E enjte, 25.04.2024, 10:44 AM (GMT+1)

Kulturë

Pierre-Pandeli Simsia: Të njohim poetët tanë Roland Musta?

E diele, 29.03.2009, 07:02 PM


Roland Musta 

Nga Pierre-Pandeli Simsia
 
Roland Musta është lindur në Tiranë, më 6 maj 1946.
Dashuria për letërsinë, dëshira dhe talenti për të shkruar poezi, ishin ngjizur tek Rolandi që kur ishte nxënës në shkollën tetëvjeçare.
Në sirtaret ku mbante librat dhe fletoret e shkollës ishin edhe fletoret me poezi të ndryshme, në pamundësi për t'u botuar.
Mësueset e letërsisë në ato vite do zbulonin krijuesin e ri letrar Musta, të cilat me vlerësimet dhe disa këshilla të vogla, do ndikonin, që poezia të ishte për të pjesë e pandarë e jetës së tij të ardhme.
Pas mbarimit të klasës së 8-të me rezultate të shkëlqyera i del e drejta e studimit në shkollën e mesme ushtarake "SKËNDERBEJ" .
Më pas, vazhdoi studimet e larta në Akademinë Ushtarake.
Studenti 20 vjeçar në atë kohë i realizohet edhe ëndra e tij e vjetër; i botohet vëllimi i parë poetik: "Nëpër Agime"
Gjatë gjithë jetës së tij studentore Musta shkruante vazhdimisht poezi.
Përfundimi i studimeve të larta  me rezultate të shkëlqyera, i hapi udhën për të punuar në organet e shtypit ushtarak. Musta gjithashtu ka punuar edhe në Drejtorinë e Kulturës në Ministrinë e Mbrojtjes dhe në disa gazeta të ndryshme.
Puna në gazetë bëri, që ai të mos ishte aq i zoti për t'u shmangur dhe për të vijuar krijimtarinë e tij poetike. Në ato vite ka botuar herë pas here në organe të ndryshme të kohës si: "Drita", "Nëntori", "Zëri i Rinisë".

Roland Musta
Roland Musta
Edhe pse me diplomën e ushtarakut në xhep, Rolandi kishte një "brengë" në veten e tij dhe ajo "brengë" iu realizua, kur fitoi të drejtën për të vazhduar studimet e dyta të larta në Universitetin Shtetëror në Tiranë, në degën Gjuhë-Letërsi, të cilat i përfundoi në vitin 1978.
Ai vit, përveç  diplomimit, do t'i sillte edhe një gëzim tjetër; i botohet vëllimi i dytë poetik: "Jetë"
Roland Musta është përfaqësuar gjithashtu me krijimtarinë e tij letrare në përmbledhje të ndryshme poetike si :Antologji poetike kushtuar Gjergj Kastriot Skënderbeut dhe asaj kushtuar Naim Frashërit , ne 150 vjetorin e tij të lindjes.
Nga mesi i viteve 70-të dhe në vitet e 80-të, emri i tij u bë i njohur gjithashtu edhe në Festivalin Kombëtar të Këngës në Radiotelevizion, që zhvillohet çdo fundviti, traditë kjo, që vazhdon edhe në kohën e sotme, ku poezitë e tij u morën nga kompozitorë të ndryshëm për t'u bërë këngë.
Ka në proçes botimi edhe një vëllim tjetër me poezi.
Që nga viti 2002 jeton në Michigan bashkë me familjen e tij.
 
Disa poezi të shkëputura nga vëllimi poetik "Borë në Michigan" të autorit Roland Musta
 
CURRICULUM VITAE
 
Nuk e mbaj mend vitlindjen
Kujtoj vetëm tre fëmije plot ëndrra dhe të
ndrojtur si unë.
Ndonjë libër me vjersha,
ca reportazhe e artikuj
Në gazeta të zakonshme dhe kryesore,
Nga gjithë sa thashë, ndofta ju përndihet,
të paktën një emër:
Roland Musta.
E zotëroj mirë shqipen,
Por duke u shprehur shqip,
Shpesh me kanë mundur
belbanët.
 
ATAVIZËM
 
Që nga Çajupi, Konica e Zogu
Te Fishta, Kadareja e Arshi Pipa,
Shqiptarët s’u bënë e s’u bënë së toku,
Dreqi i shtyu në shtigje të liga.
U grinden, u shanë e s’u ngopën,
Si brenda e në dhe të huaj,
Vlera ngritën
dhe vlera ngurosën,
Njeri – tjetrin
përçmuan.
 
BERAT
 
I moçmi qytet i botës
Me emrin Berat
Më lojti nga mend e kokës,
Më bëri përçart.
 
Atje s’shkoja për ca kisha
Rrëze një kështjelle,
Si një velë e kaltër isha,
Isha si kotele.
 
Atje s’shkoja për ca kisha
Siç bënin turistët,
Si një re e mbytur isha
Pa ndeshur Luizën.
 
Një qytet nga fundi i botës
Me emrin Berat,
Më shkuli nga mend e kokës
Mbeta beribat.
 
QENI
 
30 vjet më parë
Banonim në Përmet,
Kur unë isha shkollar,
Im atë, po kolonel.
 
Një qen na solli ati,
Qen gjahu, bojalli,
Kur kthehej nga reparti,
I dridhej si qejfli.
 
Me të isha Kolomb,
Komit e shtegtar,
Me të isha kalorës
Dhe fare pak shkollar.
 
Kështu u tretën vitet,
Një dite Përmetin lamë,
Por në kujtesë vërtitet
Një qen, një laraman.
 
Ai na ndoqi gjatë,
Kuisi pas makine,
I thirra “Çap” që lart,
U bind
 
dhe prapë s’bindej.
 
...Mbrëmë pas kaq vitesh
U ndodha në Përmet
Dhe bëra një shëtitje
I vetëm, mbi qytet.
 
Eca ndanë Vjosës,
U hodha përtej urës,
Nga pas një qen i vogël
Më ndiqte me sy lutës
 
M’u bë se brofi “Çapi”,
Qenushi më lëpinte.
U ula poshtë një rrapi
Dhe lumi rridhte, rridhte…
 
KUJTESË
 
Nga fundi i jetës
Njeriu plogështohet.
(Kjo dihet nga të gjithë)
I bie humori
Më shpesh pendohet
Dhe më shpesh përmallet,
Siç duket, ndjen
largësi me të gjallët,
Intimitet me varret.
 
KOCKAT
 
Natën kur bie te fle, më në fund,
Vonë, kur gjithçka kridhet në qetësi,
Lodhje ndjej e gjumi s’më mund,
Megjithëse ndodhem në shtëpi.
Diku me dhemb, diku më therr,
Nuk jam somnambul, nuk jam bohem.
Dhe zë rrotullohem në shtrat,
Gjymtyrët më bëjnë
kraf – kraf.
Kushedi sa ftomë e lagështire kanë marrë.
Në 40 vjet, kanë heshtur
Dhe kur janë vrarë,
Dhe kur janë zhveshkur.
Tani, si duket, më s’mbajnë.
Si trungjet, që ndënë sytha
Qajnë.
 
QIELLORE
 
Jam si një çerr i vogël
Që krahët shpupurit,
Folenë e bëj në tokë,
Por qiellin kam shpirt.
 
TRILL

 
Koha mashtroi lulet,
Si qelq mbeten sythat.
Kthetrat, kur u ngulen,
Si u vranë të gjitha.
Ky acar më zgjoi
Befas një syzezë,
Hiret sa zbuloi,
Ngurosi çdo shpresë.
 
ËNDËRR DIMËRORE

 
Dimrit nuk i ndjeva dimër,
Sa erë fryu, sa borë ra.
Një ëndërr më kish mbërritur
Dhe ëndrra, ëndërr la...
 
KU ISHE TI

 
Kisha nevoje të të shihja,
Nuk di ç’m’u shkrep, ashtu kot.
Ku ishe ti, e vetmja imja
Kaq larg të jesh, sa nuk vjen dot.
 
Kisha nevojë të të shihja,
Kisha nevojë për një fjalë,
Pa ty, u tkurra e u mpiva,
Dil, se shpirti, s’do më dalë...
 
Ku ishe ti, kur unë të thirra
Jo në ëndërr, por nga një muzg,
Në palcë më kanë hyrë shirat,
Gdhihem – ngrysem nëpër rrugë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora