E shtune, 20.04.2024, 06:11 AM (GMT+1)

Faleminderit

Skënder R. Hoxha: Në dhjetëvjetorin e Prillit të Thyer të Jabllanicës së Dushkajës

E marte, 07.04.2009, 09:38 PM


Kujtesë e një historie të afërt

NË DHJETËVJETORIN E PRILLIT TË THYER TË JABLLANICËS SË DUSHKAJËS 

Shkruan Prof. Skënder R. HOXHA

…Ështe kjo Jabllanica e Dushkajës, komuna e Gjakovës. Është kjo Jabllanica ku herët e vonë gjetën mikpritje e mbështetje burrat e kombit shqiptar: Azem Bejta, Bajram Curri, Isë Boletini… Është kjo Jabllanica që përjetoi Masakrën e vitit 1921 ku u martirizuan 64 burra, jabllanicas e mysafirë, ndër ta edhe 13 vjeçari Qerim (Binak) Zeneli) dhe vetëm pse ishin shqiptarë, e Jabllanica gjithmonë armiqve u tha: JO!, KJO ËSHTË TOKË SHQIPARE DHE NE JEMI SHQIPTARË! … Është kjo Jabllanica e burrave të hershëm të saj: Adem Hasanit, Qel Ahmetit, Ukë Zenelit, Dulë Ademit, Haxhi (Bajram) Ahmetit, burra këta të pushkës e të kuvendit… Është kjo Jabllanica e qelulave të para UÇK-së. Ështe kjo Jabllanica e vitit 1993, kur trimat e këtushëm, me në krye legjendën Sadri Zeneli (tash dëshmor), u kacafytën me policinë serbiane dhe i thanë haptas: “Shporruni që këtej, se nuk ju njohim ndryshe veç si pushtues e okupatorë!”. Është kjo Jabllanica e cila nga ajo përleshje e vitit 1993 e deri më 1999, e organizuar dhe e mobilizuar, i madh e i vogël aty, bëri roje dhe në të nuk guxoi të hyjë këmbë polici as ushtari të Serbisë, të atij shteti okupator e gjenocidal. … Është kjo Jabllanica e qelulave të para të UÇK-së… Është kjo Jabllanica  e  nënë Azës – Aze Brahimajt, Agim Zenelit, Sadri Zenelit, Naser Brahimajt, Dritan Zenelit, Luan Smajlit, Myrtë Zenelit dhe e shumë dëshmorëve dhe martirëve të tjerë… të cilët dhanë shumë në luftën e lavdishme të UÇK-së, më në fund edhe jetën, për lirinë e Kosovës. Është kjo Jabllanica (tash Shqiponja) e heroit të gjallë, Lahi Brahimajt, i orëve të para të UÇK-së, i cili padrejtësisht mbahet në burgun e Hagës!…
    Në dhjetëvjetorin e prillit të vitit 1999, të atij viti të egër, përkujtojmë 5 e 6 prillin,           përkujtojmë rënien e luftëtarëve të Shqiponjës (ish-Jabllanicës), përkujtojmë sakrificën, dhembjen dhe krenarinë … 

PRILLI I VITIT 1999 DHE JABLLANICA -

Shkon në pavdekësi luftëtari i radhëve të para të UÇK-së

        Më 5 prill të vitit 1999, forca të mëdha serbe ndërmorën një ofensivë të ashpër kundër pozicioneve të UÇK-së në Ratishë, Lumbardh, Dashinoc, Maznik, Jabllanicë, Gërgoc, Kralan etj. Ushtria Çlirimtare që vepronte në këto anë, gjendet në rrethim të hekurt dhe e ballafaquar me soldateskën famëkeqe serbiane e cila kishte vënë në veprim tërë mekanizmin e saj luftarak, duke djegur e pjekur çdo gjë që i vinte ndoresh. Kjo ofensivë në Jabllanicë mori haraç të shtrenjtë…
       Pikërisht më 5 prill, në Pikën luftarake Te Shkolla, në vendlindjen e tij, pas një qëndrese heroike, bie në fushën e nderit luftëtari i radhëve të para të UÇK-së, Naser Brahimaj.   
     Të dhëna për dëshmorin Naser (Rexhë) Brahimaj (1.IX.1976 – 5.IV.1999) 
     Naser Brahimaj është njëri ndër luftëtarët e radhëve të para të UÇK-së, i cili fatin e vet qysh herët e kishte lidhur me fatin e atdheut. U lind më 1 shtator 1976 në fshatin Jabllanicë të Dushkajës, komuna e Gjakovës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, të mesmen në Cërmjan dhe Gjakovë. Në radhët e UÇK-së u inkuadrua më 5 tetor 1995, atëherë në ilegalitet, bashkë me Lahi Brahimajn, Myrtë Zenelin etj. Lidhje të mirëfillta kishte me Luan dhe Daut Haradinajn nga Gllogjani, të cilët ishin nipa të familjes Brahimaj. Prindërit Rexhë e Ajshe Brahimaj kishin nëntë fëmijë: katër djem dhe pesë vajza. Naseri ishte i shtati me radhë. Ishte i martuar dhe disa muaj pas rënies dëshmor i lindi një djalë, të cilin e pagëzuan me emrin e t’et.
      Naser Brahimaj që nga viti 1993 u dallua në mbrojtje të fshatit. Kishte lidhje të mirëfillta me Mujë Krasniqin, Rexhep Selimin, Ilir Konushevcin, Adrian Krasniqin etj. Gjatë periudhës së ilegalitetit shpesh ka shkuar në Shqipëri për armë, bashkë me Daut Haradinajn, Agim Zenelin, Gazmend Mehmetajn, Mujë Krasniqin, Rasim Kiqinën etj. Armatimin e çonte deri në Açarevë dhe Çabiq. Ishte pra një ndër lidhjet kryesore të shpërndarjes së armatimit të UÇK-së për rajonin e Dushkajës. Vazhdimisht ishte në kontakt me Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së. Naseri, i njohur me nofkën “Bardheci”, krahas furnizimit me armë, ka marrë pjesë në një varg aksionesh kundër forcave policore serbe, të kryera bashkë me vëllezërit Lahi e Nazmi Brahimaj. Duhet përmendur aksionin kundër stacionit të policisë serbe në Çallapek, tri herë me radhë, e madje edhe në aksionin e përgjithshëm të UÇK-së më 11 shtator 1997, po kundër këtij stacioni. Shtëpia e xhaxhait të tij më 1997 ishte e
hapur për të strehuar grupet që udhëtonin për në Shqipëri, të udhëhequra nga Musa Jashari, Rasim Kiqina, Muharrem Xhemajli, Alush Agushi etj. Naser e Lahi Brahimaj të parët, më 4 mars 1998, dolën me uniformën e UÇK-së në Jabllanicë. Naseri bashkë me Agim Zenelin ishin koordinatorë të UÇK-së për rajonin e Dushkajës. Ishte përgjegjës i vijave të frontit në Vranoc, Qeskovë, Këpuz, Kralan, Cërmjan dhe Rakovinë, përkatësisht përgjegjës për vijën e frontit Këpuz-Qeskovë-Bokshiq-Grabanicë, por edhe për Pikën e Shqiponjës në Jabllanicë, pikë kjo me një strategji të fuqishme luftarake. Në luftën e Loxhës mori pjesë me 35 luftëtarë të Njësisë së vet, si: Nezir Neziri, Xhevdet Brahimaj, Florim Zeneli etj. U dallua në luftimet e zhvilluara në Këpuz, Dollovë, Qeskovë, Sukë e Cërmjanit, Vranoc, Kryshec, Gllogjan, Gërgoc, Rahovec, Drenoc të Klinës, Lumbardh, Pozhar, Ratishë, Llukë etj. Në maj të vitit 1998 në Këpuz u zhvilluan luftime të ashpra. Këtu morën pjesë tri Njësi të UÇK-së nga Jabllanica, të komanduara nga Naser Brahimaj, Agim Zeneli dhe Myrtë Zeneli. Këtu merr pjesë edhe Njësia e Alush Agushit nga Drenoci i Klinës. Gjatë betejës në Këpuz, Naseri arrin të rrëzojë një helikopter serb me mitralozin kundërajror. Ditën e tretë të luftimeve arrijnë ta bllokojnë artilerinë serbe, e cila ishte përqendruar në Qafën e Dollovës. Me këtë rast sulmojnë tri njësitë nga tri drejtime: nga poshtë - Naser Brahimaj, në mes - Agim Zeneli, nga drejtimi i Bokshiqit - Myrtë Zeneli. Në këtë luftë bie dëshmori Myrtë Zeneli dhe plagosen tre ushtarë. Mori pjesë në luftimet në Sukë të Madhe më 21 maj 1998, bashkë me Xhelal Hajdën, Agim Zenelin, Fadil Nimanajn, ku forcat serbe pësojnë humbje të mëdha. Në luftimet e zhvilluara në Drenoc të Klinës për tri ditë rresht Naseri me shokë luftoi si lua. Edhe në luftën e Rahovecit mori pjesë bashkë me Lahi Brahimajn dhe shokë të tjerë. Në betejat e Jabllanicës të gushtit dhe shtatorit të vitit 1998 tregoi heroizëm të rrallë. Po në gusht merr pjesë edhe në luftimet e zhvilluara në Gllogjan të Rekës. Më vonë lufton në Dashinoc, në Ratishë, në Lumbardh, në Pozhar, ku njësitë e UÇK-së të prira nga komandanti Daut Haradinaj, armikut i shkaktojnë humbje të mëdha. Në prill 1999, vetëm dy ditë para se të bie në fushë të nderit, Naser Brahimaj, në Kodrën e Bokshiqit likuidoi pesë ushtarë serbë. Mirëpo, në ofensivën e 5 prillit 1999, në Jabllanicë, në pozicionet luftarake në Pikën te Shkolla, pas një lufte dhe qëndrese heroike, bie në altarin e lirisë edhe Naser Brahimaj, duke lënë prapa lavdinë e një luftëtari të shquar të Dushkajës, të Dukagjinit dhe të mbarë Kosovës.

Trupi i tij pushon në varrezat e vendlindjes.       
                    
Strategu i rezistencës dhe i luftës bie në fushë të nderit në vendlindje

Egërsia e forcave kriminale serbe në fillimprillin e ’99-ës çdo ditë merrte tagrin e vet. Pikërisht 6 prilli ishte i kobshëm për Sadri Zenelin, strategun e rezistencës dhe të luftës i cili, duke mos dashur të lëshojë pozicionet e luftës në vendlindjen e tij, në Jabllanicë, bie në fushë të nderit. Rënia e tij lë zbrazëti të madhe në radhët e UÇK-së, e cila përjetonte ditë me përplot sfida të vështira.

Të dhëna për dëshmorin Sadri (Azem ) Zenelin (6.IX.1950 – 6.IV.1999)

Sadri Zeneli u lind më 6 shtator 1950 në fshatin Jabllanicë. Rrjedh nga një familje e mesme fshatare, bujare dhe atdhedashëse. Shkollën fillore e kreu në Zhabel, Normalen në Gjakovë, ndërsa studimet e larta në Fakultetin Teknik, Dega e Metalurgjisë, në Universitetin e Prishtinës, ku fitoi edhe titullin inxhinier i metalurgjisë. Katër vjet punoi si mësimdhënës në Shkollën e Mesme Teknike në Pejë, ndërsa nga viti 1979 punësohet në Fabrikën e Feronikelit në Gllogoc, në fillim si inxhinier, e më vonë edhe si udhëheqës reparti. Prindërit Azem dhe Hate Zeneli kishin katër fëmijë: tre djem e një vajzë. Ishte i martuar dhe ka lënë pas vetes tre fëmijë: dy vajza dhe një djalë.
       Mori pjesë në të gjitha grevat, demonstratat, protestat dhe revoltat e viteve 1989 e 1991. Në vitin 1992, regjimi serb, që e kishte përcjellë hap pas hapi aktivitetin e tij, ashtu si gjithë shqiptarët, e largoi me dhunë nga vendi i punës. Sadri Zeneli kthehet në vendlindje, në Jabllanicë, ku edhe e nis veprimtarinë e vet kombëtare. Më 9 mars 1993, në Jabllanicë, Sadri Zeneli i jep grushtin e parë pushtetit serb dhe këtë pikërisht kriminelit të njohur dhe antishqiptarit të përbetuar, policit Millutin Prashçeviq. Në kacafytje e sipër, Sadri Zeneli ia nxjerr nga duart revolen kriminelit dhe njëherësh ia thyen edhe radiolidhjen. Nga kjo ditë Jabllanica dhe djemtë e saj bëhen barrikadë e pakalueshme për pushtetin serb. Këmbë polici për gati gjashtë vjet nuk shkeli në Jabllanicë. Më 11 tetor 1994, Sadri Zeneli formon Njësitin e parë të vetëmbrojtjes në Jabllanicë, përkatësisht kjo datë shënon edhe inkuadrimin e tij në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në këtë kohë ilegalisht, ku shërbeu me devotshmëri deri në ditën e rënies për liri. Kështu që për shumë vjet Jabllanica u bë sinonim i atdhetarizmës në mbarë Kosovën.
       Grupin e parë ilegal në këtë fshat e përbënin: Sadri Zeneli, Lahi Bramimaj, Myrtë Zeneli, Xhevat Zeneli, Hysen Brahimi, Selim Ademi, të gjithë nga Jabllanica. Aksionet e tyre ilegale ishin të shumta. Si udhëheqës në Njësitin e fshatit Jabllanicë të UÇK-së, Sadri Zeneli së bashku me Xhelal Hajdën, Agim Zenelin, Myrtë Zenelin, Mustafë Abazin, Xhevdet Brahimajn, Nezir Nezirin, Avdi Smajlin e shumë të tjerë, u ballafaqua drejtpërdrejt me forcat serbe në Sukën e Cërmjanit, ku armikut i shkaktuan dëme të mëdha në njerëz dhe në teknikë. Ishte maji i vitit 1998 kur u zhvillua kjo luftë e ashpër ndërmjet pjesëtarëve të UÇK-së dhe forcave serbe. Pastaj Sadri Zenelin e gjejmë në vijën e parë të frontit në ofensivat që u zhvilluan në Çeskovë, Këpuz, Bokshiq (në këtë luftë vritet luftëtari i ditëve të para të UÇK-së për Dushkajë dhe kushëriri i Sadriut, dëshmori Myrtë Zeneli, emrin e të cilit e mbajti Brigada 132), Vranoc, Kralan, Jabllanicë etj. Pas ofensivës së gushtit 1998, Sadriu së bashku me Dritan Zenelin, Nazmi Brahimin, Mustafë Abazin ripërtërinë Shtabin e Jabllanicës. Qëndresa e tij dhe e bashkëluftëtarëve, bënë që autoriteti i tij si luftëtar dhe si njeri të shtohet. Dhe, pikërisht më 6 prill të vitit 1999, Sadri Zeneli bie në fushën e nderit, ashti siç binë luftëtarët për liri, mu në fshatin e lindjes, në Jabllanicë, duke mos dashur të lëshojë pozicionet e luftës në vendlindje.

Trupi i dëshmorit varroset në vendlindje, në Jabllanicë, ku edhe tash prehet i qetë.
          
Ushtarë e fshatarë të Jabllanicës bien në Kryq të Rakocit

       
“Më 6 prill 1999, nga komandant Ramush Haradinaj ka ardhur urdhri që të bëhet bartja e të plagosurve që ishin në spitalin ushtarak të Zhabelit dhe të dërgohen në drejtim të rajonit të Istogut, ku vepronte Brigada 133. Këtë detyrë duhej ta kryente Brigada 131, me komandant Daut Haradinaj. … Sa më kujtohet , pikërisht më 6 prill 1999, në Jabllanicë e në fshatra të tjera përreth hyn ushtria serbe. Sërish e shkatërrojnë fshatin e braktisur, marrin pozicionet luftarake dhe vendosen nëpër disa shtëpi të lagjeve të fshatit”. - (ish-ushtari i UÇK-së, Sami Krasniqi nga Peja, dhënë autorit).
         Gjashtë prilli për jabllanicasit u bë edhe më i pamëshirshëm. Kështu, në ndërrim të pozicioneve të luftës, bien në altarin e lirisë edhe katër ushtarë të rinj nga Jabllanica: Arben Mehmetaj, Bajrush Mehmetaj, Fitim Rexha dhe Islam Ademaj, (të gjithë të Mëhallës së Mulajve) të cilët  kishin rënë në një pritë të forcave serbe. Bashkë me ushtarët e përmendur, në atë rast vriten edhe bashkëfshatarët e tyre: Ramë Mehmetaj (babai i Bajrushit), Ali Rama (fqinjë i tyre), kurse për Lan Rexhën atë ditë e sot nuk dihet gjë, konsiderohet si i zhdukur.
         Ja se si i shpjegon ngjarjet e atij fillimprilli të kobshëm, Mehmet Mehmetaj, i cili i kishte përjetuar, bashkë me të tjerët, ato dy prita serbe në male të Kryqit të Rakocit, por për fat kishte mbijetuar:
        “Me një pjesë të familjes sime isha i strehuar në Gjakovë. Ka qenë fillimi i prillit të vitit 1999 kur jam dalë në fshatin Skifjan të Gjakovës me qëllim që të gjej mundësi për të shkuar në Dushkajë, ku i kasha djemtë, vëllezërit, djemtë e vëllezërve, bashkëfshatarët, shumica e të cilëve ishin ushtarë të UÇK-së. Në Skifjan u takova me disa njerëz të cilët po ashtu ishin të interesuar të shkojnë në Dushkajë. Jemi nisur nëpër disa fshatra të Rekës së Keqe, ku kemi mbledhë armë të ndryshme dhe na u bashkangjitën edhe njerëz të tjerë… Ishte data 4 apo 5 prill kur kemi mbërritur në Ratishë të Deçanit (Dushkajë). Aty kemi gjetur njerëz nga anë të ndryshme, por të afërmit e mi nuk i kam gjetur aty. Është koha kur ushtria e policia serbe kishin ndërmarrë ofensivë të egër ndaj popullatës shqiptare ku bombardonin shumë fshatra të Rekës e të Dushkajës… Nga Ratisha, me një grup, kemi shkuar në Bardhaniq, ku jam takuar me njerëzit e mi të cilët i kërkoja. Kështu, prej familjes sonë ishim: unë (Mehmeti), vëllezërit e mi Rama e Salihu bashkë me bijtë tanë: Mustafaja ( i vëllait tonë të ndjerë, Rizës), Bajrushi e Asllani,  (të Ramës), Gëzimi ( i Salihut) dhe dy djemtë e mi, Arbeni e Shkëlzeni; pastaj Selman Rexha me të birin, Fitimin dhe të vëllain, Lanin; Ali Ramaj me të birin, Imerin; Islam Ademaj me të birin, Arsimin; Adem Ademaj me të bijtë Sejdiun dhe Përparimin, pra ishim gjithsej 19 burra e djem të mahallës sonë, disa ishin ushtarë e disa civilë. … Ofensiva ishte aq e ashpër sa ushkria jonë ishte e pamundur t’i kundërvihej, kështu që ne kemi vendosur që të ndërrojmë pozicionin, ku nëpër male të Kryqit të Rakocit, kemi menduar të kalojmë në mallet e Shtrazës dhe të vendosemi diku në mallet afër fshatit tonë… E kemi marrë këtë rrugë të cilën, disa, nuk arritën ta mbarojnë… Ishte nata e 6 prillit ’99, diku në mes të orës 22 e 23, ku në një lëndinë, në vendin e quajtur Kryqi i Rakocit, kemi rënë në pritë. Na kishin vërejtur shkiet dhe na i kanë lëshuar dritat. Pamë se ishim vetëm rreth 10 -15 metra larg tyre. Djemtë tanë, ushtarë, ishin të armatosur, por edhe ne civilët kishim nga një lloj arme, siç thuhet, sa për ta mbrojtur kokën. Na kanë gjuajtur me breshëri të shtënash. Edhe ne kemi gjuajtur, por befasia, prita e nata të çartin. Këtu ranë: biri im Arbeni, vëllai im Rama dhe Ali Rama, ndërsa plagoset Selman Rexha. Këtu na ishte ndarë edhe vëllai i Selmanit, Lan Rexha, gjurmë e të cilit nuk është gjetur dhe nuk dihet gjë për të atë ditë e sot, konsiderohet si i zhdukur…
       Në tërheqje e sipër kemi rënë në një pritë tjetër, e cila, po ashtu, ishte tragjike për ne. Këtu u vranë: djali i vëllait tim, Bajrush Mehmetaj, Islam Ademaj dhe djali i Selmanit, Fitim Rexha, ndërsa unë mora tri plagë. Humbjet e mëdha në njerëz që pësuam, paniku i krijuar në këtë natë të tmerrshme, bënë që grupi i mbetur, të hutuar, të shpërndahemi. Unë, s’di si kam mbetur vetëm dhe kam shkuar maleve deri në Zhabel. Të tjerët kishin pas shkuar në Bardhaniq. Në Zhabel kam hyrë në një shtëpi ku kam ndenjur 4 – 5 ditë e net, prej nga nuk guxoja të dal se shiheshin shkiet nga të gjitha anët. Me tri plagë në trup, prej Zhabelit kam kaluar nëpër male të Shtrazës dhe kam shkuar në male të Saricave të Kralanit, ku jam takuar me disa ushtarë tanët dhe me disa civilë të strehuar atje. Aty gjeta të plagosur edhe Hysen Krasniqin nga Novosella e Zajmit, komuna e Klinës, i cili kishte kishte mbijetuar masakrën e Kralanit. (…)
      Është interesant t’ua tregoj edhe rastin e Asllanit (djali i vëllait tim, Ramës), i cili, në pritën e dytë, kishte pas mbetur mbetur afër kufomave. Kur jam takuar pas disa ditësh me të, më tregoi se si ishte streduar disi në mal, aty afër dhe kishte mbetur 21 ditë. Gjatë asaj kohe kishte ngrënë bar dhe ndonjë pikë ujë. Disa herë kishte tentuar të ikë, por nuk kishte mundur ngase terreni kishte qenë i rrethuar nga të gjitha anët nga forcat serbe. Më në fund kishte humbur vetëdijen dhe sikur iu kishte dorëzuar vdekjes. Mirëpo, fati i tij, pas 21 ditësh, në gjendje kome, e gjejnë ushtarët tanë Arif Shala nga Cërmjani dhe Arsim Aliu nga Gërgoci. E marrin dhe e çojnë në Shtab Qendror në Maznik, ku kishte edhe të plagosur të tjerë. Po të njëjtën ditë edhe mua më çuan në Maznik, ku për shërimin tonë janë përkujdesur Dr. Ali Berisha, motrat medicionale Hidajetja dhe Shqipe Nimani, të cilëve ju jemi mirënjohës dhe i falënderojmë. Kemi përjetuar edhe vuajtje të tjera, por ky do të ishte një përshkrim i tragjedisë që na ndodhi në Kryq të Rakocit…” (Rrëfim i Mehmet Mehmetajt (1945), i Mëhallës së Mulaj, të Jabllanicës, dhënë autorit më 29.XI.2003, në Jabllanicë).            
       
Të dhëna për dëshmorin Arben (Mehmet) Mehmetaj (4.IV.1976 – 6.IV.1999)
       
Arben Mehmetaj u lind  më 4 prill 1976 në fshatin Jabllanicë, komuna e Gjakovës Rrjedh prej një familje bujare dhe të ndershme. Nga kjo familje në luftën e fundit kundër regjimit serb, ranë dy dëshmorë, fëmija e dy vëllezërve, Arben Mehmetaj dhe Bajrush Mehmetaj. Arbeni shkollën fillore e kreu në Jabllanicë dhe Zhabel, atë të mesme në Cërmjan, ndërsa studimet i regjistroi në Gjakovë, në Shkollën e Lartë Pedagogjike, dega kimi-biologji, por u detyrua t’i ndërprejë për shkak të kushteve ekonomike. Prinërit Mehmet dhe Ajshe Mehmetaj, kishin tre djem dhe një vajzë. Arbeni ishte fëmija i dytë me radhë.
         Si nxënës i shkollës së mesme dhe si student  mori pjesë në revoltat gjithëpopullore që u organizuan në Cërmjan, Gjakovë. Në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Arben Mehmetaj u inkuadrua më 10 qershor të vitit 1998, në kompaninë e parë, Batalioni i Parë, në Brigadën 132 “Myrtë Zeneli”, i sistemuar si ushtar. Gjatë kohës së luftimeve, edhe pse i ri, mori pjesë aktive në luftimet kundër forcave serbe që u zhvilluan në Sukë të Cërmjanit, Qeskovë, Vranoc etj., si dhe në mbrojtje të fshatit të lindjes, në Jabllanicë, e cila përjetoi disa ofensiva serbe, ndër më të egrat, që e dogjën dhe e rrënuar fshatin me artileri të rëndë deri në themele. Po ashtu, familja Mehmetaj dha një kontribut edhe në strehimin e ushtarëve dhe furnizuesve me armë, të cilët nga udhëtimet e gjata dhe të mundimshme në vijën Kosovë-Shqipëri-Kosovë, kalonin nëpër fshatrat Gllogjan i Deçanit, Jabllanicë e pastaj shpërndaheshin për Klinë, Skënderaj dhe Malishevë, duke furnizuar kështu tërë Kosovën me armatim. Dhe, Arben Mehmetaj, i cili  pas një lufte që u zhvillua më 5 prill në Jabllanicë, duke bërë ndërrimin e pozicioneve, vritet në Kryq të Rakocit, bashkë me Bajrush Mehmetajn, Islam Ademajn dhe Fitim Rexhën, të gjithë nga Jabllanica, duke rënë kështu në altarin e lirisë si dëshmorë të kombit.*)

Të dhëna për dëshmorin Bajrush (Ramë) Mehmetaj (10.III.1972 – 6.IV.1999)
      
Edhe dëshmori Bajrush Mehmetaj, i lindur më 10 mars 1972 në fshatin Jabllanicë, komuna e Gjakovës, i përket familjes së urtë dhe bujare, të ndershme dhe patriotike të derës së Sali Mehmet Mulajt. Bajrushi shkollën fillore e kreu në Jabllanicë dhe në Zhabel, ndërsa atë të mesme, drejtimi i Ndërtimtarisë, në Gjakovë. Prindërit e tij, Ramë dhe Zyhra Mehmetaj, kishin shtatë fëmijë: tre djem dhe katër vajza. Bajrushi ishte fëmija i dytë me radhë. Ishte i martuar dhe la pas vetes një djalë. Në vitin 1990 Bajrush Mehmetaj gjendej në shërbim ushtarak në Ushtrinë Jugosllave ku përjetoi tmerret më të egra në radhët e serboçetnikëve në luftimet që u zhvilluan në Kroaci, ku dëshmori kryente shërbimin ushtarak. Para hyrjes në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, si çdo i ri në Kosovë, e posaçërisht në Jabllanicë me tradita të hershme patriotike, kishte mbetur në izolim të plotë, duke u marrë vetëm me bujqësi dhe punë të tjera shtëpiake. Mirëpo, dyert e lirisë i hapi dalja në skenë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, sidomos ajo në Rrafsh të Dukagjinit, me epiqendër në fshatin Gllogjan, komuna e Deçanit, të cilës i prinin luajt e patrembur, vëllezërit Ramush, Shkëlzen e Daut Haradinaj. Në radhët e kësaj ushtrie të lavdishme u inkuadrua edhe dëshmori Bajrush Mehmetaj, pikërisht më 10 qershor të vitit 1998, duke u sistemuar si ushtar në Kompaninë e Parë të Batalionit të Parë, në Brigadën 132 “Myrtë Zeneli”. Si luftëtar i kësaj Brigade që zhvilloi beteja të rëndësishme në Dushkajë, Lug të Baranit dhe Rrafsh të Dukagjinit në përgjithësi, dëshmori Bajrush Mehmetaj mori pjesë në luftërat që u zhvilluan në Qeskovë, Vranoc, në mbrojtje të fshatit Jabllanicë etj., ku tregoi përkushtim prej ushtari të UÇK-së. Pas luftimeve që u zhvilluan në Jabllanicë më 5 prill 1999, një ditë më vonë, pikërisht më 6 prill, bie në pritë të forcave serbe në Kryq të Rakocit, ku vritet bashkë me fshatarët dhe luftëtarët Arben Mehmetaj (djali i axhës), Islam Ademaj dhe Fitim Rexha.

Të dhëna për dëshmorin Fitim (Selman) Rexha (8.X.1981 – 6.IV.1999)

Fitim Rexha u lind më 8 tetor 1981 në fshatin Jabllanicë, komuna e Gjakovës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, të mesmen në fshatin Baran. Si familje në këto dhjetë vjetët e fundit kishin probleme me policinë. Disa herë janë ftuar në biseda informative. Xhaxhai i dëshmorit, Sadik Rexha, në vitin 1998 u dënua me dy vjet burg, të cilat i mbajti në Pejë dhe Dubravë. Prindërit Selman dhe Xhejrane Rexha kishin pesë fëmijë: tre djem dhe dy vajza. Fitimi ishte fëmija i fundit me radhë. Jabllanica, vendlindja e dëshmorit Fitim Rexha, ishte e njohur për rezistencë që nga viti 1993, kur nga një përleshje me policinë në qendër të fshatit, ata kurrë më nuk guxuan të shkelin në këtë fshat. Andaj, edhe hyrja në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte e pashmangshme nga të rinjtë.
         Edhe një gjë i bën jabllanicasit të qëndrojnë të paepur kundër regjimit serb. Ata nuk e harrojnë masakrën e vitit 1921, kur 64 burra të këtij fshati vriten në Kodër të Madhe nga forcat e atëhershme serbomalazeze. Kështu, edhe Fitim Rexha u inkuadrua në radhët e UÇK-së më 10 qershor të vitit 1998. Shërbeu si ushtar në fshatin e lindjes, në Jabllanicë. Ofensivave dhe luftimeve të ndryshme u përballoi ashtu si ushtarët e tjerë, kudo në Dushkajë. Dhe, dita e fundit e jetës së tij vjen më 6 prill 1999, duke bërë ndërrimin e pozicioneve të luftës, në vendin e quajtur Kryqi i Rakocit, ku bijnë në një pritë të forcave serbe dhe vritet së bashku me dëshmorët nga i njëjti fshat, Islam Ademaj, Arben Mehmetaj dhe Bajrush Mehmetaj. Po me këtë rast vriten edhe civilë të pafajshëm. Trupat e tyre qenë varrosur në vendin e ngjarjes. Më vonë trupat e tyre rivarrosen në Varrezat e Dëshmorëve në Jabllanicë të Dushkajës me nderime të larta ushtarake.
       
Të dhëna për dëshmorin Islam (Halil) Ademaj (5.VI.1954 – 6.IV.1999)

     Islam Ademaj u lind më 5 qershor 1954 në fshatin Jabllanicë, komuna e Gjakovës. Shkollën fillore e kreu në Kralan, Normalen në Gjakovë. Prindërit Halil dhe Hajrije Ademaj kishin gjashtë fëmijë: tre djem dhe tri vajza. Edhe dëshmori Islam Ademaj ishte i martuar dhe la pas vetes gjashtë fëmijë: katër djem dhe dy vajza. Pas kryerjes së Normales dy vjet punoi si mësues në fshatin Kralan. Kreu shërbimin ushtarak dhe punoi në Gjykatën për Kundërvajtje në Gjakovë, si nëpunës, për 17 vjet me radhë. Krahas punës studioi me korrespondencë në Shkollën e Lartë Pedagogjike në Prishtinë, Dega e Edukatës Politeknike.
      Më 20 prill të vitit 1998 inkuadrohet në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në Shtabin e Jabllanicës, në Brigadën 132, në Njësitin e Logjistikës. Në këtë Brigadë kishte detyrën e furnizuesit të UÇK-së, ku luftëtarët e lirisë i furnizonte me barna dhe karburante që ishin shumë të nevojshme gjatë luftimeve me forcat e policisë dhe ushtrisë serbe.
      Ishte fillimi i prillit të vitit 1999, kur forcat serbe morën ofensivë kundër pozicioneve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Jabllanicë dhe në të gjitha vijat e frontit. Në pikën e Shqiponjës ra heroikisht dëshmori i Jabllanicës Naser Brahimaj. Islam Ademaj me një grup shokësh, Arben Mehmetin, Bajrush Mehmetin dhe Fitim Rexhën dhanë një kontribut gjatë kësaj ofensive. Megjithatë, dita e pavdekësisë së tyre vjen pikërisht më 6 prill 1999, një ditë pas vrasjes së Naserit, kur këta petrita nga Jabllanica po bënin ndërrimin e pozicioneve të luftës, në vendin e quajtur Kryqi i Rakocit, ku bijnë në një pritë që ua kishte zënë armiku shekullor serb, duke u pavdekësuar në altarin e lirisë së Kosovës.
      Trupi i dëshmorit prehet i qetë në varrezat e vendlindjes.”

*) Burimet: E kemi shfrytëzuar librin e autorit të këtij shkrimi: “Jabllanica (Shqiponja) e Dushkajës”, Art poetika, Pejë, 2004.; ndërsa shënimet biografike për dëshmorët janë marrë nga libri i Hasan H a s a n i t, “Të pavdekshmit e Dukagjinit”, Trupat Mbrojtëse të Kosovës, Zona e Tretë, Pejë, 2002.



(Vota: 21 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora