E shtune, 20.04.2024, 06:28 AM (GMT+1)

Mendime

Petrit Haliti: Inati i Spanjës me Kosovën dhe NATO-n

E hene, 30.03.2009, 06:51 PM


Inati i Spanjës me Kosovën dhe NATO-n

Nga Petrit Haliti

Qeveria e kryeministrit socialist, Jorge Rodriguez Zapatero, nuk e kishte menduar se veprimi i saj i njëanshëm dhe i papritur për tërheqjen e trupave spanjolle, që ndodhen në përbërje të KFOR-it në Kosovë, do të kishte efekte negative për reputacionin dhe kredibilitetin e Spanjës në Aleancën Atlantike, në Europë dhe në arenën ndërkombëtare. Nuk është e qartë ende se përse Spanja, një anëtare e NATO-s, shkeli një nga normat bazë të Aleancës Atlantike, që është respektimi i marrëdhënieve të partneritetit dhe të detyrimeve ndaj aleancës në shkallë ndërkombëtare. E vetmja gjë e qartë që del nga ky veprim i qeverisë spanjolle dhe nga krejt politika e saj kundrejt Kosovës, është se ka emocion ose më saktë hiperemocion zyrtar, i cili nuk mund të jetë element i një politike të jashtme dhe diplomacie realiste. Sepse vetëm një ngarkesë e pakontrolluar emocionale e personale mund të shpjegojë një hap, i cili krijoi të çara në marrëdhëniet e Spanjës me aleatët e saj dhe që natyrisht nuk mund të konsiderohet se është në të mirë të vetë Spanjës.
Me vendimin e njëanshëm për të tërhequr trupat spanjolle, që ndodhen në kuadër të misionit të NATO-s në Kosovë, Madridi krijoi një efekt negativ në marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Zëdhënësi i departamentit të shtetit, Robert Vud, e evidentoi situatën e krijuar në marrëdhëniet dypalëshe, duke u shprehur se SHBA janë “thellësisht të pakënaqur” me vendimin spanjoll. Uashingtoni e shkallëzoi reagimin e tij, me hapin diplomatik të thirrjes në departamentin e shtetit të ambasadorit të Spanjës në SHBA, Jorge Dezcallar, për t’i kërkuar shpjegim. Pas kësaj, vetë sekretari i përgjithshëm i zyrës së kryeministrit spanjoll, Bernardino Leon u detyrua të marrë avionin të nesërmen për të dhënë shpjegime në Uashington.
Një efekt negativ krijoi vendimi spanjoll edhe në marrëdhëniet e Spanjës me Aleancën Atlantike, ku sekretari i përgjithshëm, Jaap de Hop Scheffer e kritikoi duke i kujtuar Madridit se çdo hap për tërheqje nga Kosova duhet bërë brenda aleancës. Pakënaqësi ka pasur nga një numër i madh shtetesh të NATO-s, ku siç bënte të ditur “Euronews” më 27 mars, vendimi spanjoll ka shkaktuar një mosaprovim nga shumë shtete anëtare të aleancës ushtarake. Çështja nuk shtrohet se ata 600 ushtarë spanjollë të tërhequr do të krijojnë ndonjë vakum të madh në strukturat e sigurisë, që forcat prej 15 mijë ushtarësh të NATO-s kanë në Kosovë. Çështja është tek lojaliteti dhe serioziteti ndaj angazhimeve dhe detyrimeve si anëtar i NATO-s dhe ndaj misioneve të saj ndërkombëtare të paqes e të sigurisë.
Ajo që habit është jo vetëm vendimi i njëanshëm i Spanjës, por edhe mënyra se si u ndërmor ai, kur as qeveria spanjolle e as ministria e saj e Mbrojtjes, nuk konsultuan e as njoftuan paraprakisht NATO-n për këtë vendim, të cilin e shpalli si surprizë ministrja e mbrojtjes e Spanjës, Carma Chacon, gjatë një vizite në Kosovë më 19 mars tek trupat spanjolle të vendosura në Istok.
Karakteri surprizë dhe mistika e ndërmarrjes së vendimit spanjoll, nuk flasin në favor të korrektësisë që kërkojnë normat e partneritetit atlantik dhe europian, dhe hedhin hije dyshimi mbi qëllimet e vërteta të qeverisë spanjolle dhe të kryeministrit të saj. Pretendimet zyrtare, se tërheqja po bëhet ngaqë Spanja nuk mund të ketë trupa në një shtet të cilin nuk e njeh, nuk duket se janë të mjafta të largojnë dyshimet që thamë më sipër. Inati i Spanjës ndaj shpalljes së pavarësisë nga parlamenti dhe populli i Kosovës nuk ka baza dhe nuk shpjegohet dot as me interesa të saj në Ballkan, as me motive të brendshme të problemeve baske apo katalane. Ai duket sikur shkon përtej këtyre dhe merr përmbajtjen e një inati edhe ndaj vetë Aleancës Atlantike.
Qeveria spanjolle e ndërmori vendimin e tërheqjes së saj nga trupat e NATO-s në Kosovë me një objektiv të errët, sepse koha që zgjodhi ishte më e papërshtatshmja që mund të mendohet. Vendimi spanjoll bëhet:
-në prag të samitit të NATO-s në Strasburg.
-në prag të vizitës së presidentit të ri amerikan, Barak Hosein Obama, në Europë.
-në prag të zgjerimit zyrtar të NATO-s në Ballkan, me anëtarësimin e Kroacisë dhe të Shqipërisë.
- prag të futjes në NATO të një shteti, i cili çështjen e Kosovës e ka një nga përbërësit kryesorë të çështjes së tij kombëtare, pra të Shqipërisë.
-në përvjetorin e parë të pavarësisë së Kosovës, kur ka kaluar një vit nga shpallja e pavarësisë.
Çdo qeveri e përgjegjshme do të kishte marrë në konsideratë këta faktorë dhe do të kishte menduar një kohë tjetër për vendimin e saj të njëanshëm të tërheqjes së trupave të saj nga një mision i NATO-s, mision të cilin NATO nuk e quan të përfunduar.
Kryeministri spanjoll është përpjekur ta justifikojë aktin e tij me situatat e brendshme. Kjo nuk duket bindëse, sepse hapi i tij nuk ka gjetur miratim e arsyetim as brenda vetë Spanjës. Një nga udhëheqësit kryesorë politikë të vendit, Mariano Rajoy, lider i Partisë Popullore, deklaroi se “vendimi i qeverisë ka kapur NATO-n dhe gjithë aleatët tanë në befasi dhe ka krijuar një problem me pasoja të pallogaritshme për Spanjën në shkallë ndërkombëtare”. Në gazetën “El Pais”, përgjithësisht simpatizante e qeverisë, profesori Jose Ignacio Torreblanka shtroi me këtë rast pyetjen: “Çfarë problemi ka Spanja?”, sepse ai nuk arrinte të kuptonte logjikën e arsyetimeve të qeverisë për këtë veprim.
Duket se qeveria e tanishme e Spanjës nuk ka ende një perceptim të qartë të rolit dhe peshës së vendit në marrëdhëniet ndërkombëtare. Në vend që ta kërkojë këtë rol në forcimin e partneritetit atlantik dhe europian, ajo duket sikur ka zgjedhur rrugën e gabuar të krijimit të problemeve brenda aleancës euroatlantike, nëpërmjet veprimeve të njëanshme, si ky i tërheqjes së trupave nga përbërja e forcave të NATO-s në Kosovë.
Faktori i parë, që me sa duket ndikon në këtë politikë jashtë linjës euroatlantike, duhet të jetë filozofia politike e kryeministrit Zapatero dhe e partisë së tij socialiste, të cilat po dëshmojnë në disa drejtime se nuk janë shkëputur nga matricat e vjetra socialiste të antiamerikanizmit dhe të antiatllatizmit. Nëse pesë vjet më parë në prill 2004, sapo erdhi në pushtet, Zapatero ndërmori hapin e qartë antiamerikan të tërheqjes së gjithë trupave spanjolle nga Iraku, tani në mars 2009 ndërmori hapin antiatlantik të tërheqjes së gjithë trupave spanjolle nga Kosova.
Faktori i dytë duket se janë marrëdhëniet e posaçme dhe lidhjet personale, që kabineti qeveritar spanjoll ka krijuar me Serbinë, për hatër të së cilës zgjodhi të bëjë ndryshe nga 22 shtetet e BE-së, dhe të mos e njohë Kosovën, dhe për hatër të së cilës tani po godet politikën atlantike, duke larguar trupat e veta nga forcat e NATO-s në Kosovë. Më gjerësisht për këtë serbizim të diplomacisë spanjolle kemi shkruar më parë në faqet e kësaj gazete.
Një faktor tjetër që përmendet në tryezat diplomatike, është edhe presioni i Rusisë, nëpërmjet marrëdhënieve dypalëshe, por sidomos nëpërmjet ndikimit, që Moska ka në Amerikën Latine dhe ku Spanja ka interesa shumë të mëdha. Fakti që Spanja është bashkuar hapur me Rusinë në një ofensivë diplomatike për të sabotuar njohjen e Kosovës nga shtetet e Amerikës Latine, hedh shumë dyshime mbi arsyetimin se Spanja nuk e njeh Kosovën për shkak të problemeve me baskët.
Spanja nuk ka interesa të veçanta në Kosovë, nuk ka as në Shqipëri. Por duhet gjetur mënyra për t’i bërë të qartë asaj se qëndrimet jo miqësore dhe kundërvënëse ndaj së drejtës jetike të popullit të Kosovës për pavarësi dhe për shtetin e tij të pavarur, prekin interesat kombëtare të të gjithë kombit shqiptar dhe nuk mund të kalojnë në heshtje.



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora