E marte, 11.08.2020, 07:28 PM (GMT+1)

Aktualitet » Bota

Njeriu i urës

E diele, 05.04.2009, 12:48 AM


"Toni zvicerani" ose siç e ka cilësuar "Times" i Londrës, "është një nga heronjtë më të patrembur të botës". Ishte 19 vjeç kur u nis nga Pontresina, për në Ekuador, sepse një tërmet i fortë kishte shkatërruar vendin. Nuk e dinte me saktësi se çfarë do të bënte, por duhej të bënte patjetër diçka. Dikur në një vend zbuloi se njerëzit po vdisnin, sepse nuk mund të kapërcenin lumin e të shkonin te doktori, prandaj vendosi që urat të bëheshin arsyeja e jetesës së tij. Filloi me forcën e krahëve, më pas takonte njerëzit e vendit ku do të ndërtonte një urë dhe u shpjegonte atyre se si mund ta ndihmonin. Kantiereve të firmave të ndryshme, sidomos atyre naftëmbajtëse, u kërkonte materiale që nuk u nevojiteshin, të cilat i përdorte më pas për ndërtimet e shumta. Kështu nisi edhe udhëtimi i tij i lidhur me katastrofat natyrore: nga Ekuadori i shkatërruar prej tërmetit, në Kolumbinë e goditur prej rrëshqitjeve katastrofike të tokës, nga Amerika Qendrore e shkatërruar prej uraganit "Mitch", në Meksikën e përmbytur. Një udhëtar pa valixhe, që fton popujt e varfër dhe të harruar të ndërtojnë ura me të. Nuk ka një shtëpi dhe askush nuk e paguan për punën që bën. Ushqehet dhe jeton me qytetarët. Ka një bindje dhe një qëllim: të ndihmojë njerëzit.

"El puentero", siç e quajnë në Amerikën Latine, gjatë 22 viteve ka ndërtuar në zonat më të shkatërruara të botës më shumë se 400 ura, si Ekuador, Kolumbi, Honduras, El Salvador, Nikaragua, Kosta Rika, Meksikë dhe Kamboxhia.

Gjatë kësaj aventure ka trokitur në shumë dyer dhe pavarësisht mijëra vështirësive, nuk ka hequr dorë nga objektivi. Pas tij nuk fshihen lëvizje politike ose fetare. Punon vetëm, duke pranuar ndihmën e atyre që ia ofrojnë: "E rëndësishme është që t‘i futen punës për të mirën e tokave të tyre".

Toni, si lindi ideja për të ndërtuar urën e parë?

Ishte viti 1987. Asokohe isha 19 vjeç dhe pashë në televizor pamjet e një tërmeti në Ekuador: mijëra njerëz kishin mbetur nën rrënoja e ndërtesave të shkatërruara. Vendosa menjëherë të nisesha. I shpenzova të gjitha kursimet e mia për biletën vetëm vajtje, e cila kushtonte 7500 dollarë. Në Ekuador gjeta një fshat në periferi të shkëputur nga qyteti. Njerëzit po vdisnin, sepse nuk mund të kapërcenin lumin dhe kështu mendova që një urë mund të ishte e nevojshme. I kërkova një kompanie naftëmbajtëse të më jepte tuba dhe kavo, më pas me paratë e mia bleva çimento dhe pjesën tjetër të materialeve që më duheshin. Për ndërtimin i kërkova ndihmë një inxhinieri holandez. Filluam të punonim, duke pranuar edhe ndihëm e njerëzve dhe të disa punëtorëve të kompanive naftëmbajtëse. Nuk ishte e lehtë, por pas pesë muajsh ura ishte gati.

Pse vendosët të ndërtonit të tjera?

Pasi përfunduam urën e parë u ktheva në Zvicër për të studiuar inxhinieri civile, por pas 6 javësh që isha rikthyer në Zvicër, kuptova se eksperienca ime në Ekuador nuk kishte mbaruar. Kisha frikë se mos pas pesë vitesh jetë duke ngrënë tri herë në ditë, me shumë miq përkrah dhe një të fejuar, nuk do të arrija më të shkoja në Ekuador, kështu që vendosa të nisesha menjëherë.

Si keni mësuar të ndërtoni ura?

Në fillim kopjoja projektet e inxhinierëve të kompanive naftëmbajtëse. Më pas mësova të projektoja vetë, edhe pse një urë kërkon një punë të madhe në grup. Zakonisht, njerëzit e një vendi merren me mbledhjen e rërës, gurëve dhe drurit. Unë përpiqem të gjej pjesën tjetër të materialeve. Fillimisht për saldimet u kërkoja ndihmë disa profesionistëve, më pas njoha Walter Yanez, një saldator që u bë krahu im i djathtë dhe tani merret me ndërtimin e urave në Amerikën Latine.

Ç‘materiale përdorni dhe ku i merrni?

Kërko dhe do t‘i kesh. Gjatë këtyre 22 viteve kam trokitur në shumë dyer të kompanive naftëmbajtëse, duke kërkuar materiale që nuk u nevojiteshin. Nuk është e thjeshtë t‘i gjesh, edhe pse unë u them menjëherë se nuk bëj reklamë. Pastaj për t‘i transportuar në vendin ku do të ndërtohet ura, u kam kërkuar ndihmë anijeve.

Me çfarë jetoni?

Kur u riktheva në Ekuador, pas ndërtimit të urës së parë, kalova katër vite në xhungël. Kjo ishte stërvitja ime, mësova të jetoj me pak, të ushqehesha vetëm kur kisha diçka për të ngrënë. Deri tani kam jetuar me njerëzit e vendit ku punoja. Për kompjuter, telefon dhe udhëtime, më ndihmojnë miqtë dhe personat që më kanë njohur.

Cili ka qenë momenti më i vështirë për ju?

Do të veçoja dy. Kur shkova në Kamboxhia, shoku dhe ndihmësi im, Walter Yanez, vendosi të kthehej në Amerikën Latine. Kishte marrë me vete edhe familjen dhe duke parë shpërthimin e minave në kufirin tajlandez, vendosi që të largohej. Ishte një moment shumë i vështirë: përveçse po humbja një mik, nuk do të kisha më me vete njeriun që bënte një pjesë të rëndësishme të punës sime. Fatmirësisht pas pak kohësh gjeta dy saldatorë të tjerë, Yin Sopul dhe Pen Sopoan. Momenti tjetër i vështirë, sërish në Kamboxhia, ishte kur, për shkak të një infeksioni, u preka nga sindroma "Guillain Barré": një mëngjes kur u zgjova nga gjumi nuk ndieja njërën dorë, mëngjesin pasues, nuk ndieja dorën tjetër, më pas dy krahët dhe në fund të gjithë trupin".

Si arritët të lëviznit?

Për një vit qëndrova në një qendër rehabilitimi, i paralizuar nga qafa e poshtë. Më pas, falë një mirëbërësi anonim tajlandez u shërova dhe fillova të ndërtoja sërish ura. Fatmirësisht gjatë asaj periudhe truri im funksiononte për mrekulli: shfrytëzova kohën për të krijuar një software për drejtimin dhe projektimin në distancë të urave.

Ç‘metodë pune përdorni?

Kur shkoj në një vend, i pyes banorët nëse dëshirojnë të ndërtojnë një urë dhe ku. Unë merrem me gjetjen e tubave, kavove dhe gjithë të tjerave. Atyre u mbetet të gjejnë dru, gurë dhe rërë. Zakonisht bëj tri projekte: një për llogaritjet fillestare, të dytin për mbështetjen e shtyllave dhe të tretin për të montuar strukturën. Për të ndërtuar një urë na duhen pesë javë. Kostot variojnë sipas rrethanave, por pjesa më e madhe e urave ndërtohen për më pak se 3 mijë dollarë.

Tani ku po punoni?

Në Mianmar, por preferoj të mos flas shumë për këtë.

Pse keni vendosur t‘i ndihmoni njerëzit duke ndërtuar ura?

Gjithmonë më kanë magjepsur, urat të lidhin, janë simbol i dashurisë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora