E premte, 07.10.2022, 02:40 PM (GMT+1)

Kulturë

Baki Ymeri: Fluturimi i fjalëve

E shtune, 28.03.2009, 09:08 PM


Fluturimi i fjalëve

Nga Baki Ymeri

Krahas librit të Sabit Rrustemit (Atingere magica/Prekje hyjnore) dhe Ali D. Jasiqit (Ochiul campului/Syri i fushës), këto ditë kemi përpara një antologji të re poetike e cila regjistrohet në spektrin e vlerave të përbashkëta me nga gjashtë poetë shqiptarë dhe rumunë, një album poetik që na fton në lojën e imagjinatës përmes forcës dhe fluturimit të fjalëve (Zborul cuvintelor/Fluturimi i fjalëve). Fjalët shqipe fluturojnë në trojet e gjuhës rumune dhe anasjelltas. Eseistët rumunë shkruajnë për vlerat e autorëve shqiptarë (Ramadan Mehmeti dhe Mexhit Mehmeti nga Kosova, Riza Lahi dhe Merita Bajraktari McCormack nga Shqipëria dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Alush Kamberi e Shaip Emërllahu nga Maqedonia), ndërsa eseistët tanë shruajnë për vlerat e poetëve rumunë. Nga këta të fundit shquhet Puiu V. Moiçeanu (1935), poet, eseist dhe epigramist, autor i dhjetë vëllimeve me poezi dhe epigrame. Sipas poetit, romansierit dhe eseistit Mihai Antonescu, Puiu Moiçeanu krijon një figurë të veçantë në letërsinë bashkëkohore rumune. Rrezaton dhe shpërndan inteligjencë dhe talent. Ai është hija e shpirtit tonë në kohëra të përmbytjeve dhe acarit, tani, kudo, kurëdo dhe gjithmonë:  “Nuk po ngopem dot me dashuri/ dhe as me lakuriqësinë tënde moj çikë/ libri im i parë i dashurisë, nuk kishte presje dhe as pikë./ S’ka lëvore e s’ka faqe/ janë topitur duke i shfletuar/ kur i numëroj puthjet e përditshme/ konstatoj se tërë jetën kam dashuruar”. Puiu Moiçeanu është një poet i talentuar sipas të cilit, “Të mençurit mësojnë/ edhe nga ata që s’dinë të lexojnë”.
Ioan Gliga (1944) vjen nga, rrethi i Mureshit. Debutoi si nxënës në revistën Muguri (Muguj), pastaj në revistën Astra (Ylli), duke dëshmuar përkushtim artistik dhe aspirata solare (të diellëzuara). Bashkëpunojë 15 vjet me rradhë duke i shpërndarë poezitë nëpër gazeta e revista, përfiton Çmimin Tribuna në Festivalin e pozisë në Sigjetu Marmaciei, bashkëpunon me emisione në Radio dhe Televizion, është prezent në antologjitë Dheu i shtëpisë, Gjithçka që kam i përket kësaj toke, Eminesku përjetë i ri. Përkushtime lirike, etj. Shpeshherë e rigjen vendin në botën e brishtë të fëmijërisë, duke u dhuruar këtyre (në bashkëpunim me vajzën e tij piktore, Luminita Gliga, vëllimet Druri i magjepsur, Gjuetari i vogël, Krimbi mbret dhe milingonja Rucë, Stinët, dhe një gamë nga mençuria e tij magjepse e gjëegjëzave, merita letrare për të cilat është nderuar me dy çmime të Filialës së Lidhjes së Shkrimtarëve të Rumanisë në Brashovë. Në ndërkohë ka botuar vëllimin me vargje ironike dhe humoristike, Baladat T..., një varg epigramesh të përfshira në vëllimin Shitësi i hithërave, si dhe vëllimin antologjik Në vegim të çiltërsisë. Sipas tij, «Qukapiku është një doktor i mirë,/ që troket në zgërbonjën me pika,/ ngase nën lëvoren e thatë/ vdesin krymbat nga frika”. Pason Elena Liliana Popescu, poete, përkthyese, botuese. U lind (1948), në qytetin Turnu Mëgurele, rrethi i Teleormanit. Studimet e mesme i kreu në Buzëu, ndërsa shkollimin universitar në Bukuresht, ku përfitoi titullin Doktor i shkencave matematikore. Është profesor universitar në Katedrën e Informatikës, Fakulteti i Matematikës, Universiteti i Bukureshtit. Është anëtare e Lidhjes së Shkrimtarëve të Rumanisë dhe ka botuar mbi 20 vëllime me poezi dhe përkthime nga anglishtja, frëngjishtja dhe spanjishtja: Këngë Dashurie/ Song of Love Peregrino, Cuan grande es la tristeza, Këngë Dashurie, Himno a la Existenca, Un solo canto, Peregrino.  Është laureate e një serë çmimesh letrare në Gjermani, Spanjë etj., e përfshirë në vëllime kolektive në Rumani, Argjentinë, Meksik, Peru, Spanjë. Poezia sipas saj është “një mrekulli e dukshme/ në çastin e qetësisë së fshehur/ në një fakt të natyrshëm/ një mahnitje që e përfshin në te/ dëshprimin për të mos e ditur/ zgjidhjen e Misterit”.
Florika Bud/in e kemi prezantuar në antologjinë paraprake (Tempulli i fjalës), duke e përfshirë me shqipërime të reja edhe në këtë vepër, në shenjë respekti për vlerat, respektin ndaj gjuhës shqipe dhe sponsorizimin e botimit, një „lajthitje” profesionale (pr ta përfshirë në tre antologji brenda një viti), e cila justifikon mendimin se poetit i falet çdo gjë, pos një gjëje: poezisë së dobët. Horia Gârbea (1962), u lind në Bukuresht. Është inzhenier ndërtimi, doktor në inzhenieri, kuadër didaktik, poet, prozator, eseist, kritik letrar dhe teatror. Pas revolucionit antikomunist ()1989, ka zhvilluar një veprimtari të dendur publicistike. Ka botuar 12 pjesë reprezentative në Rumani, Francë dhe Angli. Ka përkthyer dhe adaptuar për sqenë autorë të shquar botëror (Çehov, Corneilles, Ionesku etj.). Ka botuar 14 vëllime letrare, është prezent në antologji të panumërta gjuhësh të ndryshme, e ka përfaqsuar Rumaninë në festivale ndërkombëtare për teatër dhe poezi, ka përfituar një serë çmimesh të rëndësishme letrare për poezi, prozë, darmaturgji, ndërsa romani i tij Rënia e Bastilies është dekoruar me tre çmime kombëtare (1998). Është laureat i Urdhërit Merita Kulturore me gradë të Kavalierit. Linda Maria Baros (1981) u lind në Bukuresht, mbrojti liçencën dhe masteratin për letërsi në Sorbonë. Aktualisht është doktorante për letërsi komparative në Universitetin e Sorbonës dhe atë të Bukureshtit. Ka botuar në rumanisht: Muzgu është larg, shkule kordhelen! Poemi me kokë mistreci dhe dy pjesë teatri: Erdhi te unë një kentaur, Shpirtërat e mëdhenj nuk merren kurrë me gjëra të parëndësishme, Le Livre de signes et d’ombres, Fjalori për shenja dhe shkallë. Është laureate e Çmimit për Vokacion Poetik, Apollinaire, i konsideruar si shpërblimi më i rëndësishëm për poezi frenge. Ka përkthyer në rumanisht apo frëngjisht përmbi 25 libra, ka marrë pjesë në disa festivale internacionale të poezisë. Është anëtare e Unionit të Shkrimtarëve të Rumanisë dhe Ndihmës/sekretare e Shoqatës së Përkthyesve të Letërsisë Rumune me seli në Paris. Është drejtore e revistës letrare VERSUs/m dhe iniciatorja e organizimit të festivalit Pranvera e Poetëve/Les Printemps des Poetes, në Rumani, Republikën e Moldovës dhe Australi. Gjatë vitit 2008 ka qenë ambasadore kulturore e Rumanisë në kuadrin e Sezonit Kulturor Europian. E vesh këmishën e mureve siç e veshin të tjerët këmishën e vdekjes, shkruan për ëndërra të alivanosura dhe ëdnërron për t’ia shkruar emrin në gjumë, me shkronja të ëmbla e të buta si buzët e dashurisë.
Nga poetët shqiptarë shquhet Ramadan Mehmeti nga Kosova,  bashkëpunëtor i të gjitha gazetave dhe revistave në gjuhën shqipe. Shkrimet e tij janë përkthyer edhe në gjuhët serbe dhe boshnjake dhe u nderua me shumë çmime letrare. Eshtë editor i shtëpisë botuese Rozafa të Prishtinës dhe anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës. Librat e tij e kanë parë dritën e botimit në Kosovë dhe Shqipëri. Jeton dhe krijon në Prishtinë. Vlen të përmenden disa nga veprat e tij (poezi, tregime, monografi): Jeta pa titull, Koncerti i heshtjes, Loja e ruletit, Requiem për Mirko Gashin, Ti je e vogël, Ringjallja, Fusha e korbave, Te guri i atdheut, Zemrat bëhen ura, Brigje shpirti, Mëkate të zgjuara, Testamenti i gjyshit, Loja e ruletit, Te guri i atdheut, Kur pikëllohen zogjtë, Ura e Maskatarit, Poshtërim i ndjenjës, Bekimi i gjurmëve, Tekstament letrar (mendimi kritik për krijimtarinë letrare të Ramadan Mehmetit përgatitur nga Prend Buzhala). Diagrami i kohës, Ëndërrova një ditë të shenjtë, Një zë fëmijëror, Rrugët tona, Lashtësia e grishjes, Fshehtësia që më kafshon ag e terr, Në tingujt e këngës u zgjua zogu, janë titujt e poezive të rikënduara në gjuhën rumune. Alush Kamberi, poet, eseist, gazetar. U lind në Strimnicë të Tetovës (1947). Shkollën fillore e kreu në vendlindje, kurse atë të mesmen dhe studimet e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe i vazhdoi në Shkup. Prej vitit 1967 ushtron profesionin e gazetarisë në TV e Maqedonisë, ku gjendet edhe sot e kësaj dite. Nga veprat e tij shquhen: Prafullima, Zbutësit e tokë, Shqiptarët e Rumanisë (koautor), Përndjekjet e mëdha, Katër shekuj të pagjunjëzuar, Dhembje për tokën (antologji), Psalme të vonuara. Është autor i disa veprave të përkthyera dhe filmesh të panumërta dokumentare për televizion, i prezantuar në faqet e këtij libri me poezitë Zjarrmi, Gjërat e Djegura, Dritaret e natës, Psalmin thuaje deri në fund, Pikturë e humbur, Fjala e fundit e gurit etj.
Mexhid Mehmeti nga Kosova, njëri ndër themeluesit dhe redaktorët e shtypit letrar në Preshëvë dhe Bujanoc, drejtues i  klubit letrar “Feniks” të Preshevës dhe edicionit botues të këtij klubi. Është prezantuar në revista dhe antologji poetike, tekste universitare, leksikone, albume, botime kritike etj., në shqip e gjuhë të huaja. Bashkëpunon pothuajse me të gazetat dhe revistat që dalin anembanë rruzullit shqiptar. Është anëtar i kryesisë së Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, fitues i disa çmimeve importante për poezi dhe romanin “Shtatë ditë pas vdekjes”. Jeton dhe vepron në Prishtinë e Fushë/Kosovë. Ka përkthyer një numër të konsideruar veprash letrare, ka drejtuar emisione letrare në Radio Rilindja, dhe ka botuar mbi 5000 artikuj gjinishë të ndryshme, duke filluar nga lajmet e thjeshta, raportet, komentet, reportazhet, e deri tek fejtoni dhe intervista. Debutimi në shtyp (1965). Në periudhën 1977/2007 ka publikuar 14 tituj, përkatësisht njësi bibliografike, në të cilat janë përfshirë gjithsej 18 vepra të gjinive të ndryshme si: poezi, poema (për të rritur e për fëmijë), tregime, novela, romane, drama, me një tirazh të përgjithshëm prej 10 mijë ekzemplarësh, me një bibliografi të bujshme letrare dhe me një cikël prej dhjetë poezishë në gjuhën amtare në antologjinë Fluturimi i fjalëve. Riza Lahi (poet, pilot dhe patriot), vjen në faqet e antologjisë nga Shkodra. Ka kryer shkollën ushtarake të aviacionit, profesion që e ka ushtruar deri në vitin 2000, në bordin e aeroplanit të tij duke parakaluar katër presidentë të Shqipërisë. Është larguar nga ushtria në vitin 2002, me gradën e nënkolonelit. Ka punuar me organizmat ndërkombëtare brënda vendit, ushtron gazetarinë dhe është autor i 23 veprave origjinale apo të përkthyera, mes të cilave:   Ylli që sheh mbi sheshin Skënderbej, Ledia në një natë me hënë, Kosova, e fejuara ime, Drenica, qeleshja kosovare, Golgota shqiptare (vepër e autorit gjerman me prejardhje hebraike, L. Freundlich), Ikja masive (H. P. Rullman), Ëngjëlli i Mostarit dhe Nuk ka ëngjëj në këtë botë (S. Bejkër), Nën hënën e Ulqinit, Trëndafilat, Fluturoi qielli nga cepi i velit tim (F. Forukhazd), Poezi të përzgjedhura nga vendet anglishtfolëse, Natën i pëshpërita një ylli (Xh. Rumi), Dinosaurët e fundit, Vorri i Ashikut, etj. Është fitues i disa çmimeve letrare dhe anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë, anëtar i Shoqatës Botërore të poetëve (WPS). Dhe vjen në faqet e Fluturimit të fjalëve me Motive nga Saranda, Gruan e divorcuar dhe Mëngjesin mbi det.
Shaip Emërllahu është poet, eseist dhe publicist. U lind në Trebosh të Tetovës nga prindër me prejardhje nga Shipkovica (1962). Shkollën fillore dhe gjimnazin i kreu në vendlindje, ndërkaq studimet për Gjuhë dhe Letërsi Shqipe i kreu në Universitetin e Prishtinës. Është drejtor i Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë Ditët e Naimit, Tetovë, ish/gazetar dhe redaktor i Flakës (së shuar të vëllazërimit). Bibliografi letrare dhe publicistike: "Pagëzimi i viteve", "Projekti i thyer”, "Edhe ne dëshmojmë/We witness (bashkautor), "Vdekja e paktë", "Vdekja e paktë/Putina moarte" (vëllim bilingv), “Poezi” (kroatisht/shqip), "Dvorski son",  “Sadudin Gjura, jeta dhe vepra” (monografi e botuar në gazetën “Flaka”), “Aktiviteti politik dhe kulturor i grupit atdhetar “BESA” (fejton i botuar në “Flaka”). Ka marrë pjesë në festivale poetike nga vendi e bota. është fitues i disa çmimeve, ndërsa vargjet e tij janë përkthyer në frëngjisht, anglisht, hebraisht, spanjisht, arabisht, rumanisht, polonisht, çekisht, kroatisht, maqedonisht dhe vllahisht. Poezitë prezente në këtë antologji i ka përkthyer dr. Luan Topçiu.
Merita Bajraktari  McCormack  u lind në Korçë (1966), u rrit në Cangonj të Devollit, u persekutua për arsye politike pasi ishte “mbesë kulaku", duke iu ndaluar e drejta e studimit për art, megjithëse fitoi konkurset e duhura. Përfundoi shkollën e mesme, studimiet ekonomike dhe pasuniversitare, duke përfituar titujt Mësuese e gjuhës angleze dhe Master Of Business Administration (MBA), duke studjuar në Shkollën Europiane të Studimeve për Manaxhim në Universitetin Surrey (Angli). Pasionet e saj janë arti, letërsia, muzika dhe teknologjia moderne. Shkruan poezi dhe prozë (në shqip dhe anglisht), është korrespondente e gazetës Illyria në Nju Jork dhe e revistës Informatori në Zagreb, prezente me poezi dhe artikuj në Shqipëri dhe Diasporë. Eshtë themeluese dhe moderatore e disa gruplistave dhe forumeve komunikative shqiptare në Internet. Që nga viti 1994 jeton dhe krijon në New York.  Në vitin 2006 u nderua nga Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro/Amerikanë me çmimin Pena e Artë. Njihet me librat Me zërin e Zemrës, Tinguj Malli, Lulet e Jargavanit, The Lilac Flowers, Dritaret e Shpirtit / Ferestrele Sufletului. Është prezente në antologjitë  Mozaikë të një Portreti, Kur të Digjem, Perëndim i Mallur, si dhe në një antologji me poezi në anglisht. Fjala dhe shpirti i saj, flatrat e përmallimit dhe sentimenti i dashurisë janë disa nga motivet elementare të lirikës së kësaj poeteshe që e kultivon gjuhën shqipe në Amerikë, e prezantuar para dy vitesh në gjuhën rumune përmes vëllimit Ferestrele sufletului/ Dritaret e shpirtit.



(Vota: 11 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora