E enjte, 28.03.2024, 09:07 PM (GMT)

Mendime

Edmond Arizaj: Rini e djegur

E shtune, 28.03.2009, 11:24 AM


Rini e djegur

Nga Edmond Arizaj

Pas dhjetë vjetësh, ata që sot quhen të rinjtë e politikës rrezikojnë të mbeten pa profesion tjetër, përveç pikërisht politikës. Dhe teksa ata rrezikojnë këtë, ne, shqiptarët rrezikojmë që të zëvendësojmë Gjinushin Milon, Cekën etj., me të tjerë emra. Kjo për faktin e thjeshtë se ata 30-vjeçarë, apo edhe më të rinj, që ende nuk kanë bërë asnjë punë, që ende nuk kanë provuar kënaqësinë e të ngriturit në detyrë për shkak të punës së mirë, që ende nuk dinë shijen e dështimit në punë, që akoma s’kanë shijuar profesionin e parë të tyre, synojnë dhe sulmojnë vrulltas për të shkëlqyer në politikë. Janë të njëjtët, me ndonjë fytyrë më pak, apo ndonjë më shumë, që kanë antireklamuar në mënyrë patetike shëmtinë e politikës shqiptare, madje shëmtinë 20-vjeçare të saj. Dhe kanë reklamuar me elegancë fytyrën e re dhe simpatike të tyre, me diplomat e masterat, me doktoraturat e profesoraturat, madje, madje, jo pak herë kanë guxuar të thonë: “Ne u kthyem në Shqipëri, sepse mund të rrinim shumë mirë andej jashtë shtetit”. A nuk të vjen të ulërish me këtë shprehje tërësisht mizerabël thënë nga të rinjtë, shkolluar jashtë. Përkthimi: Ju këtu në këtë vend të shkalafitur, që nuk e bëni dot, duhet të na e dini për nder që ne lamë parajsën andej nga vendet e tjera dhe erdhëm këtu, për t’ju çuar ju përpara.
Por do ta pranonim edhe këtë përulje nga të rinjtë, nëse vërtet ata do e kishin me vete këtë fuqi dhe këtë karizëm që vërtetë të përmirësonin dhe të përafronin këtë vendin tonë me Europën e lume. Kush prej tyre bëri për vete mijëra të rinjtë dhe u tregoi atyre se që të ecë vendi para duhet të pensionojnë të gjithë kastën politike? Dhe t’u tregonte fije e për pe, se kjo kastë majtas, djathtas e në qendër, ka këto qindra gabime, ndërsa ne të rinjtë kemi këto dhjetëra avantazhe, se kjo kastë ju ka shfrytëzuar këtu e këtu, ndërsa ne do punojmë atje dhe atje… Askush. Thjesht iu bashkëngjitën një pjese duke përbaltur me sa mundin dhe me sa u thonë pjesën tjetër. Këtu pastaj ndahen, kush është më i zoti në përbaltjen e kundërshtarit.
Gjithsesi t’i kthehemi kreut, rrezikut që këta të rinjtë e politikës shumë shpejt mund të jenë “të vjetër”. Prej kaq vitesh nuk u dëgjua një i ri që u përpoq të ndryshonte sistemin mjekësor. Që mbaroi shkëlqyeshëm shkollën, që doli një mjek i zoti, por që nuk pajtohej askërkund me metodat e “babaxhanëve” të vjetër. Të rinjtë u futën në “sistem”. Prej kaq vitesh nuk u dëgjua një i ri që ngriti zërin në kupë të qiellit për sistemin e drejtësisë. Që mbaroi shkëlqyer juridikun e që nuk la gur pa lëvizur për ta zhvoshkur ndryshkun e drejtësisë. Edhe këtu të rinjtë u futën në “sistem”. Po ashtu ndodhi dhe ndodh me arsimin, po ashtu me kulturën, me sportin me gjithçka. Të rinjtë futen në “sistem” me justifikimin se do ta ndryshojnë nga brenda. Por natyrshëm që sistemi nuk mund të ndryshohet aq lehtë nga brenda, kur ti, i riu, tashmë ke ardhur si pjesë e një pjese të sistemit. Ende nuk duket se kemi një gjeneratë të rinjsh, që të udhëheqë në të gjitha fushat, që të kërkojë përmirësimin njëherësh në të gjithë sektorët e shoqërisë, madje këtë përmirësim ta kërkojë në radhë të parë tek vetja. Dhe natyrshëm, të rinjtë e sotëm, pas 10 vjetësh, megjithëse në moshën kur realisht nis karriera, do të quhen të vjetër, nga brezi tjetër, ashtu siç të sotmit po quajnë të tjerët të vjetër. Dhe atëherë do të rinisin të njëjtat skema gjynahqare që shohim përditë, ku të rinjtë në moshë, të sapodalë nga shkollat, të armatosur vetëm me një diplomë e një master, kërkojnë t’u hapet rruga, kërkojnë ndere e favore, kërkojnë t’u dëgjohet fjala. Teksa të gjitha këto duhet t’i rrëmbejnë.
Të ashtuquajturit modele të rinjsh që po shiten sot ekraneve dhe gazetave, po bëhen në fakt modelet më të këqija. Të rinjtë anekënd Shqipërisë, edhe ata që nuk e mbarojnë dot një shkollë të lartë (sepse nuk duhet menduar vetëm për ata që mbarojnë jashtë e duan të vijnë brenda), shohin në televizion e lexojnë në gazeta se si bashkëmoshatari i tij, sulmon me armë të rënda shefin e bashkëmoshatarit tjetër. Dhe ky i fundit i përgjigjet të nesërmen me të njëjtën monedhë. Dhe pas pak ditësh shohin e lexojnë që shefi e paska nxjerrë bashkëmoshatarin e tij si kandidat në listën për deputet. Dhe atëherë mendimi i parë që i vjen në mendje, atij të riut në qytet apo lart në mal është: pse të mos merrem me politikë, ndoshta me atë të madhen fare jo, po këtu në fshatin tim, s’ka Zot të dalë para meje. Dhe rifillojmë nga e para…
Shqipërisë sot i mungojnë të rinjtë heronj. Jo ata që japin jetën në aksione. Por ata që japin shembuj në punën e tyre. Janë këta shembuj që duhen ndjekur dhe që fatkeqësisht nuk i kemi të ekspozuar. Dhe pasi për vite me radhë kjo gjeneratë të jetë në pararojë, atje në fushën e tyre, padyshim që mund të vijë e të bëjë revolucionarizimin e sistemit. Sepse të gjithë njerëzit do t’i ketë pas. Por nëse vazhdohet kështu siç është nisur, atëherë ata që Erion Veliaj i ka çuar në Kuvend, do t’ia sjellin të tjerët atij, jo shumë vite më pas. Sepse profesioni i tij dhe i ish-të rinjve do të jetë vetëm politika. E, edhe ky brez do të quhet i djegur. Por jo nga sistemi, nga vetvetja.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora