E premte, 29.03.2024, 01:01 PM (GMT)

Kulturë

Bilall Maliqi: Libër me vargje figurative dhe intensive

E diele, 29.03.2009, 05:06 PM


Bilall Maliqi
Bilall Maliqi
BILALL MALIQI:

LIBËR ME VARGJE FIGURATIVE  DHE INVENTIVE

Vështrim letrar  

(Hysen Këqiku: “Melodi e pritjes”, SHB “Kurora”, Gjilan, 2005)

Vargjet poetike, të shkrimtarëve me vlera të begatshme artistike, që motivet dhe inspirimet e tyre i paraqesin me anë të figurave të sendërtuara me gjetje letrare. Jetësimin e  figurave dhe gjetjen e vendit aty ku kërkohet janë vlera të rralla sepse këta poetë kanë qëllim sublim ndaj artit të njëmendët. Synimi i tyre është që përmes vargjeve dhe gjetjeve artistike të tregojnë përkushtimin dhe dhuntinë e natyrshme poetike. Ky konceptim i figurave letrare, të futë thellë në lexim e meditim të magjisë poetike dhe na duket se shumë lehtë komunikojnë me lexuesit duke i futur ata në një botë imagjinative deri në zbulimin e magjisë që herë shkakton dhembje e herë  të vë në ekstazë. Secili nga këta poetë që përbëjnë një Plejadë të shkrimtarëve, kanë krijuar individualitetin krijues.
 Njëri nga këta poetë, me vlera joshëse, me preokupime që të rrëmbejnë, me ndjenjë dhe intimitet që herë dhemb, herë të ngritë në frymëzim, është edhe shkrimtari Hysen Këqiku i cili në bagazhin e vet krijues ka dhjetra tituj zhanresh të ndryshëm të krijimtarisë origjinale.
 Hysen Këqiku me shkrime filloi të merret prej kur ishte nxënës i shkollës fillore, kurse vjersha e parë iu botua në vitin 1965, në revistën “Zëri i rinisë” në Prishtinë, ndërsa me botim të librit të parë, para lexuesve doli në vitin 1994 me vëllimin me poezi “Nëpërkëmbësi” (Poezi për të rritur), ku në lexim të poezive të këtij libri lexuesi gjenë qëndresën dhe forcën e autorit se kush është pikërishtë ky Nëpërkëmbës dhe cili është ai vend gjeografik që autori e quajti  “Nëpërkëmbësi”. Këtë lehtë lexuesi e gjenë nëse e lexon me vëmendje librin, kjo pra është Kosova ku UÇK-ja  ia ktheu lavdin mburrjen dhe krenarinë. Ky libër i parë si dhe librat tjera në vazhdim shquhen për nga vlerat artistike të cilat pasqyrojnë realitetin e shprehur në forcën e artit.

Ndërtimi poetik i figurës

 Për t’i analizuar, kuptuar dhe përceptuar poezitë e Hysen Këqikut duhet së pari vështruar motivet që ai i trajton në poezitë e tij, porositë e fuqishme përmes vargjeve, gjithnjë të mbshtjellura me figura të skalitura nga vetë autori etj., dhe në poezitë e tija  mbizotrojnë motive nga më të ndryshmet si në ato për fëmijë ashtu edhe për të rritur si dhe në zhanre tjera letrare. Ndërtimin e figurave poetike autori e bënë në saje të situatës në të cilën gjendet, në dhembjet e tij për atdheun e okupuar me shumë ngjyra si dhe në padrejtësitë që e shoqërojnë atë, në shumë rrafshe të inspirimit poetik.
 Në të gjitha librat me poezi të Këqikut kemi një dendësi figurash  dhe secila figurë ka konceptin e vet dhe përkon me ndodhitë reale të kohës, gjithnjë me imagjinatë poetike. Shembuj që japin produktivitetin e tij krijues janë edhe vargjet e poezive të librit “Melodi e pritjes”, të cilën autori e ndau në dy cikle:”Stacion i pritjes”, dhe “Unë e desha zog”.
 Që në fillim të librit, nga poezia e parë paraprijëse dhe përkushtuese, shohim mjeshtërinë dhe talentin krijuese të tij :
“Vetëm edhe pak
Sa t’i herrim therrat livadheve
         Sa t’i mkëmbim lulëkuqet e gjakut
Sa të kthjellohet lumi në rrjedhë
Sa t’i tretim do zezëre nga qielli
Sa t’i shporrim hijet që na ndjekin
Sa ta marrim topin në dorë”

 (poezia, “Besë e gjakuar”).
 Në këto vargje të dendura me figura të ndryshme, autori hyn thellë në konceptin e optimizmit se çdo gjëje i vie fundi, pra edhe hijeve që na ndjekin, prandaj edhe pak kur “ta marrim topin në dorë” s’do të ketë më as zezëre në qiell, as therra që të gjakosin, pra do të përfundojnë të zezat për ne, atëherë në fund të poezisë, do të kthehet edhe personazhi poetik i autorit që e quan ”Ylli im” , i cili kaloi një oqean+një kontinent nga dëbimi në kohën e luftës. Përmes kësaj figure autori simbolizon birin e vet i cili pikërisht në kohën e luftës u dëbua nga atdheu sikurse edhe shumë shqiptarë, ku shumica e tyre u kthyen menjëherë pas përfundimit të luftës. Dhembjen  dhe mallin që ka autori për djalin e paraqet edhe në vazhdim të poezive tjera, e merr me mend dhe e parafytyron diku në një tokë të largët, të huaj dhe të lagur. Brenga e autorit është e madhe ajo ka bërë banesë në shpirt, sepse “Ylli i tij” gjendet një kontinent+një oqean larg tij (në poezinë “Pëshpëritjet e lagura”).
 Gati tek të gjitha poezitë e ciklit të parë autori nuk ndahet assesi nga koncepti i dhembjes që mbizotron në shpirtin e tij, në mënyrë figurative paraqet largimin e shqiptarëve nga trojet e tyre stërgjyshore si një lumë i “dridhëzuar” i cili kalon me gjithë ato gjarpërime kufij të shumtë, pa klasifikuar mënyrën e largimit të shqiptarëve, ku pjesë e këtij “Lumi” është pikërishtë edhe protagonisti kryesor “Ylli”. Ky pra është ai realiteti  kolektiv që autori e shprehë me anë të vargjeve në njërën anë, dhe dhembja e malli që e shoqëron pandërprerë autorin gjatë trajtimit të këtij motivi, në anën tjetër:
“Ec shtigjeve të bukurive të qelqta
Dhe nuk kërkon një gur
Nga vendlindja
Jastëk nën krye ta vësh”
 (Poezia, “Në vrojtim”)

 Me të tilla vlera janë edhe poezitë tjera të po këtij cikli, të cilat janë të shkruara me një stil të lartë nga, ku përmes vargjeve rrugëton nëpër tema që  e kanë preokupuar kauzën kombëtare dhe që edhe më tutje e preokupojnë, por mer forma dhe motive të ndryshme. Kjo shihet qartë në poezitë: “Bredhje bredharakësh” , “Kukuvajka”, “Të dua” etj., ku jepet i tërë objektiviteti real i kohës.
 Me poezinë “Të dua”, autori i drejtohet Kosovës, atdheut të tij, me një dashuri të madhe, duke ia numëruar tërë atë dashuri përmes vargjeve:

“Të dua
Aq sa mundem
Të dua
Aq sa ka shpirti fuqi”.

 Me tërë fuqinë e shpirtit autori përqafon Kosovën, mishërohet me të dhe krenohet me vendin e tij, dhe në vazhdim shprehet:

“Të desha dje
Dardani
Të dua sot
Kosovë
Si do që të jesh
Do të të dua edhe nesër”.

 Ky është ai mesazhi drejtuar lexuesve se si duhet atdheu, dhe përsëri kthehem te “guri jastëk nën krye”, që është një mesazh i fortë sepse nuk është e mjaftueshme të duhet atdheu vetëm me fjalë, edhe pse je largë atdheut përsëri guri peshon në vendin e vet.
 Në vazhdim të poezive ku gradualisht rritet vlera artistike, intensiteti  i gjetjeve të reja  etj., autori në mënyrë të  shkëlqyeshme bënë ndërtimin e vargut estetik. Kjo shihet qartë në poezitë e ciklit të dytë të po këtij libri:”Unë e desha zog”.Në poemën”Shtegëtarë i shtegut të shtegëtimeve”, përpos vlerave të paraqitura përmes vargjeve, autori ndërton vargje dhe i rradhitë ato me një estetikë grafike.Në këtë poemë është pasqyruar tërë ajo filozofia krijuese e autorit e cila nuk është e rastit, por poema të tilla kemi edhe në librat për fëmijë:”Ujëvarë e patharë”, “Qëndresë me besa besë” etj., ku kjo e fundit që po e trajtojmë vetëmse vulosë suksesin dhe artin e arritur të autorit:

“Ti o lumth
Ec
Dhe pas
Lë pastërti”.

 Le t’i pastrojë ato të këqija, të zezat që iu bënë popullit tonë, e sigurishtë edhe lumthi ishte dëshmitar i kohës, dhe le t’i pastrojë këto, por jo edhe historinë.
Ose në vargjet:

“Kush u la
 Në ty
Në shi
Njollat u mbetën
Të pashlyera
Në histori”.

 Këto janë disa nga shembujt e  figurave ndjenjësore  të autorit. kështu  vazhdon t’i trajtojë temat deri ”në kërkim të përditshmërisë”.

Cili është kërkimi i përditshmërisë?

 Autori në kërkim të përditshmërisë e ka kthimin e “Yllit” të mërguar, pra birit të tij të vetëm të cilin stuhitë e zeza  të Korbit shkatërrimtar e larguan nga atdheu,  sikur edhe shumë të tjerë dhe është optimist se një ditë do të kthehet bashkë me kujtimet e përtërira për vendlindjen dhe për Velia Glauan e të parëve të tij.
 Sikurse në këtë poezi kuptimplote ashtu edhe në poezitë tjera, autori është gjithnjë në kërkim të figurave që në vete ngërthejnë ndjenjë personale dhe motive inspiruese nga  përditshmëria jonë.
 Prej gjithë kësaj që u tha deri tani mund të themi se Hysen Këqiku do të vazhdojë të punojë edhe pas trembëdhjetë veprave letrare dhe se në dorëshkrim ka një mori veprash të zhanreve të ndryshme dhe së shpejti do ta shohin dritën e botimit dhe se lexuesi do ta vazhdojë bindjen, se kemi të bëjmë me një shkrimtar që gjurmon vlera të mirëfillta letrare.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora