E premte, 29.03.2024, 11:39 AM (GMT)

Shtesë » Lajme

Flet i mbijetuari i Holokaustit, Jack Terry

E shtune, 28.03.2009, 12:55 AM


"Isha i sigurtë që nuk do të mbijetoja"

Jack Terry është një viktimë, familja e të cilit gjeti e gjitha vdekjen gjatë Holokaustit. E ëma dhe e motra u qëlluan para tij kur ishte ende fëmijë. Ai flet në këtë intervistë për "Spiegel" në lidhje me eksperiencën e tmerrshme si dhe urdhër-arrestin e lëshuar kohët e fundit për një të akuzuar si roje në kampet e vdekjes, John Demanjuk.

-Z. Terry, siç e dini prokurorët në Mynih kanë nxjerrë akuza kundër John Demjanjukut për më shumë se 29 000 raste pjesëmarrjeje në vrasje. Si i vetmi pjesëtar i familjes tuaj që i keni mbijetuar Holokaustit, cili është reagimi juaj në lidhje me akuzën?

Eshtë absolutisht jetësore, që çdokush i përfshirë në ngjarje të tilla të tmerrshme të gjykohet ashtu si e meriton.

-Demjanjuk është pothuajse 90 vjeç. A duhet të burgoset, nëse gjendet fajtor?

Do të kënaqesha qoftë sikur edhe ta mbyllnin për vetëm një ditë në qeli. Për mua ajo ditë, sado e shkurtër që të ishte, do të ishte simbolike.

-Kur ishit fëmijë, ju jeni torturuar për nëntë muaj në Kampin e Përqendrimit Flosenbyrg. Sipas prokurorëve, Demjanjuk ka qenë roje atje pikërisht në të njëjtën kohë me ju. A mbani mend që ta keni parë?

Jo. Unë nuk i njihja me emra ata që ishin në detyrë atje.

-Si ukrainas, Demjanjuku i përkiste të ashtuquajturve Travnikë, rojet jogjermanë të SS-ve.

Në Flosenbyrg kanë shërbyer me mijëra prej travnikëve. Personeli i kampit të përqendrimit ishte në gjendje të kryente brutalitete të tmerrshme, por travnikët ua kalonin të gjithëve.

-Flosenbyrg ishte kampi juaj i tretë dhe i fundit. Kur nisi saga juaj e hidhur?

Filloi në vitin 1939, kur nuk mund të shkoja më në shkollë. Kampi im i parë i përqendrimit ka qenë në Butzin, në lagjen Lublin (sot në Poloninë Lindore). Isha vetëm 13 vjeç. Tim atë e kishin transportuar në Majdanek dhe unë nuk e kam parë kurrë më. Në 8 maj të vitit 1943, SS-ët dhe Travnikët kryen procesin e përzgjedhjes në kamp. Motra ime më e madhe nuk donte që të ndahej nga mamaja. Tetari i SS-ve, Reinhold Feix, qëlloi dhe e vrau motrën në sy të mamasë dhe më pas vrau edhe mamanë time. Ishte gjithçka surreale, por atëherë ky ishte realiteti. Edhe sot jam në gjendje të ndjej vuajtjet e mamasë time.

-Ju ishit 14 vjeç kur, në vitin 1944 u transportuat për në Flosenbyrg, ku ju desh të punonit?

Fillimisht në një gurore. Por unë isha shumë i vogël dhe shumë i dobët për të ngritur gurë të rëndë. Pas dy javësh, isha i sigurtë që nuk do të mbijetoja. Lëkura nëpër gishtërinj më ishte bërë copë dhe nuk mund të prekja më asgjë. Më pas, më transferuan në fabrikën e prodhimit në Mesershmit atje ku prodhoheshin avionë Me 109 për forcat ajrore të Hitlerit. Mua më duhej të fusja në linjën e montimit goxhdët e vogla dhe perçinat. Më pas më transferuan në lavanterinë e burgut.

-Në pranverën e vitit 1945, amerikanët po e ngushtonin lakun. SS-ët evakuuan kampin e përqendrimit dhe dërguan të burgosurit në një prej marshimeve të vdekjes drejt një tjetër kampi në drejtim të Dachau.

Mua më fshehu një punonjës i kampit, që quhej Milos Kucera. Isha në një tunel që të çonte nga lavanteria për në kuzhinë, m'u poshtë terrenit të paradës. Qëndroja mbi tuba të nxehtë dhe mbi mua dëgjoja të shtëna, shtypje me këmbë, ulërima. Ishte errësirë dhe nuk kisha asgjë për të ngrënë apo për të pirë.

-Më pas, në 23 prill, forcat e SHBA çliruan Flosenbyrgun.

Isha çliruar, por nuk isha i lirë. Për herë të parë, isha në gjendje të mendoja përtej të qenurit i uritur. Për herë të parë kuptova se tani, në moshën 15 vjeç, unë isha tërësisht i vetëm në këtë botë. Nuk kisha më një familje, nuk kisha asgjë. Ky është një prej kujtimeve të mia të asaj dite.

-Ndonjë gjë tjetër?

Një episod që parë në retrospektivë duket pak si surreal. Ne ishim shumë të uritur, kështu që një oficer amerikan nxorri pistoletën që të vriste një kalë për ne. Teksa shkeli këmbëzën, ai nuk mund ta shihte kafshën. Shihte diku tutje. Një kafshë! Kisha parë qindra njerëz të vdisnin. Kisha parë anëtarë të SS-ve që hidhnin foshnje nga dritaret, apo që i përplasnin pas mureve të shtëpive, dhe ky kapiten kishte të dridhura tek vriste një kalë. Më kaloi sërish para syve se sa mizorisht kishin humbur jetën nëna dhe motra ime.

-Më pas, çfarë ndodhi?

Një kolonel më mori me vete. Erdha në Shtetet e Bashkuara përmes Francës. Oficeri donte që të më adoptonte, por kjo gjë nuk ishte e mundur, pasi ai ishte ende në ushtri. Dhjetë vjet më vonë, u riktheva në Gjermani si një toger në ushtrinë amerikane. Bazën e kisha në Shvecingen.

-Ju punuat fillimisht si gjeolog dhe më pas keni studiuar psikoanalizën. A ka ndikuar përvoja e jetës tuaj?

Po, absolutisht. Doja të dija përse qeniet njerëzore kishin bërë atë që unë kisha parë të bënin; si qeniet njerëzore ishin zhytur në thellësi të tilla. Dhe doja gjithashtu të përpiqesha të ndihmoja ata njerëz që kishin vuajtur si unë. Mes pacientëve të mi kanë qenë shumë prej ish-të burgosurve në kampet e përqendrimit të nazistëve.

-A i ndihmon ndopak terapia këta njerëz?

Përgjigja e shkurtër është Jo. Ata vazhdojnë të jetojnë me atë përvojë të tmerrshme dhe ata nuk kanë qenë në gjendje të vajtojnë vdekjen e njerëzve të dashur për shkak të luftës për mbijetesën e tyre. Të përballësh dhimbjen është jashtëzakonisht shumë e rëndësishme. Unë u largova nga Flosenbyrgu sa më shpejt që të mundesha, por Flosenbyrgu nuk u largua nga unë. Për të gjithë ish- të burgosurit, kjo histori përbën gurin e themelit të jetëve tona.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora