E premte, 19.04.2024, 06:20 AM (GMT+1)

Kulturë

Skënder R. Hoxha: Metaforat dhe përkushtimet si klithje poetike

E shtune, 28.03.2009, 11:30 AM


Skënder R. Hoxha
Skënder R. Hoxha

(Ese)

 

METAFORAT DHE PËRKUSHTIMET

SI KLITHJE POETIKE

 

/Besim Perjuci, klithjet e moshave të mia, Club Kultura, Pejë, 2008/

_______________________

Prof.  Skënder R. HOXHA

    

     Klithjet e moshave të mia” është libri i parë i këtij krijuesi të pjekur, jo vetëm në moshë, po të pjekur edhe në artin e fjalës së shkruar. E thashë këtë meqë ne, brezat e tij, kemi pasur rastin që nëpër faqet e gazetave e të revistave tona kohë pas kohe të lexojmë ndonjë krijim të Besim Perjucit, ndonëse jo shpesh. Ndërkaq, në vitet e pasluftës së Kosovës (1998 – 1999), këtë emër e gjejmë me ndonjë shkrim me interes (kryesisht arsimor), e me ndonjë poezi, në revistën arsimore “Shkëndija”, apo edhe në ndonjë gazetë tjetër, me çka, sidomos ne krijuesve, na gëzonte.

     Botimin e përmbledhjes së parë të tij me poezi dhe dy proza poetike, siç janë quajtur në libër, e që po e promovojmë sot, nuk duhet ta marrim as ta kuptojmë si shkallë të parë të pjekurisë poetike të këtij krijuesi, në këtë moshë, por, atë duhet kuptuar si një sublimim të një pune të tij në krijimin dhe latimin e vargut, nëpër kohë, e lexuesit, sot, t’ia ofrojë si një dhuratë të vlefshme e të përgatitur gjatë një harku kohor të caktuar.

    Do të ndalem në strukturën e librit, meqë mendoj se u tha mjaft nga redaktori dhe recensentët.       

    Libri “Klithjet e moshave të mia” për nga struktura ka këto nënndarje: Klithjet e moshave të mia, Fragmente në gjymtyrët lirike, Përkushtime, Katandisjet e fatit dhe Prozë poetike, ku në këtë të fundit gjejmë dy proza të cilat mund të quhen edhe proza meditative.

     Shihet se libri ka dy nënndarje të mëdha, që nuk mund të quhen vetëm cikle, ndonëse janë në simbiozë brendapërbrenda këtij libri. Këtu kemi të bëjë me dy nënndarje gjinish apo formash letrare: e para  poezia, me disa poezi, të cilat, përveç klithjeve e përkushtimeve, kanë edhe kuvendime poetike dhe e dyta proza, me dy proza poetike, të cilat kanë elemente meditative, elemente të tregimit të shkurtër predikativ etj., por gjithsesi të imponohen të lexohen me ëndje dhe gjatë leximit vërehet se kuptohen lehtë.

     Vargu i tij qëmoti dëshmonte se kishte parashenjat e një talenti poetik, ndërsa në këtë përmbledhje, diçka më lart se të tjerat, qëndrojnë vjeshat e përkushtimeve.

     Vjershat dhe prozat poetike të kësaj përmbledhjeje të ngjeshur, sjellin reflekse çështjesh, e tematikash të ndryshme, si: e kaluara me katrahurat e saj, fatet e njerëzve dhe netët pa gjumë, lufta dhe njerëzit, kultura dhe njerëzit, pena dhe njerëzit, arsimi dhe njerëzit, relacioni tokë – atdhe – njeri, etj., të vargëzuara me përkushtim.

     Artikulimi përkushtues

     Vjershat përkushtuese, që në libër janë në nënndarjen me titull “Përkushtime”, ku prin vjersha me titull Nënës në kujtim, tri vjersha që i kushtohen njeriut tonë të çmuar e të nderuar, njeriut të vuajtjes e të sakrificës, njeriut i cili, fatbardhësisht, sot është në mesin tonë, Xajë Nurës. Kësaj figure, poeti nuk kursehet pa ia thënë edhe këtë: “Të përgjërohem miqësisht deri në Tokën e Madhe”, varg që tingëllon edhe si jehonë adhurimi.

     Këngëtimin përkushtues Përjuci e thellon edhe në vjershën “Edhe sot këngën s’e pushon”, (Më rastin e 70-vjetorit të lindjes së Shkrimtarit Azem Shkreli). Në fillim të kësaj vjershe autori thotë: “Pa zbritur mirë rrafshit me vete/ Mbaje aromën e rrëshirës së pishakut plak/” , ndërsa në një varg tjetër shkrimtarit i drejtohet: “Ti ndërtove kulla të reja me fjalën Azemshkrelçe” (f. 42). Pastaj vazhdohet me vjershat përkushtuese të dhembjes sonë, si ajo me titull: Vetëm lindjet i kemi kujtim, që i kushtohet djemve tanë: Ali, Qemajl dhe Astrit Spahisë, viktima të terrorit serbosllav. Ndërkaq, vjershat: “Dy fjalë t’ju shkruaj, kushtuar Ejup Kastratit, Puthe yllin qiellor, me nëntekstin përkushtues: Pranë lapidarit të Ardian Krasniqit, ajo me titull Ngadhënjimi, kushtuar luftëtarëve të lirisë, e ndonjë tjetër, kanë vargje që therin dhembshëm dhe lartësojnë krenarinë e qëndresën. Ja dy – tri vargje për Ardian Krasniqin: “Hapin e nisur/ Kurrë s’e ndale/ Vazhdove me këngën e jetës/ me këngën që nuk vdes”/ (f. 61).

     Vargjet metafora

     Nënndarjes tjetër “Katandisjet e fatit” i prin një vjershë e gjatë me titull “Jeta i rilind damarët e kësaj toke”, e cila ka 22 këngë. Këtu gjejmë disa vargje që kanë fuqinë e metaforave, si: “Histori e vjetër je Kosovë, Histori ethesh Kosovë që nuk kërrusesh, Histori e përtypur damarëve të gjakut, Histori e moçme me krahë të kafshuar, Histori e qëndresave tona, Histori e tokës së djegur, Histori ëndrrash të molisura, Histori mezhdesh të këputura, Histori e drejtpeshimit, Histori plot zjarre, Histori e shekujve memecë, Histori e dhimbjeve tona”, për të përfunduar këtë vjershë të gjatë me vargun – metaforë: “Histori e shtigjeve të reja”. Këto metafora, përveç një përmbajtjeje të thellë që kanë,  tingëllojnë edhe si kremtim i fjalës poetike.

Kompozitat në poezi

Në vargje të këtyre poezive ndeshim në disa kompozita, shumë prej të cilave janë edhe neologjizma. Të këtilla janë: kohëhapësirë, tingullëmblën (f. 7); grushtguacë (f. 23); dëshirëjetës, nënëshkreta (f. 35); rrezediellin (f. 56); ëmbëlpritur (f. 57); fatmjera, varrvrasës (f. 79); ujëburimin, fillimvjeshtës (f. 81); pragoxhakun (f. 82); faqendritura (f. 83); terrerrësira (f. 84); etheshlligash (f. 85), e ndonjë tjetër, fjalë këto që iu jepin fuqi vargjeve, ndërsa për gjuhësinë janë pasuri dhe lëndë për studim.    

Ndaj, në fund të kësaj fjale, më duhet të them se krijuesi Besim Perjuci paska heshtur së botuari e nuk paska heshtur së shkruari.



(Vota: 13 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora