E enjte, 25.04.2024, 03:38 PM (GMT+1)

Editorial

Mërgim Korça: Debati mbi "kolaboracionizmin" me një majtist të përhershëm

E hene, 06.04.2009, 09:27 PM


Mërgim Korça
Mërgim Korça
Debati mbi "kolaboracionizmin" me një majtist të përhershëm

Dritëro Agolli nuk u përmbajt dot. Deshi edhe ai t’a shprehte mllefin e tij kundra KOLABORACIONISTËVE.

Nga Mërgim Korça

Për fat të keq të brezave që pasojnë, ndikimi i mendësísë komuniste në trajtimin e historisë së popullit tonë e gjithashtu edhe në shtypin e përditshëm, vazhdon edhe është tejet i pranishëm. Faktor përkeqësues, ndërmjet shumë syresh, qé edhe rrethimi me tel me gjëmba me kuptimin e mirëfilltë të fjalës, që i bëri diktatura për 47 vite me radhë, vëndit tonë ! Populli ynë mbeti tamam një gjysëm qindvjeçari mbrapa në të gjitha fushat, i krahasuar me popujt e tjerë europianë ! Në një kohë që tek ne popullarizohej nga diktatori si ... fitorje e madhe rritja e pashembulltë e kllasës intelektuale si pjell’e partisë ... , kjo nuk ish asgjë më pak por ligjërim i dhunshëm i vendosjes në vënde drejtuese shtetërore personash të pakultur’e të padíje profesionale. Mjaftonte shkolla e partisë e cila quhej shkoll’e shkollave dhe injoranti bëhej udhëheqës, strateg, e pse jo edhe rektor universiteti ! E doemos si pasojë nuk kish se si, dora dorës të mos i nxihej pamja vëndit tonë! Si materializohet sot ky rezultat ? Mjafton të krahasohemi me vëndet e tjera të cilat në vënd që të ishin pjesëtarë të Kampit Socialist qenë anëtarë të NATO-s. Me që trajtimi i kësaj teme del nga korniza e problemit rreth të cilit dua të ndalem sot, nuk po zgjatem më me të edhe po hyj menjëherë në temë. Qeveria e drejtuar nga koalicioni i Partisë Demokratike, përgjatë legjislaturës së fundit, po bën përpjekjet e saja t’i a dalë në krye që të shpërblehen për humbjen e jetëve, vitet e burgut si edhe vitet e internimeve, ose vetë viktimat e diktaturës ose pasardhësit e tyre me lidhje gjaku. Edhe ky problem është tejet i gjerë dhe trajtimit të tij nuk do t’i përqëndrohem përgjatë këtij shkrimi sepse larmía e çështjeve ësht’e pafund. Sa për t’a përnxitur sadopak kureshtínë rreth kësaj larmíje çështjesh sot, nga e njejta anë e barrikadës qëndrojnë si trashëgimtarët e familjarëve të dënuar sipas pretencave të prokurorit gjatë Gjyqit Special e gjithashtu edhe vetë trashëgimtarët e prokurorit. E me që diskutohet edhe “zgjerimi” në përfshirje të ligjit, sa për përndritje kujtese, dua të ve në dukje se kategori për t’u shpërblyer janë edhe trashëgimtarët e komandantit të Bataljonit Hakmarrja e gjithashtu edhe familjarët e viktimave të atij bataljoni ! Me pak fjalë, e pa as më të voglin mllef, vetëm se desha të hedh sadopak dritë rreth një çeshtje sa tragjike e po aq edhe të ndërlikuar për t’a trajtuar. Hyjmë tashti në temën e mirëfilltë të cilën pa as më të voglin mllef e me sinqeritetin më të madh dua t’a trajtoj. Intervistuesi e pyeti Z.Dritëro Agolli : Zoti Agolli, në kuvend dje u votua ligji, i cili dëmshpërblen të pushkatuarit pa gjyq para vitit ’44 në Shqipëri. Opozita ka deklaruar se kjo kategori personash janë kolaboracionistë, si e vlerësoni ju këtë debat? Përgjigja ishte “ Unë mendoj se duhet të bëhet në radhë të parë një përcaktim i qartë mes antikomunistëve dhe atyre që gjatë luftës apo dhe më pas, bashkëpunuan me pushtuesin, kërkuan të terrorizonin apo vrisnin ...” Që në fillim, përgjigja e zotit Agolli më befason lidhur me moskoherencën logjike të sajën. E kam fjalën se ai pohon që jo vetëm gjatë luftës ka patur bashkëpunëtorë me pushtuesin por “... edhe më pas, bashkëpunuan me pushtuesin ...”. Këtu ka lajthitje sa i takon qartësisë mendimit nga z.Agolli, sipas meje. Ngado që dua t’a analizoj pohimin e tij ai ka mangësí. Ata që bashkëpunuan me Italinë apo me Gjermaninë, (pa hyrë në analizën e qëllimeve dhe objektivave të tyre që z.Agolli nuk i ka hiç të qarta, ndoshta edhe jo për fajin e tij por të horizontit të tij), nuk kishin si vazhdonin e bashkëpunonin me ta sepse me të mbaruar lufta ata jo vetëm që pushuan së qëni pushtues por ishin edhe humbësit e vetë luftës. Apo e kam gabim ? Nga ana tjetër, edhe sikur t’a pranojmë se e ka fjalën p.sh. për të gjith’ata që u dënuan si bashkëpunëtorë me Jugosllavinë, pavarësisht nga si udhëheqja jugosllave e drejtonte dhe e hiqte nga hundët udhëheqjen tonë komuniste, prap nuk ka logjikë një pohim i tillë sepse Jugosllavija formalisht nuk është se na kishte pushtuar. Nejse, vazhdojmë më tej me këndvështrimet e Z.Agolli i cili vazhdon e pohon “... cila ka qenë përvoja evropiane dhe botërore në trajtimin e bashkëpunëtorëve të nazizmit dhe fashizmit ? Kështu njihet gjerësisht historia e Filip Petenit, heroit francez të Luftës Parë Botërore. Në postin e kryeministrit Peten, pas pushtimit të Francës nga Gjermania naziste, u la në detyrë dhe bashkëpunoi me gjermanët. Edhe pse pas luftës ai u justifikua se bashkëpunoi me gjermanët për të ruajtur Parisin nga shkatërrimet që mund të shkaktoheshin, qeveria e De Gol e burgosi si bashkëpunëtor me nazistët. Ai u internua në një ishull të largët.” Pa hyrë e të zgjerohem fare duke bërë apologjín’e Mareshalit Petáin, dua t’i a kthjelloj disi horizontin historik Z.Agolli rreth këtij personazhi. Më 10 korrik 1940 Franca kapitulloi e mbeti në mëshirën e egërsisë ushtrisë naziste. Mareshali Petáin, heroi i Verdunit, mori kurajën e doli para popullit parizian me deklaratën “ Po i a dhuroj personin tim Francës për t’i a lehtësuar fatkeqësitë … para së gjithash të rivendoset rendi, të ndahen të mirët nga të këqinjtë … në qëndër të shkatërrimit nuk qëndron një gabim ushtarak ose politik, por një “shpërbërje”, (dekompozim – M.K.sipas origjinalit), e kombit e kurdisur nga një komplot i forcave kundra – Francës : elita të vjetra republikane, komunistë, massonë, hebrenj, të huaj si edhe internacionalistë të çdo tipi … “ (Botime të “Institut d’Histoire du Temps Present” André Paul – Louis Simon ARC 074, 6-63 – si edhe Philippe Burrin “La France a l’heure allemande” Seuil, 1995 / 11 - 118 M.K. përkthyer sipas origjinalit). Parlamenti Francez e votoi zgjedhjen e Mareshalit Petain me datën 10 korrik 1940 me 468 vota pro, 80 kundra si edhe 10 abstenime. Duhet të shtoj se vetë nivelet e votimeve tregojnë se nuk ishin votime të dhunuara. Ndonëse s’kam se si të zgjatem më me Mareshalin Petáin, nuk rri dot pa i a kujtuar Z.Agolli faktin që qeveria e ashtuquajtur tradhëtare e Vichy-së e ushtronte administrimin e saj mbi ¾ e territorit Francës ku gjermanët, deri në mbarimin e luftës, nuk i futën kurrë më “hundët e tyre”. Në vijim të argumenteve që ngre Z.Agolli në favorin e tezës së tij, ai citon shkrimtarin e njohur në botë për të cilin shprehet “ … Në Norvegji, Knut Hamson, (Hamsun – saktësim M.K.), një poet novelist është burgosur duke u mbajtur gjatë në burgim. Shkaku i këtij dënimi ishte përkrahja përmes shkrimeve të tij të nazizmit.” Pa debatuar fare me Z.Agolli, vetëm një gjë i sugjeroj lexuesit : mos të përtojë dhe të lexojë disa nga faktet që do t’i parashtroj. Leif Veggum, drejtori i Norges Bank, informon se në nderim të veprës Hamsun-it, e cila ka patur një ndikim të fuqishëm në letërsinë norvegjeze si edhe në atë botërore, Thesari i Shtetit Norvegjez ka hedhur në treg një monedhë kushtuar Knut Hamsun-it me rastin e 150 vjetorit të lindjes së tij. Gjithashtu, në kuadrin e këtij përvjetori, me 19 shkurt 2009 u shpallën datat e celebrimeve që vijojnë për nder të Knut Hamsun-it. Po ju radhis disa nga programet : Java e Hamsunit në qëndrën e Letërsisë në Oslo 20 – 26 Prill 2009. Knut Hamsuni në Rendsburg nga 5 deri më 7 Qershor 2009. Celebrim në Lom Vaga në nder të Hamsunit nga 1 deri më 7 Gusht 2009 Ditët e Hamsunit edhe Ibsenit në Grim nga 14 deri 16 Gusht 2009. E pashë të arësyeshme mos t’a kopjoja gjithë programin vjetor se do të bëhej monoton por vetëm e zura në gojë që lexuesi t’a krijojë opinionin e tij jo vetëm nga një pohim i thatë dhe krejt’i përgjithshëm i Z.Agolli. Vazhdojmë edhe me një shkrimtar tjetër kalibri botëror si Ezra Paund për të cilin Z.Agolli shprehet si vijon : “Rasti më domethënës është në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Njihet Amerika si vendi më antikomunist në botë. Por atje u dënua me burgim nobelisti në letërsi Ezra Paund, për shkak se propagandonte nazizmin dhe fashizmin. Madje ai u mbyll në kafaz. Pra, dënimi i bashkëpunëtorëve të fashizmit dhe nazizmit nuk është vetëm fenomen shqiptar. Deri në vitet ’50 si e gjithë Evropa, edhe Shqipëria ka dënuar bashkëpunëtorët e fashizmit.” Zotit Agolli edhe për Ezra Poundin do t’i ve në dukje për t’ia plotësuar këndvështrimin rreth poetit dhe shkrimtarit kaq të madh amerikan, një fakt shum kuptimplotë. Në vitin 1995 u organizua një simpozium si rrjedhojë e një bashkëpunimi kulturor ndërmjet “Carpe Diem” si edhe “Teatrit Vertex”. Atje u arrit në përfundimin që Ezra Paundi të cilësohej si “The poet’s poet“ (poeti i poetëve – M.K.), për ndikimin e thellë të tij përgjatë shekullit të 20-të në shkrimet e letërsisë angleze. Duke shpresuar se Z.Agolli do të ketë interes t’a merrte e t’a lexonte broshurën e botuar me këtë rast, e informoj se mund t’a kërkojë duke i u drejtuar me internet carpediem@iol.it dhe ata pa vonesë i a dërgojnë, (e vetmja vështirësi mbase do të ishte në leximin e saj se ata e dërgojnë në anglisht, italisht, gjermanisht, etj. po jo në shqip ose rusisht). Nga ana tjetër do t’i rekomandoja Z.Agolli gjithashtu t’a lexonte ciklin e fjalimeve të mbajtura nga Ezra Paundi në Radion Italiane, të Universitetit Bocconi, me titullin : Mbi Natyrën Ekonomike të Luftrave. Vetë tema tejet interesante dhe shum’e ndërlikuar e dhënë për t’u trajtuar pikërisht nga Ezra Paundi, nga ky institucion prej më të vlerësuarve në Itali edhe më gjerë, besoj se mbush shumë boshllëqe që si duket ka Z.Agolli lidhur me këtë personalitet të madh botëror. Dhe sa për kureshtí, do t’i rekomandoja Z.Agolli të bënte një qëmtim shumë të shpejtë e të hetojë se sa tema disertacionesh në vit trajtojnë vizionet e Ezra Paundit ! Do të mbetej i befasuar sikur t’ia tregoja unë shifrën; po i a le t’a gjejë vetë. Për t’a mbyllur edhe me figurën madhore të Paundit, dua t’a mësojë lexuesi se në kohën kur ai, në disa drejtime e shikonte ideologjinë naziste jo aq të zezë sa paraqitej, e patën mbyllur në çmendinë, (ndërsa Z.Agolli shprehet se qe dënuar me burgim e në kafaz). Mirëpo sot bota ka ecur përpara. Kanë kaluar shumë dhjetvjeçarë që nga koha kur Knut Hamsuni si edhe Ezra Paund u futën në çmendira. Hedhja e shikimeve dhe studimeve nga pozita mbrapavështruese, i kanë pozicionuar ato personalitete në vëndet që u takojnë sipas shtatit të tyre ! Intervista e Z.Agolli mbyllet me pyetjen e fundit të gazetarit : Mendoni se socialistët duhet të reformojnë qëndrimin e tyre ndaj kësaj kategorie ? “Socialistët nuk ndryshojnë dot këtë qëndrim sepse është vlerësim real i historisë, por edhe pse rrjedhin nga PPSH-ja. Por unë do të thosha se nga PPSH kanë dalë të gjitha partitë politike shqiptare. Unë e kam krahasuar PPSH-në me një “shegë të plasur”, kokrrat e së cilës u përhapën gjithandej, në parti të ndryshme”. E tashti që i erdhi koha t’i japim kokë muhabetit, siç e thotë populli, më del në pah një an’e papritur e Z.Agolli, person të cilin në nënvetëdijen time mundohesha t’a veçoja disi nga masa e injorantëve me diploma. Ja edhe sepse. Knut Hamsunin, në rininë time të herëshme, e kam patur autorin e novelave nga më të preferuarat që lexoja. Në vijim, mes tjerëve si Lajosh Zilahy, Alexis Carrel, Margaret Mitchell, Teodor Kroger, etj.etj., Erza Paundi qé shkrimtari të cilin e lexoja edhe këtë me shumë kënaqësí. Kështu që, në qoftë se Z.Agolli do t’a kishte shfaqur pikëpamjen e tij kundra ligjit të kaluar në Kuvend lidhur me kolaboracionistët, thjeshtë sipas atyre pikëpamjeve të mykura dhe dashakeqëse të ndjekësve të verbër të propagandës komuniste shtrembëruese të historisë, as e merrja mundimin të ulesha e të shkruaja rreth pikëpamjes së tij. Mirëpo Z.Agolli, për t’u treguar daç erudit si edhe origjinal, zuri në gojë, duke i përfolur, emrat e dy shkrimtarëve të mëdhenj i bindur se si specialist i letërsisë, secili do t’a pranonte tezën e tij në kundërshtim me ligjin e miratuar. Kjo përzgjedhje e tij jo vetëm më bëri të ulem e t’a analizoj intervistën e dhënë, por nga ana tjetër edhe më befasoi : e kuptova qartë se edhe Z.Agolli nuk bëka përjashtim nga plejada e letrarëve të t’ashtuquajturës rrymë letrare të realizmit socialist me mangësí të theksuara njohurishë lidhur me letërsinë perëndimore. Prandaj ai mirë do të kishte bërë që intervistën t’a kishte bërë duke u qëndruar besnik ugareve të fshatit, (siç e vlerësonte diktatori), të fliste për Memo Meton e të mos i a hynte krahasimeve me Mareshalin Petáin apo Knut Hamsunin dhe Erza Paundin. Sa për mbylljen e diskutimit të tij ku pozicionimin e socialistëve kundra ligjit të porsamiratuar nga Kuvendi e quan qëndrim logjik dhe koherent me qëndrimin që do të mbante PPSH-ja, ka thënë një të vërtetë të madhe. Gabimin e ka tek krahasimi me shegën. Shega nuk i shpërndan kokrrat e saja. Ferrecka e gomarit po. Ajo kur piqet shpërthen dhe farat e saja shpërndahen me metra larg mëmës. Këtë Z.Agolli duhet t’a dijë mirë. Është përvojë nga fshati!



(Vota: 8 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora