E enjte, 28.03.2024, 02:35 PM (GMT)

Kulturë

Monika Lubonja, sharmi rebel

E diele, 05.04.2009, 07:23 AM


Nga Petrika GROSI

Personazhi i radhës në suplementin e përjavshëm Albania Weekend” është Monika Lubonja. Aktorja “rebele” e teatrit dhe kinemasë shqiptare nuk di të dorëzohet para vështirësive, të papriturave, peripecive të jetës profesionale, apo edhe asaj familjare. Monika, gjithashtu, nuk rri dot pa qenë origjinale dhe as pa thyer ndonjë tabu, siç bëri me skenën e përdhunimit në vitin ‘94. Ajo rrëfen mbi jetën e saj me skenën, projektet, siç është drama e re e Tenes Uilliamsit, momentet e vështira si divorci dhe marrëdhënien me të bijën, Tean, prindërit, kolegët, si dhe shumë detaje të tjera, që vijojnë në intervistën e mëtejshme.

Çfarë do të thoshit për produksionin tuaj më të ri, “Menaxheria e qelqtë” ?

Kjo është pjesa e tretë teatrore që ne bëjmë bashkë me kolegen time, Valbona Imami, pas shfaqjeve “Rini e çmenduri” dhe “Kazanova me dy bebe”. Është një iniciativë që e kemi marrë për arsye se teatri është shumë delikat dhe nuk jep hapësira. Teatri Kombëtar jep mundësi shumë të pakta për aktivizimin e aktorëve dhe vënien në skenë të shumë shfaqjeve. Ne të dyja jemi aktore të këtij institucioni dhe për të qenë më të angazhuara, pasi ndiejmë që kemi shumë për të dhënë, e nisëm dhe këtë projekt, ku natyrisht punësohen edhe aktorë të tjerë të TK-së. Është ëndrra e çdo artisti që të ngjitet në skenë pasi një artist pa skenën ndihet bosh.

Sa e vështirë është të gjenden fondet për një dramë?

Fatkeqësisht tek ne bizneset sponsorizojnë më shumë shfaqjet e tipit të spektaklit dhe hedhin fare pak para për teatrin. Mundimi është tepër i madh për të siguruar fondet.

Keni një kompani të brishtë teatrore, që është ende në fillimet e saj. Si ia bëni me menaxhimin?

Me të vërtetë është një kompani e brishtë, pasi jemi dy femra artiste, që na duhet të hipin vetë në skenë. Kur merr një rol duhet të punosh gjithë kohës me të. Pra na është dashur të bëjmë një stërmundim për t’ia dalë mbanë. Aktualisht duhet të merremi edhe me posterat, reklamën në televizione etj. Dhe të mos harrojmë se një spot kushton... Kohët e fundit, bashkë me Bonën vendosëm të marrim një menaxhere femër, Ardita Mullajn, e cila do të merret me shfaqjen e radhës.

Si lindi ideja e krijimit të një kompanie private teatrore?

Një ditë takohem me Bonën dhe i them se kisha shumë dëshirë që të organizoja një mbrëmje poetike me të dhe disa aktorë të tjerë. Duke rrahur në ide pa fund, Bona propozon që të bëjmë një
qendër tonën. Pasi u ulëm dhe diskutuam detajet, statusin e qendrës etj., e konkretizuam një gjë të tillë. Personalisht nuk dua të pres gjithmonë nga të tjerët. Duke qenë se mundësitë janë shumë të pakta në teatër, kjo edhe për arsye të klaneve, na pëlqen që t’i krijojmë mundësi dhe hapësira vetes. Jemi në një moshë ku kemi mjaft për të dhënë, si portrete të reja, që kanë shumë për të dhënë, të cilat ndihen të paaktivizuara në teatër dhe kjo jo për fajin tonë, por për shkak të mënyrës se si ndodhin sot shumë gjëra në Shqipëri. Nuk e meritojmë të qëndrojmë jashtë skenës së teatrit, ndaj e bëjmë këtë. Synimi ynë është vetëm skena. Kur marrim përsipër të realizojmë një projekt, këtë nuk e bëjmë për emër, por për vetëm pasion; të ndihemi afër publikut dhe të mos lëmë të na ikë kot asnjë sekondë e vlefshme. Skena është ushqim për ne.

Kinemaja, a keni ndonjë projekt aktualisht?

Në vitin 1991 kam bërë filmin tim të parë “Pas fasadës”, për të xhiruar më vonë edhe tre filma të tjerë. Të gjitha këto i kam bërë me vetë kërkesën e regjisorëve. Është një ëndërr për çdo aktore të teatrit që të jetë në qendër të vëmendjes të regjisorëve të kinemasë. Ajo kohë ka qenë tepër e suksesshme për mua, më vlerësonin portretin e veçantë për kinemanë, më thoshin se do të ecja si aktore, por shumë papritur gjërat ngecën. Shqipëria është vendi i çudirave, vendi i njerëzve xhelozë.

Si e shpjegoni faktin që tani nuk keni asnjë ofertë, ndërkohë që e filluat duke u promovuar fuqishëm si emër në kinema me disa filma rresht? Mendoni se e ka fajin konkurrenca, apo çfarë tjetër?

Konkurrenca ekziston gjithmonë, madje ajo nis që në kopsht dhe na shoqëron gjithë jetën. Megjithatë, nuk është se i trembem më shumë konkurrencës, sesa klaneve që janë krijuar dhe kanë zaptuar gjithçka. Unë fatin e pata sepse nga ’91-shi deri në ’95-n luajta te “Pas fasadës”, “Plumbi prej plastelinë”, “Dasma e Sakos” dhe “Tirana, viti zero”. Më vonë pashë se u krijuan ngado klane. Një shije të hidhur e pata së fundi dhe me filmin e Spartak Pecanit, ku m’u tha se do të bëja një rol, i cili pa arsye nuk m’u dha. Ajo që ka rëndësi për mua është se unë ekzistoj dhe ka shumë mënyra për t’i treguar të tjerëve dhe publikut se sa vlej. Sa për filmin, situatën e shoh të pashpresë; nëse një regjisor apo një producent merr sot një film të ri, unë jam gati të vë bast se mund t’ua them në çast aktorët që do të interpretojnë në këtë film... Pse? Sepse gjithçka zgjidhet në tavolinë dhe në mënyrë krejt klanore. Në teatër situatën nuk e shoh pa zgjidhje sepse me qendrën që kemi, do të mbetet gjithmonë një mundësi më tepër dhe kjo është një sfidë që ne ia bëjmë kohës.

Çfarë do të kujtonit sot nga fillimet tuaja?

Kur isha studente, gjërat i shikoja ndryshe. Nuk i merrja kaq seriozisht sa sot. Pastaj, me kalimin e kohës rritesh dhe bëhesh shumë më e përgjegjshme. Kujtoj vitet kur kisha profesor të lëndës së fjalës skenike aktorin Ndriçim Xhepa; ai më inkurajonte të ecja para dhe kur duhej më këshillonte ose më qortonte... Megjithatë, isha e vetëdijshme që profesori e njihte temperamentin tim. Po kështu, në filmin e parë e dija që do të kisha mbështetje dhe mirësi nga pedagogu im, ndaj e merrja punën pak lehtë. Mbaj mend se Çimi ndonjëherë më thoshte: “Moj ti, përqendrohu këtu!” Më pas vinin vështirësitë me xhirimet, regjistrimin e zërit, dublat etj.
Një moment që nuk kam për ta harruar i përket vitit 1991. Ishte kohë trazirash. Në Shkollën e Bashkuar filluan të dëgjoheshin armët. Në po të njëjtën kohë ne vazhdonim të xhironim një film.
Dikush thotë të bëjmë një puthje, diçka ndryshe, dhe ashtu ndodhi. Pas ’58-s, koha kur Tinka Kurti është puthur me Naim Frashërin në film, ishte hera e parë që dikush guxoi të bënte diçka ndryshe. Kështu e putha me Çimin, ndonëse nuk e dinim nëse kjo puthje do të mbahej apo do të pritej nga filmi. Më vonë kjo puthje u bë diçka e frikshme për mua, megjithëse njerëzit që e panë në Kinostudio e pëlqyen skenën. Hallin e kisha më tepër te pritja nga publiku. Edhe te filmi “Përdhunuesit”, ku luaja me Timo Fllokon, një mik dhe pedagog i mirë, ka qenë një moment i vështirë për mua; bashkë me Eva Alikajn, pothuajse ishim gjysmë të zhveshura. Bëmë një thyerje të guximshme të tabuve. Dhe, më besoni, asgjë nuk ishte e lehtë!

Me gjithë mend, si e more  gjithë këtë guxim në një vend me mendësi komuniste, patriarkale dhe të mbushur me paragjykime?

Jam si natyrë që dua të rrezikoj, por gjithmonë për mirë. Qëkur isha e vogël dilja dhe recitoja poezi para klasës. Në trurin tim ishte e fiksuar se një ditë do të bëhesha artiste. Edhe familja ka ndikuar shumë. Babai dhe nëna ishin liberalë dhe më kanë rritur me besim. Kur rritesh me besim nuk ke mure, pasi muret i krijojnë të tjerët. Jam vajzë e vetme dhe kur prindërit e mi e morën vesh për aktrimin, mamaja nuk e kishte shumë qejf, ndërkohë që babai më mbështeti. Një artist do t’i bëjë të gjitha gjërat, që nga puthjet, deri te skenat e dashurisë. Nuk kam komplekse kur këto skena realizohen në funksion të filmit, dhe jo vetëm sa për të tërhequr vëmendjen e publikut.

Duke i renditur si dytësore emocionet tuaja të përballjes me publikun, a mund të na rrëfeni se si ndihet një aktore, kur pas xhirimit të një skene erotike, mendon që familja do ta shohë papritur këtë film, e një ditë do të përballet dhe me fëmijët?

Fillimisht ka qenë e sikletshme. Një moment ndihesh në ankth se si do ta presë familja... Kam pasur dy eksperienca të ngjashme, e para me puthjen dhe e dyta më skenën e përdhunimit në vitin ’84. Familja ime e priti mirë dhe nuk i dha rëndësi këtyre gjërave. Kam pasur prindër të mrekullueshëm, që ishin mësuar me botën jashtë. Mamaja ime ka mbaruar për Mjekësi në Bullgari dhe ka bërë specializimin në Itali, kurse babai ka qenë në Ministrinë e Jashtme dhe herë pas here dilte jashtë shtetit me punë. Pra ata e kishin prekur botën e jashtme dhe për këtë arsye them se jam me fat që u rrita në atë lloj familjeje. Babai im, në kohën kur isha në gjimnaz dhe shoqet e mia nuk dilnin dot të shikonin një film, mua më linte të lirë, me një besim absolut. Ai më thoshte gjithmonë: “Do të të dënoj vetëm në momentin kur do të më gënjesh, sepse unë të kam lënë të lirë dhe nuk ke arsye ta bësh atë gjë”.

Në kohën e martesës jam urtësuar pak, por sërish nuk ndryshova si tip. Njeriu, kur fillon dhe rritet, shikon se realiteti nuk është sikurse ia kanë dhënë prindërit. Kur thua një fjalë të sinqertë diku keqkuptohesh, kur pi një gotë me një shok pastaj dëgjon thashetheme... Jeta nganjëherë të jep frenime. Deri tani kam qenë vetëm në jetën time. Ia kam dalë mirë dhe nuk qahem, edhe pse kam pasur vështirësi dhe pas një divorci kam rritur një fëmijë. Jam shumë krenare për fëmijën dhe për veten. Kurrë nuk jam bërë pjesë e klaneve dhe as e oborreve. Njeriu forcën e ka brenda vetes. Fatkeqësia këtu është se një grua e divorcuar shihet si një grua me damkë. Nëse ti nuk je vetvetja, nuk e mban dot as familjen. Nuk jam dakord dhe nuk kam për të qenë kurrë me martesa që mbahen gjallë vetëm për hir të opinionit. Për mua këta janë njerëz pa forcë.

Nëse mund ta themi, pse nuk funksionoi martesa?

Ne u morëm me dashuri, por kuptuam se nuk ishim për njëri-tjetrin. Këto janë pasojat e martesave të nxituara, kur vajza është 20 vjeçe dhe djali 24. Për 3-4 vjet nuk mund ta njohësh njeriun e jetës duke qëndruar me të disa orë në ditë. Nuk bëj më kompromise për hir të opinionit, prindërve apo për hir të vajzës, që duhet të ketë një baba... Për mendimin tim të gjitha këto janë justifikime provinciale.

Shpesh shohim se martesat e artistëve nuk para zgjasin në krahasim me ato të kategorive të tjera. Mos vallë e gjitha kjo ka të bëjë me profesionin?

Nga kjo pikë nuk mund të them asgjë përsa i përket martesës sime në atë kohë. Kur e bëra skenën e përdhunimit isha e martuar. Filmi u pa nga bashkëshorti dhe nuk pati ndonjë keqkuptim për shkak të profesionit tim; përkundrazi, ai dhe familja e tij i kanë mirëpritur këto filma. Nuk na pengoi as arti dhe as profesionet, por vetëm koncepti i një familjeje që nuk po funksiononte. Ndoshta artistët kanë kurajë më shumë, janë gra të forta, që e përballojnë jetën dhe pavarësisht se do të dënohen nga shumë opinione, nuk durojnë dot një jetë të gënjeshtërt me hipokrizi. Një grua që divorcohet në momente të tilla është grua e fortë, e cila nuk e mban burrin vetëm për çadër apo për luksin që u krijohet. Ato gra që e bëjnë këtë kompromis kanë luksin, por nuk kanë pranë njeriun tyre të zemrës.

Si është të përjetosh momentin e një divorci?

Nuk është bukur të prishësh diçka, jam dakord që familja është një përparim në shoqëri. Femrat që marrin përsipër ta prishin këtë familje them se janë të guximshme dhe ju siguroj që dhimbjen e kanë shumë të madhe. Por është më bukur të vdesë diçka që nuk ekziston, sesa të plakesh me një fytyrë të re. Nuk mund të jesh një grua vetëm për t’u ushqyer dhe për të larë rrobat, apo për t’u shtirur sikur je e lumtur. Kjo është një plagë universale dhe ndonëse janë trajtuar shpesh tema të tilla, sërish “fitojnë” ato familje që rezistojnë, të cilat në fakt janë të humbura; për mua gjithçka humb që në çastin kur kanë vdekur besimi dhe ndjenjat.

Cilat janë marrëdhëniet që keni ndërtuar me vajzën?

Kemi marrëdhënie shumë të mira dhe jemi gati si shoqe. Këto kohë po më ndihmon shumë me punët e mia, fotografitë, komunikimet me e-mail. Tea është një vajzë e mrekullueshme, që e ka fituar besimin tim dhe nuk më ka sjellë ndonjëherë shqetësime në mësime apo me shoqërinë e saj.

Si prind, a keni ndonjë ide ose dëshirë për të ardhmen e vajzës suaj?

Dëshira ime do të ishte që Tea të vazhdojë për mjekësi, meqenëse dhe mamaja qe mjeke dhe të kesh një mjek në familje është mirë. Megjithatë, është vajza që do të vendosë për rrugën e saj.

A hyn Monika te kategoria e prindërve që nuk duan që fëmijët të ndjekin profesionin e tyre për shkak të vështirësive?

Më është bërë shumë herë kjo pyetje. E vetmja gjë që i kam thënë Teas dhe ia rithem është se nëse e ka një talent, le ta ndjekë, por nëse nuk ka talent, artin ta bëjë vetëm për hobi.

Pra, nuk mendoni se me shumë punë mund të arrihet gjithçka?

Mendoj se 99 për qind është punë dhe 1 për qind talent, e me gjithë punën e madhe pa atë 1 përqindëshin nuk bën dot asgjë.

Sa ndikoheni në jetën tuaj nga personazhet që interpretoni?

Tani jam duke vendosur në fizikun tim fizikun e Lorës, në mendjen time mendimet e Lorës. Ajo është shumë ndryshe nga unë; është e ndrydhur, e tërhequr, ndërkohë që vetë s’jam aspak e tillë.

Nëse themi Monika Lubonja, si do ta përcaktonit imazhin që ju vjen në mendje?

Një femër të fortë, të guximshme dhe të ndjeshme. Kur ka punë, Monika ka dhe jetë brenda; është ndryshe dhe di të shfaqë shumë dashuri... Në momentet e pushimit ajo ka boshllëk, ndihet e trishtuar.

PROJEKTI

Protagoniste dhe producente te “Menaxheria e qelqtë”

Monika vjen këto ditë si producente, por edhe aktore te premiera “Kopshti i qelqtë” (Menaxheria e qelqtë), pjesë autobiografike e autorit Tenes Uilliams, që do të shfaqet si bashkëpunim mes TK-së dhe kompanisë private teatrore “Art blu”. Në lidhje me këtë shfaqje Monika Lubonja thotë: “Zgjodha pikërisht Tenes Uilliamsin, pasi në qendër të pjesës së shkruar prej tij vendoset një familje, e cila është e braktisur nga burri dhe nënës i duhet që të mbajë e vetme peshën e jetesës dhe rritjes së fëmijëve. Kjo është një histori e dhimbshme, por tepër aktuale për realitetin shqiptar e jo vetëm...”. Më tej ajo shprehet se “tragjedia e kësaj pjese u përket të gjitha atyre grave të guximshme e të forta shqiptare dhe fëmijëve të tyre që janë të detyruar të rriten pa baba. Njëherësh, kjo pjesë ka të bëjë edhe me komplekset që mbart brenda çdo njeri. Lora është një vajzë 24-vjeçare, e cila ka lindur me një cen, njërën këmbë e ka më të shkurtër se tjetra. Kjo vajzë është e tërhequr nga jeta dhe shoqëria. Bota e saj kufizohet me pasionin e mbyllur brenda një kopshti prej qelqi, disa kafshëve të vogla të qelqta dhe disa disqe të vjetra të mbetura kujtim nga babai i larguar”. Aktorja vijon më tej se “jeta është e mbushur me komplekse, ndaj çdokush prej nesh ka për detyrë që të gjejë forcën që ka brenda tij për t’u përballur me sukses me vështirësitë e ndryshme dhe realitetin”. Gjithashtu, shfaqja përcjell dhe një mesazh tjetër për të rinjtë, të cilët nuk duhet të jenë të kufizuar në ëndrrat e tyre vetëm drejt botës së spektaklit e të kinemasë. Jeta nuk është një xhiro që të ofron thjesht kënaqësi dhe duhet marrë lehtë. Sa i përket veprës, autori bën një autobiografi të jetës dhe familjes së tij.
Lora, që interpretohet nga Monika Lubonja, është motra e Tenes Uilliamsit, ndërsa vetë autori “fshihet” pas Tomit. Sipas producentes Lubonja, një tjetër risi që vjen me shfaqjen “Kopshti i qelqtë” është fakti se për herë të parë sillet një kostumograf dhe skenograf i huaj si Bllagoj Micevski në teatrin shqiptar. Në rolet e tjera interpretojnë Yllka Mujo, Arben Derhemi dhe Neritan Liçaj, ndërsa regjia i është besuar Adonis Filipit. Duhet thënë se për Monikën kjo shfaqje është pjesa e tretë që vjen si prodhim i qendrës, të cilën aktorja e ka themeluar dhe e drejton bashkë me miken dhe kolegen e saj, Valbona Imami.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora