E marte, 28.06.2022, 07:12 AM (GMT+1)

Kulturë

Alfred Beka: Intervistë me shkrimtarin dhe publicistin Jeton Kelmendi

E hene, 30.03.2009, 09:42 PM


Jetoni, poet e publicist
Intervistë me shkrimtarin dhe publicistin Jeton Kelmendi

Poezia dhe lufta të dyja janë luftëra

Poeti dhe publicisti Jeton Kelmendi tashmë është një emër i njohur në letrat shqipe. Poezitë e tij janë përkthyer në 11 gjuhë të botës dhe janë përfshirë nëpër disa antologji. Në këtë intervistë ai pohon se tematikat kryesore në poezitë e tij janë: dashuria, lirika kombëtare dhe realiteti i kohës.

Jeton Kelmendi është poet dhe publicist i lindur më 1978 në Pejë. Shkollën fillore dhe të mesmen i ka kryer në vendlindje, ndërsa studimet e larta në Prishtinë. Në vitet 1998-99 ka qenë pjesëtar i Ushtrisë Clirimtare të Kosovës, duke i shërbyer në këtë mënyrë kërkesës së atdheut për liri. Pas luftës, Kelmendi zgjodhi një mënyrë tjetër për t’i shërbyer kombit, e cila herë pas herë duket më e vështirë se e para. Filloi të botojë librat e tij me poezi, duke u futur në këtë mënyrë edhe në një botë tjetër, atë të poetit. Ai u anëtarësua në Lidhjen e Shkrimtarëve, ku arriti të bëhet edhe sekretar i saj. Por, pas një kohe të shkurtër, për arsye të ndryshme, jep dorëheqje nga ky post. Tani është anëtar i Pen Qendrës së Kosovës. Aktualisht Jetoni jeton dhe punon në Bruksel. Deri më tani ka botuar gjashtë përmbledhje me poezi dhe një dramë. Poezitë e Kelmendit janë të përkthyera gjithashtu në disa gjuhë dhe janë pjesë e disa antologjive. Ato kane pasur vazhdimisht lexues me përmasa te gjëra, si dhe janë ndjekur nga një kritikë pozitive, që e ka cilësuar poezinë e Kelmendit, një poezi bashkëkohore, moderne si dhe poezi me premisa ndikuese në esencën e letërsisë shqiptare.                          
Në intervistën për Tung, Kelmendi flet për luftën dhe poezinë, për tematikën e poezive të tij, për përkthimin e poezive të tij në gjuhë të huaja, pastaj për shkrimtarët që kanë ndikuar në jetën e tij, e për shumë gjëra të tjera.

Tung:  Çfarë ju ka shtyrë dhe vazhdon të ju shtyjë  të shkruani poezi?

Jeton Kelmendi: Poezia është diçka e veçantë për mua. Është diçka e brendshme që më bën mua të shkruaj poezinë, ashtu siç më bën të shkruaj edhe drama, tregime, ese e shkrime të tjera letrare.  Një gjë që mbërrin të ma ngacmojë shikimin, më shtyn ta shkruaj poezinë dhe si e tillë poezia më përcjell kah shkoj unë.

Tung:  Sa ju krijon satisfaksion ndjenja e të qenit poet?

Jeton Kelmendi: Në përgjithësi të qenit artist është satisfaksion, nga që arti është diçka shpirtërore që e krijon mendja në raport me gjërat me të cilat na lidh diçka që e ndiejmë.  Të jesh poet ka dy anë: njëra ta ndiesh vetën mjeshtër të fjalës dhe të folurit dhe tjetra ta ndiesh vetën pa ndikim. Të kjo e dyta ka dy arsye kryesore, se çdokush shkruan poezi (diti e s’diti) dhe arsyeja tjetër është se janë tepër të pakët ata që e lexojnë poezinë. Sido që të jetë, unë e konsideroj poezinë punë për elitë dhe kjo ma krijon një besim dhe ma rrit dashurinë për këtë mbretëreshë të artit.

Jetoni, Ushtar i Lirisë
Tung:  Ju keni qenë edhe luftëtar i UCK-së.  Cila është më e vështirë për ju, të luftoni apo të shkruani?

Jeton Kelmendi: Ma thotë mendja se është pyetja më e mirë që mu ka bërë deri me sot, e tillë duhet t’i bëhet pyetja çdo artisti.  Sa i përket luftës ju e dini se unë kam qenë pjesëtar i luftërave. E dinë çdokush sa është e vështirë lufta edhe ai që sado pak ka lexuar për luftërat, por unë do të ju them se gati po aq e vështirë është të shkruash. Dallimi është se vështirësitë janë të ndryshme. Çdo shkrimtar që e ka parasysh këtë thënie brilante, duhet të ketë kujdes me fjalën dhe me atë çka thotë. Kam një mendim se të dyja janë luftëra. 

Tung:  Cilat tema preferoni t’i shtjelloni më shumë në poezinë tuaj?

Jeton Kelmendi: Që kur njerëzimi filloi të merret me art e deri në ditët tona, dihet se temë kryesore ka qenë dhe është dashuria. Edhe unë si shkrimtar ose një nga hallkat e vogla të zinxhirit “poet” , e kam në mendje atë thënien “dashuria mbret i botës”.  Një fakt është më se i vërtet se ambienti dhe rrethanat e jetës ta diktojnë deri në një masë tematikën.  Ju e dini se populli im vuajti shumë në robëri, prandaj lirika kombëtare ka një hapësirë të madhe tek unë.  Thjesht tematikat e mija kryesore janë: dashuria, lirika kombëtare dhe realiteti i kohës.

Tung:  Kohëve të fundit pjesën më të madhe të vitit e kaloni jashtë vendlindjes. A jua rikujton kjo poetët tanë të Rilindjës që kanë shkruar në mërgim dhe çfarë gjurmësh lë vendlindja në poezinë tuaj?

Jeton Kelmendi: Po, është e vërtet se unë jetoj në perëndim, më saktë në Bruksel. Ndoshta si artist shumë e kisha pas idealizuar lirinë, e ajo me vete po bartte edhe  atë anën tjetër. Gjithkujt të iu hidhërosh ka një rrugë, por po t’i hidhërohesh lirisë është diçka më shumë se keq. Jashtë më nxori atdheu që mos t’i hidhërohem lirisë. Sa shumë më dhimbset liria që po e hamë dhe po e shkelim kaq pa shije. Është e vështirë ta marrësh me mend se si koha po i gjasonte kohës. Gjithmonë e jetës kujtoj dhe lexoj rilindësit, tani edhe më shumë. Kurse atdheu kështu siç është, është buka dhe uji i mendimit dhe shkrimit tim.

Tung:  Poezitë tua kanë filluar të përkthehen edhe në gjuhë të huaja dhe janë përfshirë nëpër antologji të ndryshme. A mund të na tregoni diçka më shumë rreth kësaj. Në cilat gjuhë janë përkthyer, nga kush janë përkthyer dhe në cilat antologji janë përfshirë poezitë tua?

Jeton Kelmendi: Poezitë e mia janë përkthyer deri më tani në 11 gjuhë: Anglisht, Frëngjisht, Japonisht, Spanjisht, Rumanisht, Greqisht, Kroatisht, Suedisht, Polonisht, Turqisht, Rusisht.  Ju e dini, unë kam qenë i nominuar disa herë për çmime ndërkombëtare, natyrisht se jam pjesë e disa antologjive evropiane e botërore. Në Francë jam prezent në 50 poetët më të mirë të botës, në Rumani, në një antologji poashtu botërore nga Akademia Orient Oksident, në Spanjë së bashku me Ismail Kadarenë, Ali Podrimjen, Agim Gjakovën, Skender Sherifin dhe Petraq Riston. Jam edhe në disa antologji tjera ndërkombëtare dhe shqiptare. Përkthyes kam disa p.sh. në rumanisht rilindasi ynë Baki Ymeri, në frëngjisht Athanas Vanqev  de Thracy e keshtu.

Tung:  Pas përkthimit të poezive tua në gjuhën rumune, një kritik rumun ka shkruar për poezinë tuaj kësisoj: “Po qe se rezumojmë në një fjalë të vetme krijimtarinë e tij, nuk dimë cili term do të ishte më i përshtatshëm: Thjeshtësi? Sinqeritet? Fshehtësi? Pëshpëritje? Dëshmi?” Cilën prej këtyre e përmban më shumë poezia juaj?

Jeton Kelmendi: Është e vërtet se disa shkrimtarë dhe kritikë rumun kanë shkruar për poezitë e mia. Sa i përket pyetjes tuaj, ma thotë mendja se “si është vendi bëhet kuvendi”. Le t’i mbetet kritikës kjo punë, e imja është të them diçka, e tyre është ta konstatojnë atë.

Tung:  Cilët autorë shqiptarë i lexoni me më dëshirë?

Jeton Kelmendi: Mendoj se kemi disa shkrimtarë që janë vërtet të mirë. Sa për ilustrim: ua dhashë nga disa poezi, të Azem Shkrelit, Ali Podrimës, Visar Zhitit në frëngjisht kuptohet disa miqve të mi francez  dhe pasi i kishin lexuar më patën thënë se ky nivel poezie është tepër i lartë, është si poezia evropiane. Lexoj autorët e lartpërmendur me shumë knaqësi, por lexoj edhe romanet e Ismail Kadaresë dhe Mehmet Krajës, për mua më të mëdhenjt romancier sot. Natyrisht ka edhe shumë të tjerë por s’po i përmend tani.

Tung:  Po prej shkrimtarëve të huaj cilët të pëlqejnë më shumë?

Jeton Kelmendi: Janë të shumtë autorët e huaj që i lexoj dhe i preferoj, Broun, Markez, Svahnstrom, Gjejms etj. Natyrisht se i lexoj edhe librat e disa prej miqve të mi, kryesish nga anglishtja.

Tung:  Cilët shkrimtarë kanë ndikuar më shumë në personalitetin dhe në formimin tuaj?

Jeton Kelmendi: Kam mësuar nga Rilindasit, Klasikët, por mësues të mi janë shkrelët, Azemi, Ymeri e Ademi. Ata i kanë të gjitha fajet, pse unë shkruaj. Kurse gjeni im prej malësorit Rugovas  bart një pjesë të asaj natyre.

Tung:  Cilit shkrimtar preferoni t’i përngjani më shumë apo me cilin shkrimtar preferoni të ju identifikojnë?

Jeton Kelmendi: Një gjë është më se e vërtet, çdokush ka një idol, por duhet ta krijoj vetveten. Jam përjekur t’i lexoj shkrimtarët e mëdhenj dhe t’i përcjell aq sa kam mundur. William Shakespeare është autori që shumë e dua. Kam shkuar dhe e kam vizituar shtëpinë muze të tij, në Stratford upon Avon të Anglisë. Më bëhej sikur Shakespeare po fliste me Lady Makbethin. Megjithatë jo vetëm që preferoj por dhe shumë dua që të jem Jeton Kelmendi.

Tung:  Deri me tani keni botuar gjashtë përmbledhje me poezi dhe një dramë. A pritet ndonjë roman apo vëllim me tregime nga ju, apo keni frike t’i hyni kësaj aventure?

Jeton Kelmendi: Unë deri me tani kam botuar kryesisht poezi, mirëpo normal se kam edhe dy romane që  besoj se sivjet mund të botohen. Kam edhe dy drama dhe diçka nga kritika dhe publicistika periodike. Them të vërtetën viteve të fundit jam orientuar në botimin e librave të mi në gjuhë të huaja. Kam botuar në rumanisht një libër, në Indi këto ditë një tjetër dhe pres edhe ne Itali. Si ebook kam botuar disa në Francë, Angli e Turqi.

Tung:  Çka jeni duke punuar tani dhe kur pritet të botohet vëllimi i ardhshëm i juaj me poezi?

Jeton Kelmendi: Unë thashë jetoj në Bruksel, ku edhe punoj si zyrtar i medies. Ndërkaq vëllimi tjetër besoj se do të dalë deri ka shtatori më së largu.

Intervistoi Alfred Beka



(Vota: 8 . Mesatare: 2/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora