E shtune, 20.04.2024, 05:40 AM (GMT+1)

Kulturë

Elsa Lila: Braktisa pushimet për koncertet

E marte, 17.07.2007, 09:27 PM


Dëshira për të qenë sa më shpesh prezente në Shqipëri shkon paralel me atë për të arritur famën përtej detit, në Itali. Ku aty është gjithmonë e pranishme me talentin e saj dhe kombësinë shqiptare. Elsa Lila, këngëtarja që preku skenën shqiptare suksesshëm qysh herët, tashmë është një nga këngëtaret më të kërkuara në festivalet dhe koncertet në Itali. Koncerte të ndryshme dhe projekte, që mbajnë firmën e këngëtares mjaft të pëlqyer tashmë edhe nga audienca italiane. Ka ditur të fitojë zemrën e publikut italian me të njëjtën mënyrë, siç ndodhi asokohe në skenën e festivalit në RTSH, ku ajo fitoi vendin e parë me këngën "Pyes lotin". Me të njëjtën ëmbëlsi që e karakterizon, me të njëjtin vokal, që normalisht tanimë vjen edhe më i pjekur profesionalisht, këngëtarja Elsa Lila është ftuar të jetë pjesë e një turneu që do të përfshijë gjithë qytetet kryesore në Itali.

Pushime në skenë
Verë do të thotë; pushime, plazh, det, relaks. Por Elsa Lila e ka "përkthyer" ndryshe. Koncerte, koncerte dhe vetëm koncerte. Asnjë ditë pushim. "Janë 20 koncerte ku unë do të jem e pranishme, që do të shfaqen në 20 qytetet kryesore të Italisë. Është kjo arsyeja që nuk do të jem e pranishme këtë verë në Shqipëri. Dhe jo vetëm kaq, por nuk kam kohë as të bëj pushime këtë verë", - tregon nga Italia për Gazetën, Lila. Janë qytetet kryesore të Italisë, si Roma, Milano, Firence, Bolonja, Napoli, etj, një pjesë kjo e itinerarit të këngëtares së njohur përtej kufirit, karriera e së cilës mori shtysën më të madhe në Sanremo, ku në dy konkurrimet e saj ajo është paraqitur mjaft denjësisht.

Sanremo, oguri i Elsës
Padyshim që pjesëmarrja e saj e pak muajve më parë në festivalin më të madh të muzikës në Itali, "Sanremo", ka qenë një inkurajim mjaft i madh për këngëtaren. Ka marrë vlerësimet maksimale edhe pse ndoshta herës së fundit nuk përkuan me dhënien e një çmimi. Elsa ka mundur të marrë oferta dhe mjaft ftesa për projekte dhe koncerte. Gjë që e ka ndihmuar mjaft karrierën e saj në Itali, për të arritur pothuajse në atë shkallë dhe atë popullaritet që ka në Shqipëri. Dhe Elsa po e kërkon me ngulm këtë gjë. Ia ka arritur deri diku. Ia ka dalë mbanë, por është këmbëngulëse dhe sigurisht kërkon më tepër se kaq. Një çmim në skenën e Teatrit "Ariston". Ky është synimi që ajo i ka vënë vetes.

"Kuptimi i jetës"
Vëmendja e shqiptarëve për edicionin e 57-të të Sanremos ka qenë vërtet e madhe. Fakti që Elsa Lila do të zbriste prej shkallëve të Teatrit "Ariston" në festivalin më të madh të muzikës italiane, ishte domethënës. "Kuptimi i jetës" së Lilës, edhe pse nuk iu dha ndonjë çmim, mori vlerësimin dhe votat e publikut. Këngëtarja shqiptare mundi të renditet vetëm në vendin e katërt ndër 8 këngëtarët e rinj që garuan në natën finale të të rinjve në festival. Cilësimet e anëtarëve të jurisë për këngën "Il senso della vita" ishin tepër epike, "serioze", por edhe një zë mjaft optimist. Por Elsa e bëri spektaklin dhe falënderoi gjithë votuesit e saj. Ajo tha një "Faleminderit" në shqip për bashkatdhetarët e saj, dhe ndërkohë në natën finale, Pipo Baudo i kërkoi këngëtares që të përkthente në gjuhën e saj, frazën "Jam e lumtur që gjendem në Sanremo".

Imazhi i Elsës
Askush nuk e kishte menduar se Elsa Lila mund të ishte një modele. Fotografi i njohur shqiptar, Fadil Berisha ka qenë i pari që ka pikasur Elsën në një tjetër dimension. Ftesa që ai i bëri Elsës, u mirëprit nga kjo e fundit dhe jo shumë larg Elsa u shfaq si një modele në Amerikë. Dhe shkëlqeu. Fotot e realizuara nga Berisha e shfaqnin krejtësisht ndryshe atë, plot elegancë, hir dhe sharm, shumë larg asaj thjeshtësie që Elsa preferon të mbajë në skenat e festivaleve.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora