E enjte, 28.03.2024, 09:04 PM (GMT)

Shtesë » Historia

Kur shokët të “vrisnin” pas shpine...

E premte, 03.04.2009, 05:56 PM


Nga Bedri ÇOKU
 
Aqif Selimi, 83- vjeçar, agjutant dhe bashkëpunëtor i ngushtë i Mustafa Gjinishit, në një emision televiziv tregonte se, pas shpartallimit të forcave partizane nga gjermanët në operacionin e dimrit, Shtabi i Përgjithshëm i Nç. dha urdhër që të gjithë partizanët e çetave të ktheheshin nëpër shtëpitë e tyre, (me leje), për t’u rikthyer në një kohë të pacaktuar, kur do ta shikonte të përshtatshme Shtabi i Përgjithshëm, në ilegalitet. Unë, thotë Aqif Selimi, isha gjithë kohën prapa Mustafa Gjinishit, i cili komunikonte me të gjitha forcat ushtarake kundra pushtuesve. Me ballistët, zogistët, me këshilltarët anglezë  dhe kryesisht me Shtabin e Përgjithshëm të Nacional-çlirimtares. Ai nuk ishte komunist, ishte atdhetar dhe luftonte për çlirimin e vendit nga okupatorët. Në konferencën e Labinotit bëri atë që, deri më sot nuk ka guxuar asnjeri nga pjesëmarrësit që ta tregojë. Për shkak të ndërhyrjes së tij gjatë zhvillimit të konferencës, ajo u ndërpre gati një çerek ore. Kjo ndodhi sepse, ndërkohë që Ymer Nishani po lexonte rezolutën me tre pika, e cila thoshte se:
1) Shqipëria shpallej Republikë.
2) Ndalohej kthimi i Mbretit Zog në Shqipëri.
3) Shqipëria njihte kufijtë e vitit 1939...
Mustafai thërret nga mesi i sallës:
Stop!... Stop! Dhe i drejtohet Enver Hoxhës me gisht.
- Po ty, mor tradhtar, kush ta ka dhënë të drejtën që ta shesësh Shqipërinë... të pranosh  kufijtë e saj të përgjysmuar? Ndërkohë, ndërhyn Mehmet Shehu kundra Mustafait, i cili e  akuzon atë si shovinist... Ky, nxjerr koburen dhe i përgjigjet menjëherë. Edhe Mehmeti e nxjerr të tijën me shpejtësi. Ishin të dy trima... -  Ti, kriminel, mbylle gojën!- i thotë Mustafai...Sepse je i dënuar me vdekje, për vrasjen e 80 myzeqarëve të pafajshëm... Por, çfarë t’u bëj këtyre, unë... Dhe drejtohet nga Mugosha, Meladin Popoviçi e Myslim Peza... Ndërhyjnë të gjithë për të zbutur gjakrat. Ndërkohë, Mustafai priti që ta përkrahnin delegatët, sidomos Koço Tashko dhe Sejfulla Malëshova, të cilët i kishte shumë miq. Por edhe ata nuk u ndjenë. Konferenca miratoi vendimet e shpallura, sipas interesit të serbëve që e kishin organizuar atë... Ndërsa Mustafa Gjinishi u largua nga konferenca i zemëruar, gati me të gjithë. Ai iu derdh Myslim Pezës, tek i cili kishte mbështetjen dhe besimin më të madh, duke i thënë: A u binde tani që ata janë të gjithë kundra Shqipërisë.... Se ata janë duke realizuar ëndrrën serbe për të zhvatur Kosovën?
Nga shënimet në bllokun e Mustafait, që e kam lexuar me sytë e mi, thotë Aqif Selimi, Myslim Peza ishte në një mendje me Mustafa Gjinishin, por ai asnjëherë nuk e mbështeti patriotin e flaktë për çështjen e shqiptarizmës. Edhe kur Mustafanë e transferuan, pas ca ditësh për në Veri, gjoja me shërbim të posaçëm, ai e paralajmëroi Myslim Pezën se, transferimi për në Veri po bëhej për qëllime të errëta... -Po të gjeti gjë ty, i tha Myslimi, unë do ta çoj gjakun deri në gju të kalit... Këtë, ta dinë mirë cilido, edhe Enveri me   serbët në Shtab... Megjithatë, Mustafai e respektoi vendimin e Shtabit të Luftës, u nis në Veri. Si gjithmonë, unë nuk i ndahesha atij asnjë sekondë. Kisha edhe porosinë e Myslim Pezës që ta  ruaja Mustafanë se, siç thoshte ai, e kishim si ujin e pakët ndër shqiptarët që luftonin për trojet tona... Ndodheshim në Dibër për t’u organizuar që të kalonim në Kosovë. Papritur Mustafanë e thërrasin për të marrë pjesë në mbledhjen e komitetit, me kuadrot e lartë të çetave dhe brigadave. Ishte 20 Shtatori i vitit 1944. Sapo mbërritëm në Maqellarë, mes kuadrove të grumbulluar, ndodhej edhe Hysni Kapo, i cili e ftoi Mustafanë të jepte mendimin e tij për diskutimet që po bëheshin  në ato çaste rreth personalitetit të Titos e të fitores së shpejti të popujve sllavë kundra nazifashistëve.
Mustafai, pasi dëgjoi një copë herë diskutantët, tha: - Po si nuk ju vjen keq për popullin  shqiptar, që ka 5 vjet në luftë kundra okupatorëve për çlirimin dhe bashkimin e vendit, ndërsa juve ju djeg barku më shumë për fitoren e pansllavizmit në botë... ??!! Të gjithë ulën kokën, pa guxuar njeri ti përgjigjet. Pas pak aty kaluan edhe Enveri me Mehmet Shehun, të cilët po shkonin, gjoja për të marrë pjesë në organizimin e brigadës së katër.  Pas tyre u nisën edhe të tjerë. Mbaj mend se menjëherë pas Mustafait, u nisën edhe  Ndreko Rino me Liri Gegën. Ai para, ata pas. Pa u futur mirë në pyll, në trupin e Mustafait u derdh papritur një karikatore e tërë me fishekë. Një 17- vjeçar, i ndodhur afër atentatit, zbrazi automatikun në ajër për të dhënë alarmin. Së pari ai takoi Ndreko Rinën dhe Liri Gegën, të cilëve u shprehu lajmin e vrasjes së Mustafait. Edhe unë shkova me vrap sapo dëgjova krismat, por ishte vonë. Mustafai dergjej i pafrymë në tokë. Liri Gega,  gjithë indiferentizëm e me ironi pyeti djaloshin partizan: -More djalosh, a e pe mirë,  Mustafai vdiq, apo vdiq krejt, a? Dhe vazhdoi rrugën qetë-qetë për ku qe nisur, me Ndreko Rinën. 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora