Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Mehmetali Rexhepi: Shqiponjë Luleëndjen

| E hene, 30.03.2009, 06:00 PM |


Mehmetali Rexhepi
Mehmetali Rexhepi
FRYMËZIM

Mehmetali REXHEPI

SHQIPTOJE LULEËNDJEN

“CICËRIMAT...” sikurse vjet edhe sivjet, nuk do të ndalen as nga ngricat dimërore, as nga vapa verore, as nga tërmetet regjimore... Kështu do të ndodhë falë atyre që dehen luleëndjeve... Ata kanë shtytje dialektike për tu artikuluar...
 Ndaj, duke dashur që të cicërojnë sa më afër dhe mes nesh, le të thurim çerdhe, që t’i bashkojmë pikërisht në bibliotekë larushitë e melodive të tyre.
 Para se t’i akordojmë në korin e zërave, gjithsesi t’i dëgjojmë, shohim e ndjejmë: timbret e zërit, meloditë, ngjyrat, prekjet, ndjeshmëritë, figurat, mbresat dhe frymën...
 Dhe t’ua akordojmë telat e kitareve të zemrave, që të bukurkumbojnë, të mos tingëllojnë si grithma të çakorduara, si një burim që nuk shuan etje; edhe nëse shuan, shuan vetëm për një vetje të çakorduar. Por ne, çfarë duam ne? Duam gurgullimë e fëshfërimë të rrjedhës nëpër gjethe, freski të ndërsjellë: për mua, për ty, për ne, për ju, për ata edhe ato.
 Këto drithërima, ky blerim i brishtë në shkretëtirën e përkeqjeve të vijueshme të shpirtngushtisë njerëzore, mëtojnë t’i ngrehin çerdhet e veta të çiltërisë.
 Andaj, përgëzime shqiptime! Përgëzime për shqiptimin e shkëlqimit të bardhësisë të së këndshmes suaj!
 Nënvizojmë një pohim në mënyrën dëftore: dhjetëvjeçarëve të kaluar orët letrare i kishim të përgjuara. Nga kush? Nga syri e veshi i robëruesit ortodoks a shërbyesit e tij. Shumëkush i frikësohej shqiptimit të fjalës liri, por poeti joshej drejt saj, ndoshta drejt tehut vezullues në sy?
 Orëve letrare mbajtur nëpër klasa pasqyronim fytyrën, por jo mynxyrën... Edhe kur nuk e shqiptonim ankthin e robërisë, jonizoheshim me magjiken e padukshme të lirisë, fshehur në figura dhe mes rreshtave të vargjeve.
 Po tash? Çfarë tash e çfarë tutje? A do të fitohet dhe kultivohet liria? Poezia e prozës dhe proza e poezisë gjithsesi do të lëvrohen. Dhe, do të derdhim, mbjellim e vjelim frymëzim, djersë e talent, që në garë me magjiken e internetit, të mos prapangelë magjikja e shkronjave të zeza mbi letrën e bardhë. Radhë-radhë e palë-palë, brezi-brezit do t’ia lërë bukurshkrimin e bukurtingëllimin e vet
 Poezia do t’i paraprijë urtisë edhe përmes trajtave gjembore e kurthuese të shëmtisë, duke ngrehur ura për të madhërishmen e bukurinë, për vajtje-ardhje gjithandej hapësirave të njerijetës e shqipjetës.
 Por, çfarësia e dashjes sonë ngulmon: këto potpuri shpirtmëkuese të mos mbesin pa jehonë nga patrajtshmëria e indiferencës. Indiferenca jonë butësisht di të injorojë, nisma e vijimësi nismash, në stilin e vet të heshtjes. Duke qenë mbëltues, duam që të zgjerohet mbëltimi: pyll për koret e potpurive strumbullarit shpirtmëkues, me rrathë shtegmëkimi mediave pamore, dëgjimore dhe në ato të shkruara.
 Pra, poetë shqiptonie urtinë tuaj, këtu te zgjoi i “BLETËS” së “ Thimi MITKOS ”, te “Mbledhësit e purpurit” e “Panairi i Gjilanit”... Shqiptoni luleëndjet tuaja për brezin që po merr krah të fluturojë lulehojeve të mjaltit.

GJILAN, maj 2007