E premte, 29.03.2024, 12:19 PM (GMT)

Kulturë

Alfred Papuçiu: Ecuria e shkollës zvicerane dhe Shqipëria

E marte, 31.03.2009, 07:43 PM


Ecuria e shkollës zvicerane dhe Shqipëria

Nga Alfred Papuçiu

 Ideja për të hedhur këto refleksione për shkollën në letër, ishte e një mikut tim, i cili më shtyu të lexoj, të vështroj, të kuptoj se çfarë mund të marrë si shembull edhe shkolla jonë e pasur shqipe, nga shkollat e tjera edhe të vendeve të tillë të vegjël si Zvicra, që në rrugën e dijes dhe të shkencës, nuk e kanë patur gjithashtu të lehtë. Ideja për formimin në shkollë, shkolla për jetën, për të ardhmen, ka evoluar vazhdimisht edhe në Zvicër dhe përsëri edhe kur po shkruaj këto radhë bëhen përpjekje për ta përsosur atë. Natyrisht mendimet e mija nuk janë të një specialisti të mirëfilltë, si akademiku Bedri Bedja që ka shkruar gjatë e ka folur gjithë jetën bukur e me kompetencë për shkollën,qoftë edhe atë zvicerane gjatë qëndrimeve të tij në Zvicër, sidomos në Gjenevë e Nëshatel. Për më tepër në jetën time vetëm praktikën pedagogjike e kam bërë si mësues në Korçë, në gjimnazin "Petro Nini Luarasi", në vitet 70-të, bashkë me ish bashkëstudentin dhe mikun tim Agron (nga kujtimet më të bukura të jetës sime). Kam ndihmuar disa breza në përvetësimin e gjuhës së huaj, duke dhënë mësim me pasionin e një të riu, por si ish gazetar do të përpiqem të jap një imazh për disa momente të shkollës së larmishme dhe të përkryer zvicerane.
 Nëse më lejohet të bëj një digresion, të më falin lexuesit, në vitin 1991, i ftuar nga një profesor me zë i Oksfordit, Kajzer, me të cilin fati e dha të punoja disa kohë në Komisionin Ekonomik të OKB-së për Evropën në Gjenevë, mora pjesë në një bisedë të tij me punonjës të UNICEF-it dhe funksionarë të tjerë të organizmave ndërkombëtare. S'kish shumë kohë që Kajzer ishte kthyer nga Shqipëria, i dërguar për rreth një javë nga Kombet e Bashkuara (ka shkruar edhe më parë artikuj për Shqipërinë). Ai shtroi disa probleme interesante, por në të njëjtën kohë më bëri përshtypje se foli me keqardhje për prishjen e dhjetra e dhjetra shkollave tek ne, që i kishte parë me sytë e tij. E dëgjova me vëmendje bisedën e tij, dëgjova edhe ndonjë përshpërimë nga ata që më rrethonin (të cilët nuk e dinin që isha shqiptar) "si është e mundur të ndodhin gjëra të tilla sot" etj.
 Pasi drejtori i UNICEF-it për Evropën deklaroi se do të jepen 1 million dollarë ndihma për Shqipërinë, kërkova fjalën dhe skurtimisht theksova se shkolla shqipe ka tradita, shqiptarët pavarësisht nga rregjimi, izolacionizmi, e kanë dashur gjithmonë shkollën, dijen, kanë mësuar gjuhë të huaja, se në Shqipëri ka njerëz me kulturë, mësues e profesorë të shquar që bëjnë përpjekje për ecurinë e saj. Nëse për një moment ka ndodhur që një grup njerëzish kanë shkatërruar fasadat, shkollat, kjo nuk mund t'i verë në një shenjë barazimi me atë shumicë dashamirës të shkollës e të dijes që edhe në këtë periudhë kalimtare drejt demokracisë bëjnë gjithçka për rritjen e nivelit të shkollimit…  
E theksova këtë ide, pasi në çdo vend të botës, qoftë edhe ai më i civilizuari, ka patur të tatëpjeta dhe të përpjeta, ka patur edhe probleme, që vetëm me mund e djersë, me përpjekje, janë kapërcyer. Tabloja ka ndryshuar krejtësisht edhe tek ne që nga viti 1991, shkollat janë rindërtuar, falë edhe kujdesit të vetë shqiptarëve mësimdashës, por edhe të organizmave ndërkombëtare, që në një formë ose tjetër kanë ndihmuar Shqipërinë. Ndërkaq me qindra e qindra shqiptarë kanë pasur mundësi këto vite të studjojnë jashtë shtetit, të shtojnë dijenitë e tyre për fusha të ndryshme të shkencës, teknikës, të kulturës, artit, duke përfshirë edhe atë evropiane. Vetë pata fatin të ndjek studimet e larta evropiane në Gjenevë, ku në 1993, mora diplomën për studimet e larta evropiane. Para disa kohësh u festua tek « Château de Coppet » ku është qendra evropiane për Institutin e Gjenevës ,40 Vjetori i krijimit të tij dhe ku ishin të pranishëm edhe studentë nga Shqipëria. Nuk e di ,por u mallëngjeva kur në botimin shumë të bukur me këtë rast « Të mendojnë si Evropë » përmendeshin dhe punimet e ish-studentëve shqiptarë për Evropën. Duke u nisur nga ky rast mendova të shkruaj diçka për Zvicrën, vendin ku edhe pse me tre kultura e tre gjuhë, popullsia e saj është e prirur drejt Evropës, bën pjesë gjeografikisht në të, por ka edhe zgjedhjen e vet lidhur me marrëdhëniet me Evropën dhe me shtetet e saj anëtare.
Nëse flasim për Zvicrën, një vend pra ku fliten tre gjuhë të huaja (frëngjishtja, gjermanishtja, italishtja - zyrtare, si dhe romansh), rruga drejt dijes, artit, drejt prosperitetit, paqes sociale, nuk ka qenë e lehtë. Vetëm në sajë të punës dhe shpirtit krijues të popullit zviceran, të institucioneve të tij politike, ekonomike dhe shoqërore, artistike, të frymës humaniste, për një mjedis të pastër, të vëllazërisë dhe dashurisë për njeri tjetrin, Zvicra ka arritur stadin që dihet sot. Po të shohësh muzeun "Alimentarium" në Vevei, qytet i dëgjuar, ku një pjesë të jetës së tij e ka kaluar Carli Caplini, e kupton se sa e vështirë ka qenë jeta në të kaluarën: zviceranët hanin vetëm bukë të zezë, nuk hanin as njëherë në javë mish, nuk kanë minerale, pasuri natyrore, por vetëm me punën e tyre, me djersë, me dije, kapërcyen etapat…
 Le të kthehemi tani tek ndërtimi dhe struktura e shkollës zvicerane, e cila është shumë e larmishme dhe për mua është e vështirë të jap një imazh shumë të saktë për të. Megjithatë, duhet thënë se në etapa të caktuara, shkolla zvicerane ka qenë privilegj. Për shembull, në vitet gjashtëdhjetë, një kolezh në Gjenevë ka qënë i frekuentuar vetëm nga djem dhe një pjesë e vogël ishin vajza. Objektivi kryesor fillimisht ka qenë: t'u jepet mundësi drejtuesve të ardhëshëm në fusha të ekonomisë, për të zotëruar dijet në teknikë dhe shkencë, që të jenë jo vetëm njerëz të mësuar dhe me kulturë, por në radhë të parë të jenë humanistë dhe të sinqertë, të mendojnë "Shoqata e profesorëve të arsimit të mesëm", i cili u hartua pas një konsultimi të gjerë, ka dy momente kyçe: demokratizimin dhe hapjen. Ishte fjala që arsimi jo i detyrueshëm të bëhej i kapshëm dhe me përfitim për të gjithë të rinjtë që i kishin njohuritë e domosdoshme, cilado qoftë origjina e tyre shoqërore. Arsimi i mesëm u reformua duke shtuar disiplina të reja, si ekonominë, gjuhët moderne, si dhe lëndë të tilla që tashmë quheshin të domosdoshme për të ecur në shoqërinë e gjysmës së dytë të shekullit të njëzetë. Në vitin 1968, u miratua një ligj për njohjen e çertifikatave të maturës, i cili pas shtatëdhjetë vjet diskutimesh, dha mundësinë e njohjes në shkallë të Konfederatës Zvicerane, të maturës në degën shkencore.
 Për ta spjeguar më mirë këtë fakt, për të cilin do të flasim edhe më poshtë, shkolla zvicerane është e ndërtuar në mënyrë të tillë: pas nëntë vjet shkollë primare, është shkolla e mesme - zakonisht katër vjet- e pastaj mund të shkosh në shkollën e lartë, ose në drejtim profesional. Drejtimet kryesore të saj janë: matura klasike, shkencore dhe artistike. Në çertifikatën e maturës duhet të figurojnë këto disiplina, për të gjitha tipet e maturës: 1. Gjuha amtare (frëngjisht, gjermanisht, italisht); 2. Një gjuhë e dytë kombëtare (frëngjisht, gjermanisht, italisht); 3. Historia; 4. Gjeografia; 5.Matematika; 6. Fizika; 7. Kimia; 8. Shkencat natyrore; Vizatimi ose muzika; 10. Edukimi fizik.
 Këtyre disiplinave u duhen shtuar edhe dy disiplina të tjera për çdo lloj tipi mature: për tipin A (seksioni klasik): latinishtja dhe greqishtja; për tipin B (seksioni latin): latinishtja dhe një gjuhë e tretë kombëtare apo anglishtja për tipin C (seksioni shkencor): matematika e aplikuar dhe një shkencë eksperimentale (fizika apo kimia); për tipin D (seksioni modern): një gjuhë të tretë kombëtare ose anglishtja dhe një gjuhë tjetër moderne (spanjishtja apo rusishtja). Aktualisht tre kolegjet e Gjenevës kanë edhe një seksion artistik: kolegji "Volter" (seksioni u krijua në 1970), "Klapared" dhe "De Sosyr". Ky seksion përfshin dy ndarje: artet vizuale dhe muzikën. Këto dy ndarje përmbajnë disiplina të cilat zhvillohen nga profesorët afro 40 orë në javë, të ndarë në katër vjet. Seksioni artistik është një nga seksionet më i ngarkuari në orë, pasi përveç italishtes, nxënësit kanë të njëjtat orë mësimi në disiplina të tilla që bëhen edhe në seksioni modern. Përveç kushteve të pranimit që janë të njëjta, si në gjithë kolegjet, hyrja e një nxënësi në seksionin artistik, bëhet mbi bazën e një takimi paraprak me profesorët, ku shihen aftësitë e tij specifike të fituara më parë. Për ndarjen "artet vizuale", nxënësi është i detyruar të paraqesë një sërë punimesh personale dhe nëse ka aftësi për muzikë (seksioni "muzike") ai paraqet një pjesë instrumentale apo vokale sipas dëshirës së vet.
 Ideja kryesore që mbizotëroi në krijimin e seksionit artistik në një kolegj të caktuar lidhej drejtpërdrejt me objektivin e formimit të nxënësit nga ana e kulturës së përgjithshme: nuk mund të mohohej fakti se disiplinat e artit vizual apo muzikor luajnë një rol formues po aq sa edhe gjuhët e vjetra apo shkencat e quajtura ekzakte. Mbi këtë bazë lindi ideja që edhe në kantonet e Gjenevës, Zyrihut dhe Bazelit të njihet nga ana e Konfederatës, matura artistike. Nëse përfundon për shembull kolegjin Klapared, në seksionin artistik, duke dhënë provim edhe gjuhën italiane, ke të drejtë të hysh në universitet në një degë moderne, kjo në rast se nuk ke aftësi të veçanta për pikturë apo muzikë, pra nëse nuk ke shkëlqyer gjatë katër vjetëve të firmimit si nxënës deri sa ke arritur në maturë.
 Duke u kthyer përsëri tek rruga e reformimit të shkollës zvicerane theksojmë se në vitin 1969, kolezhi në Gjenevë bëhet më i gjerë dhe fillon të rigrupojë ndarjen e shkollës së lartë të kolezhit Kalvin, asaj të shkollës së lartë të vajzave (që më vonë prishet për t'u kthyer tek kolezhi Kalvin) dhe kolezhi Ruso. Në të njëjtin vit, një komision i kryesuar nga ish dekani i kolezhit Volter, paraqet një projekt përfundimtar për krijimin e një mature artistike që i korespondonte kërkesave të normave federale. Gjatë viteve, shkolla përsëri u reformua për të arritur deri më sot.
 Le të bëjmë këtu një digresion. Një ditë (para disa vitesh) pata fatin të jem i ftuar në një mbledhje të prindërve në darkë në kolezhin Klapared. Ishte një mbledhje e thjeshtë, gjatë së cilës profesorët dhe dekanët e seksioneve (klasike,moderne dhe artistike) kishin ardhur të përgatitur për t'i spjeguar auditorit se çfarë zhvillonin fëmijët e tyre në shkollë, cilat ishin interesat e tyre dhe ecuria e tyre. Ndërkohë, para fillimit të mbledhjes  u organizua hapja e një ekspozite me vizatime të nxënësve të kolezhit, të cilët gjatë tre ditëve kishin kaluar bashkë me profesorët e tyre orë të këndshme në natyrë. Punimet e tyre dëshmonin për një punë të kujdesëshme që ata kishin bërë për të dhënë përshtypjet e tyre për mjedisin rrethues, për ndryshimin e kohës, për pyjet, për njerëzit, për ndryshimin e ngjyrave gjatë ditës etj. Në ekspozenë e dekanëve përkatës u hodhën idetë që përmendëm pak më parë lidhur me disiplinat që zhvillojnë nxënësit gjatë javës në seksionet e tyre. Ndjehej një preokupacion i dekanëve për të spjeguar sa më qartë punën e tyre, premisat për të ardhmen, gjë që u konkretizua pastaj në mbledhjet e klasave përkatëse. Aty referuan me radhë mësuesit e lëndëve, të cilët hodhën i denë e formimit të nxënësve për t'u përgatitur për jetën, por gjithashtu për të patur parasysh interesat e tyre, mentalitetin e tyre, dëshirat, bile edhe mundësitë që ekzistojnë për t'i ndihmuar nëse hasin ndonjë vështirësi në burimet financiare për vazhdimin e shkollës. Më bëri përshtypje gjithashtu se përveç faktit se ekzistojnë libra shkollorë, profesorët i jepnin rëndësi edhe mbajtjes së shënimeve nga ana e nxënësve, pasi mendimi për një disiplinë evoluon, siç evoluon për shembull mendimi për "historinë moderne", "historinë e artit" (këndvështrimi), bile edhe për edukimin fizik. Preokupacioni kryesor, edhe i profesorit të edukimit fizik ishte që nxënësit të arrijnë të gjithë nivelin mesatar, por duke bërë përpjekje vetiake. Rëndësi kryesore ju dha edhe punimeve vetiake të nxënësve, detyrave me shkrim, për të parë formimin e tyre, vizionin e tyre për shembull për historinë moderne, për kulturën. Rëndësi i jepej sidomos fitimit të dijenive në shkollë. Nxënësit që kanë nevojë të forcojnë dijet e tyre në gjuhë të huaja, marrin pjesë në kurse përforcuese për gjuhët.
 Nëse me lejohet të bëj një digresion, piktori dhe skulptori i pasionuar zviceran, Blaise Perret ka paraqitur në një ekspozitë një nga punimet e tij, e frymëzuar nga "Telat e violinës" e Bujar Kapexhiut. Gjithashtu, pikturat e Edi Hilës shikohen me admirim në një mjedis të Gjenevës. Nuk mund të ri pa përmendur edhe pikturat e Gent Papuçiut, të riut që ka mbaruar shkollën në Gjenevë me drejtim artistik, por që rrugët e jetës e detyruan të vazhdojë edhe studime në një fushë tjetër, atë të manazhimit dhe të informatikës. Megjithatë, ai nuk e lën pas dore penelin dhe kavaletin e tij, dhe shpesh pikturon, duke sjellë edhe nota të bukura nga viset shqiptare. Piktura e tij, me valltarë të gëzuar nga Shqipëria në festë që është depozituar në Kombet e Bashkuara në Gjenevë, disa vite më parë, dhe tashmë është përfshirë në kopertinën e një libri dy gjuhësh, shqip dhe frëngjisht.
 Gjatë vizitës, nxënësit e shkollës na dhuruan disa nga punimet e tyre, të cilat dëshmonin për shpirtin krijues, si dhe për mënyrën e komunikimit të lirë nxënës-profesor, të cilët ndihmojnë njeri tjetrin në mbarëvajtjen e mësimit formues. Ideja e shkollës- përgatitje për jetën, për të ardhmen, për shkencën, teknologjinë, informatikën, arkitekturën, etj., mbizpotëron dhe nxjerr forma të reja për përgatitjen e brezit të ri.
 Duhet theksuar se edhe reforma e shkollës zvicerane lidhet me nevojat sidomos jo vetëm për momentin aktual, por edhe për të ardhmen. Duhet nënvizuar gjithashtu, siç pranohet edhe nga vetè specialistët zviceranë në fushën e arsimit, se në krahasim me atë që ndodh në vendet e tjera, shkollat e mesme zvicerane, edhe të artit, janë në një gjendje më të privilegjuar, pasi "liria e veprimit dhe marzhi i manovrimit të institucioneve arsimore është i konsiderueshëm". Një anketë e bërë kohë më parë (anketat janë të shpeshta dhe bëhen në shkallë kombëtare) dëshmoi se "shumë novacione janë rezultat i nismave të ardhura nga baza, bile shihet njëfarë ngurimi për t'i bërë të njohura këto përvoja, nga frika se ato humbin karakterin e tyre intim, të vetë institucionit arsimor…"
 Problemi i njohjes se diplomave në Evropën që po ecën drejt shekullit të 21-të, është preokupues, i cili me reformimin gradual të shkollës zvicerane po bëhet realitet. Edhe në kuadrin e krijimit të Evropës komunitare, megjithëse Zvicra nuk ka hyrë akoma në të, si rezultat i votimit federal (megjithëse Zvicra s’ka pak vite që u bë anëtare me të drejta të barabarta e Kombeve të Bashkuara, si rezultat i votimit nga ana e popullsisë multi-etnike), në planin e edukimit po miratohet parimi i "besimit reciprok", duke ecur drejt vendosjes në radhë të parë të qarkullimit të lirë të njerëzve në të ardhmen, dhe duke harmonizuar sa më tepër të jetë e mundur sistemet e arsimit. Zvicra ka një veçori dalluese, sepse në gjirin e saj jetojnë e punojnë popullsi e ardhur nga e gjithë bota, dhe të gjithë komunitetet e ndryshme, në sajë të mirëkuptimit të autoriteteve zvicerane, kanë të drejtë të zhvillojnë gjuhën dhe zakonet e tyre. Instituti evropian që festoi 40-të vjetorin e krijimit të tij është një shembull i qartë i përfshirjes së Zvicrës në rrjedhën e të gjithë Evropës, ashtu siç shpresojmë edhe në një të ardhme jo të largët për vendin tonë të lashtë dhe me njerëz punëtorë, Shqipërinë që i përket krejtësisht kësaj Evrope, që e ka vendin e saj në korin e përbashkët të përfaqësuesve evropianë në Bruksel apo gjetiu. Le të më lejohet të përmend fjalët e profesorit tim të shquar të historisë evropiane, drejtorit të Institutit Evropian në Gjenevë, Philippe Braillard, i cili në hyrje të botimit «  Penser l’Europe » (Të mendosh Evropë), shprehet ndër të tjera : « Instituti kërkoi të nxjerrë përfitimet më të mira krahasuese të Zvicrës dhe në veçanti të Gjenevës. Është dimensioni i jashtëm i integrimit evropian që mund të studjohet më mirë në një vend, i cili, duke qënë në të njëjtën kohë në zemër të Evropës, nuk është anëtar i Bashkimit Evropian dhe në një qytet të hapur drejt Evropës dhe botës, në sajë të traditës së vet kulturore dhe veprimtarive të shumta ndërkombëtare…Megjithatë, pasuria më e madhe e Institutit evropian qëndron tek studentët e tij, nga të cilët më tepër se tetëdhjetë përqind vijnë nga jashtë dhe num,ri i tyre rritet qysh prej disa vitesh. Ata përfaqësojnë një diversitet të veçantë interesash intelektuale, traditash dhe kulturash, me imazhin e një Evrope, uniteti i së cilës nuk mund të krijohet veçse me njohjen e këtij diversiteti ».
Edhe studentët shqiptarë që studjojnë në Institutin Evropian të Universitetit të Gjenevës, le të shpresojmë që një ditë do të jenë krijuesit e Institutit Evropian në Tiranë, mendim që po piqet  që do të marrë rrugë ndoshta së shpejti, me krijimin e kushteve të përshtatshme, për fillimin e një nisme të tillë fitimprurëse për Shqipërinë dhe shqiptarët.
 Për çdo vend të veçantë nuk ka receta të prera, ka veçori dhe kultura të ndryshme, prioritete, por me reformimin e shkollës që ka ecur në rrugë të mbarë edhe në Shqipëri, niveli i shkollës së saj, me armatën e madhe të nxënësve të etur për dije, art e shkencë, për kulturë, si dhe me mësuesit dhe profesorët që mendojnë për të ardhmen e vendit, për gjeneratën që do të çojë më përpara demokracinë në vend, do të arrijë stade të nivelit evropian.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora