Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Demir Krasniqi: Edhe kur shkruan libra për veti - duhet të thuhet realiteti

| E enjte, 02.04.2009, 07:30 PM |


Reagim:

EDHE KUR SHKRUAN LIBRA PËR VETI – DUHET TË THUHET REALITETI

-Përkitazi me librin monografik “GJILANI – RETROSPEKTIVË KULTURORE” 60 vjet të themelimit të SHKA “DRITA”, 40 vjet të themelimit të SHKA “Zenel Hajdini”, të autorit Reshat Ramadani , botuar në Gjilan, më 2007.-

Nga Demir Krasniqi

Edhe pse e çmoj dhe respektoi sinqerisht punën , angazhimet dhe kontributin e dhënë në lëmin e kulturës , amatorizmit dhe publikimit të përpjekjeve për ta mbajtur gjallë jetën kulturore në Gjilan, nga ana e profesorit të nderuar Reshat Ramadani, i cili sado pak është munduar që ta pasqyroj jetën kulturore dhe zhvillimin e amatorizmit në Gjilan, në një periudhë kohore prej 60 viteve të fundit, përmes publikimit personal të librit të tij monografik, të titulluar :”Gjilani – retrospektivë kulturore” 60 vjet të themelimit të SHKA”Drita”, 40 vjet të themelimit të SHKA “Zenel Hajdini”, të botuar në regji private në Gjilan, më 2007, nuk munda të rri indiferent ndaj disa lëshimeve profesionale të pafalshme dhe disa falsifikimeve të realitetit historik kulturor, të cilat ky autor nuk mund të arsyetohet se i ka bërë pa qëllim, apo nga harresa e pleqërisë !
Autori i këtij libri monografik, z. Reshat Ramadani, i bekuar dhe i përkrahur nga recensentët e këtij libri: Prof. Ibrahim Shabani dhe Prof. Xhevat Ismaili, që në faqen e brendshme të titullit pompoz të librit, nuk harron që t’ ua lë amanetin dhe porosinë lexuesve të librit të tij dhe gjeneratave të reja kështu:
“Mos t’ i harrojmë ata që punuan për afirmimin kombëtar shqiptar!”
Kjo porosi e autorit Ramadani, do të ishte shumë e qëlluar, sikur të mos ndodhte që pikërisht, ai vetë bëhet si shembull konkret, që i “harron “ ata që punuan dhe kontribuan më së shumti në afirmimin e artit dhe kulturës kombëtare shqiptare!?
Pa dashur të hy në detale rreth analizave të këtij libri, unë, si njëri ndër krijuesit më të mëdhenj muzikor nga ky regjion, e që në këtë libër jam përbuzur dhe nëpërkëmbur fatalisht, nga ana e këtij autori, do të ndalëm vetëm në tri elemente kyçe të lëshimeve , të cilat nuk i bëjnë nderë as respekt këtij libër-shkruesi , dhe këtë e bëjë jo me qëllim që ta ngrit vetën, por vetëm për hir të realitetit dhe të vërtetës, që lexuesve dhe miqve të librit e të këngës, të mos u qitet hi syve në pikë të ditës !
1.Po qe se lexohet me vëmendje dhe analizohet drejt materiali i prezantuar në këtë libër, atëherë çdo njeri me mendje të shëndoshë, me kokë të ftohtë dhe logjikë të shëndosh, nuk e ka të vështirë që ta kuptojë, se ky libër monografik , i cili i dedikohet aktiviteteve kulturore të dy SHKA-ve më masive të Gjilanit (dikur), fund e krye i atribuohet meritave vetjake të autorit, e shumë më pak të anëtarëve tjerë, që shumica prej tyre ma nuk janë në botën e të gjallëve!
Pra, mendojmë se më mirë do të ishte që ky libër monografik , t’ i kushtohej vetë autorit dhe të titullohej “Monografi retrospektive kulturore e Reshat Ramadanit” se sa i atyre dy shoqërive, për të cilat flet titulli i librit !
 2.Në faqen 128, të këtij libri monografik, autori Ramadani, shkarazi e përmend një aktivitet shumë të rëndësishëm kulturor , që ishte i pari i këtij lloji në Gjilan dhe Kosovë, pra fjala është për organizimin e Manifestimit Përkujtimor, kushtuar 1- vjetorit të vdekjes së këngëtarit Qamili Vogël, i cili nën rrethana të hekurta policore, u mbajt më datën 04 Nëntor 1992, në sallën e Teatrit të Qytetit në Gjilan.
 Autori, tërë lavdin e organizimit të këtij Manifestimi, ua lë organeve udhëheqëse të Shtëpisë së Kulturës (Drejtor i së cilës ishte ai vet) dhe disa entuziastëve e veteranëve të muzikës, për të vazhduar më tutje me lavdin se gjoja këtë Manifestim Përkujtimor, e paska organizua SHKA “Zenel Hajdini” e Gjilanit?!
 Kjo thënie e autorit, nuk qëndron dhe është dezinformatë e kulluar!
 E vërteta është se atë kohë, z. Reshat Ramadani ishte Drejtor i Shtëpisë së Kulturës në Gjilan. Me kërkesën dhe insistimin e Demir Krasniqit, pas shumë lutjeve, Drejtori e ka lejuar sallën dhe mbajtjen e këtij manifestimi, të cilit më vonë iu ka bashkëngjitur edhe vetë, si solist popullor me një këngë nga repertori i Qamilit të Vogël!
 Këtë program përkujtimor, fund e krye e ka përgatitur, përzgjedhur dhe drejtuar vet iniciatori i këtij Manifestimi – Demir Krasniqi dhe të gjitha pikat muzikore të këtij programi i ka shoqëruar me përcjellje muzikore Ansambli Muzikor “Krasniqja” i Demir Krasniqit, e jo SHKA “Zenel Hajdini”, siç e përshkruan autori !
 Falë Zotit, të gjithë pjesëmarrësit e atij Manifestimi edhe sot janë të gjallë dhe mund të dëshmojnë për të vërtetën, madje edhe vetë familjarët e Qamilit të Vogël, që ishin prezent në atë program.
 Edhe për historikun, jetën dhe krijimtarinë muzikore të Qamilit të Vogël, në atë Manifestim Përkujtimor, ka folur autori i Monografisë së Qamilit të Vogël :”Qamili Vogël – zë që nuk shuhet” dhe autori i veprave të Qamilit të Vogël: “Këngë përjetësie”, reaguesi i këtij shkrimi – Demir Krasniqi, si dhe me një fjalë rasti është prezantuar edhe redaktori i ndjerë i veprave të Qamilit të Vogël, prof, Dr. Shefqet Pllana.
 3. Derisa mbarë bota shqiptare, Gjakova dhe familjarët e Qamilit të Vogël, e dinë se kush i mblodhi, kush i deshifroi dhe kush i botoi 98 këngët e krijuara nga Qamili i Vogël, me titull:”Këngë përjetësie”, libër ky që u botua me rastin e 15 – vjetorit të vdekjes , dhe u promovua në Gjakovë, nga autori, deshifruesi dhe redaktori:Demir Krasniqi – zotëriu Reshat Ramadani, nuk po e dika këtë fakt historik, të cilin mundohet që ta zhbijë nga historia përmes librit të tij?!
 Veprimet, nëpërkëmbjet dhe dezinformimet e tilla, nuk janë asgjë më tepër se sa një shpirtngushtësi dhe xhelozi e pa parë nga ana e autorit të këtij libri.
 Për xhelozinë dhe shpirtngushtësinë e këtij autori, ndaj meje Demir Krasniqit dhe veprimtarisë sime muzikore, përmes këtij libri pasqyrohen edhe një varg faktesh tjera, që e vërtetojnë këtë konstatim:
 Derisa në librin e autorit Reshat Ramadani, kanë zënë vend disa fotografi të këngëtarëve  popullor  nga Shqipëria e Mesme, Tirana, Shkodra, Gjakova... e që nuk kanë asgjë të përbashkët me SHKA “Drita” dhe “Zenel Hajdini” nga Gjilani, autori i këtij libri, nuk e pa të udhës që ta botojë së paku një fotografi timen?!
 Se ka vuajtur nga xhelozia dhe inati profesional ndaj meje, autori Reshat Ramadani, madje nuk e ka pa të udhës që të më fton as në ceremoninë e promovimit të këtij libri, nga se që më parë e ka ditur se çfarë ka bërë aty me qëllime të caktuara!
 Derisa të gjithë të tjerëve, ua ka dhënë dhe shpërnda këtë libër, autori Ramadani nuk e ka pa të udhës as që të ma jap këtë libër, qoftë si dhuratë, apo me para! Vetëm pas kërkesave të mia të pareshtura, tek pas dy viteve të botimit të këtij libri, autori mezi bënë ballë që të ma dërgoj përmes një personi tjetër dhe atë gratis, për çka unë sërish do ta falënderoj, duke i uruar shëndet dhe punë të mbarë, por me porosinë time:
 -Që të mos i injoroi, harroi, xhelozoi dhe nëpërkëmbi artistët dhe krijuesit tjerë të artit dhe të kulturës tradicionale muzikore !

Gjilan, më 02. Prill 2009.