E diele, 25.09.2022, 12:14 AM (GMT+1)

Kulturë

Flet artisti, koreografi, solisti, “Mjeshtri i Madh i Artit”, Besim Zekthi

E shtune, 28.03.2009, 01:21 PM


Besim Zekthi
Besim Zekthi
Në Greqi Akropoli u trondit, Andrea Papandreu u mrekullua

Ndonjëherë më ndodhte që kur hiqja çorapet e leshit, bashkë me to më dilte dhe lëkura e këmbës

Nga Albert Zholi
 
Një jetë të tërë në skenë ai i arriti të gjitha sukseset. Arriti të marrë jo vetëm të gjithë titujt si artist, por në aktivitete ndërkombëtare ka marrë vetëm medalje ari. Ky është Besim Zekthi, kërcimtari dhe koreografi virtuoz, elegant, burrëor që koha nuk ja ka marrë moshën. Kur flet për vallen, ai nuk përmbahet, por flet plot dinamizëm sikur fjala në këtë rast të jetë vetë skena ku ai ka shpalosur vlerat më të mira të dhe më të spikatura të tabanit popullor. Kur ecën rrugëve të Tiranës me të, vëren lehtësisht përshëndetjet e kalimtarëve të rastit që ai ua kthen me atë buzëqëeshjen e tij plot fisnikëri, që rrallë e ndesh sot në respektin e përditshëm njerëzor. Biçikletën e ka “Benzin” më të sigurtë, ose “automjetin” që e ka shoqëruar gjatë gjithë jetës, duke i dhënë forcën që i duhet kërcimtarit në vallzimin e papërmbajtshëm në skenë.
 
Një jetë të tërë, artist, koreograf dhe solist i Asamblit Shtetëror, kur ka filluar veprimtaria jote artistike?

 
Veprimtaria ime si solist filloi me filarmoninë e shtetit në vitin 1952. Më vonë, me rastin e ndarjeve të TOB nga Asambli Shtetëror, në vitin 1957, meqë isha dashuruar shumë me vallet që në atë kohë dhe deri sa dola në pension, nuk jam shkëputur asnjëherë nga ata artistë që kanë mbledhur në stadiume apo salla në emër të Shqipërisë më shumë njerëz se çdo art apo sport tjetër shqiptar. Pas shkëputjes së filarmonisë veprimatria ime 40 vjeçare, në Ansmbël mblodhi gjithë krijimtarinë time artistike dhe si egzekutues. Kam shëtitur gjithë botën ku nëpërmjet valles kam pasur fatin të shoh stadiumet më të mëdhaja të botës.

Çfarë lidhje ka pasur Besmi me stadiumet?

Ke të drejtë që e bën këtë pyetje. Zakonisht në stadiume mblidhen për gladiatorët, futbollistët, por ky asnanmbël që kishim ne luante në skena gjigande, që mund ta mbulonin vetëm stadiumet dhe jo teatrot që i kishin numrat shumë të kufizuar të njerëzve. Po marr teatrin e Parisit, mirrte vetëm 2000 spektatorë, Skala në Itali, teatri Moskës, Operat e tjera të Parisit. Të gjitha këto teatro kishin një kapacitet shumë të kufizuar nga 700 deri në 1000 apo 2000 spektatorë. Meqë ansambli ynë kishte një famë të jashtzakoshme në botë detyroheshim që shfaqjet ti jepnim në stadiume. Dhe këto stadiume kishin nga 20 mijë deri në 50 mijë spektatorë. P.sh, po marr në Marok, stadiumi ku dhamë shfaqje kishte rreth 40 mijë spektatorë, në Dizhon rreth 50 mijë spektatorë (në vitin 1970). Në këtë stadium morëm dhe gjerdanin e artë. Pra Ansambli ynë ka qenë i përmasave botërore.
Ky nuk është vlerësimi ynë por këtë vlerësim e kanë shprehur Institutet Folklorike Botërore, si ai anglez, francez, turk, bullgar, rumun, suedez, vendet arabe dhe ato aziatike, duke filluar nga Kina, Vitenami, Koreja etj…Këto vende kanë shkolla shekullore për ansamblet e valleve dhe shfaqjet tona i kanë parë personalitete të kësaj fushe ( pa diskutuar ato politike).
 
Me cilat nga ansamble botërore që quhen shkolla jeni ballafaquar dhe keni marrë vlerësimet maksimale?
 
Unë po marr disa ansamble të niveleve shkollareske (pra që kanë qenë dhe mbeten shkolla të ansambleve) p.sh rusët me ansamblin “Berioska”, ansamblet ballkanike që kishin shkolla të egzekutimit të valleve të karakterit të tyre duke filluar nga rumunët, bullgarët, jugosllavët me ansamblin “Kollo” të Beogradit. Këto janë ansamble me nga 150-200 valltarë. Numri i kufizuar i ansamblit tonë nuk e ulte suksesin. Bile thoshin se, paraqitja e këtij ansambli në skenat e botës është shumë më i mirë se ato asnamble që kishin shkolla për këtë lloj arti (që kishin emër). Kam patur nderin dhe fatin që për 40 vjet, kemi pasur vetëm suksese. Përkundrazi kemi marrë vlerësime të atilla, që rrallë artistë mund t’i kenë marrë në botë. Por dua të them që, kjo është kënaqësia për një artist që punon në dy linja, atë të krijimtarisë së valleve si koreograf dhe atë të valltarit si ekzekutues.
 
Cilat kanë qenë vallet kryesore që ka egzekutuar në skenat gjigande Besimi?

Kam patur një fat të mirë se kanë ditur (disa drejtues) dhe kam ditur të mbledh dhe prezantoj të gjitha vlerat e kulturës sonë që nga Konispoli dhe deri në Tropojë (majat e Shkëlzenit). Që nga Adriatiku dhe deri në fushat e Devollit. Të gjitha zonat brenda dhe jashtë atdheut siç janë zonat e Maqedonisë, Çamërisë, Kosovës, Malit të Zi. Të gjitha vallet e këtyre trevave shqiptare, unë jo vetëm që i kam parë me një dashuri të jashtzakonshme, por, kam futur vlera të tilla krijuese, që sot e kësaj dite kanë mbetur në historinë e kulturës kombëtare. Janë shumë krijime, si “Dasma e Rrugovës” (për kryengritijen e famshme të Rrugovës), “Për flamur dhe për atdhe” (elegji e Rexhës) me përmasa profesionale me mjaft kulturë dhe taban kombëtar, vallet çame, por sidomos “Osman Takën” që kërkoi të hidhte një valle përpara se ta varnin, ( një nga kryeveprat shqiptare epiko-heroike), vallet labe.
Këtu ndalem, për shpritin e të kënduarit dhe pathosin e fjalës. Këto valle kanë atë pathos, me atë ison e mbështetjes së tyre pa pasur nevojë për muzikë. Kur e dëgjonin jashtë habiteshin. Shikonin se ku ishin instrumentistët.
Bilbilenjtë 13-të,
Vanë në litare vetë...
Valle të kënduara që kanë bërë histori në kulturën tonë kombëtare.
 
Flitet se i keni realizuar me sukses të gjitha gjinitë e valleve...

Për fat të mirë në këto sfera kam qenë i gjithanshëm. Kam ditur të luajë dhe vallet humoristike, ndryshe nga fiziku im epiko heroik. E kam ndjerë dhe e kam realizuar me po atë sukses edhe vallen e Shqipërisë së mesme (të formave të ndryshme) pa influenca të huaja.
Po vallet dropullite? Bëjnë shumë diskutime, por vallet Dropullite janë valle tipike shqiptare. Valle të qëndisura në kulturën shqiptare me karaktersitikat e veta. E thonë vetë grekërit, valle epiriote dhe Epiri sipas historianëve është e shqipatrëve. Edhe Çamëria sot një pjesë ndodhet në Greqi, po grekët nuk e kanë ezauruar dot vallen çame, pasi dhe sot i thonë “Çamiko”. Nuk e kanë ezauruar vallen kasapçe, por i thonë “Kasapiko”. Pra kultura jonë nuk është ezauruar por edhe vetë grekët i kanë ngritur në piedestal këto valle, për ngjyrën e tyre, forcën, muzikalitetin, elegancën. Kjo është një nga mështetjet që i kam bërë unë valles shqiptare në të tëra trajtimet e veta në të tëra sferat e llojshmërisë së saj.
 
Thuhet se “Vallja e shqipeve” është vallja monumentale shqiptare. Mendimi juaj?

Edhe unë bashkohem me këtë mendim. Atë valle e ka ideuar prof. Panajot Kanaçi së bashku me mua. Pra ishte një bashkpunim yni i frytshëm me një muzikë të përsosur. Pjetër Gaci “Artist i Popullit” ishte autori i muzikës. Ajo valle ka tronditur jo vetëm popullin tonë por mbarë skenat e botës ku është kërcyer. Ajo valle është një shqiponjë në fluturim. Eshtë një thirrje për bashkim, është një hymn skenik që të mbërthen me pathosin e saj. Ajo është vallja e flamurit, ose më mirë shqiponja në flamurin shqiptar. Ajo valle është kthyer në legjendë si vetë, historia –legjendë e flamurit tonë.
 
Kë do veçojë nga aktivitetet jashtë shtetit?

Janë shumë, për të mos thënë të gjitha njëlloj. Në vitin 1961 në Bukuresht ishte një konukurim i vendeve të Ballkanit dhë të ujrave të Adriatikut. Në të paraqiteshin të gjitha linjat e ansambit, nga instrumentat popullorë, kostumet, muzikaliteti popullor, mënyra e të kënduarit popullore, nga mënyra e interpretimt të valleve. Ansambli jonë i vuri vulën këtij konkurimi në duke u cilësuar si më virtuozi në Ballkan. Ishte një sukses që la mbresa tek të gjithë. Pra morëm çmime të para në të gjitha elementët përbërës që thamë më lart.
Në Kartagjenë në Afrikë, mes 60 ansambleve botërore ansambli ynë ndriste nga të gjitha pikpmajet. Në Kajro në Festivalin e Ujrave të Mesdheut asambli ynë u dallua nga variacionet, ndryshimet e kostumeve, forca vitale, koreografia e larmishme, pa diskutuar për festivalin e Dizhonit në Francë që ka mbetur në historinë e këtij vendi (në vitin 1970).
Ansambli ka qenë yll ndricues në mbarë globin
 
Vetë Enver Hoxha ka qenë i interesuar për këtë ansambël dhe a mirrte pjesë në aktivitetet tuaja?

 
Ai ka patur një simapti të jashtzakonshme për Ansamblin. Unë kam pasur disa takime me të. Në shumë aktivitete me karakter kombëtar ai na përshëndeste të gjthëve. Por të them të drejtën ai për kulturën në tërësi (ishte kush ishte, dictator apo..) ka pasur një dashuri dhe vlerësim, por sidomos për Ansamblin vlerësimi ishte i veçantë. Më kujtohet ka bërë edhe vërejtje, për ato që kanë shkarë nga krijuesit tanë. Por historia vërteton që vëretjet serioze bëhen nga populli. Kështu edhe tek ne që valet I merrnim nga populli. Artit vërejtjet i zgjasin jetën, krijimtaria ikën nga faqja e kohës, skena, nga historia nqs rrërshqet nga tabani apo krijimtaria reale. Ka shumë numra të krijuesve që nuk kanë qenë në nivele apo të mbështetura në taban, që nuk i kanë rezistuar kohës. Kanë ikur pa gjurmë, pra kanë ngelur në historinë e kulturës të ansamblit ato me vlera të mëdha artsitike.
 
Ju folët për botën, po Shqipërinë e keni shëtitur të gjithë?

E kam shëtitur me pëllëmbë Shqipërinë. Rrallë artsiat mund ta kenë shëtitur Shqipërinë si e kam shëtitur unë, rrallë. Kam kërcyer në Tropojë, në tokë, në shkëmb, në mal.Kërceja në skenë por edhe në tapet. Në të gjitha mënyrat për të qenë pranë popullit. Artistë të ndryshëm nuk i kanë rezistuar kësaj vështirësie, sepse ndonjëherë më ndodhte që kur hiqja çorapet e leshit, bashkë me to më dilte dhe lëkura e këmbës. Nga djersa dhe vapa. Kjo sakrificë është bërë në emër të dashurisë për vallen tonë shqiptare. Ne arritëm këto suksese me këtë punë. Nuk është e thënë që çdo valle duhet të jetë në nivelin e kryeveprave.
Por mbi 90 kanë qenë dhe mbeten në piedestal.
 
Sa titiuj i janë dhënë Besimit ?

10 tituj. Nga “Urdhëri i flamurit”, “Urdhëri i Çmimit të Republikës”, “Mjeshtri i Madh i Artit”, “Mjeshtri i madh i Valles Shqiptare” (karrierë 50-vjeçare) dhe shumë tituj dhe urdhëra të ndryshëm që më janë akorduar gjatë gjithë kohës. Të gjitha medaljet që kam marrë jashtë, të gjitha kanë qenë të arta.
 
Sot shihet një zbehje e ansamblit, mendimi juaj?

Ky lloj arti do investim të madh. Nuk është art individual. Prandaj i thonë ansambël duhet të ketë njerëz, duhet të ketë sa më shumë njerëz, që të mund të shprehësh mendimin e krijimtarisë. Kështu që sot ansambli është katandusr si thotë populli “Kokoshi” një thelë”.
Me kaq vetë nuk e tergon forcën, dinamikën. E pakta e pakta ne kërcenim 15 çifte pra 30 veta, Kishte raste dhe 50. Ato që hynin në “minimo” në vallet e vogla ishin të karakterit solistik, “oktete”, “sekstete”, “kuartete”, “duete”, “trio”, këto ishin mini valle. Sot, vlerësimi për Ansamblin është i papërfillshëm. Eshtë një dobësi e shtetit dhe e shoqërisë në përgjithësi që i kanë lënë në harresë këto vlera, thesare të popullit.
 
Pengu në jetë ?

Jo. Nuk kam asnjë peng. I kam aritur të gjitha me shpirt, me ndjenjë, me punë, me studim.
 
Me politikë keni menduar apo jeni marrë?

Se kam menduar, por shumë herë kam zëvëndësuar atje në skena pseudopolitikanët, me punën, me vallet, me artin që të shohin bota se kush është fytyra e vërtetë e Shqipërisë. Me vallen, koreografinë time, me punën time i kam dhënë shumë atdheut sa politikanët nuk i mendojnë.
Politikës shqiptare i mungon sinqeriteti. Politika duhet të mendojë më shumë për popullin. Të përmirësojë jetën e tij. Çdo pjesë e politikës duhet të mendojë për mirëqënien e këtij populli. Populli ynë ka shumë probleme. Sot një pesnonist nuk ka lekë të paguaj dritat. Si do shkojë puna e tyre? Janë pseudopolitikanë që mendojnë vetëm për veten e tyre. Nuk jan Fan Nol, por ishalla ndryshojnë.
 
Femra shqiptare a repektohej në sistemin komunist?

Ne kemi pasur femra me karakter dhe shumë artiste të mira. Kanë dhënë një kontribut të shkëlqyer në kulturën shqiptare si në këngë edhe instrumenta edhe në valle. Gra me intelekt të zhvilluar që janë përpjekur të japin maksimumin në art. E vlerësoj punën e tyre në ansambël edhe nga pikpamja shkencore, në kumtesa, në analiza, ato kanë qenë në nivele shumë të larta, që duhen përshëndetur. Sot ato nuk e ka zënë vendin e duhur në shoqëri.
 
Po Kosovës çfarë i ka kushtuar Besim Zekthi?

Kosovës i kam kushtuar pjesën më të madhe të krijimtarisë sime shpirtërore. Duke bërë shfaqje për Kosovën me vallet dhe këngët kosovare, duke bërë valle për Kosovën (si koreograf). “Dasma e Rrugovës”, “Për flamur e për atdhe”, “Motive të grave të Prizrenit”, “Valle me motive festive për Kosovën”, një seri vallesh. Kemi dhënë një koncert me valle dhe këngë vetëm për Kosovën në vitin 1982, në një kohë që ishte shumë e vështirë të punoje me motivet kosovare. Unë kam kërcyer për Kosovën aq shumë, saqë Kosova më mbetet borxhlie. Në vitin 1970, e kam ngritur kundër Titos, më vonë kundër Milosheviçit nga ana shpirtërore, epiko-heroike, për ta vënë në ballë të luftës. Vallet e mia shprehnin Kosova Republikë. Kam bërë një spektakël me spikere Silvana Braçen duke thënë që këtë mesazh artistik ja kushtoj Kosovës heroike. 

Po në Greqi a keni dhënë koncert dhe si ju kanë pritur?
 
Ah, këtu është tjetër moment. Me këtë doja ta mbyllja intervistën. Në Greqi kemi dhënë një shfaqje pikërisht në amfietarin antic, në Akropol. Në Akropolin legjendar që është maja e Athinës. Në atë amfiteatër që janë lujatur tragjeditë dhe dramat më të bukura të lashtësisë. Në Akropolin e Sofoliut, Homerit, Diogjenit, Sokratit, Aristofanit. Kërcyem vallet tona më të bukura . Në amfitetarër kishte mbi 3 mijë spektatorë. Të gjitha vallet tona u shoqëruan me duartrokitje. Shumë prej të pranishëmve qanin nga gëzimi, nga tempi dhe bukuria e valleve tona. Nuk e prisja një gjë të tillë në Greqi. Ishte një entusiazëm I paparë. Në mbrëmje na rezervoi një pritje Andrea Papndreu (pasi dhe televizionet e kishin bërë punën e vet) duke e cilësuar si një nga ansamblet më të kompletuar që kishin luajtur në Akropol.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora