E premte, 29.03.2024, 11:29 AM (GMT)

Shtesë » Shoqëria

Afrim Alia, modeli shqiptar ne token e kangureve

E merkure, 18.07.2007, 07:40 PM


Karriera e modelit shqiptar mes suksesit dhe vështirësive. Për Afrim Alinë, një ndër modelet më seriozë, më të vlerësuar dhe të kërkuar në Australinë e largët, çdo moment i jetës është një garë. Një maratonë që nuk ia di fundin asnjëherë, por që i lejon të kuptojë jetën shumë mirë.

Shtatë vite më parë Afrim Alia kishte jetën e një emigranti të thjeshtë. Punonte, vishej dhe dëfrehej si të gjithë meshkujt e tjerë. Luante futboll dhe shihte televizor, pa u shqetësuar për pamjen, kilogramët e trupit, veshjen që zgjidhte dhe aq më tepër për modën, të cilën e konsideronte si kategori që u përket vetëm femrave. Por janë shtatë vite kohë në mes, që kanë ndryshuan gjithçka për Afrim Alinë, modelin 30 vjeçar, që në fushën e modës ka zgjedhur të quhet “Alessio”. Rrjedha e këtyre viteve e ka transformuar atë nga emigranti i zakonshëm në kërkim të fatit, në një ndër modelet më seriozë, të vlerësuar dhe të kërkuar të modës në Australinë e largët.

I rritur mes Tropojës dhe Tiranës, ku tradicioni i vendit të origjinës përzihej me kontrastet bardh e zi të kryeqytetit shqiptar, në moshën 15 vjeç Afrimi largohet për në Itali për të kuptuar dimensionin e vërtetë të tij, drejt një jete të re. Gjatë viteve të qëndrimit atje, asnjëherë nuk e ka parë Italinë si vendin ku mund të bëhej model, megjithëse jetonte në qendrën e stilistëve më të njohur të Botës dhe shanset do të ishin mjaft të favorshme nëse do të provonte qysh atëherë. Kjo sepse moda nuk ka qenë asnjëherë ëndrra e tij.

Punën si model nisi ta projektonte vite më pas, në vitin 2000, kur shkeli mbi tokën e kangurëve, akoma për një ndryshim cilësor në jetë dhe rastësisht e pa veten në një konkurs bukurie, fitues të njërit prej dy çmimeve të para që jepeshin aty. “Ishte e dashura ime e asaj kohe, një modele, që më nxiti të marr pjesë në konkursin e njohur “Sexy man of the ocean”. Vija nga një vend i varfër, nuk kisha edhe aq besim tek vetja, pastaj ishte edhe problemi i përshtatjes, edukimit. Të gjitha këto bënin që fillimisht të isha i ndrojtur në këtë gjë të re që po provoja. Pastaj i thashë vetes “pse mos e bëj?” Premtova se do t’ia arrija patjetër dhe ky premtim them se më ka ndihmuar. Mbaj mend se në fillim kisha shumë ndrojtje të vishesha dhe zhvishesha para fotografëve dhe bliceve të tyre, nuk dija si të sillesha dhe të reagoja me ata. Por kjo gjë me kalimin e kohës dhe këmbënguljen time nuk ekziston më dhe unë ia kam dalë në krye”.

Që nga ky konkurs i parë shumë gjëra kanë ndryshuar për jetën e Afrimit. Ishte pikërisht ky konkurs kur ai zgjodhi edhe emrin “Alessio” për të hyrë në tregun e modës. “Më pyetën se si dëshiroja të më prezantonin dhe menjëherë mendova se emri “Afrim” për atje nuk kishte as edhe një kuptim. E kam zgjedhur menjëherë “Alessio”, nuk e di pse, mbase ngaqë ishte emri i parë që më erdhi në mendje. Sot e kësaj dite unë njihem si Alessio, megjithëse këtu në vendin tim dua të më thërrasin Afrim”, shton ai duke qeshur.

Modeli shqiptar 30 vjeçar, sot është ndër modelet e kërkuar në Australi, Singapor, Hong Kong, Tokio, etj. Ai është bërë imazhi mashkullor i parfumeve të ndryshme, veshjeve për burra, veshjeve të brendshme, etj. Fiziku ideal i Afrimit, një muskulaturë e punuar mirë, portreti paksa i ashpër në dukje, vështrimi i egër që fsheh një buzëqeshje shpërthyese, kanë bërë që kritika ta vlerësojë modelin shqiptar, madje ta përcaktojnë si “old ilirian” (ilir i lashtë) gjë të cilën Afrimi e pëlqen. “Me veshjen e lashtë të kohës romake, me mburojë, përkrenare dhe heshtën, duke dashur të gjejnë një përcaktim për imazhin e asaj që krijuan dhe që lidhej me lashtësinë, ato më cilësuan si “old illyrian”, “old roman”, apo “old greek”. Nuk e di se si u ndjeva kur dëgjova atë të fundit, “old greek”, nuk më pëlqeu fare, prandaj kam kundërshtuar. Tani jam vetëm një “old illyrian”.

Ndërsa vitet ikin dhe ai ka krijuar një emër të mirë si model, pasi imazhi i tij ka shoqëruar produkte të mjaft firmave serioze, Afrimi ka kuptuar se nuk mund të punojë përgjithmonë si i tillë, pasi ky është një profesion që ka limitet e veta të moshës. Prandaj krahas kësaj pune ai ka ushqyer ambicien e tij me hapjen e një dyqani veshjesh në Australi, ndërkohë punon si instruktor palestre, ku kujdeset për modelet dhe përpunimin e tyre, dhe njëkohësisht, është bërë mjeshtër i organizimit të festave të ndryshme, të cilat ai i quan si “After Party”. Jo vetëm që prodhon ide për festa të tilla, por kujdeset deri për detajet e tyre, duke arritur të organizojë festa fantastike, plot atmosferë dhe surpriza për të ftuarit. Duke jetuar në një botë që lidhet ngushtë me imazhin ai ka kuptuar mjaftueshëm se cilat janë hallkat perfekte të realizimit të këtij imazhi. Ndonëse për momentin sytë i ka sërish nga Italia, ku në shtator ka vendosur të fillojë një shkollë për aktrim, projekti i tij më i madh lidhet me krijimin e një marke veshjesh dhe të një lokali me të njëjtin emër. E ku tjetër do të gjejë zbatim projekti i tij, përveçse në Tiranë?! Për një të ardhme, mbase pak më të largët, një tjetër plan ambicioz: një Agjensi Mode, si profesionist i vërtetë, ku të merret me modelet shqiptare, me veshjet tyre, t’i përgatisë për sfilatat, apo blicet e fotografëve. Liçensa për “Fashion Model”, është dëshmia më e mirë e Afrimit, që ai di ta bëjë këtë gjë më mirë se asnjë tjetër.

Ndërsa revista “Man’s health” në numrin e ardhshëm do ketë imazhin e Afrimit në kopertinën e saj dhe ai ka përfunduar të gjitha detajet që lidhen me këtë projekt, është hedhur “një vrap për në Shqipëri”, bashkë me mikun e tij fotograf, Roberto Granata, një ndër bashkëpunëtorët e ngushtë të regjisorit Sergio Leone. Realisht, të vish nga Australia në Shqipëri nuk është thjesht “një vrap”, pasi janë 18 orë udhëtimi me avion, por gjithsesi ai kurrë nuk përton të përfitojë nga rasti për të bërë një ndalesë, të gjatë apo të shkurtër në vendin e tij. Arsyeja pse pëlqen të kthehet herë pas here lidhet me familjen, (nënën dhe motrën) që dëshiron t’i shohë, takimet me miqtë e shumtë të krijuar në vite, e mbi të gjitha është kureshtar për ndryshimet pozitive që i vë re sa herë kthehet në atdhe. Sidomos adhurimi i tij kalon drejt moshës së re, brezit të ri, të cilët sipas Afrimit kanë bërë shumë përpara. “Janë të talentuar, estetikë, njohin shumë gjuhë të huaja dhe kjo është shumë pozitive për kulturën dhe sidomos hapjen e një vendi. Në një të ardhme kjo gjë do të bëjë që të huajt të ndihen mjaft mirë kur të vijnë si vizitor, sepse do të takojnë të rinj shqiptarë që nuk u lënë asgjë mangut të hujave nëpër Botë”.

Duke ecur në rrugët e Bllokut Afrim Aliaj kalon jo pa tërhequr vëmëndjen e të tjerëve. Një veshje sportive në ngjyrë të zezë, lëkura në ngjyrën e çokollatës, flokët e prera shkurt dhe të stiluara me kujdes, aksesorë të ndryshëm në duar, apo qafë.... Ai nuk mund të ecë pa tërhequr vëmendjen sidomos të femrave, të cilat nuk ngurojnë t’i japin buzëqeshje apo joshje. Thotë se më femrat e sheh veten të suksesshëm, por nga ana tjetër kërkon të jetë i matur dhe i kujdesshëm. Akoma nuk ka bërë zgjedhjen e tij të jetës, pasi mendon se zgjedhjet duhet të jenë të pjekura dhe jo rastësore. “Nuk jam i dashuruar, por çdo gjë që bëj e bëj me dashuri”, rrëfehet lirisht Afrimi, ndërsa premton se nuk do të rreshtë së kërkuari, derisa të gjejë personin e duhur. “Do të lidhem me atë person që ta ndiej thellë në zemër, për të cilin të jem komplet i sigurtë”.

Modeli shqiptar veç kureshtjes që ngjall kur ecën rrugëve të Bllokut, në fakt është shumë miqësor dhe i thjeshtë me këdo që njeh. Në qafë mban një varëse me shqiponjë, gjë për të cilën njerëzit bëhen edhe më kureshtarë. “Nuk e heq asnjëherë, tregon Afrimi, është diçka që më kujton përherë Shqipërinë”.

Për Afrimin, ose Alessio-n, të jesh model është diçka sa e bukur, aq edhe e vështirë. “E bukura është se sheh njerëz të ndryshëm, bashkëpunon me ta, zbulon dhe kupton Botën. Të jesh model është si të kesh një universitet më vete. E megjithatë ka vështirësitë e veta. Konkurenca, intrigat, zhgënjimet, preukopimi për veshjen, për ushqimin që zgjedh, kilogramët e tepërt e gjithçka tjetër që lidhet me imazhin. Është një ankth që nuk resht kurrë. Çdo moment i jetës është një garë. Një maratonë që nuk ia di fundin asnjëherë, por që të jep të kuptosh jetën shumë mirë”.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora