E premte, 29.03.2024, 08:03 AM (GMT)

Kulturë

Kujtim Mateli: Vetëm Itaka mbetet

E diele, 05.04.2009, 05:58 PM


Kujtim Mateli

Vetëm Itaka mbetet

(Meditime rreth poezisë së Bardhyl Londos “Vetëm Itaka mbetet” ku mijëra lexues  dhe krijues, vërtiten rreth kësaj poezie si bletët rreth nektarit)

Një sërë librash po fillojnë të qarkullojnë duke përdorur fjalën “Itakë” si: antologjia e emigrantëve, një libër voluminoz, ku përfshihet krijimtaria e dhjetëra emigrantëve, e përgatitur nga Nase Jani dhe e titulluar: “Itaka e fjalës” apo një tjetër autor, Kolec Traboini, me librin poetik “Itaka grua”. Një tjetër libër, antologjia e poezisë shqipe dhe polake,  mban për titull të librit, titullin e kësaj poezie, “Vetëm Itaka mbetet”. Të mos lëmë mënjanë dhjetëra apo qindra poezi ku fjala “Itakë” rrjedh natyrshëm nëpër vargjet e tyre duke i dhënë një emocion të veçantë vargut dhe gjithë poezisë. Është bërë zakon që edhe njerëzit kur kthehen për në atdhe të përdorin shprehjen: “Po kthehem në Itakë” apo e kundërta, kur largohen të thonë: “ Po iki nga Itaka ime.” Natyrshëm lind pyetja. Çfarë force mbart kjo poezi që i bën lexuesit dhe poetët të rrotullohen rreth saj vazhdimisht dhe prapë të ndjehen se nuk mund të shkëputen dot? Dy kategoritë estetike: e bukura dhe e madhërishmja e bëjnë njeriun të mos i largohet lehtë një mjedisi të tillë, qoftë ky nga realiteti apo i krijuar në një vepër artistike. Kjo poezi i përmban të dyja. Vargje të thurura me mjeshtëri të lartë artistike rregjistrohen lehtë në qelizat e trurit të njeriut dhe mbeten aty për një kohë të gjatë ose mund të mbeten përgjithmonë. Në ato pak vargje të kësaj poezie të Bardhyl Londos, “Vetëm Itaka mbetet”, kemi një shtrirje kohore më shumë se tre mijë vjeçare. Ajo shtrihet që nga lufta e Trojës deri në ditët e sotme. Po dhe hapësira gjeografike nuk kufizohet vetëm me Shqipërinë dhe Greqinë. Itaka nëpërmjet kësaj poezie po bëhet  simbol i atdheut dhe çdo njeri e ka një atdhe. Edhe nëse do t`i bëhet si atdhe një i dytë, gjithmonë e ka një  të parë i cili nuk mund të zëvendësohet dhe që mendon se nuk i gjendet pranë. Kjo është një ndjenjë e përgjithëshme që e provon çdo njeri i globit që largohet nga atdheu i tij. Në këto kohë moderne largimi nga vendlindja apo dhe nga atdheu është bërë një praktikë e përbotëshme dhe janë të rrallë ata njerëz që nuk e kanë provuar një ndjenjë të tillë. Po autori i drejtohet një personazhi tepër domethënës, një personazhi që mbart edhe sot e kësaj dite me emocion dramën e njeriut që fati e hodhi në vise të largëta kundër dëshirës së tij. Fati i këtij personazhi përcillet me emocion. Në kohën e sotme ky emocion përjetohet i dyfishtë. Secili është nga pak Odise. Po ka nga ata që fati i barazon me të. Njëzet vjet Odiseja gdhihej e ngrysej duke mbajtur në zemër peshën e dhembjes për atdheun e vet, Itakën, peshën e dhembjes për gruan e tij, Penelopën, peshën e dhembjes për djalin e tij, Telemakun. Kjo dhembje e cifliti, por nuk i humbi besimin. Besimin për të parë atdheun, gruan dhe djalin. Po jo vetëm kaq. Do t`i shtoheshin dhe ato mjedise të bukura, ku kishte kaluar rininë. Bregdetin e mbushur me pulëbardha, brigjet e veshura me ullinj ku ajri i butë i mbrëmjes e përkëdhelte si fëmijët e vet. Po në rrugën e kthimit për në atdhe, veç vështirësive, do ta joshnin dhe çaste të gëzueshme. Çaste që i thoshin: mos u largo. Jeta është e bukur kudo. Në vend të Penelopës do t`i gjendej pranë një grua tjetër e bukur që do t`i falte dhe ajo lumturinë. Dhe vërtet kaloi pranë saj vite të bukura ku ndihej herë-herë si një princ i vërtetë. Ndërsa një gjumë i qetë e merrte në krahët e vet, zërat e ardhur nga larg i thoshin: “ këtu je i huaj.” Dhe i shfaqej shtëpia e tij ashtu si në mjegull se vitet e kishin bërë punën e vet për ta harruar ndopak. Më në fund e mori vendimin. E la pas jo pa dhembje çfarë i kishte dhuruar Kalipsoja e bukur. Shtatë vite pranë saj kishin qenë për të një parajsë e vërtetë. Por brenda kësaj parajse nuk mund të qëndronte më gjatë. Një zë i vazhdueshmën e ftonte vazhdimisht të nisej për rrugë. Me lot në sy la pas Kalipsonë që i kishte dhuruar gjithë të mirat. Në këto momente njeriu priret gjithmonë nga dyzimi: “Ç`të bëj?” Në ndihmë, në raste të tilla vendimtare, njeriu ndihmohet nga zëri i arsyes. Lë pas dilemat dhe merr një vendim. Dhe Odiseja e braktisi ishullin e magjishëm dhe bashkë me të dhe Kalipsonë e bukur. Veç jo pa dhembje. Po jeta kështu paska qenë e gatuar qysh në ato fillime të njerëzimit.

Kanë  ndërruar anijet. S'janë  më si të Odiseut.

Odiseja i vetëm, në një ishull të vetmuar, nuk mund të bënte më shumë se një trap me trungje drurësh me të cilin u nis për në atdheun e vet, në Itakë. Asnjë mendje njerëzore nuk mund ta konceptojë që me një mjet të tillë lundrimi të arrijë deri në bregun më të afërt që mund të duket dhe me sy. Po Itaka ishte larg, tepër larg dhe këtë e dinte dhe Odiseja. Mbas shumë peripecish mbërrin në atdheun e vet, në Itakë. Po aty askush nuk po e njihte. Atdheu për të ishte i huaj. As djali, as Penelopa, as barinjtë dhe ata që kujdesishin për shtëpinë e tij, nuk e njohën. Në kaq pak vite ishte harruar.

Po pse për shumë njerëz kjo ndodhi e Odiseut u kujton një pjesë të jetës së tyre? Edhe pse kanë kaluar mbi tre mijë vjet nga kjo ngjarje, njerëzimi ende ka pika të përbashkëta.  Nuk qenka e lehtë që hallet dhe shqetësimet e Odiseut, në një formë tjetër, t`i përjetojmë dhe në këto kohë moderne.  Shqipëria në këto vite tranzicioni nxorri jashtë vetes së vet një të katërtën e popullsisë. Patën fatin të përjetojnë ndjesi që nuk e kishin provuar më parë. Përjetime odiseiane në kërkim të një pune. Shumë prej  tyre e arritën atë. Mbas disa vitesh larg atdheut, shumë deshën të kthehen pranë vatrës së tyre. Po dikush, atje larg dhe në vetmi, kishte gjetur Kalipsonë e tij. Ai nuk i dëgjoi  zërat e Penelopës dhe të atdheut të vet. Nimfa Kalipso e kishte bërë punën e saj që t`i harronte zërat që e thërrisnin.  Më kot pret Penelopa besnike se mos një ditë do të kthehet. Më kot e kërkon nëpërmjet emisionesh televizive. Me Nimfën e vet Kalipso ai ka ndërtuar një jetë tjetër. Atdheu dhe Penelopa mbeten për të një kujtim i largët, megjithëse shpesh herë ky kujtim e trishton dhe zhyt në pesimizëm.

Po të tjerë vepruan ndryshe: Ata e braktisën Kalipsonë dhe u nisën drejt atdheut dhe Penelopës së tyre. Po dhe këtyre fati nuk u eci mbarë. Penelopa, e zhgënjyer nga një pritje e gjatë, ishte larguar dhe ajo diku në hapësirat  e reja të panjohura. Atdheu i tyre kishte mbetur si një guaskë. Margaritari Penelopë ishte nisur në fatin e saj. Të tjerët, që e gjetën atdheun e Penelopën bashkë në fatin e tyre, i morën Penelopat me vete dhe atdheun e shohin rrallë dhe më rrallë. Atje larg, ndërsa muzgu i kaltër e mbulon gjithësinë me vellon e vet të pazakontë, u kujtohet Itaka e tyre e dashur dhe një trishtim i lehtë e pushton qenien njerëzore. U kujtohen paraardhësit e tyre mërgimtarë. Janë pothuaj në harkun e një mijëvjeçari dhe ata nuk e kanë harruar atdheun e tyre. E kujtojnë, i këndojnë këngë që nga brigjet e Italisë dhe gjer në viset e largëta të Greqisë, që ngaTurqia, gjer në Amerikë, që nga Lindja e Largët gjer në brigjet e Oqeanit Atlantik. Po në këto kohë moderne, të larguarit e rinj kanë një mundësi më të mirë për të qenë pranë atdheut të tyre. Mundësia që t`i shkollojnë  fëmijët në oborrin e gjuhës shqipe. Ky oborr është atdheu i tyre. Sado larg që të jenë, oborri i gjuhës shqipe është një copëz e atdheut. Kush do ta ketë mençurinë e Odiseut, do t`ja arrijë qëllimit. Këtë copëz atdheu që rritet e lulëzon në oborrin e gjuhës shqipe do ta mbajë përherë të freskët dhe brezat e ardhshëm do ta kenë më të lehtë, kur të kthehen një ditë në tokat e tyre stërgjyshore.

Kanë ndërruar dashuritë. S'janë më si të Menelaut.

A është vërtet rrëmbimi i Helenës motivi i vërtetë për të bërë luftën 10-vjeçare të Trojës? Studjues të ndryshëm thonë se motivi i vërtetë ka qenë etja për pasuri, lufta për t`u pasuruar, ndërsa rrëmbimi i Helenës është një trill artistik. Po si është e mundur të bëhet një luftë 10-vjeçare, një nga më të përgjakshmet në histori, kur dhe Helena u largua me dëshirën e saj? Për mentalitetin e sotëm një veprim i tillë nuk mund të kryhet as nga vetë bashkëshorti. Po edhe sikur të kryhet një veprim i tillë, ai nuk mund të pasohet as nga të afërmit e tij dhe aq më tepër t`i shkojë pas në ndihmë krahina apo gjithë vendi. Ky veprim që për kohën e sotme duket i pamundur dhe i pakuptimtë, i shpie studjuesit që të pohojnë se Lufta e Trojës u bë për plaçkë dhe pasuri. Po çelësi për të hapur portat e atij mijëvjeçari, ku rri mbështjellë me enigmë Lufta e Trojës, duket se  gjendet në vargjet e kësaj poezie.  Atdheu është vetë njeriu,- na thotë poeti. Ky imazh poetik, duket se përkon me mentalitetin e atij mijëvjeçari kur është zhvilluar dhe Lufta e Trojës. Nëse Menelau ishte mbret i Spartës, Helena ishte mbretëresha e saj. Dhe mbretëresha nuk i përkiste vetëm Menelaut, bashkëshortit të saj. Njeriu ishte atdheu dhe për Spartën ishte grabitur ikona e tyre. Atdheu nuk mund të quhej atdhe pa ikonën e tij, që në këtë rast ishte Helena. Atdheu ishte fyer, ishte poshtëruar, ishte cënuar në pikën e tij më të shenjtë. Ndaj dhe u nisën për ta rikthyer ikonën e tyre, njeriun e tyre më të shtrenjtë, me një fjalë, vetë atdheun, në shenjtërinë e tij të  mëparëshme.

Kanë ndërruar gratë. S'i ngjajnë më Helenës.

Helena është simboli i bukurisë njerëzore. Bukuria e saj i kapërcente kufijtë e vendit ku jetonte duke tërhequr vëmendjen edhe të vendeve të tjera. Nga pesha e kësaj bukurie u gjunjëzua edhe Paridi i Trojës. Kështu ai shkeli besën e mikut që të ka ardhur në shtëpi. Kjo besë ka qenë e shenjtë dhe për peridhën homeriane. Duke besuar në besnikërinë absolute të mikut që të vjen në shtëpi, Menelau largohet për në Kretë duke e lënë vetëm mikun Parid me gruan e vet Helenë. Në mungesën e zotit të shtëpisë lindi një lidhje e re dashurie midis të dyve. Të dy hyjnë në histori si shkelës së besës. Paridi si shkelës i besës së mikut që të vjen në shtëpi, ndërsa Helena si shkelëse e kurorës bashkëshortore. Veprimi i asnjërit prej tyre nuk ishte i justifikuar dhe si rrjedhim që të dy kishin rënë në mëkat. Ndaj dhe ndëshkimi ndaj tyre, do të ishte i pashmangshëm. Paridin nuk e justifikon bukuria e Helenës që edhe mbas tre mijë vjetësh mbetet simbol i bukurisë njerëzore. Po lidhja Paridi-Helena i kujton shoqërisë se ka disa parime më të larta se sa një lidhje dashurie. Para se njeriu t`i bindet ndjenjës, duhet t`i bindet arsyes.  Arsyeja nuk e lejonte këtë lidhje, se prisheshin ato marrëdhënie që mbajnë në këmbë shoqërinë njerëzore.  Thënia: miku është i shenjtë, duhet të ketë qenë një parim i rëndësishëm dhe në periudhën homerike apo para homerike.  Për ta mbrojtur këtë parim në kushtet e mos ekzistencës së shtetit janë hartuar rregulla dhe ligje të cilat janë pasqyruar dhe në kanunin e Lekë Dukagjinit. I zoti i shtëpisë ka në besë të tij mikun. Mandje jo vetëm brenda territorit të shtëpisë së tij, por edhe brenda territorit të njësisë ku banonte. Në zonën Veriore të vendit tonë përcaktoheshin deri në ditët tona, se deri në cilën hapësirë të fshatit të tij apo të zonës, miku ishte në besën e të zotit ku kishte kaluar natën. Miku barazohej me ekzistencën e vetë familjes ku kishte shkuar. Në rast se vritej miku, i zoti i shtëpisë hynte në gjak. Dhe hyrja në gjak do të thoshte shuarje e familjes. Pra miku ishte po aq i shenjtë sa ishte dhe familja. Ky zakon që sot evidentohet në pjesën Veriore të Shqipërisë, dikur ka qenë në të gjithë hapësirën shqiptare. Ky zakon, i ardhur nga gjyshërit tanë të hershëm,  gjendet  dhe në këtë vepër të Homerit dhe kësaj periudhe i përgjigjen pellazgët. Mundësia që lufta e Trojës të jetë bërë për ato motive që përshkruhet në “Iliadë”, pra për rrëmbimin e Helenës, është më e madhe se mundësia që kjo luftë të jetë bërë për plaçkitje. Po të ishte për plaçkitje ajo do të kishte përfunduar që me betejat e para kur u zunë robër e plaçkë e mjaftueshme për t`u transportuar nga anijet, madje po të kishte një kthim, një pjesë e kësaj plaçke do të mbetej në brigjet e Trojës. Dhjetë vjet luftë në muret e Trojës tregon se ushtria akeje kishte shkuar për t`u hakmarrë mbi Paridin, mbi mikun besëshkelës dhe të kthente në trojet e veta ikonën e tyre, Helenën. Ashtu sikundër për mikun e mirë sakrifikohet e gjithë familja, pra hyn në gjak, nëse cënohet nderi i tij, po ashtu vepron dhe e kundërta e saj, kur kemi të bëjmë me mikun e keq që e ka cënuar familjen. Ai do të ndëshkohet sado jetë njerëzore do të kërkojë ky ndëshkim. Lufta e Trojës e tregon më së miri këtë. Ushtria akeje nuk u largua pa e ndëshkuar mikun e keq dhe pa e shkatërruar Trojën si burimin e së keqes.

Dhe prapë do të ndërrojnë në shekujt praparendës.

Në një vështrim të shkurtër shohim se gjërat  kanë ndryshuar dhe ky ndryshim është në të mirë të shoqërisë njerëzore. Nuk janë më ato anije që endeshin deteve dhe i luteshin fatit që t`i nxirrte diku në ndonjë breg të detit. Ka ndryshuar dhe mentaliteti i dashurisë:  burrat e sotëm nuk veprojnë më si Menelau , gratë nuk kanë dhe shumë ngjashmëri me Helenën. Kanuni i Lekë Dukagjinit është në fund të ekzistencës së tij dhe vepron në një territor fare të kufizuar. Po edhe në këtë territor të kufizuar ku po vepron, po ndihet gjithnjë e më fuqishëm roli i shtetit. Shoqëria po ecën në krahun pozitiv të gjërave dhe kjo rrit shpresën, se  njeriu si qenie shoqërore po përmirësohet dhe përsoset duke e bërë individin sa më të dobishëm . Shoqëria e sotme nuk është ajo e tre mijë vjetëve më parë, po ka ndryshuar duke patur si kahje përsosmërinë. Shoqëria njerëzore do të ndryshojë përsëri, nuk do të jetë në shekujt e ardhshëm fytyra e shoqërisë së sotme. Për dikë, që  e ardhmja mund të mos jetë ashtu si shoqëria e sotme, mund të sjellë pak trishtim. Njeriu kërkon që ajo përsosmëri që ai ka arritur, të jetë e përjetshme, sepse aty është fytyra e tij, fytyra e kohës në të cilën ka jetur, aty është ajo përpjekje për të cilën ai mendon se shoqëria është bërë më e bukur në saj të frytit të mendimit dhe të punës së tij. Por prapë qetësohet kur shikon se është diçka tjetër që do të mbajë vulën e këtij mundimi, që është shembëlltyra e vet. Dhe poeti e qetëson kur i thotë lexuesit se pas gjithë këtij ndryshimi, mbetet e paprekur Itaka. Aty, ai vetë dhe brezat e ardhshëm, do të shohin fytyrën e gjyshit dhe stërgjyshit të tij.

Vetëm Itaka mbetet:

Itaka tek fëmija.

Duke hyrë në hapësirën e këtij vargu mësojmë se Itaka ka dhe një përmasë tjetër përveç asaj natyrore. Ajo paska dhe një përmasë njerëzore. Itaka ndodhet tek fëmija. Sa bukur! Sidomos për ata që ndodhen jashtë Itakës së tyre, jashtë atdheut. Nëse në ato çaste nuk mund të bëjnë dot më tepër për atdheun e vetë, kanë mundësinë ta realizojnë atë atje ku ndodhen. Itaka e tyre është aty, pranë tyre, ajo e ka emrin fëmijë. Çfarë mrekullie zbulohet tek kjo vjershë. Njeriu kudo që të ndodhet paska mundësinë të jetë pjesë e atdheut të tij. Nuk ndjehet më i vetëm. Atdheun e paska dhe aty ku ndodhet. Sado mijëra kilomentra të ndodhet larg, çdo prind e paska një mundësi të jetë pjesë e atdheut të vet. Kanë mundësinë që t`i rritin fëmijët me imazhin e atdheut. T`i rritin fëmijët me gjuhën e bukur shqipe. Kështu do të ndihen pjesë e Itakës së tyre. Do të ndihen krenar se, edhe në ato kushte të vështira, u bënë pjesë e atdheut. Këngët e vendlindjes  le të gurgullojnë  mbi kokat e vogla të fëmijëve si ujrat e pastra të burimeve tona. Të rriten fëmijët me imazhin e heronjve tanë. Të kenë përherë në sy imazhin e Itakës së tyre. Atëhere po. Atëhere gjithsecili do të jetë i qetë se kur zëri i Itakës do ta kërkojë një ditë, ai nuk do të jetë i panjohur për të. Do të niset drejt saj.

Itaka tek gjeniu.

Poeti na thotë se Itaka ndodhet tek gjeniu.  Gjeniu është si kurora e lules për një shoqëri njerëzore. Aty qenka atdheu, aty qenka Itaka. Një domosdoshmëri për t`i kthyer sytë drejt tij. Gjeniu nuk është një njeri i zakonshëm. Ai hap rrugë. Ai çel shtigje. Sigurisht nga këto udhë të çelura nuk është gjeniu përfituesi i tyre. Përfituesi i tyre është shoqëria njerëzore. Janë gjithë brezat që vijnë njeri pas tjetrit. A nuk e keni vënë re që brezi që vjen ka më tepër dritë se brezi që shkoi? Po pse ndodh kështu? Po çdo brez e lind një gjeni.  Kështu, brezi pasardhës, ka fatin të marrë dritë nga gjeniu i brezit që shkoi dhe nga gjeniu i  brezit të tij. Ndaj në vite një dritë  sa vjen dhe rritet. Kjo është drita e diturisë që e çon shoqërinë njerëzore përpara.

Ajo e përjetëshmja:

ëndrra

Njeriu e ndërton të ardhmen e vet nëpërmjet ëndërrimeve. Në morinë e tyre zgjedh ato që i afrohen realitetit. Ëndrrën e vet kërkon ta bëjë realitet në Itakën e tij. E vendos atje ku kaloi fëmijërinë. Atje ku  mëngjezeve e zgjonin cicërimat e zogjve. Atëhere që kur dilte në oborrin e shtëpisë mendonte shpesh se sa e madhe ishte bota. Donte ta shkelte atë. Ta shihte. Ta prekte. Erdhi një kohë dhe e preku. Në mos të gjithën, një pjesë të saj. E bukur ishte bota. E bukur dhe e ashpër. Diku, në një cep të globit, larg Itakës së vet, ëndrra e tij merr formë. Do të kthehet atje në vendlindje. Atje ku e ka lagur shiu dhe dielli i ka dhënë ngjyrën e vet. Atje ku ka varret e fisit të tij.

Ëndrra është fantazia e ndezur e njeriut. Ajo bën dritë dhe në errësirrën më të thellë. I bën dritë udhës. Nën dritën e saj ecin njerëzit në udhë të shkelura dhe të pashkelura. Ëndrra i thotë njeriut: guxo! Dhe njeriu del nga udha ku ecin gjithë të tjerët dhe kërkon të hapë një udhë të tijën. Pastaj udhës që çeli njerëzit i venë emrin e tij. Kështu udhët e njerëzimit janë mbushur me emrat e njerëzve. A nuk ishte shkolla e parë shqipe një ëndërr e Rilindasve? A nuk ishte Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë, para se të shpallej akti final më 28 nëntor 1912 një ëndërr e gjithë shqiptarëve? A nuk ishte Shpallja e Pavarësisë së Kosovës një ëndërr, bile një ëndërr e largët, tepër e largët, deri në kufijtë e së pakapshmes? A nuk është bashkimi i trojeve shqiptare një ëndërr, që në kushtet e sotme duket e parealizueshme? Një ëndërr që endet sot tek të gjithë shqiptarët, një ëndërr që zhduket midis mjegullave dhe bëhet e pakapshme, e largët sa vetë horizonti , ndërsa herë të tjera ulet mes nesh duke na joshur për rrugë?

Erdhi një çast dhe ëndrra i nisi shqiptarët përsëri për rrugë. Në truallin e ri që gjetën vendosën ëndrrën e tyre, marrë me vete bashkë me diellin  dhe mjegullën adriatike dhe joniane, me diellin dhe mjegullën e alpeve.  Po atje ku shkuan panë se nuk e kishin marrë të gjithën me vete. I mungonte agimi i purpurt i trojeve shqiptare. I mungonte fërshëllima e krahut të thëllëzës të vendlindjes së vet. Atje në vendlindjen e vet njerëzit ishin lidhur në besë e në fjalë. Atje në vendlindjen e vet  dhe mali dhe fusha ishin lidhur në një marrëveshje të përjetshme… Fusha i nis malit herët në pranverë kopetë e dhenve, ndërsa mali ia kthen përsëri në vjeshtën e vonë. Mali i nis fushës tufat e thëllëzave sapo bie bora e parë, ndërsa fusha ia kthen përsëri  sapo tretet  bora e fundit. Erdhi një çast dhe panë se ëndrra ishte shtrirë në dy kontinente, apo brenda një kontinenti e shtrirë në dy shtete. Erdhi një çast dhe secili e kuptoi se ëndrra ishte atje në vendlindjen e tij, me vete kishte marrë imazhin e ëndrrës. Ai imazh krisi si një vazo qelqi kur i thanë: “Kur të vdesësh, këtu nuk ke varr. Këtu je vetëm emigrant.” Varri, vendi i tij i përjetshëm, ishte larg. Aq larg sa dhe rruga që kishte bërë për të vajtur atje. Atëhere lind dilema: si do të kthehej? I gjallë apo i vdekur? Tani ëndrra e tij shtrihet në një terren konkret. Ajo ishte atje në vendlindjen e tij, në vendlindjen e tij të harruar nga puna dhe stërmundimi.  Shtëpia e tij, gati e rënuar, priste dorën e tij. Dorën e tij e priste dhe hardhia në oborr që ishte mbuluar nga degët e thata. Dorën e tij e priste dhe molla, dhe dardha, dhe pjeshka. Ajo tokë që është aq pjellore pret dorën që i është larguar. Kur do t`i kthehej? Larg, tepër larg, ëndërron se diçka duhet bërë për atë copë vend që quhet vendlindje. Qortimi i vendlindjes e bën që të ulë pak kryet. Myshqet në muret e shtëpisë së tij i ngjanin si plagë në trupin e vet. Myshku është shenjë se jeta nuk ekziston. Çfarë kishte ndodhur me të? Si i kishte harruar zërat e vendlindjes, zhurmën e mjegullës teksa përplasej mbi tjegullat e çatisë, frymëmarrjen e ngrohtë të  pranverës mbasi kishte mundur dimrin e keq. Si i kishte harruar lutjet e luleve të vogla që i drejtoheshin diellit në mbrëmje që të kthehej sa më parë dhe në errësirën e thellë i dëgjonte si qanin, ndërsa në mëngjes dielli i gjente me pika loti, paçka se këta lotë njerëzit i quajnë pika vese.

Dashuria

Qënien njerëzore e lind dashuria. Njeriu lind nga dashuria e një çifti. Bota njerëzore është e përbërë nga shumë ndjenja, por ndjenja e dashurisë  është ajo që përcakton në kuptimin pozitiv shoqërinë njerëzore. Shumë ndjenja të tjera njerëzore si urrejtja dhe  trishtimi, që kërkojnë ta shpërbëjnë shoqërinë, nuk mund ta mposhtin ndjenjën e dashurisë që i jep jetë njeriut. Dashuria është forcë, dashuria është guxim.  Forcë për të mos u mposhtur nga e keqja. Guxim për të ecur përpara. Dashuria është dritë për të mposhtur errësirën. Dashuria është gjykimi i shëndoshë për të mposhtur padijen dhe injorancën. Sapo në një çift, familje, apo shoqëri, dashuria dobësohet, vendin e saj e zenë tipare negative. Egoizmi dhe urrejtja, fillojnë e gryejnë shtratin e shëndoshë të një marrëdhënieje shoqërore. Shoqëria njerëzore do të ishte shkatërruar qysh në lindje të saj, nëse kjo ndjenjë e bukur, ndjenja e dashurisë, nuk do të ishte mbizotëruese në një shoqëri njerëzore. Sa më e shëndoshë të jetë një shoqëri, aq më e lartë është ndjenja e dashurisë.  Njeriu vepron i rrethuar nga një atmosferë dashurie. Njeriu gëzohet kur dikujt punët i ecin mbarë. Ky gëzim është fryt i dashurisë që ne kemi për të tjerët dhe i të tjerëve për ne.

Jeta

Në filozofinë popullore thuhet shprehja: “jeta është luftë.” Ky përcaktim i jetës nënkupton se jeta njerëzore është përpjekje, është mundim, është sakrificë. Në jetë asgjë  nuk arrihet lehtësisht. Betejën e parë njeriu e ndesh qysh kur është fëmijë. Kjo betejë nis kur ai fillon të shkojë në shkollë. Është beteja për të fituar njohuri, për ta bërë sa më të lehtë betejën e radhës. Nga kjo betejë e parë do të varet shumë, nëse ky njeri do ta fitojë luftën e jetës apo jo. Por kjo betejë nuk është e vetmja, as vendimtare. Në fushën e dijes njeriut i duhet të përballet me disa beteja. Dhe jo të gjitha do të mund t`i fitojë. Diku dhe mund të ngecë. Po kjo ngecje nuk e pengon që të përballet sukseshëm me betejat e tjera të jetës. Ajo që karakterizon qënien njerëzore është këmbëngulja për të mos u mposhtur. Mposhtja është një lloj skllavërimi, edhe pse mund të jetosh i lirë në një vend të lirë. Mposhtja është plakje, është dështim, është zhgënjim nga jeta. Njerëzit që e pësojnë atë, duhet të gjejnë forca që të ringrihen përsëri. Të ringrihen për të hyrë në një betejë të re. Njeriu kur plaket dhe jeta nuk e përfshin në betejat e saj, fillon e bën një bilanc për çfarë arriti  dhe çfarë duhej të bënte ndryshe. Mundohet të ndreq diçka, por jeta të vë kufizime dhe nuk të bën pjesëtarë të betejave  të saj.

Vdekja

Megjithëse vdekja shënon fundin e njeriut, është pjesë përbërëse e jetës së tij. Ashtu siç mendon për jetën, njeriu mendon dhe për fundin e vet. Edhe në mbarim të jetës, kur njeriu e kupton se nuk i ka ngelur dhe shumë kohë, kërkon të bëjë diçka, madje dhe cilësore. Ai mendon që kjo pjesë fundore e jetës së tij të jetë një testament, i shkruar apo i pashkruar qoftë. Ky testament është vepra e tij.  Atë nuk e trishton fundi i jetës së tij, atë e trishton mendimi se nuk po lë gjë që të ketë vlerë për fëmijët e vet dhe  brezat e ardhshëm. Ndaj nxiton të përfundojë atë që ka lënë përgjysmë.  Njeriun nuk e hidhëron mendimi se paska ardhur si mik në këtë jetë dhe duhet të largohet. Ai mendon që  ajo që po lë pas të jetë e përjetëshme. Pas është puna e tij dhe fëmijët e tij. Ai e di që  jeta e njeriut është e kufizuar. Ajo që ai do që të jetë e pakufizuar  është vazhdimësia e jetës. Herë-herë mediton se sa do të jetë kjo vazhdimësi. I drejtohet edhe hapësirës qiellore. Edhe sa kohë do të ekzistojë Dielli? Edhe sa kohë do të ekzistojë Toka? Në vetminë e tij lutet që kjo vazhdimësi të jetë e pambarimtë. Në këto kohë moderne njeriu  e ka kuptuar mirë që ekzistenca e njerëzimit është e lidhur ngushtë me këto dy planete. Nëse rrezikohet ekzistenca e të dyve, është e vështirë që përtej tyre njerëzimit t`i  vijë ndonjë varkë shpëtimi. Atëhere, në një cast meditimi, njeriu u përulet këtyre dy planetëve dhe uron që të jenë të përjetshëm. Sa të drejtë kanë patur gjyshërit tanë  që Diellin e Tokën i kishin dy perënditë kryesore të cilave u faleshin. Këtyre dy perëndive ata u janë lutur jo vetëm për veten e tyre, por edhe për ne.

Njeriu gjatë jetës së vet njeh dhe kontraste .Ndërsa në moshë të thyer rrudhat fillojnë të dëmtojnë bukurinë e tij fizike, kjo gjë nuk ndodh me bukurinë e tij shpirtërore. Bukuria shpirtërore e njeriut në moshë të thyer është në përsosmërinë e saj më të lartë.  Po kush e beson? Duhet të jesh i moshuar që të provosh atë bukuri shpirtërore që i vjen njeriut në vitet e fundit të jetës së tij. Nga e ka burimin ajo dritë që e bën shpirtin e tij të bardhë,  më të bardhë se lulet e pranverës. Nga e ka burimin ajo dritë që e bën shpirtin e tij të bukur, më të bukur se vetë simboli i bukurisë. Po njeriun nuk e lënë gjatë të jetë i vlefshëm për shoqërinë njerëzore… Njeriun e presin për ta marrë…. Dhe ajo është një ikje pa kthim. Dhe njerëzit  përcjellin njeri-tjetrin tek ai vendbanimi i përjetshëm që quhet varrezë. Aty mbaron jeta e njeriut. I mbetet gjithësisë të dërgojë dritën hyjnore për ta shenjtëruar atë vend.

Itaka, vetë njeriu.

Po ç`është atdheu ? Vetë ndërtimi i kësaj fjale na thotë se ai është dheu i atit, pra vendin që trashëgojmë nga babai. Pse është i tillë askush nuk mund ta mohojë apo ta tjetërsojë atë. Atdheun askush nuk e zgjedh, atë vetëm e trashëgojmë.  Një vend që nuk banohet, nuk është atdhe. Nëse ai do të popullohet, brezi që e populloi nuk mund t`ia thotë fjalën atdhe. Për fëmijët dhe gjithë pasardhësit e tjerë ai vend shenjtërohet se është trualli i prindërve të tyre, i gjyshërve dhe stërgjyshërve të tyre. Ai bëhet atdhe, bëhet Itakë. Duke lexuar këtë poezi shpirti i njeriut trazohet. Politikani pyet veten se çfarë duhet të bëjë më mirë për kohën në të cilën jeton. Mësuesi pyet veten se a e bëri detyrën e tij. Filozofi pyet veten se a hodhi  dritë aq sa duhet në udhën që po ecën shoqëria njerëzore. Të gjithë pyesim veten: Ç`duhet të bëjmë?

Bardhyl Londo

Vetëm Itaka mbetet

Kanë ndërruar anijet. S'janë më si të Odiseut.
Kanë ndërruar dashuritë. S'janë më si të Menelaut.
Gratë ndryshe janë. S'i ngjajnë më Helenës.
Dhe prapë do të ndërrojnë në shekujt praparendës.

Vetëm Itaka mbetet.
Itaka te fëmija, Itaka te gjeniu,
Ajo e përjetshmja, 

Ëndrra,        

Dashuria, jeta, vdekja, 

Itaka- vetë njeriu.



(Vota: 14 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora