E enjte, 25.04.2024, 09:41 PM (GMT+1)

Mendime

Halil Matoshi: Shteti i 51-të

E hene, 06.04.2009, 07:07 PM


Halil Matoshi
Halil Matoshi
Shteti i 51-të

Hyrja e Shqipërisë në NATO është domosdoshmëri e rikonfigurimit unipolar të botës, dhe kërcënimit të lirisë nga “boshti i së keqes”, por nuk i bënë shqiptarët më të lumtur seç ishin dhe as më të lirë. Por anëtarësimi me të drejta të plota i Shqipërisë në aleancën veriatlantike mund t’i shërbejë Kosovës dhe ta ndihmojë atë, që të kërkojë ndërrimin e statusit të pranisë ushtarake në Kosovës, sepse KFOR’i si pjesë e NATO’s nuk mundet tutje që të jetë neutral ndaj statusit të vendit.

Nga Halil Matoshi

Këndej pari, NATO’ja e merr dimensionin e lirisë së vërtetë, sepse ishte kjo aleancë që shporri Serbinë tej kufijve të Kosovës pas bombardimeve 78’ditëshe dhe është NATO që participon aktualisht në ruajtjen e një ambienti të sigurt. Kosova së këndejmi duhet të rimendojë veten në raport me Bashkësinë ndërkombëtare, përmes dy rrugëve, që ta heq rrezikun e të qenmit pezull.

E para, institucionet e Kosovës duhet të jenë më kërkuese dhe më këmbëngulëse në raport me NATO’n, sepse NATO nuk mund të jetë neutrale ndaj statusit, së këndejmi peng i Rusisë dhe Kinës në KS të OKB’ve. Të gjitha shtetet e pavarura ne rajon kane trupa ushtarake dhe civile, por baza e asaj pranie është tjetër prej bazës se pranisë ndërkombëtare në Kosovë. Prania ndërkombëtare në Kosovë duhet të jetë në Marrëveshje me Qeverinë e Kosovës. Kjo marrëveshje quhet SOFA (“Status of Forces Agreement” - "Marrëveshja për Statusin e Forcave”) ku Kosova si shtet sovran i lejon trupat ose bazat ushtarake dhe civile me mandat të caktuar dhe me një qira te caktuar që ata ia japin Kosovës si kundërvlerë, dhe shteti sovran i Kosovës ua tregon kompetencat që kanë trupat e NATO’s, kah mund te lëvizin, detyrimet që kanë ndaj ligjit te vendit, ndaj popullsisë civile etj. NATO’ja ka këtë marrëveshje me Bosnjë-Hercegovinën.

Në këtë aspekt Shqipëria në NATO mund të ndihmojë që Kosova ta nënshkruaj me NATO’n Marrëveshjen SOFA.

“Shqipëria në NATO. This is the miracle of freedom”, (Kjo është mrekullia e lirisë!) kjo parullë me dimensione gjigante ishte shkruar në shqip dhe anglisht në qendër të Tiranës, në fasadën e Pallatit të Kulturës. Fatos Lubonja duke e analizuar këtë parullë, së bashku me parulla të tjera si “Shqipëria në NATO, liria juaj, e ardhmja juaj”, e cilësoi atë si sintezë të pompës, me të cilën po fryhet e propogandohet anëtarësimi i Shqipërisë në NATO që. “Pikë së pari duhet të kemi parasysh se, kur flitet për lirinë, ajo ka shumë kuptime e dimensione. (...) nuk duhet të harrojmë se liria nuk prodhon ushtri dhe traktate ushtarake; ato i prodhon, në rastin më të mirë, kërcënimi i lirisë apo nevoja për mbrojtjen dhe garantimin e saj”. Lubonja thotë se NATO, në fakt, ka lindur 60 vjet më parë pikërisht si nevojë për t’u mbrojtur nga një armik që ishte asokohe BS dhe aleatët e tij, apo edhe siç thuhej, për ta mbajtur SHBA “brenda” (aleancës) Rusinë “jashtë” dhe Gjermaninë “poshtë”. (...) Prandaj ta quash NATO-n “mrekulli e lirisë”, a thua se liria pjell ushtri, është një patetikë politike pa kuptim.”

Kosova e gjetur në një pozicion të pezullt, e panjohur nga Brukseli si seli e BE’së, për arsye se pesë vende të bllokut nuk e kanë njohur pavarësinë e saj, madje disa sosh kanë një qëndrim goxha armiqësor ndaj shtetit të ri dhe me pak gjasa që, të marrë njohje nga shumica e shteteve anëtare të OKB”ve (128) që përmes Asamblesë Parlamentare të bëhet pjesë e Organizatës Botërore, nuk mund ta ndërtojë një shtet stabil ku sundon ligji, me kësi pozicioni të pezullt ndërkombëtar. Prandaj duhet kërkuar shtegdalje!

Dhe rruga e dytë është ideja e shtetit të 51’të!

Nëse Kosova nuk arrin që nga aspekti i sigurisë, deri në fund të këtij viti, të dalë nga Kornizat e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit dhe nëse nuk njihet nga pesëshja që mbështet Serbinë, sidoqoftë, duhet ta rikthejë modelin që e propagandonte lideri historik i Kosovës Ibrahim Rugova, “për një lidhje speciale me ShBA’të”. Nëse, ndodhë që Kosova ta “humb” gjyqin në GJND, të ndalojnë njohjet e shteteve veç e veç, dhe Serbia të pretendojë rikthimin e administratës së saj në Prishtinë, atëherë shteti i ri, nuk ka çka lypë tutje në këtë rrethim të egër. Ndonëse shoqëria kosovare nuk ka ide dhe vizion për të ardhmen e vet, ajo megjithatë e ka një favor, është vendi më proamerikan në Ballkanin Perëndimor dhe më gjerë, dhe mund të shërbejë si një “epruvetë” ku mund të gatuhet Shteti i 51-të! Pikërisht për arsye se kjo intencë dështoi në Irak!?

Analisti Robert Shwartz tha kohë më parë se Kosova mundet pa askënd, sepse e ruan Amerika! Por si u përmbys ideja amerikane që Irakun ta shndërronte në shtetin e 51-të dhe pse kjo ka gjasë të arrihet në Kosovë?

Kosova pa naftë, paraqet një shans për demokracinë – sepse varet vetëm fuqia e tregut të lirë dhe nga vlerat e përbashkëta europerëndimore, ngase paraja e fituar lehtë e bën të panevojshme punën e vështirë që duhet për të krijuar një shoqëri moderne. Fareed Zakharia duke bërë fjalë për idenë e shtetit të 51’të, Iraku, thotë se mendohej se pas rrëzimit të Saddam Husseinit, ky vend nuk do të ndante pjesën e luanit për ushtrinë dhe policinë sekrete. “Por nëse duam të kemi sukses, duhet të pranojmë pa mëdyshje atë realitet që dëshmon se Amerika tashmë ka shtetin e saj të 51-të, të quajtur Irak”, thotë ai. Mirëpo, divergjencat fatale mes shumicës shiite she pakicës synite, pra etnizimi i shtetit dhe islami politik në rritje, dëshmuan se shteti i 51-të megjithatë nuk do të ndërtohet.

Së këndejmi, Kosova është hapësirë ideale për këtë, në aspektin ekonomik, politik dhe kulturor. Motoja “lëri dhe humbësit të kenë pjesën e tyre” duket shumë më e aplikueshme në Kosovës se sa në Irak, për të cilin Zakharia mendonte se duhej të krijohej si shtet federal, me autonomi substanciale lokale. Zakharia shkruante se rajonet nuk do të duhej të jenë të gjitha të bazuara mbi etnicitetin apo besimin fetar... Kodi zgjedhor nuk duhet të krijojë sistemin “fituesi i merr të gjitha”, në të cilin partia që do të fitonte 51 % të votave do të zotëronte të gjithë pushtetin politik. Kështu pra, 20 vendet e rezervuara për pakicat në Kuvendin e Kosovës, si dhe vota e dyfishtë kur janë në pyetje interesat vitale të tyre, krijojnë kondita solide për shtetin e 51-të. “SHBA’të u hodhën mbi Irak të sigurta se, nëse ata do ta çlironin vendin, nuk do të kishte ndonjë problem legjitimiteti. Kjo ishte një pikëpamje triumfaliste, çuditërisht jo historike”, shkruan Zakharia.
Nacionalizmi irakian ra rrufeshëm, ndërsa po rritej nacionalizmi i Partisë Bath dhe shiitve në një anë sikur edhe i kurdëve në anën tjetër.

Ndërkaq që në Kosovë po bie nacionalizmi etnik militant dhe po rritet ai kosovar, (nacionalizmi etatist) që do të shpinte tek de-etnizimi i shtetit dhe gjykatësi i paanshëm.

Këto janë dy kërkesat optimale që kosovarët duhet t’i përmbushin deri në fundin e këtij viti, përndryshe ky shtet do të jetë vështirë i qëndrueshëm.

Pa mburojën e NATO’s jashtë kornizës së 1244’shit dhe pa ShBA’të si garante e lirisë dhe prosperimit, Kosova do të bëhet vend i varfërisë, korrupsionit dhe krimit të organizuar. Kurse liria e saj do të jetë konstant e kërcënuar nga fqinji verior.

Do të shndërrohej në sinonim të palirisë dhe do të ishte gjithnjë e më afër Somalisë...



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora