Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Marius Qelaru: Prekje hyjnore

| E diele, 29.03.2009, 05:15 PM |


Sabit Rrustemi
Sabit Rrustemi
Botime të reja bukureshtare

PREKJE HYJNORE

(Sabit Rrustemi, Atingeri divine/Prekje hyjnore, Bukuresht, 2009)

Nga Marius Qelaru
 
Prekje hyjnore, apo prekje divine. Shpirti i fjalës dhe prekja e saj me fjalët e një shpirti të prekur nga flatrat e engëllit. Një autor i ri nga Kosova vjen këto ditë në atdheun e Emineskut me një vepër të re: Atingeri divine/Prekje hyjnore, një vëllim i admiruar vlerash antologjike me lëndën poetike në gjuhën rumune, ndërsa parathënia, shënimet bibliografike dhe titujt e poezive në të dy gjuhët. Vepra është realizuar nga autori i këtij shkrimi në bashkëpunim me Bashkësinë Kulturore të Shqiptarëve të Rumanisë. Librit i paraprin parathënia e eseistit Marius Qelaru, lënda poetike duke qenë e strukturuar në pesë kapituj: dy kapitujt e parë me nga 25 poezi (Udha e ëndrrës sime dhe Dhembje lirike), kapitulli Rizgjimi i Dardanisë me pesë vjersha kushtuar Kosovës, Isë Boletinit, Adem Jasharit, Agim Ramadanit, dhe kapitulli i fundit (Këngë dashurie), me shtatë poezi të autorit në gjuhën shqipe.
Sabit Rrustemi është poet, publicist dhe funksionar publik. U lind më 3 Prill 1959 në Terzijaj të Zhegrës, Komuna e Gjilanit. Shkollimin fillestar e kreu në vendlindje, të mesmin në Gjilan, ndërsa studimet e Letërsisë dhe Gjuhës Shqipe, në Universitetin e Prishtinës. Debutoi në shtyp më 1977. Në vitin 1981 burgoset për shkak të botimit të tregimit «Nën maskën e mysafirëve», botuar në revistën për art dhe letërsi, "Fjala" në ditën kur shpërthyen demonstratat shqiptare për pavarësi (1 prill 1981). Dënohet me katër vjet burg nga regjimi titist fillimisht dhe, pastaj për vite të tëra duke sfiduar gjyqet e asaj kohe ku, në fund të vitit 1987 i konfirmohen përfundimisht dhjetë muaj burg. Me këtë rast i ndalohet edhe botimi i krijimtarisë letrare, dhe ate me vendim politik dhe pa vendim gjyqi. Është autor i një numri të konsideruar veprash botuara në Shkup, Prishtinë dhe Bukuresht, i përfshirë këto ditë edhe në daqet e antologjisë Tempulli i fjalës. Ku i la lisat era, Besoj në një diell, Variacione për lirinë, Ëndrra që puthet , Paqja e brishtë, Pika e Zezë, Maska e Mysafirëve, Jetëshkrimi i Sylë Kopernicës, Natyrë me vaj, Shiu i buzëve tua, janë disa nga titujt e librave të tij, me poezi, tregime etj. Sabit Rrustemi, një mandat ishte edhe deputet në Kuvendin e Kosovës (2001/2004). Përpos krijimeve letrare e publicistike, në mënyrë aktive merret edhe me veprimtari politike. Është laureat i një sërë shpërblimesh letrare ne poezi e prozë mes viteve 1979/2009 në Republikën e Kosovës dhe ate të Maqedonisë. Për opusin e tij letrar kanë shkruar emra të shquar të peisazhit letrar shqiptar (Beqir Musliu,, Sali Bashota, Ramadan Musliu, Prend Buzhala, Nuhi Ismajli etj.). (B. Ymeri)
Realiteti i kundruar si një rrugë ndërmjet reales dhe ideales
 
Për autorin e kësaj vepre, duke evidencuar vlerat në një formë apo tjetrën, që në fillim mund të potencojmë faktin se është njëri ndër poetët më të talentuar të Kosovës. Sabit Rrustemi nuk shkruan poezi të "zhurmshme", por zgjedh tema të ndryshme të cilat herëpashere i gërsheton njëra me tjetrën. Nganjëherë paraqitet me një modesti të dukshme, duke zhvilluar një fushatë pa pretendime, edhepse në thellësi tejduket një përzjerje e imagjinatës (e temperuar me tipe tropesh të përdorura), me referenca ndaj kontekstit social/politik, ndaj aspiratave të shenjta kosovare, apo ndaj dashurisë (të cilës nuk i mungon ambienti „i ngarkuar" i emocioneve dhe dekori "fiziologjik"). Pikënisjen e përbën realja, ashtu siç është, një reale që të fton të kuptohet siç e konsideron poeti se është, për të pezulluar kah një reale tjetër, e brendshme, e reales ashtu siç e sheh. Nganjëherë ke senzacionin si një rrugë ndërmjet ideales dhe rojes së prishmërisë. Prishmëri e prurë, qoftë përmes mungesës. Përmes mungesës së lirisë apo dashurisë, si pasojë e sundimit të huaj.
Ja një "tabllo" e "shpupurisur", në të cilën universi i afërt duket i hedhur në erë nga një makrokontigjent: „Burrat humbën udhën në oborr/ që kur shkelën rendin e odës/.../Burrave u ra terri i pulave/ i zuri keqas mjegulla". Kësisoj, „Atllarët mbetën në ahur" dhe „Atllarët me vetmi i mbuluam/ i harruam". Përndryshe, shpesh, finalet e poemave duken relativisht të papërmbajtura, nganjëherë të vrrullshme. Sabiti sëhtë një temperament që duket hijerëndë, meditativ, autor që nuk mton të shprehet përmes përfytyrimeve prerëse, të guximshme, përmes një retorike të shkumbëzuar, por preferon konstrukcione të zhvendosura në petkun e një logjike personale të vargut.
Metaforat, ndërkaq, janë interesante dhe interesant të inkuadruara në kontekst. Nganjëherë duket i prirë ndaj një filozofie ekzistenciale e gërshetuar me meditime për jetën, hyjnoren, situatën në të cilën ndodhet bota në të cilën jeton, në botën e familjes dhe të atdheut të vet: Kështu, autori jeton në një botë në të cilën relievi ka rrënjë, dhe, shkruan ai, „Një mal jetë kalova/ nëpër prishendreqje". Një botë e cila „e mashtruar flente në paqë/ porsi varrezat nën fijet e barit" derisa „arkeologët e dhunës"/kot thërmuan „rrënjët e mia prej antike". Kjo për arësye se, shkruan Sabit Rrustemi, „Imja shtëpi u rinua/ e u përtëri/ në miliona dashuri"; apo: „Porta mbyllur rri/ kush s’hyn as del/… shtëpinë e vetme/ e rrëmih heshtja…// zoti ynë i përgjumur/ midis sheshit për çelës i varur".
Herë tjera e braktis këtë peisazh gjithsesi të përkohshëm, përmes përcaktimit të etapave krijuese, respektivisht të hapsirës kohë/konkrete, duke vajtur në një gjini tjetër prej illo tempore, të një kohe të përhirtë, të shqetsimit me nuanca citadine: "Udhëtarët ulur karrigave/ lexojnë gazeta/ ngjyrë e vranët/ ua mbulon fytyrat" dhe: "Për ndarje të këtilla/ ky shekull polli edhe një risi/ i shtyp njerëzit/ njësoj si gazetat". Nuk mungojnë as ironitë/ autoironitë, shpeshherë të hidhura: "çudi se sa kujdeset/ edhe për thyerjet teknike". Mund të flitet edhe për një "poezi të angazhuar", përmes vargjeve si: "Shën Liri Ynë/ tempull nderi e guximi/ në çdo pore të etnisë/ idhul lirie/ flijues/ e ndërtues/ me seli në Prekaz", apo: "Sytë m’u shterrën për Kosovë"; "Nuk ndalem dot/ Liri kërkoj/ për ty për veten e të tjerët" etj. dhe dashuria nuk mund të jetë veçse pjesë e kësaj mënyre të "vizatimit" të botës "Nën qepallat tua/ sytë e mi/ kroje gjaku u bënë/.../ gjaku im/ liri të bëftë ".
Mund të flasim edhe për jetën e përditshme, e parë edhe përmes prizmit të një fare përkëdheljejeje/ politizimi të anasjelltë/ largësim nga njeriu: "Nesër nëpër faqet e gazetave/ servohet bota e sotme/ e kësaj kohe plot mashtrime!, dhe, me siguri "gazetat nuk kanë faj për shqetësim", vetëm "kronikanët janë bërë memecë/ kanë harruar të flasin me gjuhë". Dhe fjalët e kanë humbur lirinë, dhe askush nuk është fajtor në këtë rast ("Unë nuk jam ai që lirinë tënde e cënoj/ fjalë e mirë"). Nuk është për tu mahnitur fakti se poeti e sheh "një botë të dezorientuar", "botës së minuar/ që mund të ndizet në çast ". Apo shakmisja e tmerrshme e flatrës shkatërruese të progresit "Merr frymë thellë-thellë/ nga maja e gishtërinjve/ thith ajër të pastër/ kohë industrie e pafiltruar/ thith pluhur ".
Duke e përmbyllur diskutimin për botën në të cilën i përcjell ëndërrat dhe jetën, duket se poeti e përjeton prore, porsi ëndërrimtarë të tjerë kosovarë, një tranzicion i përhershëm drejt njëfarë bote nga e cila disa e shohin ngjyrën e lirisë, të tjerët të pavarësisë etj., "e shkuara" duke qenë "e ngjyrshme" për secilin sipas nuancave të veta. Disa ende janë duke gjurmuar nëpër plagët e luftërave/ revolta të posashuara atje, të tjerët e kundrojnë në opozitë me lirinë/ pavarësinë etj. Madje edhe faqja e letrës, sidomos shkrimi, herë tjetër një gëzim i papërmbajtur, duken tani si një blok shënimesh: "Fletë e shkruar/ vashë e nusëruar/ u bëre e gjithëkujt si e askujt".
Në vargjet dedikuar dashurisë, për këmbim, sidomos kur dashuria është e shikuar thjesht e pastër ashtu siç është, e paintriguar në jetën sociale me të gjitha konotacionet e saj, ndeshemi ndoshta me faqet më të bukura të poezisë së Sabit Rrustemit. Ja disa: „Si peisazh reshë/ endem sytë tu"; apo: „Më djeg në sy/ më shkrin/ natën/ nëpër gaca përpushem"; apo: „Stina më e kthjelltë/ ishin sytë e saj/ të mbuluar/ me flokë të zezë/ n’atë fytyrëborë". Ndonëse, nganjëherë, duke lexuar poemat e Rrustemit ke senzacionin se ka mbetur diç për të thënë, ngase „me gjuhë të shkulura/ ngritëm muranë,/ të shpëtojmë/ nga vërshimë e fjalëve".
Është kjo një mënyrë përmes së cilës mund të duket se poezia e Sabit Rrustemit, kalon tejmatanë çfarëdoqoftë diskutimi tjetër stilistik, apo fjalori poetik. Nuk e dimë cili do të jetë pozicioni i tij në peisazhin letrar kosovar,  apo me çfarë gjykimesh të vlerave do të kurorëzohet, por neve na gëzon fakti se tashmë e kemi në gjuhën rumune njërin nga poetët më të talentuar nga shqiptarët e Kosovës, i prurë në gjuhën rumune përmes përkushtimeve të Baki Ymerit, dhe për të mirën e afrimit përmes kulturës.