Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Dhimbje për gjëndjen e trishtueshme të Shqipërisë si edhe shpresë për të ardhmen

| E hene, 16.07.2007, 08:18 PM |


Nga: Mërgim Korça
 

Mërgim Korça
Mbas kaq vitesh të përmbysjes së diktaturës, e keqja është se jo vetëm nuk po shihen shënja normalizimi të ekonomisë shqiptare, por thellimi i gabimeve dora dorës ka çuar në faje të tilla që mbase do të sjellin pasoja fatale dhe të pakthyeshme për kombin po nuk u tha NDAL. Dhjetëvjetori i parë kaloi dhe mendësía e drejtuesve ka mbetur po ajo : të kërkojmë e të vazhdojmë të kërkojmë ndihma dhe borxhe afatgjata nga jashtë, ( duke përfituar nga ato sa më shumë për vete ). Nga ana tjetër, i mbytur nga hallet e mbijetesës së përditëshme populli, duke qenë nën hipnozën e mendësísë së drejtuesve të shtetit, edhe ai e pret mrekullinë ekonomike tek bamirësia e të tjerëve. Mirë zgjatja e dorës dhe kërkesa e ndihmës dhe e borxhit, po a është menduar ndonjëherë nga drejtuesit e shtetit se kur do të fillohen të lahen këto borxhe, e me se ? Fjalë, fjalë e sa vjen e më shumë fjalë boshe dijnë të thonë drejtuesit e shtetit. Po deri kur kështu ? Deri kur kjo papërgjegjësí ? Deri kur me këto sofizma ?
Nga ana tjetër, u ngritën skemat piramidale e vepruan për aq kohë sa vepruan duke e dëmtuar popullin edhe vëndin skajshmërisht. Tek drejtuesit e tyre u ngjall babëzía e pasurimit marramendës. Tek humbësit u forcua bindja se duhej të bëheshin fatalistë. Kurse tek ata që fitonin sistematikisht për aq kohë sa puna eci, u kultivua më i keqi i veseve : Ne rrijmë kafeneve e paratë tona punojnë për ne ! Kësisoji piramidat nuk bënë gjë tjetër veçse i dhanë goditjen e fundit shqiptarit të dalë krejtësisht i çoroditur nga diktatura gjysëmshekullore.
E pikërisht që nga ai çast shqiptari mori arratinë me pasoja tamam rrenuese për vëndin edhe kombin ! Shqiptari shkoi në Greqi t’a shiste krahun e tij të punës, por e shiti me një haraç tejet të rëndë, për të edhe Shqipërinë. U dynd shqiptari nëpër Europë perëndimore, po nuk bëjnë emër ata që punojnë ndershmërisht, sepse ata të tjerët, keqbërësit i mbushin kronikat e zeza. E u shpërndanë pastaj të tjerë shqiptarë në të katra anët e botës duke e tharë sa vjen e më shumë Shqipërinë. Punojnë nga dy punë shqiptarët, se duhet të mbajnë veten me familje jashtë, si edhe familjet e tyre në Shqipëri. Kurse Ministria e Financave mbush statistikat e t’ardhurave buxhetore si edhe mesatarizon shpenzimet për frymë me njësí monetare, jo si frut i punës së investuar n’ekonominë e vëndit, po ardhur si dhurata nga jashtë.
Si pasojë e gërshetimit të gjithë këtyre faktorëve praktikisht po përgatiten kushtet e një tërmeti si edhe një stuhíje që detyrimisht do t’a shkundin vëndin ! Po drejtuesit e politikës së vëndit nuk i shohin këto simptoma ? Po si nuk i shohin, edhe shumë më mirë nga ç’i shohim ne. Por e keqja është se pjesa e korruptuar e tyre mendojnë t’a zgjasin qoftë edhe një ditë plotfuqishmërín’e tyre në pushtet e cila ua shton t’ardhurat e paligjëshme. Kurse edhe ata pak të pakorruptuarit që mbase egzistojnë, janë të verbuar nga etja e mirëfilltë për pushtet. Kësisoji të dyja palët kanë bërë novacionin madhor e duan të mbështeten njera palë nga Shoqëria  Civile, kurse pala tjetër u bën thirrje Rretheve Akademike edhe Intelektuale. Por të dyja palët harrojnë se vitet e gjata të kaluara në udhëheqje të shtetit apo në opozitë, tashmë i kanë mumifikuar. Nuk ka makijazh as Shoqërie Civile e as Rrethesh Akademike që t’i maskojnë mumiet e ato të vazhdojnë të udhëheqin me sukses rrethuar nga brohoritje edhe duartrokitje ! Një shi t’i zerë mumiet, makijazhi shplahet e del në pah kundërmimi i vdekjes tyre !
I shkrova këto i mbushur me dhimbje. E kësaj dhimbje i shtohet edhe tmerri i përjetuar në radhë të parë nga vetë viktimat e Karaburunit e domosdo pastaj edhe nga familjarët e tyre. Dhe e gjitha kjo më kujton një film të parë disa dhjetëvjeçarë të shkuar, ku skenari qe ndërtuar simbas novelës Çehovit “Ana në qafë”. Ana, fillimisht vajzë e mirë dhe e dashur, mbas martesës fillon dhe e tradhëton të shoqin e pastaj vesi bën të vetën e trashet. E vjen një ditë kur ajo e veshur me gëzof të trashë e hipur me të dashurin në trojkën (karrocë e tërhequr nga tre kuaj azganë) që vrapon mes dëborës, as kujtohet t’a kthejë kokën tek kalon para shtëpisë së t’et të cilin përmbaruesit e kanë nxjerrë nga shtëpia e tij me dy djemtë e vegjël, në mes të dëborës. E në sfond, ndjehet njeri nga valset e famshëm të Emil Waldteufelit (që fare lehtë mund t’i ngatërrosh me valset e Strauss-ëve të koncerteve Vjeneze të fillimvitit) ! I përhumbur në këto përsiatje rreth novelës Çehovit, m’u kujtua se edhe populli ynë e ka gdhëndur mirë këtë rrethanë me fjalën e urtë ku flitet dishka rreth Stambollit që digjej e dikuj tjetër ... që krihej ! Po ky popull edhe sa kohë do t’a mbajë jo më Anën po Nanon në qafë ?
Vijmë tashti te thelbi i problemit : a ka zgjidhje problemi i shërimit të sëmundjes së rëndë morale që e ka kapërthyer elitën drejtuese të sotme të Shqipërisë e cila e ka futur vëndin në këtë rrugë pa krye ? Padyshim që ka. Po cila është zgjidhja ? Situata do zgjidhje rrënjësore e nuk do makijazhe zbukuruese. Një dhe një e vetme është alternativa : flakja tej e mumieve të politikës shqiptare. Edhe populli këtë akt e mbështet me thënjen e tij sa të drejtpeshuar dhe kuptimplote : “ Më mirë djepi bosh se shejtani brënda !” Kjo masë pastaj sjell në mënyrë të pashmangëshme përzgjedhjen e hapit të dytë për t’u hedhur : cilët do të jenë drejtuesit e ardhshëm të shtetit ? Pa as më të voglin dyshim duhet të jenë pikërisht ata tek të cilët e mbështesin besimin e tyre mumiet e sotme drejtuese se do t’i bëjnë për vete ! Ata jo si makijazh por si drejtues të pozitës edhe opozitës, ( cilado pastë njerin apo tjetrin rol ), mund t’a nxjerrin vëndin nga kjo vorbull që dita-ditës thellë e më thellë po e thith. Kësisoji të dyja palët e intelektualëve të mirëfilltë, si në Shqipëri apo të ikur prej saj, me dinamizmin e moshave të reja e duke qenë të ndershëm dhe atdhedashës, e duke mbledhur rreth vetes brezin e të rinjëve të shkolluar në universitetet perëndimore t’a marrin gjëndjen në dorë. Për ata nuk është sekret as emri i Ludwig Erhardit dhe as mrekullía e bërë nga ai. Ai e mori Gjermaninë një gërmadhë ku nuk kishte gur mbi gur, në mbarim të Luftës së II-të Botërore dhe e transformoi atë në njerën nga fuqitë ekonomike më të mëdha të botës. Si e bëri ai këtë mrekulli ? Bëri reformën monetare, hoqi tutelën shtetërore mbi çmimet dhe ligjëroi sistemin e taksave të diferencuara. Asgjë më shumë. Por të tria këto nën një disiplinë të rreptë në luftë kundër korrupsjonit. Të tjerat i bëri vetë populli ! Populli gjerman i cili deri para ardhjes së Erhardit ecte rrugës kokë ulur dhe i pashpresë, kur u bind se fatet e tia dhe të vëndit i kishte vetë në dorë, qe ai vetë që e bëri mrekullinë ! Erhardi dijti vetëm t’ia përcaktonte drejtë shtegun si edhe ia mundësoi ligjërisht hyrjen n’atë shteg!