E marte, 16.04.2024, 08:35 AM (GMT+1)

Mendime

Adnan Abrashi: Kur Tirana feston dhe Prishtina hesht

E marte, 07.04.2009, 09:13 PM


KUR TIRANA KREMTON DHE PRISHTINA HESHT

Nga Adnan Abrashi

Ceremoniali formal i pranimit të Republikës së Shqipërisë si anëtare e barabartë e aleancës më të fuqishme ushtarake më botë – NATO, pa dyshim se është një ngjarje tejet e rëndësishme, jo vetëm për Shqipërinë si shtet, por edhe për gjithë kombin shqiptar në përgjithësi, e posaçërisht për Republikën e Kosovës fqinje, në veçanti.
Tirana këtë ngjarje e festoi me dinjitet dhe eufori të arsyeshme gjithëpopullore, ndërsa Prishtina pushoi. Edhe përpos kritikave të shumta mbase me vend që kohën e fundit bëhen për mosorganizimin e një ceremonie zyrtare të kremtimit të kësaj ngjarjeje historike nga institucionet shtetërore në Prishtinë, mua aspak nuk më bëri të dyshoj se: sikur Fatmiri Sejdiu, ashtu edhe Hashim Thaçi, nuk iu janë gëzuar kësaj ngjarjeje. Por, ky lëshim në përgjithësi i institucioneve të Kosovës, më tepër duhet të merret si: pakujdesi, mangësi të iniciativës së tyre, mungesë e veprimit të shpejtë dhe shkathtësisë në nuhatjen e kërkesave të momentit, si dhe koordinimi i reagimit në mënyrë të duhur ndaj këtyre situatave …
Me pak kreativitet të ikjes nga ky moment i palakmueshëm, ashtu siç bëri edhe vetë Hashim Thaçi në një deklaratë, si dhe me kalimin e kohës, patjetër se edhe ky lëshim do të harrohet. “Çdo çudi zgjat tre ditë” – thotë populli. Por sado që këto dhe shumë kritika tjera të bëra ndaj institucioneve tona zgjasin “tre ditë” dhe më pas harrohen, ato në prapavijën e tyre të veprimit ndikojnë heshtazi që të mbushet edhe më shumë kupa e durimit ndaj politikës që aktualisht është në pushtet.
Edhe pse për mendjet tona mund të janë mjaft të mirëkuptueshme deklarimet që ata na i bëjnë si arsyetime për disa dështime të tyre, a thua e dinë këta politikanë tanë se, njeriu gjatë formimit të bindjes vetjake për një situatë të caktuar, nuk e përdor vetëm logjikën si funksion mental, por edhe fuqinë e INTUITËS si  instrument të pagabueshëm regjistrues të shpirtit?!
Kur kjo mendje individuale shprehet dhe përfaqësohet në grup, atëherë kemi të bëjmë me veprimin e “mendjes kolektive”. Po ashtu, ngjashëm do ta kemi edhe me intuitën individuale, e cila njësoj kur shprehet dhe përfaqësohet në grup, vepron si “intuitë kolektive”. Pra, gjatë gjykimit të një situate të caktuar (formimi i bindjeve), ne paralelisht përdorim, sikur logjikën e mendjes, ashtu edhe fuqinë e intuitës. Edhe tek shumësi si kolektivitet, ky raport është i ngjashëm. Prandaj, patjetër duhet ta dimë të gjithë, e posaçërisht elita jonë politike në pushtet se shumë nga arsyetimet e tyre për disa dështime sado logjike të kuptuara nga mendja, nuk rroken gjithmonë njëjtë sipas kritereve vlerësuese të intuitës sonë. Derisa, aty për aty, mëndja vlerëson logjikisht dhe e mbështet justifikimin konkret mu ashtu sikurse thuhet, intuita në anën tjetër, e filtron edhe më thellë atë informatë, duke na dërguar sinjale kontradiktore për atë situatë në formë të ndjenjave në vetëdijen tonë. Ta zëmë, derisa mendja si koshiencë i jep vetes kuraje: “hajt se do të bëhet mirë, s’është kjo gjë... unë i besoj Hashimit…etj.”, nga anën tjetër intuita,  na dërgon sinjale kontradiktore dhe të dyshimta. Ta zëmë, vlerësimi i mendjes sonë për diçka si lëshim, atë intuita na sinjalizon si “dobësi” ; zvarritjen e masave, si “mosinteresim”; mungesën e reagimit të shpejtë, si “negilishencë”; mosekzistimit të sensit për nuhatjen e kërkesa të kohës dhe reagimin e shpejtë ndaj atyre situatave në mënyrë të duhur, si “paaftësi”…
Me këtë metodikë specifike të vlerësimit të parashtruar si më lartë për institucionet tona në pushtet, aspak nuk e kam qëllimin ta inkurajojë opozitën, e cila në emër të interesave të veta politike, gjithnjë është e programuar të sheh vetëm zi e më zi për pozitën, e as për pesimistët ordinar të dëshpëruar nga jeta të cilët kurrë nuk shohin mirë, por:
- Për njeriun e zakonshëm si shumicë që dominon në shoqëri;
- Për atë pjesë nga 40 përqindëshi i të zhgënjyerve që kanë dale në zgjedhjet e fundit dhe kanë votuar për këta pushtetarë, dhe
- Për 60 përqindëshin e atyre që nuk kanë dalë në këto zgjedhje, me shpresë se do të dalin dikur…
Nëse për fund, në kontestin e të temës në trajtim, si metaforë e krahasojmë mendjen me institucionet tona shtetërore, e intuitën me popullin, atëherë, edhe pse mendja i kishte arsyet e veta për mosorganizim e një ceremonie gjithëpopullore festuese të kremtimit të hyrjes së Shqipërisë në NATO, populli si intuitë (zëri i organizuar i shpirtit kolektiv) e bëri atë në mënyrë të vetë. Atë ditë, ishte vërtet festë në Kosovë! Insertet e lajmeve nga ky ceremonial formal në TV, në çdo familje kosovare u përcollën me lot gëzimi. Atë ditë, kudo në lokale dhe kafeteri cakërroheshin gotat e dollisë. Atë ditë, “gëzuar Shqipëria në NATO”, qe urata më e dëgjuar. Atë ditë, vetëm unë mora dhjetëra mesazhe urimi në celularin tim. Edhe pse, siç thuhet, syri se sheh syrin përtej hundës, atë ditë zemra e pa zemrën përtej malit...
Sot dhe përgjithmonë, gëzuar Shqipërinë në NATO të gjithë shqiptarëve kudo që të jenë!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora