E enjte, 06.08.2020, 05:45 PM (GMT+1)

Kulturë

Agron Tufa: Fytyra e mërzitshme e poezisë shqipe

E hene, 06.04.2009, 06:41 PM


Fytyra e mërzitshme e poezisë shqipe

Nga Agron Tufa

Në vitin 1991, poeti laurat i çmimit Nobel, Josif Brodskij, ligjëroi me një propozim jomodest. Ai tha: “Përse vallë të mos e botojmë poezinë në miliona kopje, përderisa poezia përfaqëson në vetvete “modelin e intelektit në veprim”, sepse poezia i thotë njeriut “bëhu si unë!”.
Duke medituar pak mbi fjalët e Brodskijt, kujtohesh se ato i drejtohen një tjetër realiteti dhe, para së gjithash, duhet mbajtur fort parasysh fakti se çfarë poetësh duhen publikuar në tirazhe milionëshe. Nëqoftëse propozimi i mësipërm do të zinte vend në realitetin shqiptar (natyrisht, sipas shkallës së zvogëlimit në hartë), atëherë librat me poezi për nga sasia, do të konkuronin shkrepëset në kuzhinat e çdocilës familje shqiptare. Por, duke marrë në konsideratë edhe faktin tjetër se çfarë poetësh botohen me shumicë në Shqipëri, vetvetiu na përftohet një majmunadë e ububushme, pasi s’do fort mend për ta kuptuar se kush e çfarë botohet sot ndër shtëpitë tona (sa)botuese.
Për lehtësi përfytyrimi, le t’i ndajmë shkarazi në tipologji ata që përbëjnë peisazhin kaotik të poezisë shqipe.

1. Poetët adoleshentë me moshë nga 12-18 vjeç dhe adoleshentët e përjetshëm

Kjo tipologji bart jo simptomat, por vetë perversitetin familjar. Në këtë klasë përfshihen të gjithë ata djelmoça e vajzuke, adoleshente të grupmoshave nga 12–18 vjeç, si dhe adoleshenca e stërzgjatur që shkon nga 30 në 75 vjeç; me poezi ata nënkuptojnë atë turbullirë shpirtërore që i ka shkaqet në indisiplinimet dhe çoroditetjet e thella hormoniale. Në grupmoshën e parë, dukuria është e dhimbshme, ka karakter aberrativ dhe në përgjithësi është efemere. Grupmosha e dytë paraqet rastin më të rëndë, pasi neuroza shizoidale e adoleshencës së vonuar, zgjat deri në pleqëri të thellë. Në të dyja rastet, produkti krijues i tyre ka të bëjë fare pak me poezinë e mirëfilltë dhe në rastet më mira mbërrin deri në kufijtë e vetëshprehjes.

Prindërit e adoleshentëve (vëllezërit, bashkëshortët), turren kah botuesit, televizionet, periodikët letrarë, me bindjen naive se evlatit të tyre, Zoti ua ka lëshuar me spango dhuntinë ç’prej qielle lá. Të ndërgjegjshëm për misionin e vet, ata ngarendin të zgjojnë këtë botën tonë shurdhe që nuk po mahnitet me gjeniun ase gjenien e re.

Dhe, natyrisht, gjithkund shkelin, ata zgjidhin qesen, që nga botuesi, televizioni, promovimi i bujshëm, kurse “gjeniut” të vogël ia shtijnë mirë në zgavër të trurit moton: “Gjeniu është ajo qenie që s’duhet të çajë kokë për askënd në botë”. Vrasja kësodore është krejt e garantuar. Gjenitë e gjeniet e vogla shumë shpejt nginjen e kaurdisen me komplekset e impotencialit krijues. Dhe më së mbrami, “Urra-a-a-a-ja” e fortë e prindërve në fillim, kalon pluskueshëm në gogësimë.

2. Poetët e kurbetit

Një tipologji më vete formojnë tek ne poetët e kurbetit. Megjithëse është i trishtueshëm ky fakt, ai është i pranishëm në botime. Djelmoçat tanë refugjatë kanë një ngasje të çuditshme. Pasi punojnë gjithë vitin në Greqi, Itali a kundgjetkë, kthehen për pushime dhe me atë rast, i lënë fitimet e veta në duart e botuesve tanë për hir të një librushke. Kam rastisur të dëgjoj një poet-refugjat, një djalosh që po i sqaronte botuesit: “ape gojën, sa bën libri, por shpejt ama, se e dua të më botohet ditën e dasmës”.
Kur sheh librat e kësaj tipologjie, të bien në sy fakte rrënqethëse biografike, shkruar rëndom në kopertinën e pasme dhe poaq, parathëniet e stërfryra me lavde të ndonjë kritiku-dorëzanë, i cili ka rrezik hiç të mos e ketë lexuar librin.

Si rregull, - duke gjykuar nga tematika dhe produkti vetëshprehës i vargjeve – këta poetë, para se të vazhdojnë, e ngjyejnë mirë e lyrshëm penën me vrer. Kësisoj, tekstet e tyre ndryshojnë shumë pak prej atyre kasetave me këngëtarë zëngjirur që na ka rënë rasti t’i gjegjim nëpër furgona, pra – këngët e brengaxhinjve.

3. Miti i gruas shkrimtare

Dihet: dita shqiptare do të nisë, përveç krimeve dhe dallavereve, edhe me zbulimin e një talenti gjenial. Shumë sosh kohët e fundit janë gra të martuara. Dhe bravo! Tipologjia e grave që shkruajnë poezi është interesante, sidomos, po të kemi parasysh se talenti poetik lind e zhvillohet paralel me pjelljen e fëmijëve.

Si ndodh që pikërisht pas martese? Nuk dihet për ç’arsye. Ama të zbavit informacioni kur shpallet në ekran, në ndonjë takim të përgatitur muaj të tërë sforcimi ëndërror prej poetes vetë: “Kam dy fëmijë dhe një vëllim me poezi”; ose: “Kam një bebush dhe dy libra me poezi”. Për këtë dukuri flet dhe Rolan Barti dhe e quan “miti i gruas shkrimtare”. Si rregull, këto gra parapëlqejnë poezinë e shkurtër, duke dëshmuar kësisoj se “shkurtësia është motra e vogël e kushëririt tonë të madh”.

4. Poetët pensionistë

Delli poetik ndër ta është gjithë huqe. Si vetë pleqëria. Kjo tipologji shquhet për pathosin e zjarrtë politiko-social. Meqë kanë kohë, në vargjet e tyre do të gjesh plot sosh, ku poeti kapatheret me diktaturën komuniste që ka kaluar, por që ai (poeti) qenka inatçi i madh dhe nuk ia fal dot edhe pas kaq e kaq vitesh. Kështu, këta poetë sublimojnë në vargje pezmin e tyre të madh të qëndrimit përjetësisht “sus” para asaj qafireje diktaturë. Në vargjet e tyre mbizotërojnë rimat a,a,a,a,a,a... Librat e botuar prej tyre, zakonisht me sponsorizimet e djemve që i kanë refugjatë përtej detit, janë të mbushur me fakt të imta biografike, gjer dhe me ndonjë kritikë të rreptë që i kanë bërë në filan vit në filan ndërmarrje.

***

Ligjëratën e tij jomodeste Josif Brodskij e përmbyll kështu: “Arma e poezisë është kujtesa. Ajo është e dobishme për të ardhmen, të mos flasim më për të tashmen. Ajo është e vetmja mbrojtje nga vulgariteti i shpirtit njerëzor”.
Nga peizazhi që përshkruam më sipër, kuptohet vetvetiu se në çfarë bataku është rroposur vetë nocioni i poezisë. Nëpër librari librat me poezi nuk i pranojnë.

Askush s’i blen. Askush s’i lexon. Poetët e vërtetë nuk botojnë veçse libra me 50-100 kopje sa për t’ua shpërndarë miqve të tyre po poetë. E megjithatë, në Shqipëri shkruhet, madje shkruhet ajo lloj poezie e cila konkuron fare pa kompleks poezinë e çdocilës kulture perëndimore. Është krejt e kuptueshme që në një sfond të tillë kolerik, ajo të mbyllet, të kujdeset për higjenën e vet, pra, të jetojë në karantinë.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora