Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Nikolla Zoraqi/I mëkuari me tinguj muzikorë...

| E shtune, 28.03.2009, 12:03 AM |


Një nga kompozitorët më të shquar shqiptarë, krijimtaria e të cilit është përfaqësuese për muzikën e kultivuar

Nga Agron SEJAMINI

Para se ai të vinte në jetë, në shtëpinë e tij kishte mbërritur harmonika. Këtë vegël muzikore babai i tij, Grigori, e kishte blerë në Kretë të Greqisë, gjatë kryerjes së shërbimit ushtarak. Tingujt e saj të ëmbël vazhduan gjatë, sidomos atë ditë kur familjes Zoraqi iu shtua edhe djali i dytë, Nikolla. Askujt nuk mund t'i ketë shkuar në mendje, se magjinë e atyre tingujve mund ta ketë ndjerë edhe ajo foshnje... Kjo u ndje muaj më vonë. E ëma kishte vënë re, se Nikolla ishte më i urritur dhe i shijonte më shumë qumështi, në ato raste kur qëllonte që edhe Grigori i binte harmonikës. Ky detaj ishte kuptuar nga prindërit, por dëshmuar edhe nga fëmija. Kështu, në çastin që i ati mbaronte një melodi dhe pushonte pak, fëmija linte gjirin, palosej me trup duke hedhur vështrimin andej nga vinin tingujt. Më pas, shtrembëronte mimikën në mënyrë revoltuese dhe fillonte një "ë" të zgjatur, që lajmëronte të qarët. Vetëm kur nisnin tingujt e harmonikës, drejtonte trupin, pushtonte të ëmën dhe rrifillonte ritualin e gjirit...

Rritej ai fëmijë bashkë me pasionin dhe dashurinë për muzikën. Dëshira që ata tinguj t'i nxirrte vetë, iu realizua kur ishte tre vjeç. Edhe pse i ati, kishte lënë porosi që "ajo vegël nuk ngitet se prishet", për Nikollën e vogël ajo ishte lodra më e dashur. Pas pune, i ati mjekonte plagët e harmonikës. Priste rrypa bezesh e gazetash dhe i ngjiste me qullin që përgatiste nga mielli i grurit me ujë të valuar. Deri sa një ditë, ajo vegël muzikore doli jashtë përdorimit. Grigori e ndjeu më shumë këtë humbje, pasi i biri kishte filluar ta hidhte dashurinë tjetër vend. Për fat, afër shtëpisë ishte kinema "Nacional". Aty shfaqeshin filma pa zë, të shoqëruar me piano. Herë pas here, jepeshin edhe koncerte muzikore me këngëtarë e të huaj. Në vitin 1934, kur Nikolla ishte pesë vjeç, familja Zoraqi ndërron shtëpi. Nga "Rruga e Veriut" pranë kinema "Nacional" vendosen diku në rrugën "Fortuzi", pranë lagjes "Brraka". E ndjeu shumë këtë zhvendosje ai fëmijë. I mungonte këtu, ai ambient joshës që ia krijonte kinemaja. Gjithë ditën lëvizte i përhumbur, në atë lagje me shtëpi qerpiçi e teneqeje, të mbuluara në të shumtën e rasteve me letër katrama. Në atë kohë lagjja, ndahej në dy pjesë nga një vijë uji që derdhej në Lanë. Fytyra e njerëzve që banonin këtu i ngjante kafesë së djegur, por mes tyre një ditë gjeti shokun që nuk do e qndërronte me asnjë të bardhë... Buzë rrëkesë ishte një barakë me teneqe dhe pranë saj një fik i egër. Në hije të tij, dalloi një fëmijë dhjetëvjeçar, që po i binte një violine të vjetër... I shkoi pranë dhe u bë një me të. Vetëm errësira e mbrëmjes e kujtoi se ishte bërë vonë për t'u kthyer në shtëpi. Të nesërmen, priti për minuta të tëra, sa të dilte nga shtëpia ai çun, me atë vegël që i kishte pëlqyer, më shumë se sa harmonika e të atit. Ditët në vazhdim shtuan miqësinë dhe muhabetin. Emocionet që ndjente kur ai i vinte violinën në gushë dhe i lëvizte harkun sipër saj, e linin edhe pa gjumë Nikollën. Nuk i kishte ndjerë shpirti kënaqësi më të madhe, kur ata tinguj më pas filloi t'i nxirrte me duart e tij... Për këtë ndjesi e dashuri filloi ta ftonte edhe në shtëpi mikun e vet... Pas dy vjetësh, e mira i erdhi vetë në derë. Djali i xhaxhait, Llazi, i fali violinën e vet. Jo vetëm atë, por filloi t'i mësojë pak solfezh, si dhe disa ushtrime fillestare në violinë, si mënyra e mbajtjes së violinës, e pozicioneve të krahut e të dorës deri vendosjen e gishtërinjve. E nëse deri më tani, marrosej pas atyre njerëzve që kishin një violinë, pas këtij momenti, do të ishte ai që do të tërhiqte vëmendjen e të tjerëve. Fillimisht, çuditi fëmijët e fshatit Bërzhitë në shtator të vitit 1943. Bombardimet e nazistëve i kishte detyruar të largoheshin nga qyteti... E ndërsa të tjerët, mbanin në shpinë ushqime apo veshmbathje, Nikolla 14-vjeçar kishte hedhur në krah violinën. Shikonin ata fëmijë dhe pyesnin njëri-tjetrin se "çfarë haleti mund të jetë ajo që ka ai çuni?". Dikush thoshte "atomatik", një tjetër "mortajë"... Kur mbërritën në fshatin Cirmë, gjatë gjithë javës pati kohë të bëjë detyrat që i kishte dhënë profesor Rampi, por argëtoi edhe të tjerët duke kënduar "Për Mëmëdhenë" apo "Malet me blerim mbuluar". Kohë lufte ishte, por Nikollës i dukej sikur drejtonte ndonjë kor të madh... Vite më vonë, kur vazhdonte Liceun Artistik, i shpreh dëshirën të vëllait, Kastriotit, që ishte mësues në Prell të Burrelit, t'i kalonte pushimet e simestrit atje. Gjithë jetën nuk do t'i shlyhen nga kujtesa ato pak ditë që kaloi aty. Veçanërisht ajo darkë që ishin mysafirë në shtëpinë e kovaçit të fshatit, usta Rexhepit. Pas asaj darke të shijshme, bujaria e usta Rexhepit, nuk kishte të sosur, për të kënaqur sa më shumë të ftuarit. U bënë shenjë fëmijëve që të rrëmbejnë veglat për të filluar dyzenin... U këndua kënga e Halil Garisë, por u kërcyen edhe vallë dasme. Solistët ishin me bollëk. Gjashtë fëmijë nga mosha 4-18 vjeç, kishte usta Rexhepi. U mahnit nxënësi i Liceut Artistik. Ishte hera e parë që dëgjonte muzikë nga treva e veriut, me një orkestrinë të përbërë nga tre instrumenta. Nuk dinte se ku t'i mbante sytë më shumë. Te Rexhepi, që frynte faqet kur i binte cyrles, te djali që i binte laurisë apo te lodërtari tjetër që me një thupër të hollë e me një shkop, lozte rolin e një baterie të plotë. Nuk iu durua dhe i rrëmbeu djalit laurinë (një lloj tjetër çiftelie), tenton t'i bjerë si violinë, por qe e kotë. I kishte hipur damari dhe nuk mund të rrinte pa e shpalosur frymëzimin. Edhe pse ishte mesi i natës, dërgojnë një nga djemtë e Rexhepit për të marrë violinën e Nikollës, në shtëpinë ku banonte Kastrioti. Vjen violina dhe pasi e akordoi, Nikolla i thotë Rexhepit që të bëjë zërin e parë me curle, i biri të bënte zërin e dytë me lauri, ndërsa lodërtari të mbante ritmin sipas melodisë. Orkestra e Prellit, më shumë iu bind se sa e kuptoi violinistin e Tiranës. Filluan me "Dalëngadalë po vjen behari", nga ku u bindën për ritmin dhe ison. Sikur të kishin mbaruar konservatorin të katër, largojnë ndrojtjen dhe interpretojnë në përsosmëri, të famshmen valle matjane "Zebekshen". Vazhduan me "Napolonin", "Karagjylin" e deri te "Faja ra prej fiku". Dhe kur më pas, orkestrina filloi të luajë vallet hungareze, sllave e rumune, ajo odë dukej shumë e vogël. Dolën në oborr, pasi pjestarët e tjerë u bënë pjesë e ahengut, duke kërcyer vallet... Mbase aty i lindi për të mos u shuar kurrë, dashuria për artin e popullit. Ishte vetëm 19 vjeç, një djalosh ende pa emër...

Dhe emri i Nikolla Zoraqit, kapi ato lartësi që dinë t'i përshkruajnë saktë dhe bukur, vetëm ata që u përkasin lartësive...

Mustafa Krantja, Artist i Popullit: "Ajo që e ngre lart figurën e këtij artisti të madh të kombit tonë, janë veprat skenike që për Teatrin tonë të Operas dhe Baletit, kanë qenë themeli i jetës së tij. Është vështirë të gjendet ndonjë kompozitor që nuk ka kontribuar për këtë institucion, por mes tyre, ta themi qartë, Nikolla ze vendin kryesor".

Prof. Albert Paparisto: "Nikolla Zoraqi është ndoshta, ndër të vetmit kompozitorë tek ne që jetoi dhe punoi me ritmet e një profesionisti krijues, që mendonte dhe realizonte ditë e natë projektet e tij krijuese, që kishte bërë të vetën, thënien kuptimplote të Çajkovskit të madh: "Frymëzimi është një muze që nuk i frekuenton dembelët".

Qemal Kërtusha, Artist i Popullit: " Nikolla Zoraqi ka qenë si një meteor, që zbret nga qielli për muzikën shqiptare, jo vetëm në shkallë kombëtare, por edhe ndërkombëtare. Kujtoj një vlerësim, të kompozitorit të njohur rus, Novikov pas një koncerti të orkestrës sonë, dhënë në sallën "Çajkovski", të Moskës.

"Erdha të dëgjoj një kor dhe një orkestër modeste nga Shqipëria, por po dal i befasuar. Kori i këtij ansambli, i cili përbëhet nga dyzetë veta, me këngët që këndon, ka forca të tilla që të shpojë një mal, kurse orkestra prej njëzetë vetësh, o Zot! Nuk u besoj veshëve, ajo tingëllon si një orkestër simfonike e përbërë prej njëqind vetësh, ku secili prej tyre të jep përshtypjen e një solisti". Kur ai pyeti se kush merret me orkestrën, Gaqo Avrazi i paraqet Nikolla Zoraqin. Ai e rroku në qafë dhe e pyeti: "Ku keni studiuar?" Nikolla me qetësinë e tij karakteristike, i thotë: "Në Tiranë. Kam mbaruar Liceun Artistik". "E pabesueshme!, - thotë Novikovi, - kjo orkestër që tingëllon kaq e fuqishme e që të ngjall kaq emocion, ka brenda kokën e dorën e një gjeniu".

Dritëro Agolli, Nderi i Kombit: "Sa herë bie shi, më kujtohet Nikolla Zoraqi, përjetoj me të dhe në veshë më tingëllojnë tingujt e pianos së tij. Pikat e shiut, era që fryn dhe hyn nëpër të çarat e dritareve, perdet që tunden, më kthehen në mënyrë të pavetëdijshme, në muzikë pianoje dhe në mijëra balerina të vogla, që më vallëzojnë përpara syve. Ndoshta, kjo më ndodh nga që shpeshherë, kur binte shi, shkonim së bashku me gruan të kalonim mbrëmjet te Nikolla. Gruaja e tij, këngëtarja Gjenovefa Heba, ndërkohë përgatiste trahananë, që e shijonim me kënaqësi të veçantë së bashku dhe me dy fëmijët e tij, Teutën dhe Enkelin. E shoqëronim trahananë dhe me nga një gotë raki. Nikolla nuk pinte shumë. Ishte si aristokrat në ngrënie, në pije, në sjellje dhe në veshje. Ishte shumë sqimtar. Nuk dinte të shante apo të merrte nëpër gojë asnjeri, pa le më të fyente. Në veprat e tij, qoftë edhe te muzika e këngëve, ndjehet ngrohtësia e diellit, era dhe shiu, ndjehet aroma e tokës dhe e trahanasë, ndjehen të ndërthurura bukur tingujt e muzikës popullore labe, devolliçe apo tiranase. Ai është dhe do të mbetet kompozitor kombëtar, Artist i Popullit, se e meritoi plotësisht këtë titull me punën, jetën dhe veprat e tij. Nikolla Zoraqi, është më i madhi kompozitor shqiptar, me një krijimtari mjeshtërore, të nivelit të lartë artistik dhe me një kulturë të gjithanshme, jo vetëm në lëmin e muzikës; por edhe të historisë dhe të letërsisë. Burrë serioz, me një disiplinë të rreptë artistike, që të kujton kompozitorët gjermanë, krijoi vepra simfonike dhe skenike, të cilat askush nga bashkëkohësit e tij, s'mund t'i krijonte".

Mbase në ndonjë bashkëbisedim, Nikolla është krenuar me genin nga i cili rrjedh. Katërgjyshi ka qënë skalitësh veglash, stërgjyshi violinist, xhaxhai mandolinist, babai harmonist. Në heshtje, me siguri do të ishin ata që do të krenoheshin tani me emrin e Nikolla Zoraqit...

"Gjenerali..." që na kujtoi gjeneralin e muzikës shqiptare

Ditë më parë, në skenën e Teatrit të Operas dhe Baletit u rrikthye "Gjenerali i ushtrisë së vdekur". Ardhja pas disa dekadash e këtij baleti na kujtoi gjeneralin e muzikës shqiptare, të madhin Nikolla Zoraqi. Një dhuratë e bukur në 80-vjetorin e lindjes së tij. Me siguri, do ta përjetonte shumë këtë version të rri, nëse ai do të kishte fatin ta shihte në sallën e mbushur plot me artdashës. Por këtë fat e patën vetëm ata që e përgatitën dhe publiku. Nuk është thjesht një homazh honorifik, por një rivlerësim i krijimeve artistike që kanë zënë vend të artë, në kulturën kombëtare. Një version rizbulues që dëshmon për natyrën e vërtetë të krijimtarisë së Zoraqit. Kjo e ndihmuar edhe nga koncepti koreografik, ku është unifikuar natyrshëm klasikja me modernen. Këtë radhë, modernia erdhi nga Franca. Në krah të Artistit të Popullit, Agron Aliaj ishte Laura Frigato. Idea e kësaj koreografie të shkëlqyer u mbështet në një koncept skenografik të përsosur. Valerio Ferrari, i ardhur edhe ky nga Parisi, u dha dhe misioni ju duk më i lehtë, pasi kishte lexuar disa herë në frëngjisht, kryeveprën e shkrimtarit tonë. Ende pa shkelur në Tiranë, kishte filluar të fantazonte dhe skiconte skenografinë e tij. Ishte entuziasmuar gati me çdo rresht të romanit...

"Nisa ta shihja dhe ta doja këtë histori. Janë 200 faqe vetëm gërmime në tokë, për të gjetur pas vdekjes trupat e ushtarëve italianë. Ideja e gërmimit është si t'i japësh më tepër zemërim dhe plagë. Subjekti i Kadaresë është vërtet fantastik. Përmes gërmimit të tokës, plagoset me një xhest të dhunshëm një popull", - shprehet skenografi francez. Gjenerali, në këtë version të ri nuk ishte ai i zakonshmi, hijerëndë dhe i rreptë. Është një gjeneral që rikthehet me një trishtim të madh, në një vend që i ka bërë të këqija. Skena e baletit është e hapur dhe ajo vjen si e tillë që në fillim, pranë publikut. Jepet ndjesia sikur bie shi dhe ushtarët që organizohen pa zhurmë. Në një skenë tjetër, zhduket shiu dhe ka një masë të konsiderueshme dheu, që identifikon gërmimet. Një pjesë ku shfaqen edhe tuba cilindrikë, mbi të cilat fshihen kujtimet e gjeneralit. Edhe episodi i dasmës ka të veçantën e vet. Në sfond janë vendosur 300 piktura, ngacmuar kjo ide nga artistja Marina Abromoviç, e cila ka realizuar një instalacion në Bienalenen e Venecias. Me një kulm emocional kur bien në dysheme, një masë e madhe kockash nga një lartësi mbi dhjetë metra.

Pra, një version bashkëkohor i baletit "Gjenerali i ushtrisë së vdekur", duke e ndriçuar nga një këndvështrim tjetër, akoma më interesant, temën e shpirtit të pamposhtur të shqiptarëve nëpër shekuj...

Ndërkohë që "Gjenerali..." na kujtoi edhe një herë gjeneralin e nderuar të muzikës shqiptare, të madhin Nikolla Zoraqi, Artist i Popullit.

NIKOLLA ZORAQI u lind në Tiranë më 24 janar të vitit 1929 dhe vdiq në Tiranë më 9 shtator të vitit 1991. Edukimin e parë muzikor e mori në familje, ndërsa me profesorin italian, Umberto Rampi, mori mësime violine. Në vitet 1946-1950, kreu Liceun Artistik "J. Misja" në Tiranë. Pas kësaj, punoi pranë kësaj shkolle si pedagog për pak kohë. Në mesin e vitit 1950, kreu shërbimin ushtarak pranë Ansamblit të Ushtrisë Popullore, si violinist e së fundi si asistent dirigjent i orkestrës, që drejtohej nga G.Avrazi, ku punon deri në vitin 1958. Në 1958, filloi studimet në Moskë, në Konservatorin P. I. Tchaikovsky, në klasën e J. Shaporin, por u kthye në vitin 1961 pa i mbaruar dot. Në Shqipëri, në fillim punoi pranë Ministrisë së Kulturës si inspektor në sektorin e muzikës (1961-1964), më pas pranë Shtëpisë Qendrore të Krijimtarisë Popullore (1964-1966) dhe në vitet 1966-1971 punoi si shef i redaksisë së muzikës në Radio Tirana. Në vitin 1971, del në profesion të lirë si krijues deri në fund të jetës së tij. Krahas detyrave të tjera, deri në vitin 1983 ka dhënë edhe mësim pranë Institutit të Lartë të Arteve (sot Akademia e Arteve) në Tiranë, në fillim harmoni dhe analizë dhe më pas kompozicion. N. Zoraqi ka qenë një kompozitor shumë prodhimtar. Ai ka kompozuar vepra në të gjitha gjinitë muzikore, të cilat janë luajtur në të gjitha aktivitetet e rëndësishme të jetës muzikore shqiptare; në Koncertet e Majit, në festivalet dhe konkurset e ndryshme etj. dhe janë vlerësuar me çmime të ndryshme. Veprat e tij janë luajtur nga formacionet më të rëndësishme të muzikës shqiptare: orkestra e TOB, RTSh, Akademisë së Arteve, Liceut Artistik, nga trupat e ndryshme korale dhe instrumentale profesioniste apo amatore, si dhe janë luajtur edhe në vende të tjera me orkestrat apo muzikantët shqiptarë, në Greqi, Turqi, etj. Për aktivitetin e tij, N. Zoraqi është nderuar me çmime, medalje dhe tituj të shumtë, ndër të cilët përmendim çmimin e Republikës për baletin "Cuca e Maleve" dhe titullin Artist i Popullit.


MUZIKË SKENIKE - "Lufta jonë me kohën", skenë dramatike, 1954; "Përtacët", operetë për fëmijë, libreti K. Jakova, 1956; "Ushtari dhe vdekja", skenë koreografike, 1959; "Fundi i Golemëve", opera, libreti K. Jakova, sipas Dh. Shuteriqi, 1967; "Vjollca e Skënderbeut", opera, libreti Ll. Siliqi, 1996; "Cuca e Maleve", balet, libreti L. Papa, koreografia A.Aliaj, 1970. "Ritme e ndjenja punëtore", balet (7 skena, epilog), koreeografia A. Aliaj, 1970; "Historia e një kënge", Rapsodi koreografike, libreti dhe koreografia A. Aliaj, 1971; "Komisari", opera, libreti D.Agolli, 1975; "Tokë e pamposhtur", balet, libreti I. Kadare, koreografia A.Aliaj, 1977; "Shote e Azem Galica", balet, libreti A. Agolli, koreografia Panajot Kanaçi, 1984; "Karikaturat", operetë për fëmijë, libreti A. Mamaqi, 1986-1987; "Paja", opera komike, libreti S. Mato, sipas G. Schiro di Maggio, 1989.

VEPRA VOKAL-SINFONIKE. "Kantatë Partisë", për zë, kor mikst dhe ork., 1966; "Shtëpia ku lindi Partia", kor mikst dhe ork., 1970; "Partia ime", kantatë, teksti I. Kadare, zëra femrash, kor mikst dhe ork., 1979; "Flladi i lirisë ne na rrit", për kor mikst, piano, ork., kantatë, teksti Xh. Jorganxhi, 1982; "Porsi era pranverore", për kor mikst, teksti Xh. Spahiu, 1983; "Ne që rinojmë horizontet", kantatë për zë, kor mikst dhe ork., 1988; "Atdheu im", kantatë për S, kor mikst dhe ork., 1989.

VEPRA TË TJERA VOKALE - "Pas beteje", balladë, 1956; "Mall dashurie", për S, piano, violinë. violonçel, 1963; Sonet pranveror, për S, A, T, B, piano, teksti Migjeni, 1966; Shumë këngë, disa prej të cilave: Këngë për Tiranën, 1974; "Tufëza me karafila", 1980; "Maji ynë",1982; "Atdheu im", 1986; Rreth 30 këngë e romanca, shumë përpunime këngësh popullore (që në vitet e studimit në Moskë), etj.

VEPRA INSTRUMENTALE - Poemë për violinë dhe ork., 1963 ; Koncert për violinë nr. 1, 1964; Rapsodi nr. 1, për piano dhe ork., 1967; Koncert për violinë nr. 2, 1968; Koncert për violinë nr. 3, 1971; romancë për flaut dhe ork., 1973; Koncert për violinë nr. 4, 1978; Kënga e heroit, për violinë dhe ork., 1978; Kaba nr. 2 për violinë dhe ork, 1979; Përshtypje nga Festivali Folklorik i Gjirokastrës, Koncert për piano, ork., 1979; Na buzëqeshin agimet, scherzo për flaut dhe ork., 1980; Kaba nr. 3, për violinë dhe ork., 1982; Rapsodi nr. 2, për piano dhe ork., 1984; Koncert për violinë nr. 5; (Koncertino) për violinë nr. 6, 1989-90;

VEPRA SINFONIKE - Suitë baleti, 1966; Uvertura nr. I, në fa minor, 1967; Uvertura Festive (nr. 2), në Do mazhor, 1968; Uvertura nr. 3, 1969; Suitë për fëmijë nr. 1, 1970; "Cuca e Maleve", suitë nga baleti, 1971; Rini heroike, 1974; Tirana në festë, suitë sinfonike, 1975; Kaba nr. I, 1978; Uvertura nr. 4, 1979; Suitë për fëmijë nr. 2, 1980; Vallja e jetës sonë, 1980; Vizitë në Muzeun e Armëve, suitë sinfonike, 1981; Valle festive, 1982;Uvertura nr. 5, 1983; Jubileun festojmë, (Uvertura nr. 6), 1984; "Kur lindi Partia", Sinfonia nr. 1, 1985 -1987; si dhe suita nga baletet e tjera.

MUZIKË DHOME - Rondo, për kuartet harqesh, 1960; Suita shqiptare, për flaut dhe piano, 1960; Temë me variacione, për kuartet harqesh, 1960; Temë me variacione, 1961; Sonatina, për violinë dhe piano, (pas) 1961; Album, me pjesë për violinë dhe piano, (pas) 1961; Nokturn nr. 1, për violinë dhe piano (ka një variant për violonçel dhe piano), 1967; Nokturn nr. 2, për violinë dhe piano, 1968; Balladë për piano (?); Fishekzjaret, prelud për piano (?)

MUZIKË FILMI- "Vitet e para", regj. K. Dhamo, 1965; "Dueli i heshtur", regj. Dh. Anagnosti, 1967; "Pas gjurmëve", regj. Xh. Keko, 1978.

RD