E shtune, 28.05.2022, 09:08 PM (GMT+1)

Kulturë

Suzana Kuqi: Bjeri shkurt...

E marte, 31.03.2009, 06:45 PM


Suzana Kuqi

Bjeri shkurt...
 
Ndoshta, kam qenë gjithnjë kështu, bjeri shkurt se ke... lehtësira. Thonë se nganjëherë është më mirë një gënjeshtër e padëmshme se sa një... e vërtetë e hidhur. Nëse mund ti evitoj të dyja, e bëj dhe pikë. Në rast të kundërt, pikë, vizë, kryerradhë...
Kur isha e vogël, prindërit e mij e urrenin gënjeshtrën, në mënyrë të veçantë tek unë. Pata provuar nja dy herë. Rezultati: dy shuplaka nga nëna, e më shkonte mirë në se nuk rrëmbente bishtin e fshesës... Po ku ta gjeje, babai nuk më fliste ditë me
rradhë... Preferoja bishtin e fshesës...
Megjithatë, herë herë provoja. Derisa mu mbush mendja se kur gënjeja, qoftë dhe një të vockël, duhej të trilloja të tjera për ta mbrojtur e nganjëherë... harroja atë fillestaren e kështu e humbisja lojën. Jo të faleminderit, nuk mund të ngujohesha në kullën e një gënjeshtreje të vogël e të pafaj...
Në shkollë të mesme, tri shoqe në një bangë, unë në mes. Se si fillonte muhabeti me pëshpërima në mes të spjegimit, nuk e di, por di që përfundonte me kukurizma. Profesori, lëshonte shkumësin e kthehej nga ne. Obobo, sa të mëdha dukeshin ato shpatulla tek i shihje të rrotulloheshin e të binin përpara bangës një fytyrë të zemëruar me dy sy që dukeshin si dy të çara të ngushta... Isha me fat, kukurizmat e shoqeve të mia ishin më kumbuese.
- Përse qesh ?- i drejtohesh shoqes nga e djathta ime që rrasej e bëhej njësh me murin.
- Nuk po qesh presor!- ja kthente ajo në kulmin e seriozitetit që e pllakoste papritur.
- Jashtë!
Ngriheshim në këmbë të trija, i hapnim rrugë dhe e shoqëronim me sy derisa të dilte.
- Po ti? - e dyta ishte rradha e shoqes nga e majta ime, e unë kurrë nuk e kam kuptuar se përse nuk e fillonte nga ajo, e kish më të lehtë për të dalë jashtë.
- Nuk po qeshja unë presor!
- Jashtë!
Dhe ajo ulte kokën e dilte.
- Po ti?- vinte rradha ime. Merrja guxim dhe e shihja drejt e në sy.
- Më fal presor, por....- pak a shumë nisja e tregoja çfarë na kish bërë për të qeshur... sigurisht në se vetë profesori nuk ishte subjekt i saj. Rezultati ishte fantastik, ato të çarat fillonin e hapeshin e sytë bëheshin njerëzorë një çast, pastaj ngushtoheshin sërish ndën sforcon e një buzëqeshjeje të pavullnetëshme. Tamam në këtë çast, kthente krahët e urdhëronte:
- Ulu!
Ulesha pa qejf, qejfin e kisha të dilja jashtë e të bëja një dorë gallatë...

Mirëpo... rritesh e gjërat sikur fillojnë e bëhen më serioze, sikur rriten dhe gjërat. Martohem, e s'ka nevojë të them sa serioze është martesa... Ufa... Im shoq, qëlloi komshi me ndërmarrje. Vetëm kur më mbinte në punë e më merrte për kafe.
Fluturoja nga gëzimi, e kush nuk do të fluturonte. Deri sa një ditë...
Një dite të zakonshme. Dola me një kolege deri tek farmacia.
Punë as dhjetë minuta dava. Kur mbaroi orari zyrtar, dal nga zyra së bashku me koleget, e me merakun që burri im nuk ishte parë atë ditë.
Kalojmë oborrin e i afrohemi portës së ndërmarrjes.
-
Këtu qënke ti? - ishte më shumë një britmë se sa pyetje ajo e gruas që bënte rojen.
- Përse, ku duhet të jem?- ja ktheva me të
qeshur, ishte shakaxheshë e madhe ajo.
- Pupupu, erdhi yt
shoq moj korbë! I thashë se ke dalë që më njëmbëdhjetë e nuk je
kthyer...
- Cfarë! Po unë deri ne farmaci isha...

- Pupupu... ai më tha se do të të gjente
në shtëpi...
- Epo mirë moj, çka këtu për të bërë
pupupu, do ta gjej në shtëpi,- i them dhe largohem me koleget mia.
- Cdo ti thuash tët shoqi?- filloi e para nga koleget.
- Si çdo ti them? Do ti them se isha në punë.
- Nuk ka për të të besuar!- u hodh tjetra.
- Përse nuk ka për të më besuar?
- Po
si të të besojë moj?- u hodh më e vjetra nga ne, - Ai vjen të
kontrollon përditë.
- Më kontrollon?- fillova të
qeshja,- C'ja këpusni kot edhe ju.
- Eshtë xheloz.
- Xheloz!?
- Dhe shumë. Ke parë ndonjë
burrë tonin të vijë kaq shpesh në ndërmarrje? Po pse moj, neve nuk na
duan burrat? Apo ke ndonjë gjë më tepër ti?
E mbylla. Arësyetimit të
saj nuk i hiqja dot as edhe një presje. Vazhduam një copë rrugë në
heshtje.
- Sajo ndonjë gjë, ndryshe kushedi se ç'ka
për të menduar, do të kesh sherr në shtëpi.-
e theu heshtjen njëra
prej kolegeve.
- Lerini këto budallallëqe!- i them me
të qeshur. Por dalëngadalë gazi erdhi duke u shuar e vendin e saj e
zuri dyshimi... Ishte xheloz burri im? Atëhere nuk vinte se kish
dëshirë ti kalonte me mua ato minutat e kafesë... siç më thoshte. Më
kontrollonte! Dreq o punë. Dhe pastaj thua se... e njeh mirë... Mendoja
situatën në të cilën isha futur pa dashje... se mos isha futur unë, ajo
portiere llaçka nuk mund të vinte e të kontrollonte..? C'ti them, me
ç'fytyrë do ti dal përpara? Ti them se isha në punë, nuk do të më
besojë... Dalëngadalë, në mendjen time, tiparet e fytyrës së tij
ndërruan formë, mu duk i frikshëm. Frika nga njëra anë dhe zemërimi nga
ana tjetër, që maskonte xhelozinë me fjalë të bukura të cilat i
besoja... E mblodha mendjen. E vendosa. Vetë e kërkoi... Zbrita nga
autobuzi e mora rrugën e shtëpisë. Njëqint metra para pallatit tim
banonte shoqja ime e ngushtë, ajo e anës së djathtë të bangës së
dikurshme. Ndalova poshtë dritares së saj dhe e thërrita. Doli e
qeshur, por e qeshura i ngriu në buzë kur dëgjoi:
-
Dëgjo, po të të pyesë im shoq, thuaji që kam qenë tek ti që nga ora
dymbëdhjetë e deri tani! - dhe pa e sqaruar, i ktheva krahë e nxitova
hapin për në shtëpi ku më priste... xhelozi i tmerrshëm.

Ma
hapi derën buzagaz. Kanë të drejtë... është mjeshtër në të maskuar...
- Po ku je moj grua, vij në shtëpi me mendje se do të
të gjej...
- Isha... tek... - Arta, desha t'i them,
por ajo e vjetra... bjeri shkurt... megjithëse në këtë rast nuk ishte
aspak e shkurtër...- Më fal!- i them.
- Më fal? Përse?-
u habit ai.
- Më fal se... - padashur fillova të
bëlbëzoja diçka për farmacinë, rojen, për atë që ai kish ardhur e nuk
më kish...
- E mirë, po ç'ka për të falur?
- Nuk e di se... ç'mund të kesh menduar.
- Asgjë, se do të gjeja në shtëpi.
- Po
kur nuk më gjete...
- Se do të kesh shkuar tek ndonjë
shoqe.
Buzëqeshja ishte aty, nuk kish lëvizur vendit, por ec e më thuaj
mua.
- Në fakt, desha të të thoja se isha tek një
shoqe. Nuk dija si të justifikohesha.
- Lëre këtë
muhabet, eja të hamë.
Kish shtruar dhe tryezën!!! Nuk u besoja syve. U
ulëm për të ngrënë. Fytyra e tij, mishërim i qetësisë, unë zieja nga
brenda. Më brente ndërgjegja që kisha dashur ta gënjeja. Mbaruam së
ngrëni e ai mori gazetën. Pikë për pikë, si zakonisht. Unë ngrita
tryezën.
- Më fal, por fajin e ka ajo...
- Do e lësh këtë muhabet!- toni i tij ishte i
bezdisur.
- Jo, por nesër ajo do të...

- Mjaft! Se më mërzite!Mbylle!
Dhe e mbylla. Nuk e zura më në gojë. Të
nesërmen provoi të vinte në ndërmarrjen time. E para filloi roja ta
sqaronte e ti kërkonte falje, pastaj koleget e mia, deri tek punëtorët
që ndodheshin rastësisht në oborr të ndërmarrjes. Të gjithë e kishin
marrë vesh. Muhabeti ziente, thashethemi që kapet në një fije floku e
bëhet tra... Im shoq nuk guxoi të vinte këmbë në ndërmarrje një muaj të
tërë, ndërsa unë prisja ngushëllime nga të gjitha anët për ndarjen
imagjinare, në çdo tryezë zyre e çdo repart. Në fillim u përpoqa ti
sqaroja... por pastaj e lashë fare, ku i mbushej mendja atyre pastaj...
sikur më vinte mirë nga gjithë ai solidaritet. Nuk i thonë shaka, një
ndërmarrje e tërë me dilte dëshmitare e më mbronte nga... burri
xheloz.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora