Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Iran 1979 - Fundi i "ishullit të stabilitetit"

| E shtune, 28.03.2009, 01:55 AM |


Revolucioni që solli shndërrimin e Iranit dhe "Qeverinë e Perëndisë" së mullahëve

PETER EDIDIN

Gjatë intervistës së tij të parë televizive që nga Shtëpia e Bardhë - dhënë jo për një rrjet televiziv amerikan, por për Al Arabian, një kanal televiziv në gjuhë arabe që transmeton në të gjithë botën arabe - Presidenti Obama foli në lidhje me një prej sfidave të tij më të mëdha të politikës së jashtme: programin e dyshuar bërthamor të Iranit si dhe mbështetjen që ai i jep grupeve si Hamasi dhe Hezbollahu.

"Nëse vende si Irani janë gati të hapin grushtin", tha Presidenti, "do të gjejnë dorën tonë të shtrirë". Obama është i gjashti president amerikan që vihet përballë regjimit radikal islamik të Iranit; paraardhësi i tij, George Bush e shpalli dikur Iranin pjesë të "Boshtit të së Keqes" (bashkë me Korenë e Veriut dhe Irakun), përpara fillimit të luftës në Irak në vitin 2003.

Ironikisht, 30 vjet më parë Irani ishte një prej aleatëve më të vendosur të Amerikës, deri kur revolucioni i janarit të vitit 1979 rrëzoi monarkinë properëndimore dhe solli në pushtet klerikun shit antiamerikan, Ajatollah Ruhollah Khomeini. Më pak se një vit më vonë, 66 amerikanë u morën peng në Ambasadën e SHBA në Teheran. Ishte hera e parë, që shumë amerikanë dëgjonin për ajatollahë apo mullahë, por 30 vite më vonë, kriza 444 ditëshe e pengjeve shihet sot si kapitulli hapës i një beteje tredekadëshe kundër islamit radikal.

MODERNIZIM

Revolucioni dhe implikimet e tij kapën të papërgatirur amerikanët. Shahu, Mohammad Reza Pahlavi kishte sunduar Iranin, që kur kish trashëguar fronin nga babai i tij në vitin 1941. Gjatë Luftës së Ftohtë, ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve kundër Bashkimit Sovjetik, Shahu ishte reshtuar në anën e perëndimit dhe kish shërbyer si një gardh mbrojtës kundër fuqisë sovjetike dhe përhapjes së komunizmit në rajon.

Uashingtoni e shihte gjithashtu Shahun si një udhëheqës që mund t'u tregonte regjimeve autoritarë të Lindjes së Mesme rrugën drejt modernizimit, në mos demokracisë. Dukj filluar në vitet gjashtëdhjetë, ai kish kryer reforma madhore që u jepnin më shumë të drejta grave, përmirësuan arsimin dhe kujdesin shëndetësor si dhe u jepte të drejta pronësie mbi tokën fshatarëve.

Duke përdorur pasurinë e madhe të naftës dhe ndihmën amerikane e atë perëndimore, Shahu e shndërroi një komb të lashtë por të prapambetur në një prej ekonomive më të përparuara të rajonit. Marrëdhëniet me SHBA ishin kaq të fuqishme, saqë Presidenti Jimmy Carter udhëtoi në Teheran për të kaluar darkën e Vitit të Ri në 1977, duke ngritur dolli me Shahun dhe kombin e tij që e quajti "një ishull stabiliteti" në Lindjen e Mesme.

Por, Irani po digjej nën hi. Në një komb që është i përbërë në 90 përqind nga muslimanë shiitë (kategoria e dytë më e madhe myslimane pas sunitëve), kleri konservator ishte i xhindosur prej liberalizimit të vendit. Pronarët e tokave qortuan përpjekjet e Shahut për të rishpërndarë tokat tek fermerët gjysmatarë. Dhe në një model që u ka paraprirë edhe revolucioneve të tjerë përfshirë ata në Francë dhe Rusi, edhe klasa e mesme urbane që Shahu kish ndihmuar të krijohej me reformat e tij ekonomike filloi të kërkojë një pjesë më të madhe pushteti dhe më shumë liri politike, teksa të ardhurat e tyre rriteshin.

E vërteta është se, Shahu kish sjellë po vetë edhe një pjesë të keqdashjes. Bumi ekonomik iranian kishte shkaktuar korrupsion masiv edhe brenda familjes mbretërore. Dhe shahu, me ndihmën e amerikanëve kishte krijuar SAVAK-un, policinë e tij të fshehtë, e cila burgoste, torturonte apo vriste mijëra prej kundërshtarëve të shahut.

Roli i Amerikës në perëndimizimin e Iranit kishte shkaktuar gjithashtu zemërim. Në vitet para revolucionit, amerikanët "ishin kudo në Iran", shkruan Robin ëright, autori i "I Fundmi revolucion i Madh". Ata "këshillonin zyrtarët e qeverisë, trainonin ushtrinë, ndërtonin puse nafte, jepnin mësim në shkolla dhe shisnin makina amerikane, gjuhë, modë, produkte industrialë dhe kulturë".

Për shumë iranianë, ky ishte progres i mirëpritur, por për shumë të tjerë ninfluenca amerikane përbënte një rrezik për kulturën e tyre të lashtë perse (ndonëse Irani ndodhet në Lindjen e Mesme, populli i tij nuk është arab).

Të gjithë këto ndihmuan klerin shiit që të mobilizojë opozitën kundër Shahut, të kryesuar nga ajatollah Khomeini, i cili jetonte në mërgim në Irak dhe më vonë në Francë. Në janar të vitit 1978, me inkurajimin e Khomeinit, studentë në Kum, një qytet i shenjtë për shiitët nisën protestat masive në rrugë kundër monarkisë. Pasi policia hapi zjarr, duke vrarë 20 vetë, protesta u përhap në të gjithë Iranin dhe më pas në rrugë dolën qindra mijëra, e deri miliona njerëz.

Fillimisht, liderët në Perëndim menduan se mbërthimi i pushtetit prej Shahut ishte shumë i fortë për t'u thyer. Por deri në shtator, ai ishte detyruar të vendoste gjendjen e jashtëzakonshme dhe të shpallte të paligjshme protestat, të cilat gjithsesi vazhduan bashkë me greva të përhapura si dhe konfrontime të dhunshme me policinë. Deri në dhjetor, 2 milion iranianë kishin dalë në rrugën e Teheranit, duke kërkuar largimin e Shahut.

"QEVERIA E ZOTIT"

Në 16 janar 1979, shahu i përlotur, me një kuti dheu iranian në xhep - u largua për në Romë dhe nisi mërgimin e tij plot telashe. Në 31 janar, ajatollah Khomeini u rikthye nga Parisi në Teheran ku u prit me brohorima nga një turmë prej 3 milion vetësh.

Me monarkinë tashmë që i përkiste të shkuarës, liderë të moderuar të opozitës u përpoqën të shndërronin Iranin në një demokraci moderne parlamentare, por brenda një muaji Khomeini kishte marrë pushtetin dhe kishte shpallur krijimin e "Qeverisë së Zotit": një teokraci islamike, udhëhequr nga klerikë që veprimin në përputhje me Ligjin Islamik. Kushtetuta e re parashikonte zgjedhjen e legjislaturës dhe Presidentit, por pushteti i vërtetë qëndronte në një grup të vogël dhe të fshehtë klerikësh (ose mullahësh) të quajtur Këshilli i Gardianëve, kryesuar nga Khomeini, Lideri Suprem.

Khomeini i urrente Shtetet e Bashkuara që i quante "Satanai i Madh" dhe "armik i Islamit". Zemërimi iranian kundër SHBA arriti kulmin në tetor të atij viti, kur presidenti Carter lejoi Shahun, i cili vuante nga kanceri që të vinte në SHBA për trajtim mjekësor. Në 4 nëntor, mijëra të rinj iranianë shumë prej të cilëve studentë kolegji, hynë me forcë në ambasëdën e SHBA në Teheran, duke marrë peng 66 amerikanët që ndodheshin brenda. (Trembëdhjetë u liruan pas disa javësh dhe një u lirua disa muaj më vonë për shkak të sëmundjes).

"Dukeshin se ishin të rinj rreth njëzetë vjeçarë... të rinj nga qytete të vegjël të edukuar me sa dukej në mënyrë shumë strikte", kujton një prej pengjeve, John Limbert. "Shumë prej tyre nuk kishin parë kurrë një amerikan më parë". Në SHBA u mbajtën manifestime të heshtur dhe u shfaqën shirita në ngjyrë të verdhë për të treguar shqetësim për pengjet. Irani kërkoi kthimin e Shahut në këmbim të lirimit të tyre, por Uashingtoni refuzoi.

Kriza e pengjeve e gozhdoi kombin për më shumë se një vit. Amerikanët nuk ishin mësuar dhe ndiheshin të sikletosur nga fakti që ndiheshin kaq të pafuqishëm. Dhe teksa zemërimi i kombit rritej, Presidenti Carter urdhëroi një operacion shpëtimi në prill të vitit 1980, por ai dështoi kur një helikopter amerikan dhe një avion ushtarak u përplasën në shkretëtirën iraniane, duke shkaktuar vdekjen e tetë ushtarakëve amerikanë.

Në amerikë, kriza e pengjeve bashkë me ekonominë amerikane në telashe ndihmoi Ronald Reaganin që të mposhtte Carterin në përpjekjen e këtij për një mandat të dytë në zgjedhjet presidenciale të vitit 1980. Shahu, i cili më vonë kërkoi strehim në Egjipt, vdiq në korrik 1980, por pengjet, të mbajtur për 44 ditë nuk u liruan deri në momentin kur Reagani bëri betimin në 20 janar 1981.

Islami radikal KUNDËR PERËNDIMIT

Kriza e pengjeve, do të thoshte më vonë Khomeini ndihmoi revolucionin që të konsolidonte pushtetin e tij në Iran. Por, nëse revolucioni islamik ia doli me sukses, ai preu në besë shumë iranianë që shpresonin se do të sillte demokracinë. Përpjekjet e Shahut për të sjellë Perëndimin në Iran u sprapsën. Gratë u urdhëruan të mbajnë shami dhe të mbuloheshin; banda me fanatikë bridhnin nëpër rrugë, duke kërkuar me forcë zbatimin e dekreteve moralë të mullahëve; kundërshtarët politikë u burgosën dhe torturuan po aq pa mëshirë sa edhe në kohën e shahut.

Vdekja e Khomeinit në 1989 nuk bëri asgjë për të ulur disi armiqësinë mes Iranit dhe SHBA. Sot, Amerika akuzon Iranin që sot udhëhiqet nga Ajatollah Ali Khamenei dhe Presidenti Mahmoud Ahmadinejad se po prodhojnë në fshehtësi armë bërthamore dhe po mbrojnë grupe militantësh islamikë që SHBA i konsideron organizata terroriste, si Hezbollahu dhe Hamasi.

Përtej këtyre, revolcuioni dhe kriza e pengjeve ndihmuan në krijimin e kushteve për një lëvizje radikale islamike që u shndërrua në terrorizëm, në betejën kundër Perëndimit, dhe që kulmin e pati me sulmet terroristë të 11 shtatorit në SHBA.

"Marrja peng e ambasadës së SHBA në Teheran ishte shfaqja e parë e diçkaje të re dhe shastisëse", sipas Mark Boëen, autor i "Mysafirë të Ajatollahut".

"Ishte beteja e parë në luftën e Amerikës kundër islamit militant një konflikt që më vonë do të përfshinte një pjesë të madhe të botës. Revolucioni iranian nuk ishte thjeshtë një betejë lokale për pushtet; ai kish hapur rubinetin e një oqeani nëntokësor të zemërimit islamik".

RD