E enjte, 18.04.2024, 07:13 AM (GMT+1)

Shtesë » Lajme

Europa/Mrekullia e heshtur

E shtune, 28.03.2009, 01:34 AM


MICHAEL ELLIOTT

Poeti anglez, Samuel Taylor Coleridge ka thënë se, të shihje Edmund Kean-in, tragjedianin e madh të Londrës në skenë 200 vjet më parë ishte njësoj si të "lexoje Shekspirin në mes shkrepëtimave". Kështu i duam ne momentet tanë të mëdhenj në histori, të rrethuar nga dramë, me pjesëmarrje heronjsh. Sipas këtyre standardeve, procesi që çoi në firmosjen e Traktatit të Romës 52 vjet më parë ishte i zakonshëm sa nuk mund të rrëfehet dot, një seri takimesh të gjatë burokratësh të harruar nëpër salla të mbushura me tym duhani. Nuk u derdh gjak, shumë pak fjalime për t'u mbajtur mend u dëgjuan; heronjtë ishin ata që mund të miklonin një kompromis teksa rrufisnin me shpejtësi kafenë, apo hartonin një fjali, e cila përmbante pikërisht atë frazën që do të sillte mbështetje të gjerë.

Megjithatë, themelimi i Komunitetit Ekonomik Europian në vitin 1957 ishte një ngjarje shumë e rëndësishme. Europa e sotme është hapësira më e madhe e paqes dhe prosperitetit në botë. Eshtë e vërtetë se KEE - siç quhej në 1957 dhe Bashkimi Europian siç quhet sot - nuk është i vetëm përgjegjës për këtë rezultat të lumtur. Pas kërdisë së Luftës së Dytë Botërore, ishin po aq shumë mendjet dhe muskujt amerikanë sa edhe ata europianë që vendosën se, Europa kish nevojë për institucione të reja që i detyronin kombet të uleshin sëbashku për hir të shmangies së katastrofës së luftës. Në të vërtetë, NATO dhe Plani Marshall, të dy të hartuar në Uashington, u krijuan përpara pararendësit të KEE-së, Komunitetit Europian të Çelikut dhe Qymyrit.

Pavarësisht gjithë këtyre, vendimi i gjashtë kombeve në vitin 1957 për të bashkuar sovranitetin në institucione shumëkombësh shënoi një ndarje vendimtare me të kaluarën. Sapo u bë e qartë se KEE funksiononte - që tregjet e përbashkët mund të ofronin atë lloj stabiliteti në të cilin ekonomitë mund të rriten - joshja nisi të zgjerohet. Shumë shpejt, të gjithë donin të bashkoheshin. Me rënien e Murit të Berlinit në vitin 1989, ishte pjekur tashmë koha për një zgjerim të madh të BE drejt lindjes, dhe gradualisht kjo ndodhi. BE ka tashmë 27 anëtarë, përfshirë tre republika ish-sovjetike.

BE ka pjellë admirues - si mund të mos kishte? - por jo imitues. Asnjë grupim tjetër shumëkombësh - as Mercosur-i në Amerikën Latine dhe as ASEAN në Azinë Juglindore - nuk ka institucione të fuqishëm sa BE. Historia dhe gjeografia e Europës janë unike. Kombet janë aq të vegjël sa të kuptojnë njëri-tjetrin dhe të ndajnë vlera; por në të njëjtën kohë, e gjithë Europa përjetoi horroret e shekullit të 20, dhe kështu asnjë prej udhëheqësve të pas luftës nuk kish nevojë për shumë punë bindëse mbi vlerat e bashkëpunimit. Në Europë, nacionalizmi ka një emër të keq; në pjesën më të madhe të botës, aty ku kujtimi i kolonializmit është ende i freskët, ai është një burim krenarie dhe identiteti. Ndonëse amerikanët ishin "mami" gjatë lindjes së BE, ata që atëherë janë habitur shpesh nga mungesa e nacionalizmit në Europë.

Sigurisht, kjo do të ishte e vështirë të thuhej në fillim të viteve '90. Atëherë, Jacques Delors ishte president i Komisionit Europian, po planifikohej monedha e përbashkët dhe François Mitterrand dhe Helmut Kohl, ishin duke u dhënë formë politikave europiane. Dukej e sigurtë që bashkimi politik do të pasonte atë ekonomik dhe se BE do të shndërrohej në superfuqinë e dytë demokratike të Atlantikut. Por ajo ëndërr u pre disi nga ngurimi i europianëve gjatë luftërave ballkanike si dhe ndërgjegjësimi se elektoratët europianë nuk kishin stomak për shfaqje superfuqie: domethënë, në aftësi për të vrarë. Në vitin 2005, votuesit në Francë dhe në Holandë - dy vende themelues - hodhën poshtë draftin e Kushtetutës Europiane, pa të cilën bashkimi politik është i pamundur. Por, ndoshta masat e vjetra të fuqisë dhe influencës nuk janë të përshtatshme për kohën tonë. Në fund të fundit, horroret e Irakut janë një dëshmi e kufizimeve të fuqisë. Kombet dhe popujt e BE janë bujarë kur bëhet fjalë për ndihmën për të varfërit dhe njerëzit e disavantazhuar. Dhe mbi të gjitha, ndoshta institucionet që i japin formë unitetit në rritje të Europës e kanë përmirësuar jetën për ata që jetojnë aty. Duket një sukses i brishtë e i vogël. Por për këdo që e mban mend mjerimin dhe vuajtjen prej nga doli Traktati i Romës, është një mrekulli shtangëse.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora