pa asnjë marrëveshje.
Italia fashiste sigurisht që do të ishte e kënaqur me influencën që kishte në Shqipëri, dhe nuk do të kishte kërkuar që ta formalizonte atë me një traktat, sikur me afrimin e luftës, të mos e ndjente se vendet fqinje të Shqipërisë, Jugosllavia dhe Greqia, do të shfrytëzonin situatën e krijuar dhe të pushtonin e të ndanin Shqipërinë mes tyre. Në rast se do të kishte ndodhur kështu, atëherë Shqipëria do të ishte zhdukur nga harta që në 1939, dhe nuk do të restaurohej më si shtet pas Luftës së Dytë Botërore, pasi lufta nuk do ta kishte përfshirë Ballkanin. Lufta botërore e përfshiu Ballkanin pasi Italia fashiste sulmoi Greqinë dhe Gjermania u detyrua të hynte në luftë në Ballkan, për shkak se sulmi italian ndaj Greqisë dështoi.
Por, Italia nuk do të kishte mundur që ta sulmonte Greqinë në rast se kjo e fundit do të zotëronte bregdetin shqiptar, të cilin do ta kishte ndarë me Jugosllavinë. Italia nuk zotëronte mjetet e duhura për të bërë një zbarkim në një bregdet të mbrojtur nga një ushtri si ajo greke, e cila kishte dhe ndihmën e aviacionit dhe të flotës detare britanike. Derisa Italia nuk do të kishte guxuar të sulmonte Greqinë në këtë rrethanë, Gjermania nuk do të hynte në luftë në Ballkan, çka nuk e dëshironte. Kështu Ballkani do të dilte nga lufta i pacënuar, me përjashtim të zhdukjes së Shqipërisë nga harta, çka vështirë se do të rikuperohej, derisa vendet fqinje sigurisht që do të hynin në luftë në momentet e fundit si aleatë të koalicionit antifashist, për çka do të kërkonin kompensim pas luftës. Shqipëria do të kishte pësuar kështu fatin e vendeve balltike që u zhdukën nga harta në 1940, për gjysmë shekulli. Por, derisa vendet balltike të aneksuara nga Bashkimi Sovjetik ruajtën subjektivitetin shtetëror si republika në kuadrin e federatës sovjetike, çka u mundësoi që të pavarësohen me shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik, Shqipëria nuk do ta kishte këtë subjektivitet në kuadrin e vendeve fqinje, por do të aneksohej thjesht si një provincë nga Greqia e Jugosllavia mbretërore, e cila ndryshonte mjaft në pikëpamjen e shtetformimit nga Jugosllavia federale komuniste.
Edhe kur Italia fashiste e pushtoi Shqipërinë në 7 prill 1939, ajo e ruajti subjektivitetin shtetëror të Shqipërisë, duke mos ia aneksuar territorin e Shqipërisë Mbretërisë së Italisë, si një provincë të re të kësaj të fundit. Ai që quhet pushtim ishte nga pikëpamja juridike një bashkim personal i kurorave të dy mbretërive, duke iu dhënë Mbretit të Italisë kurora e Shqipërisë. Shqipëria ruante subjektivitetin shtetëror, me flamurin, gjuhën, monedhën, qeverinë, parlamentin, administratën, gjykatat, policinë etj., çka nuk ishte aq pa rëndësi sa kërkohet të paraqitet. Në këmbim të asaj pjese të sovranitetit që dha, Shqipëria mori nga Italia një ndihmë ekonomike që i siguroi në katër vitet e pushtimit një zhvillim që nuk e kishte parë as në ëndërr gjatë dekadave të kaluara si shtet i pavarur. Shqipëria e sotme, që nga viti 1991 e deri më sot, ka vazhduar të japë sovranitet, formalisht dhe informalisht, në raport me NATO, Bashkimin Europian, Organizatën Botërore të Tregtisë, si dhe SHBA, pa marrë në këmbim një ndihmë ekonomike konsistente. Madje edhe gjurmët e ndihmës ekonomike që ka dhënë Perëndimi që nga viti 1991, janë krejt të padukshme në krahasim me gjurmët e ndihmës italiane në Shqipëri, e cila ende dhe sot pas rreth shtatë dekadash përbën thelbin e infrastrukturës moderne të Shqipërisë, që nga rrugët, kanalizimet e ujërave të bardha dhe të zeza, ndërtesave publike, spitaleve, shkollave, porteve etj.
Historiani i njohur britanik Paul Johnson thotë se në histori kanë rëndësi dhe duhen analizuar jo vetëm gjerat që ndodhin, por edhe ato që nuk ndodhin. Ajo që nuk ndodhi në këtë rast ishte që Italia ta aneksonte Shqipërinë si një provincë të saj, edhe pse sigurisht që mund ta kishte bërë këtë gjë, siç edhe bëri Italia në 1941 me disa territore të Jugosllavisë, përkatësisht në Slloveninë e sotme dhe në Dalmaci.  Shqipëria ruajti një pjesë të sovranitetit dhe në këmbim mori një ndihmë konsistente ekonomike. Një vend i vogël nuk mund të kërkojë më tepër në momente të vështira, aq më tepër kur Lidhja e Kombeve nuk luajti as gishtin e vogël për t’ i ardhur në ndihmë Shqipërisë, kur Mbreti Zog refuzoi kërkesën e paraqitur në formë ultimatumi nga Italia, që midis dy vendeve të arrihej një traktat, në termat që kam treguar më lart. Shqipëria e zhgënjyer nga braktisja e Lidhjes së Kombeve, pasi i kishte rezistuar me kurajë ultimatumit italian, nuk kishte më ç’ të bënte tjetër pas zbarkimit të trupave italiane në Shqipëri, veç të përpiqej që pushtimi të modifikohej juridikisht, duke ruajtur sa më tepër që të ishte e mundur institucionet shtetërore të para pushtimit, gjë që për hir të së vërtetës edhe u arrit. Në këto rrethana ishte gjithmonë e mundur që të restaurohej pavarësia, se një Shqipëri që ruante flamurin, gjuhën, institucionet kryesore, dhe që zhvillohej ekonomikisht, një ditë do ta kërkonte pavarësinë dhe do ta arrinte në të parën rrethanë të favorshme.
Në rast se Mbreti Zog do të kishte pranuar projekt-traktatin e ofruar nga Italia në mars 1939, ndoshta do të ishte evituar dhe përhapja e luftës botërore në Ballkan, se Musolini vështirë se do të hynte në luftë kundër Greqisë në tetor 1940, në rast se nuk do ta kishte Shqipërinë nën atë kontroll ushtarak që e kishte që nga prilli i vitit 1939. Kështu Shqipëria nuk do të ishte përfshirë në luftë dhe vendi nuk do të ishte bërë komunist në përfundim të saj. Refuzimi i marrëveshjes që Italia i propozoi Shqipërisë rezulton kështu akti kryesor i rezistencës ndaj pushtimit, që solli pasoja për Shqipërinë dhe praktikisht dhe për Ballkanin në vitet e ardhshme. Kur Mbreti Zog refuzoi ofertën për traktat të Italisë, të paraqitur në formë ultimatumi, ai pati qartësisht inkurajimin e Britanisë së Madhe dhe Francës, dy fuqive kryesore që në atë kohë kundërshtonin Italinë dhe Gjermaninë. Por kur ultimatumi u konkludua me invazionin ushtarak italian, Shqipëria e Zogut u braktis në fatin e vet nga Britania e Madhe dhe Franca. Madje Shqipëria ishte braktisur paraprakisht nga këto vende, se Britania e Madhe dhe Franca, derisa e inkurajonin Shqipërinë t’ i rezistonte Italisë, nuk merrnin përsipër rolin e Italisë për të ndihmuar ekonomikisht Shqipërinë, çka ishte nevojë jetike për Shqipërinë.
Mbreti Zog akuzohet se nuk i rezistoi pushtimit, çka është e vërtetë, por ironia e historisë është se ai i bëri aq rezistencë Italisë, sa ta detyronte këtë që të pushtonte Shqipërinë. Sigurisht që një vend e kryen pushtimin e një vendi tjetër, si një mënyrë ekstreme për të kontrolluar një vend, kur rrezikohet që atë vend ta marrë nën kontroll një vend i tretë, ose kur drejtuesit e vendit që synohet të kontrollohet e refuzojnë avancimin e kontrollit nga ana e vendit tjetër. Në marrëdhëniet e Italisë me Shqipërinë në 1939, ekzistonin të dy këto rrethana. Italia nuk e donte pushtimin e Shqipërisë, por u detyrua që ta bënte nga qëndrimi i Mbretit Zog. Paradoksalisht rezistenca e Mbretit Zog në 1939, krijoi situatën e favorshme për gueriljen komuniste, fitorja e së cilës në 1944 e çoi Shqipërinë në sferën ruse të influencës dhe në Traktatin e Varshavës në 1955. Luajaliteti i pa shpërblyer i Shqipërisë monarkiste në 1939 ndaj Lidhjes së Kombeve dhe demokracive perëndimore, Britanisë së Madhe dhe Francës, rezultoi me pasoja tepër të këqija për Shqipërinë. 
Pas rënies së komunizmit, Shqipëria u gjend para ofertës së SHBA për atë lloj partneriteti që Shqipëria e kishte pasur me Italinë para Luftës së Dytë Botërore. Shqipëria, gjatë dy dekadave të fundit i ka bërë si koncesion SHBA të drejta për të ndërhyrë në punët e brendshme të një vendi sovran siç është Shqipëria, të cilat shkojnë shumë më përtej të drejtave që kishte Italia në Shqipëri, jo vetëm deri në vitin 1939, por edhe në vitet e pushtimit 1939-1943. Mëkëmbësi italian në Shqipëri në vitet 1939-1943, Francesco Jacomoni, Princi i Sanseverinos, nuk u përzie kurrë në punët e brendshme të Shqipërisë aq sa ç’ bëjnë ambasadorët amerikanë në Shqipëri sot. Dhe të mendosh që SHBA, ndryshe nga Italia e asaj kohe, nuk kanë marrë përsipër detyrime për të ndihmuar financiarisht Shqipërinë për zhvillimin e saj ekonomik, dhe ajo ndihmë që amerikanët pretendojnë se kanë dhënë është krejt e padukshme. Derisa SHBA sot, nëpërmjet NATO dhe në mënyrë informale, kanë marrë në Shqipëri të drejta që realisht nuk i ka pasur Italia fashiste, SHBA nuk e kanë kompensuar këtë cenim të sovranitetit të Shqipërisë me ndihmë ekonomike konsistente. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për marrëdhëniet e Bashkimit Europian me Shqipërinë.
Në historinë e shteteve ajo që ka rëndësi nuk është ideologjia, por arritjet. Italia fashiste vërtet solli në Shqipëri një ideologji jodemokratike, por arritjet ekonomike të Shqipërisë në këtë periudhë, prej katër vitesh të pushtimit, si dhe në 14 vitet e partneritetit të ngushtë mes dy vendeve para pushtimit, qenë aq të mëdha, impresionuese dhe të pakrahasueshme me asnjë periudhë tjetër, jo më me partneritetin me Bashkimin Sovjetik apo Kinën, por as me atë me SHBA dhe Bashkimin Europian në dy dekadat e fundit. Përndryshe, SHBA dhe Bashkimi Europian, që pretendojnë se po asistojnë instalimin e demokracisë dhe të shtetit të së drejtës në Shqipëri, në fakt nuk kanë arritur që të krijojnë në vend veçse karikaturën e demokracisë dhe të shtetit të së drejtës, me ndarje pushtetesh, pa dhënë në ndërkohë një ndihmë konsistente ekonomike.
Eksperimentimi i fashizmit në Shqipëri ishte eksperimentimi një ideologjie e cila ishte krijuar për të ndërtuar shtetin në vende pa traditë reale shtetformimi, siç ishte gjysma e Italisë (Italia e Jugut), çka i përshtatej shumë Shqipërisë, e cila kishte një traditë të ngjashme. Eksperimentimi në Shqipëri i modelit perëndimor të demokracisë dhe shtetit të së drejtës, me ndarje pushtetesh, është eksperimentimi i një ideologjie e cila është aq e përshtatshme për realitetin shqiptar sa ç’ ishte komunizmi, një ideologji e cila duhej zbatuar në shoqëri urbane të industrializuara. Për këtë arsye ideologjia perëndimore është për vende si Shqipëria, po aq utopike sa komunizmi, një tjetër utopi perëndimore. Është sa sinjifikuese aq edhe ironike që të vetmet vende që mund të sillen si model për atë që SHBA dha ndihmë me sukses gjatë Luftës së Ftohtë, duke i shndërruar në vende të prosperuara, qenë ato vende ku u zbatua një version i fashizmi si Kili i Pinoçetit, Korea e Jugut, Taivani etj.
A do të rezultojë luajaliteti i sotëm Shqipërisë ndaj Perëndimit demokratik po aq i keqshpërblyer sa në 1939 dhe me pasoja po aq të rënda, ndoshta edhe më tepër? Shenjat nuk janë të mira. Fqinjët e Shqipërisë , Serbia dhe Greqia, janë sot jo më pak të prirur dhe të gatshëm se në vitin 1939, për të përfituar nga rrethanat që të ndajnë dhe të aneksojnë Shqipërinë. Ngjarjet e vitit 1997 në Shqipëri dhe të viteve 1998-1999 në Kosovë e treguan qartë këtë gjë. Disa shenja të tjera e tregojnë këtë gjë gjithashtu. Italia e kohës së midis dy luftërave botërore, pasi siguroi nga Lidhja e Kombeve protektoratin mbi Shqipërinë, çka SHBA e kanë praktikisht sot. Italia e asaj kohe, me të fituar këtë të drejtë ndaj Shqipërisë, i bëri presion Greqisë që të ndërpriste ndërhyrjet në Shqipëri, të cilat Greqia i bënte kryesisht duke instrumentalizuar fenë ortodokse. Greqia, për të cilën të gjithë shqiptarët ortodoksë qenë grekë, synonte që duke kontrolluar Kishën Ortodokse në Shqipëri me anë të klerikëve grekë, të siguronte praktikisht federalizimin fetar të Shqipërisë. Shteti shqiptar nuk do të kishte mundur t’ i rezistonte Greqisë në çështjen e autoqefalisë së Kishës Ortodokse, në rast se nuk do të ishte presioni italian ndaj Greqisë, që në rastin e vrasjes së Gjeneral Telinit, u kulmua deri në pushtimin e Korfuzit nga Italia.
Përndryshe, pas rënies së komunizmit në Shqipëri SHBA lejuan që në krye të Kishës Ortodokse Autoqefale në Shqipëri të vijë një klerik grek që e mban ende këtë post, me të cilin Greqia ka siguruar simbolikisht federalizimin fetar të Shqipërisë, duke kërkuar në perspektivë ndarjen e vendit dhe aneksimin e pjesës që rivendikon, madje edhe më tepër. Lejimi i Janullatosit në Shqipëri është po aq i rëndë, madje edhe në një pikëpamje shumë më i rëndë se koncesionet që i janë bërë Kishës Serbe në Kosovë me Planin “Ahtisaari” dhe që është bërë pjesë e së drejtës kushtetuese të Kosovës. Me këto koncesionet që i janë bërë Kishës Serbe në Kosovë nuk rrezikohet që qytetarë shqiptarë të Kosovës të shndërrohen në serbë, ndërsa me koncesionin që i është bërë Kishës Greke në Shqipëri me Janullatosin, qytetarë shqiptarë me kombësi shqiptare shndërrohen praktikisht në grekë etnikë.  
Këto, si dhe mungesa e ndihmës ekonomike konsistente nga SHBA, si partneri i parë i Shqipërisë, të bëjnë pesimist edhe për të ardhmen e partneritetit të Shqipërisë me SHBA. Praktikisht Shqipëria me hyrjen në NATO dhe me të drejtat që i ka bërë si koncesion SHBA në mënyrë informale, i ka dhënë SHBA edhe më tepër të drejta se ç’ i kërkoi me ultimatum Italia Shqipërisë në mars 1939, me justifikimin se donte ta mbronte nga rreziku i fqinjëve, që ishte real. Por, derisa Italia e siguroi vërtet këtë mbrojtje, madje edhe e bashkoi Kosovën dhe një pjesë tjetër të madhe të trojeve shqiptare përtej kufirit me Shqipërinë e vitit 1913, SHBA nuk të ngjallin besim se do të bëjnë diçka të tillë në një situatë të ngjashme. Sa për BE, është e qartë se ai nuk do të lëvizte as gishtin në rast se Shqipëria rrezikohet të copëtohet nga fqinjët, madje BE do ta gjente komod një zhvillim të tillë. A mos ndoshta ironikisht, përsëri, si në 1939, për shkak të luajalitetit gjeopolitik ndaj Perëndimit demokratik, i cili ironikisht këtë herë na kërkon koncesione në sovranitet më tepër se Italia fashiste atëherë, do të biem përsëri viktimë e botës sllavo-ortodokse si në 1944, ndoshta në 2014, apo në 2044?   
kmyftaraj@yahoo.com 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora