Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Dhurata Hamzai: Aromë gruaje në vargun poetik

| E enjte, 02.04.2009, 08:40 PM |


Këze (Kozeta) Zylo
Këze (Kozeta) Zylo
BOX:

1. Duke qenë një poezi kaq kokëfortë dhe kaq vetevetja, poezia e Kozetës nuk ka gjasa ndikimi nga poetë ose autorë të tjerë të njohur. Kokëfortësia e kësaj poezie në identitetin e vet është tek të shprehurit e saj, qoftë kjo edhe si shenjë sakrifikimi. Eshtë mirëfilli një kokëfortësi e bukur gruaje, që do të dëshmojë, kudo e kurdoherë se ndjenjat ekzistojnë, ato nuk shterin kurrë, sado i mbrapshtë qoftë fati, ose jeta, por edhe njeriu...

2. Vetë shkrimtari dhe poeti i njohur, Ismail Kadare, e ka përshëndetur krijimtarinë e saj duke iu referuar pikërisht edhe njërës nga poezitë e vëllimit më të fundit. “Lexova me kujdes poezitë tuaja aq të ndjera, aq të zjarrta dhe aq delikate njëkohësisht. Më pëlqyen, me të vërtetë disa prej tyre janë të mrekullueshme. Mua më mbeti në mendje “Mjellmat po të vijnë”. Urime për më tej”

Aromë gruaje në vargun poetik

Nga Dhurata Hamzai

-Mbi vëllimin poetik më të fundit ,“Mjellmat po të vijnë” të autores Këze (Kozeta) Zylo

“O Zot sa më dhimbsen yjet
Veçanërisht ata që i fsheh muzgu i qiellit shqiptar.”
K. Zylo

...........................................
“Ajo nganjëherë komunikon me lexuesin e trazuar nga vorbulla e pasionit apo e flakëruar brenda një gjoksi poetik të zemëruar, e herë të tjera i jepet atij me delikatesën dhe bukurinë e çeljes së parë të trëndafilave në një mëngjes pranveror. Mesazhi i saj mund të gjendet në ato që nuk thuhen në varg se sa në ato që thuhen.”, shprehet absolutisht saktë për stilin e Këze (Kozeta) Zylos, poeti i njohur Gjekë Marinaj. Pas vëllimeve të para të saj, vëllimi më i fundit është “Mjellmat po të vijnë”, botuar në 2008-ën, cilësuar nga kritika si një avancim i dukshëm në krijimtarinë e deritanishme të Kozeta Zylos. Vëllimi më i ri poetik plotëson më së miri edhe njohjen e portretit të saj poetik. Natyra e saj e veçantë në mënyrën e të shkruarit të cilës ngado e kurdo i jep një frymë gruaje, gjatë leximit shkon dhe e gëzon lexuesin. Janë aty të shprehura, mirë, dashuria, përkëdheljet, ngrohtësia, e një lloj pikëllimi i ngrohtë që do t’i ngjante jo aq melankolisë se sa një flladi ngushëllues. Kozeta me figuracionin e saj poetik, kapërcen portat e qelqëta, bënë tantellë ngjyrash për ylberin, flet me liqenin, me vegimet erotike, me zjarret qiellore, me hënën në ekstazë, me fëmijët si thëngjij të ndezur, etj. Janë këto një grup metaforash të zgjedhura e të ndritshme që kanë krijuar tashmë edhe stereotipin e krijimtarisë autoriale.
Profesor Sadik Bejko, poet dhe publicist e ka konsideruar këtë lloj poezie si një poezi të freskisë dhe të dritës romantike. “Kozeta shkruan për atë që do, për atë që beson dhe për atë që e njeh shumë mirë”. Kështu e vlerëson studiuesi Bejko, gjë që duke parë edhe në vëllimin më të fundit të saj ndihesh se e përjeton këtë vlerësim shumë më përtej. Duke qenë një poezi kaq kokëfortë dhe kaq vetevetja, poezia e Kozetës nuk ka gjasa ndikimi nga poetë ose autorë të tjerë të njohur. Kokëfortësia e kësaj poezie në identitetin e vet është tek të shprehurit e saj, qoftë kjo edhe si shenjë sakrifikimi. Eshtë mirëfilli një kokëfortësi e bukur gruaje, që do të dëshmojë, kudo e kurdoherë se ndjenjat ekzistojnë, ato nuk shterin kurrë, sado i mbrapshtë qoftë fati, ose jeta, por edhe njeriu. Këtë besim rreken ta bëjnë pothuajse të gjithë poetët, me së shumti ata janë burra, por Kozeta e krijon këtë përshtypje më konkrete e në mënyrë më të drejtëpërdrejtë dhe origjinale. Kokëfortësia e saj është e natyrshme për të dëshmuar edhe më mirë psikologjinë e ruajtjes së marrëdhënieve njerëzore. Vetë natyra e gruas nuk do ta besoj dot botën pa ndjenjat, madje e ka të vështirë të besoj në një realitet pa ndjeshmëri. Dhe për të gjitha këto Kozeta prek sa herë majën e penës, duke e shoqëruar si do të thoshte poeti Dalan Luzaj me “valë, muzë, frymëzim, trokitje mbi zemër, kod misterioz, komunikim hyjnor”. Megjithëse kaq e natyrshme dhe e çlirët, poezia e Kozeta Zylos nuk mbetet në hije, edhe pse vijëzohet në standartet tingëllimore të njohura të vargut klasik. Vetë shkrimtari dhe poeti i njohur, Ismail Kadare, e ka përshëndetur krijimtarinë e saj duke iu referuar pikërisht edhe njërës nga poezitë e vëllimit më të fundit. “Lexova me kujdes poezitë tuaja aq të ndjera, aq të zjarrta dhe aq delikate njëkohësisht. Më pëlqyen, me të vërtetë disa prej tyre janë të mrekullueshme. Mua më mbeti në mendje “Mjellmat po të vijnë”. Urime për më tej”. I gjithë ky vlerësim i madh për poezinë e Kozeta Zylos ngjet për shkak të lexueshmërisë dhe prekjes konkrete të atij ndikimi të mirë, ose si e pohova më lart të gjendjes së gëzimit që të ofron, të ëndrrave që të ngjallin dhe ty ëndërrim. Në çdo varg të poetes qëndron i fshehur një pasion që ajo e ngjall mirësisht ose edhe tinëzisht, një nga ato lloj pasione që tek të tjerët mund të flejë, mund të qetohet ose të hesht, mund të mbytet, ose të injorohet. Është pikërisht ky pasion zjarrmues që e kthen poeten domosdoshmërisht në unikalitetin e poezisë së saj. Nëse vë re fjalorin poetik të Kozeta Zylos, do të jetë i mbushur me shprehje të tilla si “afshe avujsh dashurie”, “tokën me buzë të çara”, “pres flakën e këndellit”, “në vorbullën e vuajtjeve”, “me aromë lulesh të ndezura”, “bloza e viteve”, “afsh ekzotik”, etj, etj të bëjnë të kuptosh se kjo poezi është më tepër një shqisë e re tejpashmërie brenda njeriut, brenda vizionit të tij të pashprehur, që përthithet individualisht. Vetë Kozeta këtë fantazmë individuale, që është tek e fundit jetë ose lumturi individuale e përcjellë krejt lakuriq në natyrën e poezisë së saj. Pa asnjë ndjenjë keqardhjeje egoiste ajo u dhuron të gjithëve edhe çastet më intime. Nuk mund të të rrijë pa folur për to, duke të bërë ta dëgjosh me ëndje si në formën e cicërrimave të jetës, atë që është intime, që është lirike, që është erotike dhe që Kozeta Zylo e dikton si një atribut që ngrohtësisht e meritojnë të gjithë dhe duhet ta përjetojnë të gjithë. Këtu është edhe thelbi i kokëfortësisë së saj, për ta bërë tek e fundit të çmuar poezinë, me aromë e frymë gruaje, ku do të pëlqejë me patjetër për atë që ofron, qoftë intimishtt, qoftë si ndjesi në lotë e entuziazëm bashkuar, qoftë edhe në lojën disi rrenacake të lajkave të ëmbla, të dëshiruara tinëzisht. Gjithëçka në këtë poezi vjen e sinqertë, e hapur, dhe të mos harrojmë që vjen vetëm sipas mënyrës së Kozeta Zylos, mënyrë që pasurohet vetvetishëm me metafora e gjuhë e stilema poetike. Kozeta shkruan dhe mandej poezia e saj vjen e pasurohet, me të atilla emërtime dhe fjalë që jo rrallë transmentohen në imagjinatën tonë si një varg koralesh, i pikturuar bukur. Edhe vetë poetja këtë atribut që ia dhamë e shpreh diku me vargjet e saj:
“Si pikë e vesës,
Ju mbledh në strehëz,
Dhe etjen shuaj për letërsinë
Qëmtoj nga to si bletë punëtore
Nektarin pi, shpirti i poezisë!”.

Dhe thotë më tej se në poezinë e saj pikon dhimbjen, por atë dhimbje që merr nga dashuria. Dashuria e kësaj poeteje shtyhet më tej se thënia, sepse edhe pse ka një çiltërsi në vargje dhe në mënyrën e të thënit ajo ndihet aq e pagopur nga mungesa e shprehjes së plotë të pasionit, sa gjuhën që e thotë do ta quante si morsi dhe për këtë ka edhe një poezi të shkruar:
“Në morsin e gjuhës
Më mjafton ëndërrimi yt
Ku të shfaqem si Borëbardha
Nëpër yje fustanargjendë
Dukem zhdukem në fijëza të kaltra.
E në Morsin e vijës së zjarrit,
Pëshpërita s’di se si
Afshi i puthjes më rrëmbeu
Atje u djegshim ne të dy.”

Në pjesën më të madhe, poezia e Kozeta Zylos përfshin kujtimet, por jo si rrëshqitje në dëshpërim dhe humbje të një jete të shkuar, përkundrazi, kujtimet e saj kudo që ato i shfaqen i feksin në formën e jetës. Në qoftë se nën qiell të Mahnatamit ndihet e trishtë, dhe u kthehet kujtimeve më të bukura, ajo i bashkangjit së kaluarës një sqep të artë dallandysheje, të cilin e mbulojnë rishtas ylberet. Jeta e frymës poetike, pra frymë gruaje ndërron forma, pëson metamorfoza, por asnjëherë s’e ka hijen e vdekjes. Ajo vjen dhe ikën përmes trajtash të bukura që mbeten në vargje, në forma figurash shumë shumë interesante. E këto duhet t’i mbledhësh aty të shpëndara natyrshëm në buqeta të konfiguracionit estetik dhe të vëresh se si poetja e çmon zejen poetike, madje janë të shumta rastet kur ajo e konsideron këtë si ushqimin e shpirtit e të jetës vet. Shih në vargjet:
“Duhuni poetë,
Pini verë të kuqe
Si ngjyra e purpurt që ndez dashurinë.
Se vargjet që shkruani vajzave ua këndojnë
Dashnorët e zjarrtë që në shtrat rrinë.”

Duke qenë mandej vargu poetik si një mjet komunikimi ndërmjet shpirtrash, Kozeta Zylo nuk ka harruar të bëjë edhe një poezi për poetët, ku dëshmohet se ka kuptuar qartë jo vetëm misionin e poetëve të mbarë botës, por edhe përgjeshmërinë e lartë të saj, për ta shpalosur poezinë, kur ekziston brenda një shpirti dhe ndaj ajo di të shkruaj vetëm ashtu si di të ndjejë, pa kurrëfarë kompleksi për t’i dhënë poezisë përmasat e ndonjë vizioni ose “katapulti” postmodern. Jo! Poezia e Kozeta Zylos është ashtu si duhet, me aromë e frymë gruaje, pa ndonjë shpikje të marrëzishme (gjë që do ta bënte poezinë e saj të ftohtë e të pandikueshme). Poezia e ngrohtë e Kozetës është edhe prej vetiut, prej bërthamës, genit, farës së ngjizjes që ajo e gjen se ku është. Nëse lexohet poezia “Poetët”, ajo thotë:
“Poetët…...................
Në temperaturën e vargjeve
botën e mardhur ngrohin!”

Temperatura e vargjeve pa diskutim për poeten është pikërisht temperatura optimale e sythçeljes ose e shpërthimit të një qenieje të gjallë embrionale nga veza. Kjo dominacë e temperaturës së çeljes së vargut ndihet kudo, ashtu në formë fryme që e ka një specifikë, sikurse e thamë “frymë gruaje”. Kjo është edhe dëshmia më e fortë e origjinalitetit të poezisë. Dhe ja sa mirë, sepse jemi pikërisht në shekullin ku në relativitet me botimin masiv, poezia po vuan pikërisht krizën e origjinalitetit.
Kozeta Zylo ka ecur përkundër, duke na bërë më të malluar edhe për praninë e origjinalitetit femëror në poezinë e saj. E ajo e dëshmon konceptin që ka mbi këtë thurrje vargjesh në raportet e origjinales në poezinë “Poetët” ku thotë:
“Poetët duket sikur kanë kode të veçanta
E natën udhëtojnë në varkën e hënës së argjendtë.
Ditën notojnë me nimfat
E që mandej me stërklat e ujit,
Fshijnë njollat e murrme lënë nga dikush.”

Duket se tek poezia “Poetët” është kredoja dhe testamenti poetik i autores.

***

Një poete që rreket të pasurohet shpirtërisht e pasuron ashtu rishtas pandërprerje poezinë. “Poetja Kozeta Zylo qëmton shkarkesat e zemrës për t’i dhënë më shumë sinqeritet dhe bujari lexuesit në librin e saj më të fundit”, thotë poeti Dalan Luzaj pasi ka lexuar vëllimin poetik “Mjellmat po të vijnë”. Nëse përfshihesh në poezinë e saj gjen një burim naiviteti poetik që kritika e ka dëshmuar si cilësi të mirë të saj. Studiuesi Sadik Bejko shkruan: Ajo nga një lartësi e shpirtërores së lartë, lartësi e mbrujtur me bukuri e besim, të bën që edhe kur lexon për brenga, të ndiesh paqëtim, asnjëherë ankth. Kozeta Zylo shfaqet në poezi me të gjithë personalitetin e saj, me cilësinë e të qenit e hapët edhe në intimitetin e saj. Këtë cilësi studiuesi Sadik Bejko duket se e konsideron si një ecje të mbarë e organike në rrugën e krijimtarisë. Më në fund ai thotë: “Kozeta e sotme ka ditur të ruajë të pacënuar Kozetën e rinisë dhe fëmijërisë dhe romantizmin e asaj moshe. Bashkë me të ka ruajtur edhe ca vlera që sot mund të quhen “të vjetra”: dashurinë për të afërmit, për prindërit, për fshatin e lindjes, dashurinë për natyrën e virgjër të maleve, të liqeneve shqiptare”
Duke ia lënë vendin tashmë ardhjes së një libri tjetër nga kjo autore, gjithësesi le të shprehemi me gjuhën e saj nëpërmjet poezisë që titullohet “Gjthësesi”:
“Unë e di sa hoqa,
Kur më dhanë vajin e kandilit,
Të ndezur në kullën e shpirtit
E prej andej nuk shikoja më nga frëngjitë.
Sepse m’u verbua syri,
Nga circet e territ!
Eh, s’më ndodh vetëm mua
Është një përrallë e lashtë
Gjithësesi!”
   


II.

Kozeta (Këze) Zylo

Kozeta Zylo lindi në Tepelenë në një familje mezhgoranase me tradita të shquara atdhetare. Pasi diplomohet për gjuhë dhe letërsi në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” të Elbasanit më 1979, punoi deri në vitin 1997 si mësuese e Letërsise shqipe dhe botërore në disa gjimnaze të Tiranës, ndërkohë që përfundon studimet pasuniversitare në Universitetin e Tiranës. E spikatur që në vitet 80 për prirjet dhe qëndrimet e saj anti-konformiste, për të cilat provoi dhe ulje në detyre, znj. Zylo u përfshi energjikisht në proceset demokratike që çuan në rënien e komunizmit.
Mori pjesë aktive në krijimin e Partisë Demokratike(Shqipëri), Partisë Demokristiane të Shqipërisë që nga themelimi i saj ishte anëtare e kryesisë dhe në vitet 1994-1995, Sekretare e Përgjithshme e saj. Ajo e ka ushtruar me një dashuri dhe pasion të veçantë profesionin e mësuesisë, ku dhe ka gëzuar gjithmonë respektin e studenteve dhe kolegëve të saj. Si mësuese e apasionuar, ka qenë mjaft aktive në shtypin e përditshëm periodik, si organizatore, regjizore e spektakleve të gjimnazistëve të Tiranës, etj. Në Shkurt të vitit 1997, me shpërthimin e trazirave social-politike në Shqipëri, emigron në SHBA, ku integrohet me kulture dhe dinjitet në kolegjet e New Yorkut. Në New York vazhdon kualifikimet e mëtejshme në kolegj, ku aktualisht është pedagoge në Globe Institute of Technology në Manhattan dhe shquhet ndër veprimtaret më aktive në komunitetin shqiptaro-amerikan.
Vit për vit ka organizuar festën e Flamurit në mjediset shqiptaro-amerikane, ku kanë qenë të ftuar kongresmenë dhe ambasadorë, për ta ngritur dhe me lart, zërin e Shqipërisë. Ajo është e zgjedhur anëtare e Keshillit Botues të Librit ne New York. Përmes veprimtarise se saj të dendur si dhe krijimtarisë së kahershme publicistike, letraro-artistike, veçanërisht në poezi, Kozeta Zylo ka fituar respektin e studentëve shqiptarë në New York, të komunitetit shqiptar në SHBA etj.
Permes veprimtarise se saj te dendur, si dhe krijimtarise se kahershme publicistike, letraro-artistike, vecanerisht ne poezi, K.Zylo ka fituar respektin e studenteve shqiptare ne New York, te komunitetit shqiptar ne SHBA etj.
Është anëtare e Lidhjes së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë në USA. Korrespodente e Gazetes “Illyria” ne USA Libra të botuara:
• Monumenti i Lotit (2005)
• Pranverë pa Mimoza 2006
• Një cikël me poezi në Antologjinë “Perëndim i malluar”, etj

***

Kozeta në rini me bashkëshortin Qemal Zylo
Kozeta në rini me bashkëshortin Qemal Zylo
Cipa e shpirtit
 
Më prekin cipën e shpirtit të ëmblat fjalë,
Dhe timbri i zërit më vjen butësisht tani,
Dridhet zemra ime nëpër fantazi,
Për puthjen e zjarrtë mbetur tek ti!
 
Unë po shkoj të fle nën kupën e qiellit,
Dhe yjet do më lajnë me lotin e florinjtë,
Do të gdhihem me mëngjesin e artë të diellit,
Një ylber me ëndrra mbi shtrat do jenë shtrirë!