E marte, 30.11.2021, 05:39 AM (GMT)

Kulturë

Ejup Ceraja: Koha si metafore shenjuese

E diele, 05.04.2009, 11:50 AM


Ejup  CERAJA

KOHA SI METAFORË SHENJUESE

Brikenë CERAJA: “UDHËTIM ME FJALËN E VRARË”, poezi Faik Konica, Prishtinë, 2007

(Recension libri)                               

Hyrje

Brikena këtë vit (2007) doli përpara lexuesve dhe adhuruesve të fjalës së bukur poetike me përmbledhjen e dytë me poezi, pas librit të parë “Fytyra e babait” 2002, të titulluar “Udhëtim me fjalën e vrarë”. Po të tërhiqet një paralele në mes kësaj përmbledhjeje me poezi të Brikenës dhe asaj pararendëse hetohet një ngritje si në rrafshin artistik, ashtu edhe në atë motivues e tematik. Brikena nga botimi i librit të parë deri më botimin e këtij libri ka një kohë prej afro pesë vitesh. Jo se ajo nuk shkruante dhe se nuk kishte se çka të thoshte se përditshmëria nëpër të cilën po kalojmë, pa preokupime edhe aq për të kaluarën si përjetim dhe për të ardhmen si gjakim, i ofronte tema nga të katër anët...  Po Brikena, len për t’u nënkuptuar se synim kryesor kishte që temat për të cilat shkruan t’i dilnin dhe t’i dalin sa më bindëse dhe artistikisht sa më të mbrujtura... Dhe, mendoj unë, Brikena me sukses e kalon këtë prag që ia vë veti në vazhdën e krijimtarisë së saj poetike...

Larushi temash dhe idesh përmes rrëfimit artistik

Preokupim parësor shpirtëror e motivues i Brikenës në këtë përmbledhje me poezi është përditshmëria jonë në çdo rrafsh veç e veç dhe në të gjitha rrafshet së bashku. Por ka edhe gërshetime të tjera qoftë kohore, qoftë hapësinore, që e kanë ngacmuar unin e poeteshës gjatë frymëzimit motivues.        

Përmbledhjes me poezi “Udhëtim me fjalën e vrarë” i paraprinë vjersha “Mall i pashuar”, kushtuar prindërve të vet. Prindërit janë ata që bëjnë lidhjen e brezave me jetën. Prindërit janë ata që i lidhin brezat me fije të pashkëputshme me atë që është njerëzore, në radhë të parë dhe ma atë që është identifikim kombëtar, në radhë të dytë. Ata janë urë lidhësit e brezave me botën, në përgjithësi e me tokën që i lind dhe i rritë, në veçanti. Por, kur ata më s’janë në jetë të gjitha këto sikur zbehen, sikur e humbin kuptimin parësor dhe rëndësinë e fuqinë fillestare. Duke  e ndjerë, hetuar e përjetuar këtë mangësi poetesha që në strofën e parë shpreh ngashërimin e vet për prindërit, që më s’janë në jetë... Malli për ta peshon gur mulliri në shpirtin e saj, se: “Heshtur/ Sy lotuar/ Flas me ju.” – thotë Brikena që në strofën e parë të kësaj vjershe. Me ngashërim të pashuar ajo përkujton ditët e kaluara në gjirin e ngrohtë familjar mes prindërve, që e deshën aq shumë. Me modesti, por edhe pa ngurrim ajo shkruan se dikur ishte vajzë e llastuar, ishte e përkëdhelura e prindërve... E atëherë ishte në kulmin e lumturisë. Po tash?... I ka mbetur në kujtesë vetëm: “Dashuria prindërore/ Mall i pashuar.” – të tjerat janë tretur si kripa në ujë.

Maskat në jetën e përditshme luajnë rol dyzash: një, shërbejnë si “fytyra” argëtuese, në radhë të parë për fëmijë, por edhe për të tjerët në cirke dhe në karnavale të ndryshme dhe dy, shërbejnë: “Në rrugën e jetës maska bëhet preokupimi dhe frika e pamundësisë, jo vetëm për t’i parë gjërat ashtu siç janë, por edhe për të rënë pre e atyre që s’janë.”1)

Pra, maskat shërbejnë edhe për të kryer punë të padenja, që s’i bëjnë nder maskuesit ose maskuesve që fshihe(t)n pas tyre, se: “I përzumë/ Një nga një/ Që rrënjëve/  Mos t’ia vejmë ndryshkun/ Lëkurën mos ta përziejmë” (Pas maskave).

Brikena të vjersha “Lot” shkruan për qytetin e saj të lindjes që mund të thuhet se shkrimi i tillë simbolizon të gjitha qytetet e Kosovës, ku për shumëçka qytetit ia mbyllin “sytë” ata që janë gjithnjë nën dardhë..., sikur të mos ndodhë asgjë e rëndësishme, duke i vënë në gjumë me përralla boshe mashtruese dhe duke ia përdhosur edhe lavdinë... Sado që nuk është në natyrën e saj as në jetë, as në poezi Brikena, nganjëherë, bie edhe në pesimizëm, po që nuk zgjatë shumë, se: “Mos qaj/ Të vdekurit/ Qaj të gjallët/ të heshturit qaj”. Vargu i fundit simbolizon një lloj proteste ndaj heshtakëve, të cilët, sigurisht, për t’i ruajtur privilegjet e fituara, në çfarëdo mënyre qofshin ato, heshtin si pranë çakalles në mulli edhe atëherë kur nuk duhet heshtur. Kjo hetohet veçan te vjersha “Më qaj”.

Lumenjtë janë jo vetëm krenaria e qyteteve, që ngritën (ndërtohen) buzë tyre, por janë me rëndësi si ekonomike, ashtu edhe ekologjike. Ata me ujit e tyre bilur i freskojnë banorët ditëve të nxehta verës, por edhe nëse përdoret si duhet uji i tyre i pastron rrugët e qytetit mëngjes e mbrëmje. Këndej është e natyrshme që lumenjtë t’i frymëzojnë poetët që në krijimtarinë e tyre t’i jetësojnë ata artistikisht, duke ua vënë në pah të mirat e begatitë që ua sjellin qyteteve nëpër të cilët kalojnë në të gjitha rrafshet jetësore. Te vjersha “Oazë e bardhë” Brikena shkruan: “Lumëbardhi rrjedh/ rrugëve të qytetit/ uji i pastër/ shpërlan të ndyrat”.

Përmes kësaj përmbledhjeje me poezi Brikena poete do ta ngriti zërin e arsyes edhe kundër atyre që, siç shprehet vetë poetja: “O vëlla i vëllait/ Mos lejo/ Ata që thithin helm/  t’ia thithin/ gjirin nënës.” (Tokë e heshtur). (Këtu simbolika është më se e kuptueshme, andaj nuk do edhe ndonjë komentim të posaçëm). Por Brikena e ngrit zërin e arsyes edhe kundër atyre, që në emër të drejtësisë shkaktojnë padrejtësi në të gjitha rrafshet e jetës..., se: “Çdo gjë mbështjellët/ Në hije./ Drejtësia e ha vetveten”. (Drejtësi).  Brikena sikur i përcjell ngjarjet në universin shoqëror. Po ashtu mund të thuhet se ajo vëren se njeriu ynë  ecën me lakun e  mallkimit  lidhur në qafë nëpër udhë të pasigurta të mjegullës me jetën e zymtë përpara që... (Çerkin Ismaili). 

Kulla ka qenë në të kaluarën, është në të sotmen e do të mbetet edhe në të ardhmen simbol i qëndresës epike të popullit tonë nëpër të gjitha katrahurat që na ra hise të kalojmë si popull e si komb nëpër historinë tonë të gjatë, po që hera-herës u soll ndaj nesh si njerka përballë thjeshtërve. Simbolikën e qëndresës poetja e shpreh më me përkushtim te vjersha “Kullë”, ku në mes tjerash ajo shkruan: “Shtatëdhjetë e shtatë gurë/ I vura mbi trupin tënd./ I gdhenda me heshtjen e dhembjes/ Shtatëdhjetë e shtatë plagë.”

Brikena poete i ka ca vjersha, të themi kushtimisht, intime, që bëjnë fjalë për të afërmit e saj. Në këtë temë janë vjershat: Ndarje, Mbesa ime Dina, Portreti im, Unë e nipi (Jakupi i Ri) dhe Lotët e motrës (Shqipes). Ndër to shquhet vjersha “Unë e nipi”, për dy arsye: një, se poetja bisedon me nipin e saj, që ia ka përtëri emrin e babait, Jakupit. Dhe dy, duke biseduar me Jakupin e Ri ajo çmallet si të fliste me babain e ndjerë. E ndien se shumë afër e ka njërin, po të pakthyer e ka tjetrin. Jakupi poet nga portreti sikur kyçet në bisedë, po poetja nuk e jep atë bisedë, por e len që të nënkuptohet...

Një temë që e ka përcjellë njeriun brez pas brezi që nga zanafilla e këndej e që do ta përcjellë po ashtu sa të bëjë hije njeriu mbi tokë është tema e dashurisë. Pra Brikena herë pas here gjatë kësaj përmbledhjeje i kthehet temës së dashurisë. Herë më drejtpërdrejt, e herën tjetër tërthorazi. Si në njërin, ashtu edhe në rastin tjetër ajo nuk është e rrëmbyeshme, nuk është eksplozive, por është e qetë dhe e arsyeshme. Dashurinë e trajton si diçka tejet normale dhe jo si diçka të jashtëzakonshme. Si diçka që i bie hise çdo njeriu i cilësdo gjini qoftë ai. Si diçka që në kushte normale e në momente të caktuara duhet të ndodhi. Si diçka që është pjesë e pandarë e jetës, po që shfaqet në kohë dhe momente të caktuara, varësisht nga individi tek individi. Nga secila poezi veç e veç në këtë temë, por edhe nga të gjitha së bashku len për t’u nënkuptuar se dashuria Brikenën nuk e ka mbërthyer në kthetra si skifteri prenë, por ajo paraqitet e natyrshme, e arsyeshme e normale, ashtu si vërtet duhet të jetë... Në këtë temë janë kryesisht vjershat: Do të ikësh një ditë, Do të shtegtoj, Të putha në gjuhën e fjalës, Takohemi në lisin pa degë, Puthje, Në vjeshtën e dashurisë, Më prit, Udhëtim me fjalën e vrarë, Natën pa hënë dhe Ishulli i dashurisë.

Brikena në këtë përmbledhje me poezi merret pak me të kaluarën tonë të afërt a të largët sado që si njëra, ashtu edhe tjetra janë mjaft të dhembshme e shumë prekëse për popullin tonë, në përgjithësi e për popullin shqiptar të Kosovës, në veçanti. Dhe, bën mirë, mendoj unë, që ajo nuk merret edhe aq me të kaluarën. Jo se e kaluara duhet harruar..., por të rinjtë duhet t’i preokupojë e tanishmja, që duhet të jetë taban i fortë për të ardhmen sa më të ndritur... Të kaluarën Brikena e trajton përmes poezive: Trungu ynë, Me gjethet e qëndisura, Mortja e gjeti me libër në dorë, dhe Varg i plagosur. E para dhe e dyta kanë për temë trungun tonë iliro-dardan, madje duke e shtrirë atë trung deri edhe te Pellazgët e lashtë. Brikena nëpërmes këtyre vjershave bën një udhëtim imagjinar nëpër shekujt kohë, duke kaluar lumenj  e brigje për ta takuar të shtrenjtën Dardanë, që shpirtit t’i jepi prehje e qetësi... Ndërsa përmes vjershës së tretë Brikena shkruan për poetin Latif Berisha, të cilin nata e 24 marsit të vitit 1999, kur u pushkatua pa gjyq nga forcat serbe, sipas pohimit të bijës së tij, Fatmirës, e kishte gjetur me një libër në dorë me poezi të poetit tjetër të kësaj ane, Jakup Cerajës. Siç len për t’u nënkuptuar se vargjet e poetit Jakup Ceraja e kishin joshur poetin Latif Berisha që të dilte në anën tjetër të qytetit, po një joshje e tillë ishte e vonuar për te... Kurse përmes poezisë së katërt Vargu i plagosur Brikena shkruan për plagosjen e poetit e luftëtarit të lirisë Miftar Kurtit në luftë dhëmbë për dhëmbë me forcat okupuese serbe në betejën e Majdanit në pranverën e vitit 1999...  

Koha si fjalë shënjuese

Ka poetë që gjatë krijimtarisë së tyre poetike e kanë një fjalë shënjuese të ngritur në nocion metaforik për të shprehur sa më fuqishëm atë që dëshirojnë ta thonë përmes rrëfimit lirik. Sa për ilustrim të themi se Azem Shkreli e ka pasur fjalën Fjalë + guri. Brikena si taban të poezisë së vet në këtë përmbledhje e ka fjalën Kohë, të cilën e përdorë 48 herë në të gjitha poezitë. Ndërsa 4 poezi e mbajnë këtë fjalë në vetë titull. Shumëçka në poezitë e veta Brikena e lidh me kohën. Sigurisht duke iu përmbajtur atyre maksimave: koha shëron plagët, do ta vërtetojë (tregojë) koha, me kohë do të sqarohet çdo gjë, koha është barometri më i mirë, koha do të (më, na, ju, u etj.) jepi të drejtë, koha ndjek kohën, koha mat kohën etj. etj. Pra, për të treguar peshën e shumë dukurive qoftë të përditshmërisë, qoftë të të kaluarës, Brikena e ka kohën barometër të baraspeshës. T’i veçojmë ca nocione qoftë si frazeologji, qoftë si fjalë më vete, ku fjala kohë është strumbullar: Hije kohe, koha puth kohën, të vura në kohë pa kohë, u plak koha, malli i kohës, koha gëlltit kohën, kohë e lodhur, me zërin e kohës, koha njerkë e kohës, me etjen e kohës, në ujëvarën e kohës, për kohën e heshtur etj. 

Diç si përfundim

Me këtë përmbledhje me poezi Brikena e ka shtuar bindjen te lexuesi se ajo a ka një vokacion të vetin poetik origjinal. Se shkon në ngritje si të rrëfimit artistik, ashtu edhe të atij tematik e motivues. Se ka çka të thotë dhe din si ta thotë me një gjuhë të pastër poetike...



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora