E enjte, 06.10.2022, 04:06 PM (GMT+1)

Kulturë

Roland Lushi: Festivali Ballkanik, “Trëndafilat e Elbasanit”

E diele, 29.03.2009, 07:53 PM


Festivali Ballkanik, “Trëndafilat e Elbasanit” mars 2009


Festivali Ballkanik, “Trëndafilat e Elbasanit”

Nga Roland Lushi

Teksa udhëtoja me një mikeshën time drejt Elbasanit për të marrë pjesë në Festivalin Ballkanik të Poezisë, me ftesë të Unionit të Shkrimtarëve “Kostandin Kristoforidhi” të Elbasanit, pa dyshim mendja më shkonte te festa e bukur e Verës që përkonte pikërisht me këtë ditë. Nën frikën e motit, që edhe në atë udhëtim të shkurtër nga Tirana ndërroi disa herë, diskutuam edhe për këtë . Natyrisht për të mos qenë i papërgatitur para miqve që na prisnin, kisha lexuar diçka dhe po mundohesha t’i shpjegoja mikeshës sime se rite të kësaj natyre janë të dokumentuara të paktën prej tre mijë vjetësh. Ato janë pasqyruar në mitologji, në veprat e Homerit, etj. Kemi të bëjmë kështu me një traditë mesdhetare, për të mos shkuar edhe më tej. Sidoqoftë, Dita e Verës ka qenë e lidhur me ditën e parë të marsit. Në antikitet marsi ishte muaj i parë i vitit. Kjo sipas Kalendarit Julian. Siç dihet, në Evropën Perëndimore, Kalendari Julian u zbatua derisa në vend të tij u vendos Kalendari Gregorian. Por në gjuhën e sotme shqipe ruhen ende gjurmë të kalendarit Julian. Duhet që viti kalendarik të fillojë me marsin në mënyrë që muaji i shtatë të jetë shtatori, i teti tetori, i nënti nëntori dhe i dhjeti dhjetori. Të tillë kanë mbetur emrat e tyre edhe pse nga 15 tetori i vitit 1582, kohë në të cilën hyri në fuqi Reforma Gregoriane, ata janë respektivisht: muaji i nëntë, i dhjetë, i njëmbëdhjetë dhe i dymbëdhjetë.
Por, siç argumenton akademiku i mirënjohur Prof. Kristo Frashëri, kalendari i vjetër i shqiptarëve është edhe më i hershëm se Kalendari Julian, i cili u shpall nga Jul Qezari në vitin 46 para lindjes së Krishtit. Dhe gjithnjë dita e parë e marsit shënonte (sikurse edhe sot) fillimin e stinës së pranverës. Ishte koha kur stinët ishin më të dallueshme nga njëra-tjetra se në kohën e sotme (ngrohja globale nuk kishte filluar ende). Njerëzit mezi prisnin të dilnin nga dimri, të shkrinte bora, të gjelbërohej natyra, të çelnin lulet, të blegërinin qingjat, të loznin fëmijët fushave e kodrave, të gëzonin të gjithë....
Ja këto po tregoja, por rruga e shkurtër nuk më lejoi t’i them të gjitha, sepse mikrobuzi ndaloi para pallatit të sportit dhe tashmë ishim bashkuar me miqtë që kishin mbërritur para nesh. Të ulur te një kafe aty pranë, filluan takimet, fillimisht me miqtë e ardhur përtej kufinjve. Megjithëse me ta nuk isha takuar asnjëherë, si botues i “Obelisk”-ut, sapo prezantoheshim, takoheshim si të ishim miq të vjetër. Pastaj natyrshëm filluam të diskutojmë për shkrimet që kishin botuar në revistë dhe çfarë planesh kishin për të ardhmen. Mes kafes, bisedave për punë dhe shkëmbimit të librave mes njëri - tjetrit, erdhi ora e nisjes së aktivitetit të asaj dite.
Fillimisht një vizitë te shtatorja e Kostandin Kristoforidhit, ku secili kishte dëshirë të kishte si kujtim një pozë me miqtë pranë kolosit të gjuhë shqipe.
Nën ritmin dhe rrëmujën e festës së Ditës së Verës grupi ynë më pas u shpërngul te lulishtja kryesore e qytetit, ku në mënyrë simbolike u mboll një pemë për nder të mikut të të gjithë poetëve, të palodhurit dhe organizuesit të mrekullueshëm të të tilla takimeve, poetit të spikatur dhe prodhimtar hajkian Milianov Kallupi.
Pak pushim dhe rreth mesditës teatri “Skampa” priti “aktorët”, poetë që interpretuan krijimet e tyre më të parapëlqyera.
Të ndarë në katër grupe me nga dhjetë poetë, organizatorët, që duhet thënë kishin punuar mirë, na servirën një gërshetim poetësh, ku spikasnin qysh nga emrat e njohur e deri tek të rinjtë, të cilët me poezitë që sollën ishin mjaft premtues.
Këtë atmosferë kaq të bukur u mundua ta prishë dikush që nuk duhej të ishte aty në atë sallë. Për më tepër, nëse Kryetari i Unionit të Shkrimtarëve “Kostandin Kristoforidhi” zoti Milianov Kallupi me mirësinë e tij kish shkelur mbi paragjykimet dhe e kishte ftuar për të lexuar poezinë e tij, zotëria nuk duhej të shfrytëzonte rastin dhe të shfrente mllefin e grumbulluar prej atyre që ndofta kishte dëgjuar gjatë kohës kur ka qenë i detyruar të qëndrojë i izoluar për do punë jo fort të qarta jashtë Shqipërisë. Megjithatë, ai edhe aty u prezantua sërish me natyrën e vet prej arroganti e të pandreqshmi.
Mjerani ishte ai.
Pështjellimi që u mundua të krijonte u kalua sepse poetët sollën aty poezi dhe interpretim të bukur.
Ai u harrua dhe duhet të harrohet sa më shpejt.
Dhe këtë e bëri poezia e bukur e atyre emrave që kishin ardhur aty nga të gjitha anët e Shqipërisë, nga Kosova, Greqia, Sllovenia, Maqedonia, etj.
Në një ambient të bukur ku të ftuarit, më tepër se ushqimin, shijuan edhe muzikën e cila dalëngadalë i ndezi dhe i detyroi të ngriheshin e të kërcenin vallet tona të bukura popullore.
Më pas erdhi çasti i ndarjes së çmimeve.
U njoftua se nuk do kishte shkallë çmimesh, se të tre çmimet do të kishin një vlerë dhe kështu kryetari i jurisë zoti Fatmir Minguli bëri ritin e ndarjes së vlerësimeve. Në prani të pjesëmarrësve në këtë aktivitet ballkanik, poetja e njohur Beatriçe Balliçi kurorëzoi poetin kroat TOMISLAV MARIJAN BILOSNIQ me poezinë”Tigri”, ndërsa poeti Milianov Kallupi kurorëzoi poetin grek KOSTAS TUMANIDHIS me poezinë “Apologjia e Amndromaqit”,Poeten nga Shqipëria FATIME KULLI e kurorëzoi studiuesi, shkrimtari dhe poeti Moikom Zeqo për poezinë “Të dua shpirt të dua, të dua se jam grua”.

POETËT PJESËMARRËS NË KONKURS: .Kristo Tumanidhis, Tomislav Bilosniq, Razme Kumbarovski, Mustafa Spahiu, Besnik Lena, Selami Vinca, Riza Haziri, Miftar Kurti, Mihal Disho, Myrteza Mara, Flamur Luta, Agim Bajrami, Sami Verçani, Baki Nezha, Namik Selmani, Vasil Bozo, Ferit Rama, Lida Lazaj, Erjona Vergo, Çelik Petriti, Ferit Fixha, Vehap Xhindoli, Xhemal Lufta, Pozaet Qosja, Zyhdi Morava, Besim Elazi, Hekuran Miraka, Bashkim Muka, Fatime Kulli, Eduart Sulo, Beatriçe Balliçi, Elisabeta Myftari, Elisa Gjerani, Roza Kresta, Timo Mërkuri, Rakip Zhguni, Nuri Plaku, Sherif Bali, Alfred Coha, Mergi Hoxha.


FITUESIT E ÇMIMEVE:

1.Fituesi i kurorës së Festivalit Ballkanik, “Trëndafilat e Elbasanit” MILIANOV KALLUPI
2.Fituesi i çmimit “Trëndafilat e Elbasanit”, TOMISLAV MARIJAN BILOSNIQ (KROACI)
3.Fituese e çmimit “Skampini”, FATIME KULLI
4.Fituesi i çmimit “EGNATIA” – KRISTOS TUMANIDHIS. (Greqi)


TOMISLAV MARIJAN BILOSNIQ (KROACI)
POEZIA FITUESE E ÇMIMIT “TRENDAFILAT E ELBASANIT”

TIGRI

Ne krye te rruges paqesore te Zares u shfaq tigri
ishte tigri me ngulmues i te gjitha koherave
Pikerisht ashtu, krijese e rralle ne perditshmeri
Askush s’beson ne pamjen e tij
ndonese femijet i sjelin dhurata te vogla
ndersa vajzat nga paralagjia vine ta shohin
jane shtene me ate cka eshte me e bukur
Te gjithe e shohin me miresjellje nga larg
dhe duke mos besuar kthejne shikimin nga qielli
qe rri pezull mbi ta i mendafshte si vete tigri
Ne kercimet e gjata ai hidhet mbi shtepite
ka droje se do ta vrasin ne rruge
ata qe shtiren e s’e duan fare
mirepo klithin per te “sa i bukur qenka!”
si velebardha te larta jugu
qe tashme per dite te tera e njohin gjithe qytetin.
Tigri as qe parandien qe ka rene ne kurth
ne gropen qe ia rremihin ne vite
embel i buzeqesh fanitjes se saj te papandehur.

Perktheu: Jehona dhe Mustafa Spahiu


FITUESE E ÇMIMIT “SKAMPINI”, FATIME KULLI

Të dua shpirt, të dua...se jam grua

Teksa shkoj nëpër atë rrugë të zbrazur
ku mbrëmjeve vonë udhëtoja nën dritën e yjve...
Tani rijetoj e heshtur, e përhumbur...
Ndjej se më ndjek pas shikimi yt...

E di se Ti, Ti, Ti, je fshehur
prapa diellit dhe më lëndon
Më shih në sy, përtej botës tënde,
unë jam si zana e legjendave
që të dua, të dua, të dua se jam grua!


Unë rend pas teje që Ti, mos të më fshihesh...
Përtej qiellit të murmë, përtej hënës në lëngim...
Të të them, a më ndjen që të dua?!
Po, po, të dua se jam grua.
Dëgjo Ti, që përdor pushtetin e “krenarisë” burrërore
Unë do të të ndjek pas çdo hëne,
çdo dielli, në çdo cep të botës
Nuk pyes as për Zotat e qiejve,
se të dua, të dua se jam grua!


Përulem mbi vezullimin e syve të tu
Si robinjë e mekur deri në amshim
Sytë e tu të egër, të qeshur si fëmijë
Meken në frymë të mbrëmjeve të rralla
Ndanë ujëvarës në shtratin e mëndafshtë
Dritëzat tërhiqen drejt territ…
Që digjet në tingujt e ofshamave
Zërat mbyturazi këndojnë…
Të dua shpirt, të dua, se jam grua….
Çaste të intimitetit të lashtë…
Nata klith në dallgët e përmbytura
Në pasqyrë të ujëvarës…
vizaton shpirtin tënd
Unë këndoj:
Të dua shpirt, të dua, të dua se jam grua!


FITUESI I ÇMIMIT “EGNATIA” – KRISTOS TUMANIDHIS. (GREQI)

APOLOGJIA E ANDROMAQIT

për Andromaqi J. Niarhu

Ishte kaq i bardhë shpirti im,
aq i tejdukshëm
aq sa nata e braktisi...

Lart mbi mure, pashë të vinte si shigjetë
zëmëratat e fundit e fatit tim të keq,
dhe thirrjet, gjakrat
dhe zorrat, vullnete të panjohur,
qarkova në muret e mia, ja!
Akili
dhe pas tij
e ardhmja e vrarë,
-Ç’të bëja?

Shtërngova në gjoks fëmijën tim, ma rrëmbyen,
shtërngova zemrën, buzët m’i gjakosën,
nuk isha më Andromaqi.

Frikë e fshehur
dhe krenari mbretërore më pushtuan,
mbeta kaq e vetmuar.

Për çfarë të qaj më parë tani skllavja,
Trojë e shkatërruar
nga racë e kalit shkatërrues.

Tani në mes të shkrumbës, në heshtje
kërkoj diçka që nuk mundi ta prekte zjarri,
diçka nga gërmadha e jetës, një shkëlqim të harruar.

Pak ditë të çmendura
më kanë mbetur
këtu në përçmim.

Revista OBELISK
Antologjia Virtuale AVT© ne kete link adres: http://obelisku.blogspot.com/



ANTOLOGJIA - PORTAL  AVT
“Poezia eshte e folura percart e perendive.” - Platon



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora