Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Ismail Kadare: Kam qenë dëshmitar kur sulmohej Pasternak

| E hene, 06.04.2009, 06:17 PM |


Nga Fabio GAMBARO

Vitet moskovite të të riut Ismail Kadare. Vite gënjeshtrash, hipokrizie, dashurie, vetmie dhe ëndrrash letrare. Ishte fundi i viteve ’50, kur romancieri i ri shqiptar, që në atë kohë ishte vetëm 20 vjeç, kalon dy vite në Moskë në Institutin “Gorkij”, për të studiuar letërsi, duke farkëtuar kështu fatin e tij prej shkrimtari. Në kryeqytetin sovjetik, autori i ardhshëm i romanit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” dhe “Pasardhësit”, ndjek leksionet mbi realizmin socialist, duke frekuentuar ambientin e shkrimtarëve dhe kështu asiston në dënimin e Pasternakut. Shumë vite më pas, ajo eksperiencë u shndërrua në një roman që tashmë mban titullin “Muzgu i perëndive të stepës”, në të cilin Kadare tregon jetën e intelektualëve moskovitë, ëndrrat e tyre për lavdi, kërcënimet dhe shantazhet e pushtetit që edhe në vitet e ngrohta që pasuan humbjen e Stalinit, nuk e shtendosi presionin e vet mbi kulturën. “Ai qëndrim atje ka qenë fondamental për veprën time”, - kujton Kadare, që pas asaj kohe nuk është kthyer kurrë më në Moskë, e që tani jeton mes Tiranës dhe Parisit. “Ishte një shkollë e vërtetë negative që më ka mësuar shumë. Duke dëgjuar profesorët e Institutit “Gorkij”, kam mësuar çdo gjë që nuk duhej të bëja. Ata më mësonin realizmin socialist, personazhet pozitivë, optimizmin revolucionar, ideologjinë mbi të cilën duhet të mbështetesha. Kështu, unë kuptoja se romanet e mija duhej të merrnin drejtimin e kundërt, duke nënvizuar aspektet negative dhe absurdin e realitetit, atmosferën e errët dhe të trishtë. Çdo gjë që ata më mësonin, bëhej kufiri negativ nga i cili duhej ikur”.

Pas kaq shumë vitesh, ky roman ju duket akoma aktual?

Sigurisht. Ky është një libër të cilin e kam shumë përzemër, i lindur në një kontekst vërtet të veçantë që më ka mundësuar një liri relative. Kam filluar ta shkruaj që në vitin 1962, kohë kur sapo u ktheva nga Moska, por pastaj, duke menduar se nuk do të më ishte botuar kurrë, e lashë mënjanë, duke u marrë me të shumë kohë më pas. Nëse munda ta përfundoj, ndodhi vetëm sepse Tirana i prishi marrëdhëniet e saj me Moskën e kështu u bë e ligjshme që të sulmohej Bashkimi Sovjetik. Natyrisht, duke folur për Bashkimin Sovjetik flisje edhe për Shqipërinë, ku situata në kulturë ishte ekzaktësisht e njëjta. Por, nëse do e kisha shkruar në mënyrë të drejtpërdrejtë, romani nuk do të ishte botuar kurrë.

Gjatë qëndrimit tuaj në Moskë, e njohët personalisht Pasternakun?

Jo, por ajo që tregoj në roman është e vërtetë. Unë e frekuentoja fshatin e shkrimtarëve ku edhe jetonte shkrimtari i “Doktor Zhivago-s”, edhe pse ishte nën sulm e kritikë të vazhdueshme. Ishte një fshat në periferi të qytetit, një vend mjaft i bukur në mes të mështeknave, ku regjimi kishte mbledhur shumë shkrimtarë për t’i kontrolluar më mirë ata. E shihje shumë herë Pasternakun në kopshtin e tij. Ishte i trishtuar dhe i vetmuar. Në ato dy vite që kam jetuar në Institutin “Gorkij”, kam asistuar nga afër në shumë fushata të pandershme kundra tij. Në mbledhjet publike, studentët hidheshin në sulm kundër veprave të tij, por më pas i lexonin fshehurazi. Siç tregoj edhe në libër, në Moskë më kishin rënë në duar pothuajse rastësisht disa kapituj të “Doktor Zhivago-s”, që i lexova vetëm disa vite më vonë, kur erdha për herë të parë në Francë. Për të gjithë stalinistët, por edhe për regjimin e Tiranës, Pasternak ishte një armik dhe qortohej. Në roman, e prezantoj si një viktimë, gjë që në atë kohë ishte tepër e guximshme.

Tema e kontrollit të kulturës nga ana e politikës ju duket akoma shumë aktuale?
 
Në pamje të parë, sot liria është totale. Rrezikojmë megjithatë diktaturën e konformizmit, që natyrisht nuk ka aspak të bëjë me diktaturën politike. Është një diktaturë e çuditshme dhe tinëzare që në fund të fundit ekziston gjithmonë, në çdo epokë e në çdo vend. Është diktatura e modës dhe e mendimit dominues. Për të mos folur pastaj për diktaturën e mediokritetit, ajo e publikut që do që të imponojë gustot e veta artistëve.
 
Një shkrimtar duhet të shkojë kundër rrymës?

Duhet mbi të gjitha t’i imponojë origjinalitetin dhe diversitetin e vet. Por nuk është e thjeshtë, sepse bota e letërsisë është mizore. Në çdo mënyrë, letërsia e vërtetë, ajo që mbijeton në kohë, është gjithmonë ajo që i kundërvihet letërsisë dominuese. Ndonjëherë moderniteti i një teksti nuk shfaqet menjëherë dhe ndodh që duhet të presësh shumë kohë në mënyrë që të manifestohet ngadalë. Letërsia e vërtetë, ajo e lirë nga çdo kushtëzim, ndjek ritme dhe kohë që janë gati të paparashikueshme.

Kjo do të thotë që letërsia duhet gjithmonë të luftojë për liri?

Letërsia nuk lufton për liri, letërsia është liria. Ajo zëvendëson një botë paralele, një botë me liri pa kufij. Pa liri, letërsia, ajo e vërteta, nuk ekziston. Dhe, me ushtrimin e lirisë së vet, letërsia ushqen lirinë e të gjithëve edhe pse nuk e dimë asnjëherë as ku dhe as kur.

Në Moskë, pesëdhjetë vite më parë, e mendonit që atëherë këtë?

Sigurisht. Në fund të fundit, ky roman është një provë.

Marrë nga “La Repubblica” - G. Shqiptare