E premte, 29.03.2024, 09:34 AM (GMT)

Kulturë

Baki Ymeri: Vepra e parë tregimtare e një autori kosovar në gjuhën rumune

E marte, 31.03.2009, 06:40 PM


Botime të reja bukureshtare
 
VEPRA E PARË TREGIMTARE E NJË AUTORI KOSOVAR NË GJUHËN RUMUNE

Nga Baki Ymeri
 
Pas një serë librash me prozë nga Shqipëria, të botuara që nga vitet '50-të të shekullit të shkuar, Sytë e fushës/ Ochii campului, është vepra e parë tregimtare e një shkrimtari kosovar që e pa këto ditë dritën e botimit në Bukuresht. Në kuadrin e një vëllimi të bukur prej tetë tregimesh të Ali D. Jasiqit, defilon e vërteta për Kosovën në kohën kur funksiononte mekanizmi jugosllav i persekutimeve serbe kundër shqiptarëve të kësaj zone. Autori shquhet për vlera reale në fushë të kritikës letrare, duke mos e anashkaluar prozën tregimtare, madje edhe poezinë. Aliu din të meditojë duke realizuar faqe briliante të prozës shqipe, duke trajtuar subjekte që kanë të bëjnë jetën e vdekjen, lirinë dhe persekutimin e saj, karakterin shqiptar të mbujtur me sinqeritet, trimërinë, besë dhe ndershmëri. Shkrimtari din ti portretizojë personazhet në ambiente dhe kohë të ndryshme, duke i hymnizuar atdhetarët dhe demaskuar shërbëtorët e sistemit komunist: "Edhe më interesante ishte mënyra se si i kishin hetuar. Flitej se një ish bashkëpunëtorë i tyre, një njeri të cilit i kishin besuar shumë, pasi ia kishin dërguar një letër dhe i kishin treguar se ku gjendeshin, në vend që të shkonte në takim me ta, kishte shkuar në polici dhe i kishte tradhtuar. Por, ata edhe më të mençur. Kishin porositur një bashkëpunëtor tjetër që ta përcillte të parin dhe pasi ky e kishte parë atë që kishte hyrë në stacionon e policisë, i kishte lajmëruar dhe ata kishin ndërruar konak. Dhe kështu i kishin shpëtuar rrethimit të parë. Por, pas kësaj kishin burgosur shumë fshatarë, disa nga të cilët edhe janë kalbur nëpër burgje. Madje për njërin thuhet se kishte vdekur nga torturat që kishte përjetuar në polici".
Ky është vetëm një nga temat që trajtohen në këto tregime, në të cilat autori ka sjellë edhe motive tjera nga jeta e përditshme e njerëzve të këtij nënqielli. Interes të posaçëm zgjon,bie fjala, qëndrimi i ndryshueshëm i Draganit të tregimit “Metafora”, i cili deri në fillim të luftës së fundit paraqitej si njeri urtë, i sjellshëm dhe gjithsesi dashamirës, por që në esencë kemi të bëjmë me një person që fsheh në vete një shpirt kazmë, që shpërthen në momentin e dhënë. Jasiqi këtë protagonist i ka vijëzuar me mjeshtri të lakmueshme. Ngjashëm është vepruar edhe me protagonistët tjerë të këtyre tregimeve, siç është për shembull veprimet e mërgimtarit në Turqi, përkatësisht e atij që në fillim mendon se do të duhej të shpërngulet por heq dorë duke parë veprimet e pushtetit turk ndaj popullatës shqiptare, apo edhe ai i ushtarëve që pa kurrfarë arsye e vrasin bariun vetëm pse  ishte shqiptar e të ngjashme me këto dhe besojmë se këto tregime do të priten mirë nga publiku lexues rumun. Sepse janë shkruar rrjedhshëm dhe me një mjeshtri të lakmueshme të shtruarjes dhe thurjes seë lëndës tregimtare. Librin Sytë e fushës e botoi Redaksia e revistës Albanezul/Shqiptari, në bashkëpunim me Bashkësinë Kulturore të Shqiptarëve të Rumanisë. Tregimet Metamorfoza,  Fusha sytë e mali veshët,, Rrëfimi i Gani Gabelit, Letër nga Stambolli, Ikja në mesantë, Pagëzimi, Varri në breg të përroit dhe Rrushja janë të përkthyera me mjeshtëri nga Adriana dhe Sherban Tabaku. Po përkujtojmë me këtë rast faktin se nga vëllimet me prozë tregimtare nga autorët shqiptarë shquhet antologjia Logodnica (Fejesa) e Luçia Djamo - Diaconicës, botuar në Bukuresht më 1968, në kuadrin e Shtëpisë Botuese Editura Pentru Literatura Universala, një vëllim voluminoz prej 380 faqesh, që doli në një tirazh prej 6.140 ekzemplarësh, me tregime të Nonda Bulkës, Ali Abdihoxhës, Sotir Andonit, Miço Kallamatës, Aleks Çaçit, Jakov Xoxës, Fatmir Gjatës, Dhimitër Xhuvanit, Petro Markos, Shefqet Musarajt, Naum Priftit, Zihni Sakos, Sterjo Spasses, Dalan Shaplos dhe Dhimitër Shuteriqit.. Në ndërkohë e kanë parë drtitën e botimit në gjuhën rumune disa nga romanet e Kadaresë, Bedri Dedjes, Besnik Mustafajt etj., të rikënduara nga Foqion Miçaço, Luan Topçiu, Marius Dobresku etj., si dhe disa tregime autorësh kosovarë që e kanë parë dritën e botimit nëpër revista të ndryshme letrare (Nazmi Rahmani, Anton Pashku, Ibrahim Kadriu etj.).
Përndryshe, Ali D. Jasiqi u lind në Jasiq të Junikut, më 1937. Shkollën fillore e kreu në Junik e në Deçan. Normalen e filloi në Gjakovë dhe e kreu në Prishtinë. Në Prishtinë e kreu edhe Fakultetin Filologjik (Gjuhë e Letërsi Shqipe). Ka punuar si gazetar në të përditshmen "Rilindja", kryeredaktor i revistës "Fjala", drejtor i Njësisë punues të revistave në kuadër të NGBG "Rilindja" dhe kryeredaktori i revistës letrare "Jeta e re". Ka qenë sekretar dhe kryetari i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës. Me shkrime letrare filloi të merret si nxënës. Në fillim ka shkruar poezi dhe proza, për t’u kushtuar mandej kritikës letrare dhe studimit. Vjershën e parë e botoi në "Zani i rinis" më 1957. Ka përgatitur për botim përmbledhjen e tregimeve "Ago Jakupi dhe rrëfime të tjera të Mitrush Kutelit", botuar më 1967, tregimet "Talush Efendia" të Zekeria Rexhës (të nënshkruara me pseudonimin Ramë Zuka), 1973, përmbledhjen e poezive për fëmijë "Lulet e para" të Fahredin Gungës dhe Bedri Hysës, ka përgatitur disa numra tematikë të revistës "Jeta e re", qoftë vetëm apo edhe me bashkëpunëtorë etj. Ka bashkëpunuar me të gjitha revistat letrare që botoheshin në gjuhën shqipe në ish/Jugosllavi. Librat e tij kanë dalë në Prishtinë, Tiranë dhe Shkup. Bibliografi letrare: "Josip V. Rela " (1968), "Pesha e fjalës" (1971, "Shfletime (1972), "Shenjë në lis" (1974, ribotim, 1980), "Premtime dhe realizime" (1976), "Qazim Tolaj - simbol i drejtësisë pedante" (2002), "Pesëdhjetë shkrime për poezinë" (2007), "Tridhjetë e një shkrime për prozën, studimet e të tjera" ( 2007), "Krejt më dukej ëndërr" (2007). I është emituar një dramë televizive ("Shtenja në ajër") dhe tri radiodrama.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora