Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


“Skënderbeu, Mbreti luftëtar i Shqipërisë”, vjen në atdhe

| E shtune, 28.03.2009, 12:43 PM |


Një luftëtar etnik shqiptar... Në kokë mban një përkrenare, ndërsa një dorë një parzmore me një shqiponjë dykrenare. Ai është i betuar të luftojë deri në vdekje pushtuesin e huaj për të çliruar njerëzit e tij nga tirania e sunduesve të huaj. I "murosi me çimento" vlerat e krenarisë, kurajës, besnikërisë në identitetin e shqiptarëve për shekuj me radhë. Skënderbeu rikthehet. Luftëtari shqiptar, që me një ushtri të vogël mundi të zmbrapsë një ushtri të madhe të perandorisë turke për 25 vite me radhë, "është" sërish mes nesh. Kësaj radhe ai do të vijë në Kinema "Imperial", në fillim të muajit prill, si prodhim në llojin e dokumentarit, i realizuar nga disa shqiptarë të diasporës. Filmi "Skënderbeu, Mbreti luftëtar i Shqipërisë", tregon heroizmin dhe betejat e Gjergj Kastriotit, Skënderbeu, Dragoi i Shqipërisë, në një dokumentar të mundësuar nga Ndue Gjelaj, që është drejtor artistik i filmit, skenarist dhe producent, por që para së gjithash është një historian. Gjelaj ka lindur në ish-Jugosllavi, dhe ka emigruar në SHBA në vitin 1972, si fillim në New York e më pas në Michigan, ku jeton tashmë. Ai është diplomuar dhe ka bërë master në histori, në "Wayne State University", ku ka zgjedhur të fokusohet në epokën e mesjetës së vonë të Europës Lindore. "Gjithmonë kam qenë i interesuar për kulturën time", - ka thënë Gjelaj. "Ndërsa studioja histori, veçanërisht atë të Shqipërisë dhe të Ballkanit, gjithnjë e më shumë mahnitesha nga mbretëria dhe jeta e Skënderbeut, gjë që unë nuk e kisha mësuar më parë në histori në shkollë". Aventura e tij për të realizuar një film, erdhi nga dashuria që ai kishte për historinë dhe për Skënderbeun. "Skënderbeu, Mbreti luftëtar i Shqipërisë", është thjesht një tjetër mënyrë që njerëzit të interesohen për historinë", - thotë Gjelaj. Një film për fatin e një njeriu që bë iniciatori i një beteje të madhe për liri...Lavdia ka një çmim të tmerrshëm. Filmi bazohet në librin biografik të murgut Marin Barleti. "Skënderbeu ishte shumë i rëndësishëm, sepse ai mbrojti identitetin shqiptar. Nëse nuk do të ishte ai, identiteti shqiptar do të shndërrohej në diçka tjetër, edhe pse 'mbeturinat' e sundimit turk 500-vjeçar në Shqipëri, akoma gjenden në kulturën shqiptare dhe në identitetin tonë."

Stafi

"Akoma, - insiston Gjelaj, - Skënderbeu, Mbreti luftëtar i Shqipërisë, nuk është vetëm për shqiptarët. Ata që nuk janë shqiptarë mund ta shijojnë filmin, sepse nuk e njohin këtë histori". "Shpesh Hollivudi provon me gjëra të tilla, dhe kjo histori është një alternativë e freskët", - thotë ai. Nga zanafilla e idesë deri në kompletimin e projektit, Gjelajt i janë dashur pesë vite. Por, ai do ta kishte mbaruar më shpejt nëse do kishte pasur mundësi financimi. Ajo çfarë e ka ndihmuar, ka qenë fakti që regjisori, shqiptari Nik Gjonaj ka qenë gjithmonë në të njëjtat ide me Gjelajn. Kompania "Fantastic Films International" e mori filmin pasi ai ishte shfaqur në "Riley Studios", në "Fairbanks Theater", në Hollivud, nëntorin e kaluar. Ai është dokumentari i parë që kjo kompani ka marrë. "Filmi dokumentar u shfaq në 'Festivalin e Filmit në Berlin', në shkurt", - tha Gjelaj, me krenarinë e babait që sheh birin e tij që sjell në shtëpi një trofe. Gjelaj nuk ka pasur eksperienca të mëparshme në realizimin e filmave, ndaj u bashkua me Gjonaj nga një "rastësi fati". "Unë kam pikturuar shumë portrete dhe figura nga historia shqiptare, - thotë Gjelaj. - Erdhi një moment që unë vendosa që të shisja një prej pikturave të mija me Gjergj Kastriotin në 'Ebay' dhe fituesi ishte Nik Gjonaj, i cili është mjaft modest mbi mjeshtërinë e tij artistike". "Ai është një artist i madh. Unë kisha dëgjuar për pikturat e tij edhe më përpara, ndaj një ditë po kërkoja në web dhe rashë në dashuri me një pikturë", - thotë Gjonaj. Më pas ata të dy u takuan dhe kuptuan se kishin interesa të përbashkëta mbi kulturën dhe historinë shqiptare. Që të dy e donin Skënderbeun. Vendosën që së bashku të realizonin një film. Filmi u financua nga në grua shqiptare nga Miçigani, Enter Tringa Gojcaj. Nipi i kësaj zonje, Anton Gojcaj ka luajtur rolin e Skënderbeut në dokumentar. Ishte pasioni dhe dëshira që i bashkoi që të gjithë për të "rikthyer" Skënderbeun sërish. Gjelaj është shprehur se është përpjekur të ruajë imazhin e njohur nga historia për heroin, si një luftëtar katolik që luftoi Turqinë myslimane. "Shumica e shqiptarëve janë myslimanë, megjithatë e konsiderojnë Skënderbeun si heroin e tyre", - thotë Gjelaj. Për të xhiruar filmin, ju është dashur të udhëtojnë shumë dhe të rilidhen me kulturën shqiptare. Megjithatë, ata mendojnë se "Skënderbeu", nuk duhet lënë vetëm si dokumentar, por duhet bërë një film i vërtetë, ashtu siç e meriton. Stafi realizues shprehet se këtë film nuk e ka bërë për para, as për famë, por thjesht që të evidentohet heroi shqiptar dhe lufta e tij për liri. "Ford Coppola do të ishte një regjisor i mirë për të", - thotë Gjelaj, ndërsa Gojcaj preferon Mel Gibson. Gjelaj dhe Gjonaj kanë themeluar "Illyria Entertainment", me qëllimin që të prodhojnë filma, argëtim dhe të frymëzojnë. "Ideja e të luftuarit me një superfuqi, tregon se populli do të rezistojë, sepse është më mirë të kesh një keqqeverisje tënden se sa një pushtues të huaj e zemërmirë", - thotë Gjelaj. "Mesazhi i filmit mishëron nocionin, që asnjeri nuk mund t'ju imponojë të tjerëve idenë se si të jetojnë", - thotë ai, i ndërgjegjshëm për implikimet politike. "Nëse ju nuk mund të shkruani historinë, ju të paktën mund të mësoni prej saj".

Gazeta Shqiptare