E enjte, 25.04.2024, 09:13 PM (GMT+1)

Shtesë » Historia

Fritz Radovani: Njeriu që Qeshi me Vdekjen e Stalinit!

E diele, 29.03.2009, 07:26 PM


Fritz Radovani
Fritz Radovani
Njeriu që Qeshi me Vdekjen e Stalinit!

Nga Fritz Radovani

Kanë kalue katërdhetë vjetë që në kinema “Republika” të qytetit të Shkodres, ka kenë shfaqë filmi “Njeriu që qeshë…” . Edhe sot ai film me rikujton një ngjarje aqsa të gëzueshme për popullin e Shkodres, aq edhe të shëmbtueme e trishtuese për rininë shkodrane…

56 vjetë maparë, me 5 Mars 1953, vdiq diktatori ma i pakrahasueshëm në njëzet shekuj të Epokës së re, Josif V. Stalin. Një emën rënqethës për të gjithë evropjanët që kanë provue cilëndo nga diktaturat komuniste. Dhunuesi ma i madh i të drejtave dhe lirive njerëzore jo vetëm për popujt sovjetikë, por edhe për të gjithë Evropën Lindore, ku, për fatin e zi të përfshihej edhe Shqipnia e jonë e vogël nën thundrën e kopjos së tij Enver Hoxhës.

“Zija e madhe” e vdekjes së “babës” së komunistëve të mbarë globit do të përfshinte edhe ata bijë të partisë, që do të lindin edhe mbas njëzetë vjetësh… Monumentët dhe bustet e derdhuna në çimento, të veshuna me flamujt sovjetik, rrethue në katër anët me roje nderi ushtarake, flamujt tonë në shtylla elektrike e dyqane të mbylluna në gjysëm shtize, banda e qytetit me marrshe funebër, nanat e dëshmorëve tue kja, turma njerëzish të mvranjtun, ushtarakë me të gjitha llojet e dekoratave në gjokse, fëmijë e të rinjë tue recitue vjersha pranë këtyne busteve për këte“humbje të madhe” , shoqnue me thirrjet e altoparlantave për rritjen e matejme të “vigjilencës revolucionare”,… i jepnin qytetit një pamje vërtetë të trishtueshme.

Ndër shkolla, fabrika, ndermarrje, rruga e sheshe u dha sinjali i mbajtjes së pesë minutave heshtje në shenjë “zije”… Edhe na studentët e shkollës pedagogjike me ata të gjimnazit “29 Nandori” , mbrenda të njajtës ndërtesë, posa u dha shenja me zilën e shkollës u ngritëm në kambë dhe, qendruam gatitu… Dikur…mbaruan ata pesë minuta të pafund…

U dha urdhën mos me dalë asnjë nxanës në pushim nga klasët në oborr… Pedagogët u thirrën urgjent në një mbledhje të këshillit pedagogjik. Mbas 30 – 40 min. zbritëm në palestër të gjithë studentët. Askush nuk dinte çka ka ndodhë…Konviktorët jepnin e merrnin me shoqishojnë shenja, por askush nuk kuptonte asgja. Vransina e kohës e bante edhe ma t’errtë ambjentin dhe kalimet në korridorët e shkollës, ku në çdo qoshe ishin “vrojtuesit”…

I pari zbriti nga shkallët xhelati i gjimnazit, anëtari i koomisioneve të hetuesisë së Korçës që në vitët 1945, spijuni i sigurimit të Shtetit ç’prej kohës kur bante pjesë në partinë fashiste t’atij qyteti, amorali Skënder Villa . Mbas tij sekretari i komitetit të rinisë, leva e parë e spijunazhit Jani Çomo, e kështu me rradhë të përzgjedhunit e zakonshëm servilë e spijun…

Që në fjalët e para u tregue prej tyne akti i “turpëshem” i studentit Leonard Ljarja…

“Ka qeshur…a merrni vesh…ka qeshur, kur gjithë bota qanë… ay maskara, jo vetëm ka qeshur, por edhe ka ikur nga shkolla… Këshilli Pedagogjik unanimisht e ka përjashtuar nga të gjitha shkollat e Shqipërisë… përgjithmonë…Ay nuku pajtohet më me frymën tonë të re..!”

“Njeriu që qeshi…”, studenti Leonard Ljarja mbas dy – tre ditësh u arrestue dhe u dënue me shumë vite burg, nga të cilat ka vuajtë mbi 12 vjetë në kampet e shfarosjes. Mbas daljes nga burgu ka vazhdue me punue gjithnjë punë të randa fizike, në ndërtim, ferma etj.

Ai vinte nga një familje e nderueme qytetare antikomuniste shkodrane. Gjoni, Ndoci, Luigji, Ingj. Gaspër Ljarja etj. ishin rrethi i afërt i këtij studenti të rinj, i këtij djaloshi që të gjithë bashkë me shumicën e Rinisë Shkodrane, kaluan rininë dhe u plakën burgjësh e kampesh:

TË GOZHDUEM NGA LUFTA E KLASAVE….
Ky ishte një mësim për ata… që mendojnë “ME QESHË”….në sistemin komunist….!



(Vota: 4 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora