E shtune, 20.04.2024, 03:42 PM (GMT+1)

Kulturë

Një rast i disidencës

E shtune, 04.04.2009, 01:39 PM


Vilsoni me bashkeshorten Diana Blloshmi
Vilsoni me bashkeshorten Diana Blloshmi
Nga Elsa Demo

Shkrimtari Agron Tufa bën një analizë të fenomenit të disidencës duke iu referuar Vilson Blloshmit, poeti i rigjetur falë fletoreve te zbuluara në arkivat e SHIK-ut

Nëse do të kishte vërtet historianë që do ta shihnin funksionimin e letërsisë sipas ligjësive shkencore, nuk do të ndodhte kjo që ka ndodhur në letrat shqipe.

Tani që lexuesi ka në dorë dy vëllimet e para të veprës së Vilson Blloshmit, i njohur si poeti i pushkatuar së bashku me Genci Lekën, më 1977, Agron Tufa ngacmohet të rimarrë diskutimin për disidencën: a ka ekzistuar ajo në Shqipëri.

Shkrimtari dhe studiuesi, pranon se kemi dështuar me mosnjohjen e autorëve të ndaluar, ata që u shpallën armiq kombëtarë, apo të tjerë që u burgosën, u pushkatuan dhe prapë u ndaluan, të tjerë të cilët ishin në letërsi, por u burgosën dhe u ndaluan të botojnë; janë edhe ata që u arratisën dhe iu imponuan letërsisë shqipe nga jashtë, por që "nuk u bënë kurrë fakte letrare dhe fakte studimi leximi dhe për fat të keq kjo kategori ishte ndoshta më e talentuara".

Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve e cila botoi veprën në dy vëllime të Vilson Blloshmit, e prezantoi dje nëpërmjet hartuesit të lëndës arkivore, poetit Sadik Bejko dhe të vëllait të poetit, Bedri Blloshmi i cili njoftoi se shumë shpejt do të botohen edhe ato që ka lënë Genci Leka. Bedriu i pamposhtur vazhdon t'i shohë të dy djemtë bashkë.
Si një nga botuesit e parë në vitet dymijë të poezisë së Vilson Blloshmit, Tufa thekson se tani kemi një poet që nuk e paskemi ditur që ekzistonte.

Kur ke dëgjuar për herë të parë për Vilson Blloshmin?

Kam dëgjuar për herë të parë kur erdha një verë me pushime, nga jashtë vendit. Ishte një revistë, "Shkrimtari", e Lidhjes së Shkrimtarëve që e kishte botuar.

Aty pashë një jetëshkrim të shkurtër për të dy poetët dhe poezitë e tyre. Më vonë u interesova dhe mora vesh gjithë atë meshë të zezë që ishte bërë për këta krijues. Më 2002 kam botuar përveç poezive dhe aktekspertizat e Vilsonit.

Por më dekurajuese dhe habia më e madhe është ndaj atyre (që kanë bërë aktekspertizën) profesorëve të nderuar për gjithkënd, por jo edhe për mua, ata njerëz publikë që shohim nga televizori, që bëhen akoma më agresivë kur ua përmend, dhe të paktën nuk kanë bërë përpjekje për të kërkuar ndjesë sa për sy e faqe. Personalisht më vjen shumë keq se mund t'i kisha pasur modele të mi si poetë, nëse do të ishin botuar fill pas viteve '90-të.

U përmend sidomos "Saharaja" si poezi që Vilsonit i njihej nga njerëzit edhe pa i lexuar kurrë një varg. Me botimin e këtyre dy vëllimeve a përfaqëson ai një individualitet krijuesi?

E kam lexuar dhe rilexuar Blloshmin dhe jam përpjekur t'i caktoj në kokën time një pozicion në hierarkinë e vlerave poetike.

Po këtu hyjnë disa faktorë që na pengojnë ta themi. Ai mbetet poet siç e lexojmë sot, mbetet një zë origjinal, një lirik i hollë, i nginjur përplot asocacione verbale nga kultura botërore dhe shqiptare, ka një ndjeshmëri origjinale.

Janë poezi të një faze me magjepsje nga romantizmi, dhe të krijimit të një personaliteti në poezi drejt modernizmit, që shfaqet me mendime të papërfunduara, me struktura të papërfunduara të vjershës, rimës që nuk janë rima, me kadenca të fuqishme duke i lënë gjithnjë e më tepër udhë mendimit.

Në tërësi, me kaq poezi sa kemi - quaj poezi dhe shqipërimet që janë shumë autentike - mendoj se ka krijuar një vend të nderuar që nuk e ka luksin ta ketë kush tjetër në poezinë shqipe.

Për mua gjërat shihen në sistem, nga tërë formacioni poetik, nga poezia në poezi, nga vargu në varg. Poezia "Saharaja" për të cilën u fol në veçanti, ka pak më shumë simbolikë. Por nuk besoj se dhe Vilsoni vetë e kishte si model.

Tendenca ishte për një poezi pure, e traditës midis parnasianëve - e artit për art të Teofil Gotjesë, të cilin e donte shumë, dhe botëvështrimit të realiteteve si gjë në kalbëzim dhe fermentim të vazhdueshëm çka afron me poetikën e Bodlerit. Ai rrekej dhe punonte shumë për të krijuar një estetikë vetjake, pasi kishte guxuar tashmë dhe nuk mund të shpresonte jashtë ndërmarrjeve të veta private.

Besoj këtë po arrinte, po bëhej një urë ndërmjetëse. Fatkeqësia është se ai sistem e ndërpreu dhunshëm mu në pikën kur Vilson Blloshmi po tregonte tërë energjitë dhe produktivitetin e vet.

Kjo estetikë vetjake e tij që ishte e kundërt me modelin e estetikës që impononte për artet diktatura, iu quajt sot disidencë. Krahasimet me modelin e disidencës pas Luftës së Dytë Botërore në vendet e Evropës Lindore mohojnë ekzistencën e disidencës tek ne.
Modeli i disidencës tek ne është i keqkuptuar vetëm me gjeste pragmatike demonstrative, me kundërvënie dhe ligjërata politike në sheshe.

Shikoni se si është puna. Disidenca qoftë në vitet 20-30 apo pas Luftës së Dytë Botërore në kulturat ruse dhe Lindore, ka qenë një fenomen që sigurisht ka kushtuar dhe me tragjedi.

Por as që mund të krahasohet me stalinizmin e variantit shqiptar. Janë të shumtë disidentët e Polonisë, Rusisë dhe kampit ish-komunist të cilët përziheshin dëboheshin edhe fillonte një paradigmë e poetit apo mendimtarit syrgjyn.

Vetëm në vitin 1922, pasi triumfon bolshevizmi dhe shpartallohet Ushtria e Bardhë, dhe vendoset diktatura leniniste, kemi në mënyrë alegorike anijen e famshme në Portin e Odesës kur pushteti bolshevik mblodhi 200 mendimtarë e filozofë dhe i përzuri me ceremoni nga BRSS.

Kjo do të thotë se terreni pas përzënies së tyre është i qartë. Kemi rastet e Çeslav Milloshit, dhe raste në Rusi më të pastra të Aksionovit, Vojnovicit, e sidomos të Solzhenjicinit që kulmon pastaj me Brodckijn.

Ata u dëbuan pasi kishin qenë të burgosur, pasi kishin dalë në gjyqe, pasi kishin treguar një forcë të palëkundur karakteri që nuk e llogaritnin jetën në kundërvënien e tyre. Atëhere si veproi regjimi? Nuk i pushkatoi si në '77-ë në Shqipëri, por i përzinte.

Ky ishte rregulli i artë: shko në botën tënde Perëndimore dhe bëj çfarë të duash. Dhe vërtetë Brodckij shkoi dhe mori çmimin Nobel. Ku do shkonte më bukur?!

Tek ne pasi bëheshe shembull dënimi shoqëror dhe familjar, pasi zgjatej e zgjatej rituali satanist i kryqëzimit, fillonte përndjekja e të afërmëve, e fëmijëve të tyre e me radhë. Kjo ishte logjika e terrorit: në atë vend që ka lindur një bilbil të mos lindin më zogj të tjerë këngëtarë.

Ka një lloj përçmimi nga ne vetë, shqiptarët, për të mos e njohur për disidencë veprën e një njeriu nëse ai nuk ka treguar edhe akte heroike.

Këto dy vepra të Blloshmit a janë një rast për t'iu referuar disidencës në letërsinë shqiptare?

Disidenca ashtu siç e kuptojmë ne sot është përdorur për herë të parë në vitet '60 kur nga kampi komunist një pjesë e shkrimtarëve që bënin pjesë në këtë sistem, e refuzuan nga brenda duke kërkuar liberalizime dhe më shumë hapësirë.

Pra disidenca nuk është kundërvënie për zhdukjen e regjimit por për ta moderuar sistemin nga brenda. Pastaj filloi të ndërkombëtarizohet kryesisht me atë lloj kundrakulture që ndodhi në BRSS me ata shkrimtarë të cilët nuk u lejuan të botoheshin por qarkulluan veprat e tyre me vetëbotim.

Patën një lexueshmëri fantastike, me miliona qarkullonin dorë më dorë. Nisur nga kjo referencë, ne në këtë rast kemi më shumë se sa disidencë sepse kemi kundërvënie ndaj sistemit politik, ideologjik, nëpërmjet krijimtarisë artistike.

Nëse me Kasëm Trebeshinën kemi një promemorje që është e drejtuar si politikisht dhe artistikisht me kundërmodelin tërësisht tjetër, me Vilson Blloshmin kemi një alergji të përgjithshme. Është model tjetër. Ai zgjodhi paradigmën e kundërvënies së njeriut të brengosur, ëndërronjës, e utopisë së të bukurës.

Atëhere do të duhet akoma kohë për të njohur vërtet poetin dhe jo thjesht fatin e tij tragjik si viktimë e diktaturës?

Kjo është e keqja. Do të kisha dashur t'i njoh personalisht, Gencin dhe Vilsonin, do të ishin njerëz, shtylla të artit poetik, të mendimit, do të kishim me çfarë të krenoheshim sepse në tërë këtë kënetë mezi gjen dy tre rrjedha ujë të pastër.

Është turp që asnjë antologji shqipe brenda dhe jashtë nuk e ka përfshirë poezinë e tij. Ne e dimë shumë mirë se si ishte niveli i poezisë në vitin '70-të. Në qoftë se llogarisim disa arritje në ato vite, janë shumë pak emra që mund të krahasohen me Vilsonin. Me krijimet e tij do të krijohej një lloj sistemi jo rutinor me pejzazhin e poezisë shqipe.

Ti the që këto tekste duhet të hyjnë në programet shkollore. Si mund të bëhet?

Në Ministri duhet të dinë kë të vënë në kuzhinë (këshilla arsimorë). Dihet se po të vendosësh pjesë të caktuara fiziologjike dhe produktin ta japin të tillë.

Problemi i tyre me skicimin e lëndës shpirtërore të letërsisë në shkollat e mesme dhe Universitete, është i përhershëm. Instituti i kurrikulave të standardeve që bën programet, dëshmon një injorancë, ose më mirë të themi një obskurancë të thellë në njohjen e letërsisë.

Po të shohësh në programet që kanë shpallur kupton se edhe Tajar Zavalanin e bëjnë Tahir Zavalani, apo orientojnë në veprat e detyrueshme Marsel Prustin me romanin "Në kërkim të kohës së humbur", kur dihet se ky është cikël prej shtatë romanesh dhe, pastaj brenda këtij sugjerojnë në kllapa "Madlenën" që nuk është përkthyer në shqipe. Nuk është përkthyer as vepra.

Është njëlloj sikur t'i sugjerosh studentit apo gjimnazistit të lexohet romani "Komedia njerëzore" të Balzakut! Por, ka dhe plot inkonseguenca të tjera. Nëse do të funksiononte siç duhet, nëse do të orientoheshin në origjinë të njohësit dhe ata që e mbajnë në dinamikë të përhershme dijen dhe nuk e kanë në lexime përmendësh për të bërë karrierë administrative, atëhere gjërat do të viheshin në vend.

Do të futej në programe edhe At Zef Pllumi, do të kishte dhe fragmente nga romani "Ridënimi" të Fatos Lubonjës, apo pjesë të ndryshme nga "Stalinizmi shqiptar" i Arshi Pipës, do të kishte një përfaqësim më të moderuar edhe të Vilson Blloshmit, do të ishin përfshirë poezi sinjifikative, ndonëse si art nuk do të qëndronin në këtë nivel poezitë e Havzi Nelës apo të Trifon Xhagjikës.

Pra do të ishte pasuruar shumëllojshmëria dhe varianti zyrtar underground i asaj letërsie që u kundërvu në heshtje, nuk u botua, por ja që ka dalë në ekzistencë.

Atëhere letërsia do të merrte një fytyrë shumë më të pasur duke patur përveç qarqeve dhe traditave dhe disidencën që siç thonë nuk ekziston. Po këto vepra që thuhet se nuk janë disidencë, ku do t'i çojmë, si do t'i quajmë?

Ç'mendon për modelin që poeti Sadik Bejko ka ndjekur si hartues i veprës me dy vëllime të Blloshmit?

Vilson Blloshmi pati fat sepse me mjetet shprehëse dhe instrumentet e një poeti mund të flasë vetëm një poet. Sadik Bejko ka përmbushur një detyrë më shumë se qytetare, ka përmbushur pengun e një sivëllai të penës. Ai ka mundur të depërtojë në lëkurën e gjërave që kanë qenë të shtrenjta për poetin, Vilsonin.

Besoj se kjo ka qenë realizimi, përfaqësimi më i mirë që i është bërë një poeti që nuk dinim që ekzistonte. Nëse do të ndiqej në mënyrë të tillë, kjo do të ishte nota më fisnike.
Shohim shpeshherë se ka një prirje të shpifur intelektuale midis shkrimtarëve dhe studiuesve që bashkë me zbulimin nxjerrin veten nga anonimati.

Kemi botues që ndonjëherë bllokojnë për shembull këta shkrimtarë apo të tjetër që kacavirren për t'i shpëtuar anonimatit. Kjo ka disa vepra apo autorë të mos kenë një prezantues delikat, që të mos duket vetë.

Se misioni ky është: të nxjerrësh nga mosnjohja, nga harresa një poet që ka vlera që vetëshmojnë. Shpeshherë kemi parathënie që ta mërzisin leximin e librit. Si duket Sadik Bejko qe një njeri me ekuilibër që shënoi dhe fatin e botimit të veprave të Vilsonit.

I vëllai i poetit, Bedri Blloshmi i shtiu në dorë materialet në arkivat e SHIK-ut falë këmbënguljes. Çfarë do ta zbuste kërkimin dhe gjetjen në këto arkiva të autorëve që nuk i njohim dhe as i imagjinojmë?

Jemi në një rrafsh hamendjesh, por në hamendje krejt racionale që po vërtetohen, siç kemi parë këto vitet e fundit. Po na dalin dorëshkrime të rëndësishme që paskan qenë dhe ne nuk i paskemi ditur, dalin poetë të paktën me një pjesë të krijimtarisë.

Siç është e paemancipuar vetë shkenca e letërsisë, siç janë problemet e kulturës dhe artit në këtë vend, - një kënetë e cila nuk është drenazhuar kurrë me sistemin e kanaleve, tubacioneve që e heqin moçalin, - ashtu duket se është edhe letërsia.

Deri para pak muajsh nuk dinim se Vilson Blloshmi paska edhe poezi të tjera të pabotuara, përkthime të panjohura. Po kështu edhe Genc Leka. Këtu dalim tek problemi i hapjes së institucioneve tona që janë bunkerë të fundit që nuk e njohin rënien e komunizmit nga viti '90-të e këtej.

Fakti që SHIK-u vazhdon të mbajë vepra, qofshin këto gjuhësore, memuaristike, letërsi, dorëshkrime, poezi etj. është si të mbash peng një epokë që presupozohet të jetë e lirë, demokratike.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora