E marte, 28.06.2022, 08:05 AM (GMT+1)

Kulturë

Shefqet Dibrani: Pse e urrej Kadarenë

E hene, 30.03.2009, 07:49 PM


Shefqet Dibrani

Nga libri ''Pse e urrej Kadarenë'', Prishtinë 2006

FYTYRA MËRGIMTARËSH

Kam parë mijëra fytyra mërgimtarësh
me rrudha e djersë të ftohtë ballit
me dhembje që u lexohet në bebe syri

Sy i tyre picërron jetën dheut të huaj
diku larg u tretet shikimi
vesë mëngjesi dashuri e tyre

Si valle vashash lëvizjet e tyre
nëpër lule gjemba hedhin hapin
zëra këngësh u del nga goja malli

Mijëra fytyra mërgimtarësh kam parë

KUR MË HIP MËRZIA

Kur më hip mërzia
i bie tërthor qytetit
nuk i flas askujt as e përshëndes
nuk hyj në restorant për birrë të ftohtë
pranë liqenit fytyrën time vizatoj
kujtoj këngët e fëmijërisë lojërat mbi bar
llastikun kur gjuaja zogj

Kur më hip mërzia
si t’i pi shtatë kupa
herë qaj herë harlisem
zë e mëkoj dhembjet e mërgimtarit

Të gjitha ndodhin
kur më  hip mërzia
e mendja më kthehet në Kosovë

Atje te shtëpia ime ku linda

KONSTATIM

Po plakem me shpejtësinë e rritës së fëmijës
sot mjeku gjeti një si kancer në trupin tim
mbyllet një plagë shtatë të reja çilen
unë i huaj se i huaj në një qytet ku rrugët pastrohen
për t’i lënë vend plehut të ri
për çudi edhe këtu gjethet nga drunjtë në tokë bien
kur fiken dritat terri më kaplon
dita e re me lindjen e diellit nis

Unë shuhem si lulja e shtëpia nuk më zë
lindjen time të dytë duke pritur

ECJE NËPËR SHEKUJ

Pula pa vënë patkonj
nuk mund të ecë në këto vende!
          (Një i huaj)

Bëmë udhë shekuj të tërë
jetuam si gjarpri nën gur
nuk u zhbimë
me varre të të parëve mbuluar

Në këta shkrepa mbinë
vetë njerëzit
e fisit tim

LUMJANE

Varfëria nuk matet me të ftohtë
e bukë të zezë
ku zemra e fjalët
janë të bardha

Pleshtat në verë
s’kanë si të të hanë
mes Drinit të Zi
e Drinit të Bardhë

PIKËLLIMË MBI PRIZREN

Mes nesh Pikëllima
vëlla i dhembjes së Madhe
një det lot bore
për mua e gjyshin
vrarë e varrosur në Prizren

Gjallica një liqen gjëmë
përmbyti
ç’pa e gjora dhe prapë
qëndruan me vëllanë tim
në majë të Pikëllimës

PORTRETE

(Agim Spahiut)

Shpesh të grafullonte gjoksi si tambli në flakë
ishe shend e verë i freskët i gjallë
qelq i tejdukshëm si natyra pas shiut
shpirt që lexohej në bebëz të syrit

Unë gjoksin e ftohtë rraskapitur
e mezi ndjehesha gjallë
qelq i avulluar që hesht prore
shpirt që s’lexohej në asnjë dritë

Nganjëherë në pritje shkreheshe krejt
ishe vetë Pylli Dimëror

Nga çasti në çast prite të të çojnë në varrezë
bisht kësaj rruge i bëra
Pse të çuan?
Pse më kërkojnë?

Regëtimën e fundit e vrave Ti

NJË TUFË LULE

(Familjes SPAHIU – Kukës)

Në Prizren do të vë një tufë lule
mbi varrin e Hamdi Spahiut nga Kolesjani
si amanet i Pikëllimës

Dhe do t’ia herr barin mbi varr
që pesëdhjetë shekuj rënduar mbi të ka
lulet do t’ia ujis me lot të fëmijëve
dhe do t’i them se ata majë
Pikëllimës hipur janë
e këtë tufë lule
për Ty dërguan

MIKUT MBI PIKËLLIMË

(Letër  dërguar më 11 nëntor 1992)

Udhë e mbarë o pëllumb pushbardhë
shko majë Pikëllimës
mikut të dashur shpaloja zemrën time

ARRAT E STRELLCIT

(Adem Istrefit)

Arrat e Lokes në sofër
kur na i shtrove
njëzet vjet ruajtur
për mikun që vinte nga vendlindja
unë qajta si fëmija
dhe gur i Strellcit në ballë të oxhakut
m’i shpoi brinjët
si vaji kur qajti edhe Agim Spahia

FOTOREPORTERI

Na kanë dërguar këtu për të
Fotografuar gjurmët mbi njerëzimin,
Për të dërguar raporte për gazetën
“DEBLLADET”
  Bjorn LANGSEM

Ndërsa bijtë tanë
i dëbuan nga ky dhé!
Ç’rëndësi do të kenë
këta filma të trishtuar
xhiruar në tokën e shkretëruar 
të Kosovës

A thua arkivat norvegjeze
do të hapen
bile pas njëqind shekujve

UNË DHE KËNGA

Unë hesht kënga ma prish qetësinë
Jemi miq e unë s’e shoqëroj kurrë

PSE E URREJ KADARENË

Unë urrej Kadarenë pse flokët kthen mënjanë
pse krevatën e ka më të gjerë
për qëndresën në varr të dreqit
për famën për dijen për durimin
për atë pse lëshoi Shqipërinë

Unë urrej Kadarenë për inat të Tiranës dhe Parisit
për kombin që ka vënë në majë të plisit
për ikjen për fjalën për zotin dhe mëhallën

Unë urrej Kadarenë vetëm
pse s’ndërtova pashallëqe
pse nuk bëra gjeneralë as kështjella

Unë s’e dua Kadarenë as e vë emrin
bashkë në një gazetë. As i jap poezinë time
jam naiv për kokë të Hamides

Unë kur shoh Kadarenë në restorant
kthej kokën mënjanë pastaj eci
me hapa fluture t’ia heq pluhurin
prej gëmushe. Po e takova në shëtitore
kam kujdes se rrëzohem

Unë e urrej Kadarenë nga dashuria
ulem prehem vdes e ngrihem
për ndjenjat e Tij

BANALISHT

Çoj një jetë banalë
nga njerëz banalë rrethuar
që lindën banalisht
përherë bnalisht folën
banalisht qëndrojnë vertikal

vishen banalisht
banalisht shëtisin
hanë banalisht
banalisht flenë
flasin e heshtin banalisht

vëlla i dashur pale
jeta mos na është krejt banale



(Vota: 5 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora