Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Martin Camaj: Larg atyne që flasin si unë (Cikël poetik)

| E hene, 06.04.2009, 06:57 PM |


Martin Camaj
Martin Camaj
Figura e Martin Camajt si studiues dhe shkrimtar zë një vend të shquar në kulturën kombëtare shqiptare. Ndonëse ai jetoi larg lexuesit të tij natyral dhe i munguan efektet e recepsionit, prapëseprapë letërsia e Camajt e përmban mjaft të gjallë bashkëbisedimin me lexuesin e tij shqiptar. Siç është shprehur edhe vetë, ai ka qenë i dashuruar me gjuhën shqipe dhe i shfrytëzoi në maksimum mundësitë e saj shprehëse.
Martin Camaj lindi në Temal të Dukagjinit më 21 korrik 1925. Ai mori edukatë klasike në Kolegjin Ksaverian të Shkodrës, të drejtuar nga etërit jezuitë. Mbas pak kohësh, për shkak të vendosjes së regjimit komunist në Shqipëri, Camaj do të arratiset nga vendi për në Jugosllavi, ku ia del të regjistrohet si student në Universitetin e Beogradit. Atje mësoi italianistikë, romanistikë, teori letërsie, gjuhë klasike dhe sllavistikë, një botë e re kjo për një intelektual si ai, të edukuar në Shkodër.
Largohet nga Jugosllavia në verën e vitit 1956. Shkon në Romë, ku studion sërish dhe doktorohet. Në Romë ndjek rrethet letrare të këtij qyteti, ku njihet edhe me autorët emigrantë nga vende të ndryshme lindore, rusë, rumunë dhe sidomos me poetë balltikë. Ishin të gjithë anëtarë të një PEN-klubi me qendër në Londër. Atje nën kujdesin e Koliqit bëhet kryeredaktor i revistës “Shejzat” (1957-1975) dhe studion së afërmi botën arbëreshe. Më 1961 transferohet në Mynih (Gjermani), ku specializohet përfundimisht në gjuhësinë shqipe, duke mos u shkëputur nga letërsia. Camaj u bë profesor i gjuhës dhe i letërsisë shqiptare në Universitetin e Mynihut dhe mbeti atje gjithë jetën, deri sa vdiq, më 1992. Kontakti me kulturat e ndryshme perëndimore, njohja e poezisë moderne të poetëve më të njohur botërorë (Camaj ishte njohës i shumë gjuhëve të huaja), ndikuan në formimin e tij kulturor, ndërsa vepra e tij, qoftë në prozë apo në poezi mbështetet tërësisht në gjuhën shqipe dhe si përmbajtje i ka rrënjët në kulturën shqiptare, sidomos në mitin e trashëguar. “Prandaj nuk është e rastit që Camaj zgjodhi për të banuar një vend të shkëlqyer, me atmosferë disi të paqme e të virgjër shtëpijake, si alpet e Bavarisë, që çdo çast i kujtonin malet e thepisura të vendlindjes, ku nuk mund të kthehej kurrë”, shkruan studjuesi i njohur Robert Elsie.

Studime

Në të njëjtën kohë Camaj është edhe një ndër albanologët më të shquar, kryesisht me punimet e tij mbi gjuhën shqipe, historinë dhe të sotmen e saj. Ndër studimet kryesore mund të përmenden: Meshari i Gjon Buzukut, Romë 1960; Tekst mësimor i gjuhës shqipe, Wiesbaden 1969; E folmja shqipe në provincën e Avelinos, Firence 1971; Gramatika shqipe, Wiesbaden 1984; si dhe antologjinë Këngë shqiptare, Düsseldorf 1974.

Larg atyne që flasin si unë

Fishkllin erë ndër shelqe të ngime
me ujna prrojesh
veshtroj, te zanafillja, truemje
se si falen dreqit shpirt e korp,
be të forta
mbi gur, qiell e dhe.

Jam larg atyne që flasin si unë
sa hana që bie prej rrezje në rreze
e pi qumësht n´vedra lanun jashtë
për me vu mazë.

Hutini i shkambit n'agim
dhe guri n'ujë përpijnë tingullin
e kuvendit të keq: n'agim
njeriu bekon diellin si unë!

Mbramja ashtë larg

Mbramja ashtë larg
e ti je atje mbi kodër të blerueme
ku gurzit që bashin zhurmë
i përpiu dheu.

Ti je atje me të bijën e heshtjes
e me shoqe tjera e mendon për mue.
Unë jam në detin e tingujve

e ndër gjujt e mij ndieva
peshen e tramit tue u ndalue me turr.
Mandej i lëshova vendin një të vjetri
e mes tallazit të krahve thashë:
mbramja ashtë larg e ti andej lumit.

Heshtja prek qiellin me dorë
E ti atje mbi kodër të blerueme
njeh gjurmët e diellit npër qiell.

Mosha e Qenit apo Ditëlindja

Kremtuem gjith natën i ri e i vjetër kohën
që vdiq e vrame në mue.
E thanë: askush s'do të lypi gjak
për të.

Ajo nuk ishte festë, por drekë!

Në mëngjes mbas dere qentë
me sy keqardhës e të butë
nuk pritshin eshtna, por mue
me u nisë me ta shtigjeve bri lumit
teposhtë.
 

Lule

Sonte më lajmëruen se ka vdekë një njeri
Prandej jam i trishtueshëm, Lule.

Dashunia ashtë e vetmja shtyllë guri
Kur andej gardhit fluturojnë
Shëgjetat e akullit.

Dy zemra bashkë janë ma rrufeprojse
Se dy shpata tu për tu
Me teha përjashta
Ideja e sosjes, Lule,
kur je ti pranë ik si shpend i egër
andej kah vjen terri.

Nji ditë e ka edhe korbi

Erdhi nje korb te dheu i bute nen shkrepa.
Ai s´dinte me ndjekun vallet e pllumbave
pale e pale nen hijen e ullive.
E u ruente mos me lshuemun za
mes gazullimit te pergjithshem
per mos me prishe
ritmin e flatrave nder valle.
Kur te e vona pllumbat kthyen ne banesa,
e ndiu vehten korbi pellumb ne shpirt. 

Drekë Malsore

Sot ashtë marrë një gjak.
Dy plumba lëshuen përdhe një burrë.
Sot ashtë marrë një gjak.

Nën tunin e spatës
Pëlset rrashta e kaut te prroni.
(Drekë të mëdha po bahen sot!)

Sot ashtë marrë një gjak.

Gjama e burrave tërbueshëm
Përzihet me erën e mishit ndër zjarme.
E gjethi i Vjeshtës bie i djegun mbi kapuçat e bardhë
Ndë tryeza, jashtë
Natë. Në vorrezat mbi kodër
Tokë e re, hanë e re.
Ujqit janë ulë prej malesh
E pijnë gjak në përrue.

Gjakmarrja

Vetmia ka thithë erën e bjeshkës
dhe fije bari as fletë nuk lòt.

Të mnershëm janë korbat e zèz
në pushim mbi qarrat e vjetër
maje mali në vapë.

Mendja e njeriut nën hije shestòn
udhë gjaku
e sosjen e pagjës në mak e vrrî. 

Fill i Gjetun

Natën që shkoi u fikën dritat e mbeti
qyteti në terr deri n’agim.

Amvisat kërkuen llampat vojguri
e s’i gjetën në terr.

Në nadje ra dielli e zbeu
faqet e rrokaqiellëve.

Në nadje vrejta rrethin e andrrave
në truell
e gjeta fillin e tretun
në pikën e ndaljes së dritës.

Leter nga Jugu

Larg në nji tjetër botë jam
e shikoj kah mali :
rêt ruejn majën kujdesëshëm
pse ajo âsht e vetmja mbështetje
e qindresës së tyne në ajr.
Harrova gjithshka, Lule,
në botën e malit e të qiellës
unë pasqyrë e pandame e rêve.
Po të shkruej se këndej
sa shkambi ka ngjyrën
e faqeve të rrezituna.
Muret e shpijave janë kështjellë
të rrxueme me frangjija të panjehuna
e njimij sy më shikjonë
npër to kur parakaloj
në pikë të mjesditës pa hijen teme për bri.

Lule, sonte ndoshta do të bijë
shi i nxhetë në Jug
e nesër do të shoh mes avullit
ylberin e shtrëngatës së kalueme
e atëhere kam me kthye te ti.

Ditë shiu në Merturin e Gurit

Bariu krah-thatë te ura e zjarmit lodhet
ndërmend
për dhitë damtare përjashta:
në gotën e çveshun drite grihen syzit
e hardhiave nën gurë e unurë.

Dhe tret ndër andrra të përhime:
mbi rrasat e gurit në Mertur
plasin sytë e sqepve grimë-grimë
nën dhambët e ujqve,
kokrra groshe e drithi në palaré.

Gjeli këndoi në tra
e u zgjuen prej gacash ndër unë
pendlat – bletë e gretha bashkë:
mija zane plasën në trutë e bariut.
Dhe u çue krejt dheu në kambë
me lata e topra edhe armë të vjetra
e u lëshuen ndër ujq.

Mejti shiu në Merturin e Gurit
dhe dielli u ndejt në perëndim
me rreze të lodhuna
në mishin e ujqve mbi dhambët e majeve
kortarë-kortarë.  

Aty si tash para se me ardhë Fiset

Aty si tash para se me ardhë fiset
Ishe
Me tambël në plasaritjen e currave
e me themele në ujin e njelmë.
Të dhanë vetëm një emën: Shkodra.
E të thirrën qytet me kunora
E të hodhën përkrye gur e hekurat e para.

U zgjove e përgjakun sa herë
E u kqyre në pasqyrën tande.
Me emën grueje u lave ndër ujna
T’lumenjve dhe ndeje me petka të reja
Në shkamb
E ndritun ballë diellit mbi fusha.

Gjarpri e Grueja

Ajo mbramë harroi trupin e vet
Zbuluet
E në mëngjes e gjeti pikturë të varun
Në murin e gjanë dhetë pashë:
E kqyri dhe e kqyri e u zhduk.

Petkat e saj teren buzë detit
Me këmishën e gjarpnit mbi gurë.
Shtërpia tha se vjen prap,ajo, po
Deri mbasdite.

Mbasdite vonë, gjarpni i rrejtun
Doli prej nëngurit
E iu zgërdhesh vetmisë ndërsy,
Veshi këmishën e vjetër e shkoi
Me fjetë

Motiv Arbëresh

Në driza janë gjarpij’t e zez
E ti je e xhveshun nën diell.
Në driza janë gjarpijtë e zez
E rrijnë buzë në buzë,
E rrijnë buzë më buzë,
E jeta e tyne ashtë e bardhë,
E bardhë e bardhë nën diell,
E jeta e bardhë e bardhë,
Nën diell e bardhë, e bardhë.

Mjaltëzat lagin me mjaltë
Gurzit e prrojeve të thata.

Retë e Oqeanit
Eci krahas me to
Nëpër ditën e gjatë.
Aty ku vete
Asht skaji i kohës së matun
Me rrahje zemre milionësh
Në kërkim të nji emni.

Retë me rrajë thella në det
Rriten e bahen lisa:
Ndër gryckat e tyne fantazma
Konkisdadorësh
Vjelin pemë.

Fuqia e Konës

Ngjyra e verdhë e fletëve
Shkurtoi dritën në faqe të veta
E të katundit jugor mbi kodrinën
Bote së kuqe.

Para derës rrin Kona
Me barrën e randë në gji,
Dashunon rrezet e pemëve të vokta

Në kanistër
Para burrit kalamendë gjumi.

Tjerr Kona në furkë:
Ngrohtësia e pejve të leshtë shpërtheu
Prej gishtavet
E lëvizja e fëmijës në parzëm
E dridhi në kënaqje të paskaj

Motiv i Vjetër në Kthim

Shtatë vasha u çuen peshë
Kur ngjyra e korbit fluturoi
Përmbi shtyllën e jetës:
Sqepi i dukej i verdhë, gati i bardhë
Mes pendlave të zeza.

Shtatë vasha u quen peshë
E u turrën vrap me funda
Në duer sa qethi mbas korbave
E vetëm me za i tretën si plafa të murmë
Nën karmat e vendit tim.

Po s’erdhët ju, vasha,
Kur të zbardhen pusat e ujit
Në lumë përpara agimit,
Ngurzohen edhe duert e foshnjeve
Në palare.

Valle Rugove

Shkyenje qiellin, zurla,
e kaltersia e sferave te nalta
le te bije mbi ne si shi.

Kamba e tupani cajne token e me duer
vrikllojme na shpatat e me duer sutat
ne mal i kapim ne pike te vrapit.

Mos e ulni zanin, kangtare, pse me bie
nder gjuj lodhja e moteve dhe ritmi i ndalun
dyshe m´a ndan krahnorin.

Nji stinë e humbun

Verës sa nji mëngjes me vesë
nuk ia pau kush ballin simjet
me sy të përlotun të sjellun
kah mali.

Vjetit nuk i mungon asnji ditë
në kalendar e i dhimbet
e mbramja pikë e dyllit në djegie:
e sotmja ka ndijen e dridhjes
së fletëve të shqemes
para dhambëve të sutës.

Malli për jetë

Lyp dashuninë e syve të mbyllun,
dy molla të tejpashme
me bërthamë zjarmi në mes.

Zemra e qindrueshme
rrok mallin e pamort
e pika shiu bien
mbi rreshpe të pangishme.