E premte, 19.04.2024, 10:46 PM (GMT+1)

Faleminderit

Fritz Radovani: 105 vjet përpara edhe një ushtar ma shumë në elterin e fesë dhe t'atdheut

E shtune, 04.04.2009, 03:29 PM


105 VJET PËRPARA EDHE NJË USHTAR MA SHUMË NË ELTERIN E FESË DHE T’ ATDHEUT!

At Mati Prennushi OFM (4 Prill 1904–2009)

Nga Fritz RADOVANI

“Jo!…Mos me e zgjedhë At Çiprianin, se komunistat punën e parë që kanë me ba, kanë me pushkatue Provinçialin, prandej t’a ruejmë At Çiprianin për ma vonë mbasi asht i ri dhe i vlefshëm shumë për né”. “Ai e mori vetë detyrën e Provinçialit me bindje të plotë se do të pushkatohet, por At Matisë nuk i bante përshtypje pushkatimi se, edhe dy herë ma parë kishte shkue deri te gryka e pushkës, bile, edhe deri tek stoli i konopit në Serbi…” Kështu shkruen At Konrrad Gjolaj OFM, në librin “Çinarët” faqe, 67.

Kush ishte Ky frat i Kuvendit Françeskan që u nis me kambët e veta para plutonit të ekzekutimit? A thue, nuk e dinte kush janë komunistat? A thue, nuk dinte se kujt i shërben Partia Komuniste Shqiptare? A thue, mendonte se ata janë me të vërtetë vllaznit tonë? A thue, nuk dinte për luftën vëllavrasëse nacional – çlirimtare në Jugun e Shqipnisë? Mos ishte mashtrue nga traktatet e marrveshjet e mëshefta gjatë luftës ndërmjet të “mëdhajve” që kishin në dorë fatin e popujve të vogjël? Çka e shtyni me u ba Provinçial?…

At Mati Prennushi OFM, asht lé me 2 Tetor 1882 nga prindët Kolë e Drande (Roza) Prennushi, në qytetin e Shkodres. Asht i familjes Prennushi, nipi i Don Matisë që vdiq në vitin 1904, vit në të cilin Shugurohet Meshtar i nipi At Matia. Mbas mësimeve të para në vendlindje, ndjeku të mësmet në Kolegjin e Troshanit, ku edhe ju kushtue urdhnit të Sh’Françeskut. Vazhdoi edhe dy vjet studime prëgatitore për të lartat në Bosje dhe, në vitin 1904 kryen studimet teologjike në Grac të Austrisë. Ishte njohës i mirë i gjermanishtës frengjishtës, serbo-kroatishtës dhe italishtës.

 Me datën 4 Prill 1904, Shugurohet Meshtar. Në kartvizitën e Tij lart shënohet:

“Për gazmend t’Asaj ditës së Lume, kur Padër Mati Prennushi i Urdhnit të Sh’Françeskut, me të madhin gzim i rrethuem prej t’Vetve tha Meshën e Parë, në Kishën e Fretenve në Gjuhadol, Shkoder, 4 Prill 1904.”

Pak muej asht në Kuvendin e Françeskanve të Shkodres si mësues, mandej shkon Meshtar në Katund të Kastratit, ku përfshihej edhe Bajza. Aty gjenë të mbërthyeme për brez të Malësorit tonë armët e Lirisë, por të gatëshme me u shprazë mbi çdo armik me guxim, burrni e besë të pashoqe! Aty, gatuhet si buka e magjes së tyne dhe vjen tue ardhë si bukë kakinit deri sa bahet me të pasë lezet syni me e pa. Mes tyne merr zakonet e mira dhe lufton me shpirtë zakonin e gjakmarrjes…aq sa për shumë vite atje, më tregonte At Dioniz Maka, nuk asht ndi pushkë prej Baznjanve…se kudo ndër kuvendet e tyne ndodhej At Matia…Nga Katundi i Kastratit, shkon në Troboin, Gerçë Jugosllavi, në Shkoder profesor i gjimnazit fretënve, Laç të Kurbinit, Iballe të Pukës dhe në Gomsiqe në vitin 1928, në Tiranë në vitin 1941, në Shkoder në vitin 1943 dhe, në vitin 1944 asht Provinçial i Françeskanve të Shqipnisë, me qender në Kuvendin e Gjuhadolit në Shkoder.

“Pak kohë para se me ra Perandoria Turke…– dëshmonte At Dioniz Maka, me 14 Prill 1995, sësi – At Matia njëditë diele mbas Meshe, u çvesh dhe i hypi kalit me alltije në brez i ndjekun nga malësorët e vet besnikë të rreshtuem mbas Tij, u nisën me i ra Shkodres së zaptueme nga turqit, të cilët aty nga viti 1905 kishin mendue me e djegë… Erdhi lajmi në Shkoder…me të marrun vesh Valia, dergoi ndërmjetsit tek Kisha e Madhe e Shkodres, për me e ndalue këte veprim, tue premtue se ushtria turke nuk do të bajë asnjë reprazalje kundër shkodranve. Imzot Guarini i dërgoi një përfaqsues me u dalë para malësorve që po vinin me At Matinë në krye. Përfaqsuesi i Klerit i takoi ata pak pa mërrijtë në Vrakë dhe mbasi ishin marrë garancitë prej Valisë, malësorët u këthyen, Shkodra shpëtoi… At Matia qysh i ri asht dallue për trimni. Kishte një za të trashë dhe pak të marrun… e, si tash, e kam ndër veshë zanin e Tij kur këndonte Gloria!…”

Në vitin 1911, At Matia bashkë me At Buon Gjeçaj janë të dy tek Maja e Bratilës përkrah Dedë Gjo’Lulit, me Flamurin e Gjergj Kastriotit Skenderbeut të palosun në gjoksin e Tyne. Gjaku i Malësorve Trima i shkuem rrëkajë për shekuj me rradhë Fiton! Asht Dita ma e madhe e Popullit Shqiptar, dita e 24 Marsit 1911, gati pesë shekuj plot mbas vdekjes së të Madhit Skenderbe, kur edhe njëherë u ngrit Flamuri i Tij, me Shqipën Dykrenare.

“Flamuri u ngrit në maje të malit Deçiqit, afër Tuzit. Até e solli në mënyrë të fshehtë nga Shkodra, Françeskani Padre Mati Prennushi, i cili e kishte palosë nën zhgunin e Tij”, shkruen Stephen Schwartz, në Albanian Catholic Bulletin, 1994, vol. XV, fq. 150, University of San Francisco, USA.

Por kjo fitore duhej shtri në gjithë Shqipninë! Asht Imzot Lazër Mjedja, që me petkun e Argjipeshkvit merr malët dhe me 10 Qershor 1911, i prinë ngjarjeve të Mëdha të Pavarësisë së Vlonës, tue shkue drejt e në çelën e At Mati Prennushit në Gerçë, ku u përpilue “Memorandumin e Gerçës” bashkë me Ismail Qemalin, Luigj Gurakuqin, At Mati Prennushi, At Buon Gjeçaj, etj… Ngjarje e cila endè sot asht shumë e errësueme për mos me thanë e futun në labirintet e harresës së “Historisë së Re”…

Në vitin 1926, malët ushtuen…Ata nuk u pajtuen me qeverisjen e Ahmet Zogut, i cili mbas vitit 1924 merr tipare tjera drejtuese, tue u pajtue me veprime diktature. Asht ai vit kur pothuej krejt Veriu kërkon largimin e tij nga froni…Kleri Katolik Shqiptar tue mos u pajtue me mënyren e qeverisjes së Zogut, i cili kishte ba marrveshje me Jugosllavinë kundër interesave kombëtare, doli në opozitë të haptë. Zogu dënoi me varje në litar Don Gjon Gazullin dhe, e ekzekutoi vëndimin në Rëmaj të Shkodres, ku Don Gjoni ka vorrin. Ndërsa, një pjesë tjetër e klerit u interrnuen, disa morën dënime të randa, At Matia ishte në listën e të parve që mund të pushkatohën. Asht At Pal Dodaj që ndërhynë tek Zogu dhe e shpëton At Matinë, me kusht që ky të mos shërbente ma në krahinat e malëve të Veriut. Për këte arësye dërgohet në Laç të Kurbinit, Iballe e Gomsiqe të Pukës.

Në vitin 1941, bashkë me Provinçialin e vet At Anton Harapin hapin famullinë në Tiranë, ku çilet edhe një kishë e vogël, në të cilën shërben At Matia deri në vitin 1943, vit në të cilin At Antoni shkon në Regjencë Shqiptare dhe, At Matia e zëvendson në Shkoder, por zyrtarisht asht Provinçial i Fretenve të Shqipnisë, në muejn Qershor të vitit 1944.

At Dioniz Maka thekson: “Në Kishën Françeskane në Tiranë, me 28 Nandor 1942 Ai ka vue Flamurin Kombëtar me Shqipen e flamurit të Deçiqit (1911), pa stemat e fashizmit. Kryente vizita kortezie ndër autoritetët shtetnore edhe italiane, që i kishte të detyrueme por, prej tyne konsiderohej“françeskan me ndjenja të theksueme nacionaliste dhe antifashiste italiane.” (Dëshmi e A.D.Makës, viti 1995, në Shkoder).
Vrasja e kryeme trathtisht kundër At Lekë Lulit, i angazhuem në Luftën Nacional Çlirimtare me Organizatën e Legalitetit dhe veshja e figurës së Tij me motive të ndryshme nga e vërteta, e detyrojnë At Matinë me dërgue një letër në të gjitha famullitë, ku urdhnon në mënyrë të preme mosangazhimin e fretënve me poltikë. Kjo letër ruhet edhe sot nga Arkivi i Shtetit në Tiranë. E theksova këte fakt sëpse ajo letër tregon largpamësinë e Tij dhe aftësinë organizative të At Matisë, të cilin me të drejtë At Konrrad Gjolaj, bashkohës i atyne vitëve e quen: “Ardhjen e At Mati Prennushit, si Provinçial i Françeskanve të gjithë Shqipnisë unë e kam konsiderue si një fat i madh i Kishës Katolike dhe i Françeskanve. Ai asht kenë portreti shpirtnuer, fizik e moral i një françeskani të vërtetë. Inteligjent, trim dhe organizator…” (A.K. Gjolaj “Çinarët”, fq. 65. 1996.).

Kjo asht koha ma delikate dhe e turbullt e atyne vitëve. Në 1944 në Kuvend shkojnë nana shkodrane me kërkue shpëtimin e djelmëve të tyne nga kampet nazi – fashiste, mjaft të rinjë me survejue Klerin se çfarë qendrimit asht tue mbajtë në lidhje me Luftën, disa të tjerë si, Pjerin Kçira me shokë shkojnë me lypë ndihma për jetesë, ndërsa shumica, si mbas zakonit në ato situata kërkojnë me rrah në dy krahët e, këta të fundit pa kalue as një vit do të dëshmojnë “për veprimtarinë antikombëtare të françeskanve”, madje nuk do të kursejnë edhe “pështymjet” e tyne në Fëtyrat e klerikve ndër rrugët e Shkodres…

Posa komunistët marrin pushtetin, në muejn Janar të vitit 1945, asht Sheuqet Peçi i pari që i drejtohet kuvendit të Fretënve në Shkoder. Aty mori përgjigjen që i duhej për me i trensmetue udhëheqësit të vet E.Hoxhës, në lidhje me qendrimin e premë që do të mbante Kleri Katolik ndaj mardhanjeve me Vatikanin dhe qeverinë komuniste të Tiranës. Në mes të Janarit mbas reprazaljeve që bane forcat partizane në Veri kundër Kryengritësve të Parë antikomunistë me Prenkë Calin në krye, nga fundi i muejt asht krimineli i njohtun i luftës nacional – çlirimtare, komandanti i Brigadës I – S, Mehmet Shehu, që me hipokrizinë dhe servilizmin komunist viziton shkollën dhe kuvendin Françeskan, tue i kthye edhe disa armë të vjetra të zbulueme nga Gjeçovi, por që paraardhësi i tij Sheuqet Peçi, i mori para kohe… mbasi ato ma vonë do të plaçkitën bashkë me të gjitha vlerat muzeale të Kuvendit.

At Mati Prennushi asht përballë bishave komuniste, por trimnia dhe guximi i tij janë mbështetë mbi piedestalin historik të Françeskanve Shqiptar, të lamë me gjak ndër shekuj e që mbi Atë piedestal do të ndërtojnë Monumentin e Lavdishëm dhe të Përjetshëm, ku çdo Frat me litarin e Tij u lidh me binomin “Fé e Atdhé” për të cilin Ata dhanë jetën “si me lé”:

At Mati Prennushi, At Çiprian Nika, Imzot Vinçenc Prennushi, At Pal Dodaj, At Gjon Shllaku, At Anton Harapi, At Lekë Luli, At Bernardin Llupi, At Zef Maksen, At Lorenc Mitroviq, At Leonard Tagaj, At Serafin Koda, At Karlo Serreqi, At Bernardin Palaj, At Klement Miraj, At Gaspër Suma, Fra Gjon Pantalia e Fra Ndue Vila…i cili u torturue në mënyren ma të mnershme se nuk i dorëzoi Sigurimit të Shtetit çilsat e Kishës së Fretënve në Gjuhadol, me datën 16 Nandor 1946, në të dalun të dritës së datës 17, kur ata futne nën Elterët e Kishës “armët e municionët” për të cilat akuzuen dhe pushkatuen krejtësisht pa faj

Grupin e Prelatve të kryesuem nga Imzot Frano Gjini, me datën 11 Mars 1948.

Gjyqi u zhvillue në mensën e Kuvendit, por “me dyer të mbylluna”, mbasi asnjeni nuk iu përul torturës mizore të bame mbi trupat e Tyne… Armët dhe gjyqi u filmuen nga gjiruesit jugosllav, thëmeluesit dhe miqtë e “partisë komuniste shqiptare” dhe të Sigurimit.
Dosja “Imzot Frano Gjini me grupin e tij, Nr. 1302/2”, në Arkivin e Ministrisë së Punve të Mbrendshme në Tiranë, asht dokumenti ma i sakti që vërteton skenarin jugosllav të prëgatitun me komunistët shqiptar dhe Sigurimin famkeq komunist të Shqipnisë, që me fakte dhe prova të pakundërshtueshme dëshmon besnikrinë e trathtinë e spijunve tonë ndaj UDB – jugosllave e KGB – sovjetike, në gjithë ekzistencën e vet 66 vjeçare të turpëshme!
Në fjalën e fundit, me datën 11 Mars 1948, në ora 5.00 në Zallin e Kirit, pranë Rëmajt, me dok. Nr. Regj. 67, në praninë e gjykatsit Kap.I Misto Bllaci, para ekzekutimit,
At Mati Kol Prennushi tha: “Jam i pafajshëm, po vdes në krye të detyrës s’eme. Rrnoftë Krishti Mbret, Rrrnoftë Papa, Rrrnofshin Katolikët, Rrnoftë Shqipnia!
U baj hallallë gjyqit dhe ato që do të shtijnë mbi trupat tonë të pafajshëm!”.
Ky ishte fundi i Kalvarit…që edhe mbas 50 vjetësh nuk mujt me u mëshef as nga partia komuniste jugosllave e ajo shqiptare, as nga spijunët e Sigurimit të shtetit…por as edhe nga qendra organizuese të këtij skenari në shumë prej “Demokracive Popullore”, nga Moska staliniste e Beogradi Titist i vitit 1946…
At Mati Prennushi punoi e luftoi për Liri dhe Shqipni demokratike, kundër turqve, sllavëve serb e malazez, diktaturave monarkiste, fashiste, naziste dhe komuniste!
Në një Shqipni t’okupueme nga komunistët bolshevikë stalinjan, ku u dhunue dhe u përdhos Flamuri ynë e Pavarsia Kombëtare dhe ku, u luftue Feja, Ai zgjodhi rrugën e vet të Martirizimit dhe të Flijimit, përpara vdekjes me turp dhe trathtar i Idealit “Fé e Atdhé”…
Ai i qëndroi deri në vdekje Betimit të bamë mbi Elter me datën 4 Prill 1904…
Sot, në 105 vjetorin e Meshtarisë së At Mati Prennushit, lé të jenë këta pak rreshta një lule e freskët e hjedhun mbi Zallin e Kirit, ku endé Këta Martirë nuk kanë “një gurë” të lyem me Gjakun e Tyne të Shenjtë të vëndosun mbi dheun e Tokës Nanë, ndonse, pothuej të gjithë e flijuen jetën e Tyne për Lirinë dhe Demokracinë e Shqipnisë.
Lé të kujtojmë Atë Ditë të 105 vjetve ma përpara kur Ky Burrë u Betue mbi Elterin e Fesë dhe t’Atdheut dhe bani “deken si me lé”, i veshun me zhgunin e Sh’Françeskut t’Asizit deri në fund: Ushtar Besnik i Krishtit dhe i Flamurit Gjergj Kastriotit Skenderbeut!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora