E premte, 19.04.2024, 12:27 AM (GMT+1)

Kulturë

Intervista integrale e Adnan Abrashit, dhënë revistës dyjavore ''Tung''

E premte, 03.04.2009, 08:14 PM


DIJA KUR (SHPER)NDAHET RRITET...

INTERVISTA integrale e ADNAN ABRASHIT, dhënë revistës dyjavore “TUNG.CH”, e cila botohet në Zvicër.

Intervistoi Blerim RRECAJ

Adnan Abrashi ka lindur dhe jeton në Prizren. Eshtë jurist i diplomuar. Që nga shkolla e mesme e edhe sot vazhdon të merret me hulumtime dhe trajtime teorike të fenomeneve të ndryshme metafizike, parapsikologjike, mistike dhe dukurive të tjera të natyrës paranormale. Deri tash ka botuar veprat “Parathëniet e Nostradamusit” dhe “Në vorbullën e jetës” (pjesën e parë dhe të dytë). Eshtë mjaft i pranishëm nëpër shtypin tone të shkruar me komente, analiza...që kanë të bëjnë me aktualitetin politik të Kosovës dhe shqiptarisë në përgjithësi... Udhëhiqet nga parimi: “Kurrë mos i besoni atij që thotë se e kam gjetur të vërtetën, por i besoni atij që thotë se e kërkoj të vërtetët”

1.Pyetja ime e parë dhe fillestare: Ku ishte, ku është dhe çfarë bën Adnan Abrashi?

Kam lindur më 21.12.1957 në Prizren. Shkollën fillore dhe atë të mesmen e kam kryer në vendlindje, ndërsa më 1982 kam diplomuar në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës. Me të diplomuar u punësova si sekretar i ndërmarrjes grafike-botuese “RAMIZ SADIKU” në Prizren. Për shkak të bindjeve të mija, sikur i cilësuan atëbotë, nacionaliste dhe irredentiste, në vitin 1992 përjashtohem nga puna si i papërshtatshëm politikisht. Që nga vitet e shkollës së mesme, por edhe sot e kësaj dite, jam marrë dhe vazhdoj të merrem si amator me hulumtimin dhe trajtimin teorik të fenomeneve të ndryshme metafizike, parapsikologjike, mistike dhe dukurive tjera të natyrës paranormale. Në kënaqjen e këtij pasioni tim, kam bashkëpunuar me shumë revista. Kam qenë njëri prej themeluesve të parë të revistës mujore në gjuhën shqipe “Astra”, që botohej në vitet e 96 -97 në Prizren, e vlerësuar si revistë e parë gjithëshqiptare e specializuar për trajtimin e temave të kësaj natyre ... Një kohë të gjatë, me mjaft sukses kam bashkëpunuar edhe me revistën “Horoskopi”, që botohej po ashtu, pas lufte në Prizren ...
Aktualisht jam në marrëdhënie të rregullt dhe të përhershme pune. Jam i punësuar në cilësinë e sekretarit në ndërmarrjen “Kosovavera” me seli në Krushë të Vogël –Prizren, por, për shkak të pritjes së privatizimit të kësaj ndërmarrjeje që e ka statusin shoqëror të pronësisë, së bashku me gjithë punëtorët tjerë të punësuar aty, më se tri vite lajmërohemi në punë vetëm kur paraqitet nevoja. Si me honorar, më se 6 vite jam i angazhuar në cilësinë e producentit në Tv “Opinion” me seli në Prizren (një TV lokale që shikohet në tërë Rrafshin e Dukagjinit dhe përmes rrjetit kabllorë, është e shikueshme edhe në tërë territorin e Kosovës)
Me temat nga kjo fushë, që nga viti 2004 dhe sot e kësaj dite, bashkëpunoj me revistën dyjavore që editohet dhe botohet në Prishtinë por edhe shpërndahet në diasporë, “Kosovarja”. Aty e udhëheq një shtojcë speciale nga fusha e mistikës që quhet syri3. Deri më tashti kam të botuar këto vepra: “Parathëniet e Nostradamusit” dhe romanin “Në Vorbullën e Jetës” (Pjesa I dhe II ). Edhe pse njëra prej veprave është prezantim, dhe tjetra e zhanrit artistik roman, pa marrë parasysh se si ato do t’i vlerësojë kritika e mirëfilltë , gjithnjë në to kam tentuar ta ruaj një stil origjinal dhe të mvetësishëm. Shkrimet e ndryshme ne formë të analizave dhe komenteve të aktualitetit politik kosovar dhe gjithëshqiptar në përgjithësi, me të cilat paraqitem shpesh nëpër disa media të ndryshme shqiptare, janë vetëm pasion i imi amatoresk dhe asgjë tjetër. Sikur mund të vëreni edhe ju vetë, në to dominon një stil origjinal i rebeluesit përherë opozitar. Shpesh ato duken si kolumne, ndonjëherë analiza, pastaj komente, editoriale... e në të vërtetë ato janë të gjitha nga pak.

2. Jeni njëri prej atyre që jeni marrë edhe me të ashtuquajturën filozofi e jetës ose të ashtuquajturat rryma pozitiviste jetësore nëse mund të shprehem kështu. Në këtë lëmi kontribut kanë dhënë edhe Daut Demaku, Adem Demaçi e ndonjë tjetër. Duke pasur parasysh thënien se "qysh është vendi bëhet kuvendi" a kemi të bëjmë me shkrime e trajtesa origjinale apo më shumë kemi të bëjmë me "importim" ideshë nga kjo sferë?

Po dhe ky është pasioni i im më i madh jetësor. Pajtohem me vlerësimin e juaj për këtë lëmi si “rryma pozitiviste jetësore”, por unë më me ëndje e quaj si “njohuri ezoterike” apo edhe ndryshe, “metafizika e anës shpirtërore të qenësisë sonë”. Nuk mund të lavdërohem se jam ndonjë ekspert i profilit të lartë, por këto tema i kam si pasion dhe një pjesë më të madhe të kohës sime (më se 30 vite) ia kushtoj kësaj sfere. Pranoj se këto janë nga pak tema të ndjeshme dhe për nivelin e kulturës së popullit tone, ende të pa kapshme sa duhet, andaj, shpeshherë, e posaçërisht nga fanatikët religjiozë, ato edhe keqkuptohen dhe keqinterpretohen. Nga ana tjetër, po ashtu pranoj se pikërisht për shkak të mosekzistimit të një qasjeje shoqërore më racionale ndaj këtyre temave, shumë sharlatanë praktikë, si gjoja shërues alternativë, për qëllime të përfitimeve personale materiale, me të madhe e keqpërdorin këtë zbraztësirë të një njohjeje të mirëfilltë. Në fakt, ata me sharlatanizmin e vetë, që patjetër demaskohet dikur si mashtrim, ndikojnë që tek masat tona të gjera popullore, kjo lëmi të kompromentohet. Në fakt, EZOTERIA, apo sikur e quajtëm ne, “metafizika e shpirtit”, nuk është vetëm bërje apo shërim nga magjia e zezë, shtruarje hajmalish, apo ndonjë budallallëk tjetër bestyt, ajo është një njohuri shumë më sublime, komplekse, fisnike dhe tejet sublime. Është inteligjencë dhe intuitë, e cila , për të kuptuarit tonë, kapet si dije me mendje dhe logjikë, por më tepër me intuitë. Shprehur më thjeshtë, është një përndritje në formë të njohjes së fuqishme që buron si e vërtetë nga brendia e qenësisë sonë hyjnore. Përvetësimin e kësaj dijeje, apo, thuaja shkathtësie, nuk ta mundëson vetëm leximi dhe mësimi i literaturave të ndryshme nga kjo lëmi, por edhe eksperienca e arritur me kohë dhe përmes aplikimit si ushtrim edhe të disa metodave praktike të trajnimit të vetëngritjes shpirtërore.
Sikur të madhin baca Adem, ashtu edhe z. Daut Demakun, i njoh mirë dhe jemi miq të mëdhenj në mes vete. Z. Demaku, është një krijues i madh letrar shqiptar dhe ai në Prishtinë me shumë sukses e udhëheq një shkollë të veten të ngritjes shpirtërore që quhet “Qendra e Mendimit Pozitiv”. Baca Adem, sikur e dimë të gjithë, në rend të parë është një atdhetar dhe një intelektual i yni i madh; një i persekutuar politik i ndërgjegjes që më se 28 vite i ka kaluar nëpër burgjet famëkeqe të Jugosllavisë së atëhershme. Sikur tregonte edhe vetë, në kohërat dhe momentet më të vështira të qëndrimit të tij nëpër kazamate, ai shpirtërisht ju është kthyer vetes dhe fuqive të pashtershme të një inteligjence hyjnore që fshiheshin në të si qenie, të cilat fuqi praktikisht fshihen tek çdo njeri. Ai, si i burgosur, kurajën për këtë persekutim të gjatë, pa dyshim, e ka gjetur tek Zoti dhe kontakti hyjnor që ka pasur rregullisht dhe pandërprerë përmes meditimit dhe lutjeve që ka bërë.
Këtë mund ta arrij çdo njeri normal. Vetëm duhet të di se si duhet t’i ndali mendimet e veta dhe të qëndroj sa më gjatë pa menduar në qetësi të plotë. Në atë gjendje mentale, apo shpirtërore që quhet Meditim, nuk funksionon ligji i kauzalitetit. Aty dhe në atë gjendje të “ariut” me vetëdëshirë, nuk ke hapësirë dhe nuk ekziston koha si përjetim. Përmes kësaj mënyre, Baci Adem në burg e ka zbuluar Zotin në vete dhe ka kontaktuar rregullisht me të. M’u kjo është fshehtësia e arritjes së lumturisë së përhershme jetësore, dhe, mbase Baca Adem, e ka arritur atë në vete. Ndoshta m’u ky kuriozitet ka qenë që unë me të ta gjejmë gjithnjë një gjuhë të përbashkët për këtë lëmi, por edhe të mësoj mjaft nga eksperienca e tij e dëshmuar praktike.
E sa i përket, pjesës së fundit të pyetjes suaj se, ne që e trajtojmë teorikisht këtë fushë, a kemi të bëjmë me shkrime e trajtesa origjinale apo më shumë kemi të bëjmë me "importim" idesh nga kjo sferë, në këtë pjesë të fundit të pyetjes suaj do t’ ju përgjigjem me një urtësi të lashtë kineze e cila thotë: “Malli dhe paraja kur ndahen, ato gjithmonë zvogëlohen, ndërsa dija kur ndahet ajo rritet”.
Dija nuk ka kufi dhe ajo si proces brez pas brezi i bartet gjeneratave të ardhshme kudo që ata janë. Ajo nuk është privilegj vetëm e një populli më të ngritur apo më inteligjent, por është nevojë dhe pronë e gjithë njerëzimit. Ndërsa, ne si shqiptar që merremi teorikisht me këto njohuri në Kosovë, këtë abstraksion, tentojmë t’ia sqarojmë në mënyrë sa më të kapshme shtresave tona të gjëra popullore. Nuk di se sa kemi arritur në këtë drejtim, por nga shumë letra elektronike që më vijnë nga anë e kënd botës shqiptare, mund të them se ndjehem tejet i kënaqur.
Më bëhet e paevitueshme që në këtë kontest t’ju them se, për këtë punë që bëj, kurrë deri më sot nuk kam kërkuar para si kompozim material, por shpërblimi më i madh për mua ka qenë dhe mbetet kënaqësia e brendshme që ndjej në vete se i kemi ndihmuar dikujt, apo se e kam mësuar dikë për diçka të mbarë. Së paku vetëm një njeri....

3. A besoni shumë në Zot, dhe a është Zoti streha e vetme e drejtë dhe e vërtetë?

Po, po, patjetër! Unë kam lindur në një familje tradicionale myslimane prizrenase. Nga prindërit e mij, që nga fëmijëria e hershme kam marrë mësimet e para të etikës islame, por edhe një mësim si edukim bazë, se nuk ka fe të keqe në botë por ka vetëm besimtar të këqij, të padijshëm dhe injorantë. Gjatë jetës sime, nuk jam kënaqur vetëm në mësimet fesë sime, por me ëndje iu jam përkushtuar njohjes sa ma të madhe edhe të besimeve dhe feve tjera që ekzistojnë në botë. Pra, me përpikëri në vete e kam aplikuar atë sure të parë nga Kur’ani që i ka ardhur pejgamberit tonë, Muhamedit a.s., sa qëndronte në shpellën “Hira”, që thoshte: “IKRE” (së pari mëso, merr dije sa më shumë dhe tek atëherë bindu dhe beso)
Unë, besoj në Zot si: Univers, Inteligjencë e paskajshme, si Dritë hyjnore, si Ligjshmëri e përsosur universale harmonike e të gjitha ekzistencave tona materiale dhe shpirtërore të këtij realiteti që ne si gjallesë me vetëdijen tonë e përjetojmë.
“Zoti e krijoj njeriun nga dheu dhe ia dha shpirtin si shkëndija e dritës së vet." Kështu thuhet në librat e vjetra religjioze. Figurativisht konstatimi i shprehur është plotësisht me vend, sepse njeriu si krijesë fizike racionale është një KOSMOS në miniaturë dhe në përbërjen e vet ka tërë strukturën substanciale të botës materiale, prandaj, shpeshherë në literaturën ezoterikë, ndryshe emërtohet edhe si "MAKROKOSMOS", ndërsa pjesa tjetër irracionale e trupit, ndryshe cilësohet si shkëndi hyjnore, frymë, potencial i pastër, dritë...etj.
Unë besoj fuqishëm se shqisat tona na nevojiten që ta njohim Zotin jashtë si materie, kurse shpirti ynë na lidh me Zotin si Frymë. Për mua, Zoti është kudo, e në rend të parë në vetë ne.

4. Jeni i pranishëm edhe me shkrime autoriale nëpër shtypin tone të shkruar dhe nëpër web-faqe elektronike. Nga ky pasion për të shkruar e për të publikuar?

Pranoj se nuk jam ndonjë analist profesional apo publicist i orientuar. Shkrimet e mia në formë të analizave politike të situatës aktuale në Kosovë dhe shqiptari në përgjithësi, i shkruaj thjesht kur më teket. Si amator, nuk kam obligim profesional që në to të jem formalist dhe rreptësisht t’ju përmbahem standardeve rregullative të eseistikes, kolumnës, apo ndonjë forme tjetër të artikullshkruarjes gazetare. Shkruaj nga zemra dhe me fuqinë e frymëzimit që më del aty për aty diku nga brendia ime. Shpesh më duket se dikush tjetër flet në mua e unë vetëm daktilografoj. Nga natyra jam rebelues i papërmirsuseshëm dhe gjithnjë në kërkim të së vërtetës. Shpesh, miqtë dhe rrethi i të njohurve të mi më akuzojnë se, gjoja unë nuk i nënshtrohem autoriteteve të caktuara , por ju them unë atyre se, përkundrazi, nënshtrimi ndaj autoritetit të mirëfilltë është dobësia ime e sjelljes, por, fatkeqësisht deri më sot, shumë pak kam has në sosh.

5. E thoni atë që keni për ta thënë, apo ndonjëherë tregoheni pak më i "kujdesshëm"?

Po, e them gjithmonë atë çfarë duhet të them, por ndonjëherë pranoj se ka momente kur jam nga pak më i “kujdesshëm”, sikur thoni ju.
Shpesh ndodh që në shkrimet e mia më vjen t’i shaj edhe banalisht disa politikanë tanë aktual, por, për hir të respektit ndaj lexuesve dhe hapësirës publicistike të medieve ku i botoj ato, e përmbaj veten....

6. Një ditë e juaja e zakonshme, shëtisni, lexoni…?

Patjetër, çdo ditë kah ora 8 e mëngjesit shkoj ta pi kafenë e mëngjesit expresso në lokalin tim të preferuar të lagjes, ku gjej dhe shfletoj me kureshtje të gjitha gazetat tona ditore; shumë orë kaloj në internet, sepse jam administrator i një faqe time personale www.syri3.com; pas dite lexoj ndonjë libër apo material interesant, ndërsa prej orës 18,oo – 23,oo, shkoj në Tv “Opinion”, ku punoj si producent. <

7. Cili jeni ai i "jashtë" letrave si njeri, si bashkëshort, si prind, si gjysh?

Gjatë tërë jetës sime kam pasur vetëm një femër dhe të dashur, e ajo është gruaja ime të cilën e kam ende dhe mbase do ta kem deri në vdekje ...ha, ha, ha...
Jam babai i dy djemve dhe një vajze. Të gjithë ata janë studentë në Prishtinë.Do të jem krenar që, në rend të parë, përveç dashurisë së sinqertë dhe një edukate të shëndoshë familjare dhe shpirtërore, asgjë pas vdekjes sime materiale nuk do t’u lë për trashëgim. Me fëmijë e mi, kjo dëshirë si duket po më plotësohet.

8. Diçka për fund të kësaj bisede… ndonjë këshillë të urtë e të vlefshme…

“Kurrë mos i besoni atij që thotë se e kam gjetur të vërtetën, por i besoni atij që thotë se e kërkoj të vërtetët...” Kjo është edhe parimi im bazë me të cilin unë udhëhiqem në jetë...



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora