E enjte, 28.03.2024, 03:27 PM (GMT)

Kulturë

Demir Krasniqi: T'i rikthehemi traditës!

E diele, 05.04.2009, 02:06 PM


Për nderë të anëtarësimit të Shqipërisë në Aleancën Veri-Atlantike, në Dobërçan të Gjilanit, u mbajt një Mbrëmje Artistike Muzikore nën moton:

“T’ I  RIKTHEHEMI TRADITËS!”

Nga Demir KRASNIQI

Dobërçan – Gjilan, më 04 Prill 2009. - Nën organizim të Restorantit “Ahishta” dhe pronarit të tij, z. Avni Tahiri, të shtunën, më datën 04 Prill 2009, duke filluar nga ora 21.00, u mbajt një Mbrëmje Artistike Muzikore me këngëtarët popullor të Anamoravës, nën moton :
 “T’ i  rikthehemi traditës!”
 Ky manifestim kulturor, i pari i këtij lloji në traditën e hotelerisë kosovare , u organizua për nderë të 60 – vjetorit të themelimit të Aleancës Veri – Atlantike të NATO-së dhe për nderë të 4 Prillit, kur Shqipëria edhe zyrtarisht u pranua si anëtare e plotë e kësaj Aleance .
 Qëllimi kryesor i këtij Manifestimi kaq masiv kulturor , ishte që t’ i flakim stilet, antivlerat, ndikimet dhe rrymat e huaja në muzikën tonë popullore, në veçanti që t’i shpallet luftë stilit të muzikës rome “Tallava”, stil ky, që kohëve të fundit e ka pllakosur këngën dhe muzikën tonë tradicionale kombëtare dhe t’ i rikthehemi traditës sonë të këngës popullore shqiptare .
 Në këtë spektakël të madh të këngës dhe muzikës popullore, u interpretuan këngë e valle nga të gjitha trojet dhe krahinat shqiptare , që nga jugu e deri në veri, duke filluar nga këngët tradicionale polifonike, këngët qytetare nga Shqipëria e Mesme, Tirana, Shkodra, Gjakova e deri tek këngët rapsodike malësorçe të shoqëruara me çifteli e sharki.
Nuk u harruan as vallet tradicionale me motive nga Malësia e Karadakut dhe Lugina e Preshevës, të shoqëruara me tupan e surle , nga Rexhep Jashari, Jashar Ahmeti dhe Nazim Elezi.
 Në kuadër të kësaj Mbrëmje Artistike Muzikore, u përkujtuan dhe u nderuan këngëtarët e ndjerë të këtij regjioni: Qazim Shabani, Fehmi Qaili dhe Agim Baftijari, të cilët në moshën më të mirë të jetës së tyre, u ndanë kobshëm nga bota e të gjallëve .
 Programin e kësaj Mbrëmje Artistike Muzikore, e hapi dhe e drejtoi veterani i këngës Demir Krasniqi, i cili prezantoi të gjithë këngëtarët pjesëmarrës , të cilët i kënduan këngët më të bukura  nga shpirti dhe repertori i tyre, duke filluar nga veterani i këngës së Anamoravës – Prof. Reshat Ramadani, Prof. Hysen Terziu, Dr. Rabit Sadiku, Sirie Gagica – Sadiku, Avdi Latifi, Faruk Brestovci, Qemajl Musliu, Skënder Maliqi – Kosaqa, Nazim Gagica, Arben Krasniqi, Remzi Leka, Fatmir Morina, Sheqere Pajaziti, Samir Aliu, Afrim Haziri, Sami Cana, Qazim Hajdari, Shefqet Sadiku, Ali Aliu, Adnan Leka, Nehat Ferati, Medina Inajeti, Lumturie Milazimi, Alma  Bega, Rexhep Jashari, Shkëlqim Kosova etj.
 Të gjithë këngëtarët e kësaj mbrëmje i përcolli orkestrina popullore “Lyra” nga Gjilani, në përbërje të instrumentistëve: Arif Isufi, Bekim Rexhepi dhe Bekim Jetishi.
 Në emër të Shoqatës së këngëtarëve popullor të Anamoravës, këngëtari Skënder Maliqi e nderoi me një “Mirënjohje speciale” pronarin e këtij restoranti dhe organizatorin e këtij spektakli, z. Avni Tahiri, kurse profesori, shkrimtari dhe veterani i këngës Hysen Terziu, i dhuroi një komplet librash nga autorësia e tij .
 Për të gjithë këngëtarët dhe artistët pjesëmarrës të këtij spektakli muzikor, pronari i restorantit, shtroi darkë dhe pije të pakufizuara. Të gjithë këngëtarët dhe artistët që morën pjesë në këtë Mbrëmje të madhe artistike, ishin vullnetmirë dhe kënduan pa asnjë kompensim material, ashtu si që edhe për mysafirët – hyrja ishte gratis .
 Le të shpresojmë, se shembullin e Restorantit “Ahishta” , do ta ndjekin edhe hoteleritë tjera kosovare, duke i lënë hapësirë të merituar të gjithë artistëve të këngës dhe muzikës tradicionale, por edhe të gjithë artistëve dhe krijuesve të lëmenjve tjerë të artit dhe të kulturës sonë tradicionale kombëtare!
 Le të shpresojmë, se kënga dhe muzika jonë tradicionale do të rikthehet aty ku e ka vendin dhe të jetojë e lirë, pa u ndotur nga rrymat dhe mbeturinat e importuara nga tregjet e jashtme!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora