E hene, 14.10.2019, 04:26 AM (GMT+1)

Aktualitet » Bota

Kumbari/Të vërteta dhe trillime

E shtune, 28.03.2009, 01:51 AM


Filmi që futi në sherr Mario Puzon me Frank Sinatrën

ANTHONY BRUNO

"Kumbari", pjesa e parë (1972) dhe "Kumbari", pjesa e dytë (1974) konsiderohen si kryevepra të kinemasë amerikane. Realizuar nga regjisori Francis Ford Coppola dhe me skenar të Coppolas dhe Mario Puzos, autori i romanit që nisi legjendën e Kumbarit, këto dy vepra renditen ndër filmat më të mirë të realizuar ndonjëherë.

Por më shumë se një seri filmash, "Kumbari" është një fenomen kulturor, që përmendet dhe citohet shpesh. Disa e kanë përdorur si një guidë biznesi, ndërsa të tjerë e konsiderojnë një abetare të sjelljes së njeriut në një botë të mbushur me tradhëti. Fraza të tilla si "I bëra një ofertë që nuk mund ta refuzojë" dhe "Luca Brasi po fle me peshqit" janë po aq të njohura sa edhe fytyrat e yjeve të kinemasë që luajtën në rolet kryesorë. Marlon Brando me faqet e mbushura në rolin e Vito Corleones dhe Al Pacino, me vështrimin e tij të zjarrtë, gati për të shpërthyer në rolin e djalit më të vogël të Don Corleones, janë fytyra të vështira për t'u shkulur prej mendjes së publikut.

Në momentet kur doli, filmi solli një ndërgjegjësim të madh të publikut ndaj mafias amerikane dhe shumë prej personazheve dhe ngjarjeve të filmit janë të bazuara në gangsterë reale dhe bëmat e tyre. Janë filma që kaq shumë imponohen, saqë shumica e shikuesve (dhe madje edhe disa pjestarë të vetë mafias) kanë arritur deri aty sa të besojnë se gangsterët italo-amerikanë janë me të vërtetë "burra të nderit", Robin Hudë, që sfidojnë ligjin dhe i binden vetëm një kodi më të lartë. Por seritë e Kumbar-it i janë nënshtruar edhe kritikave për shkak të një lloj romanticizimi që u kanë bërë gangsterëve dhe se u kanë ofruar atyre një lloj pranimi të pamerituar, duke i paraqitur si personazhe të denjë për tragjedi të tipit shekspirian.

Me qëllim që të bënin heronj hierarkinë e familjes së trilluar Corleone, Coppolas dhe Puzos iu desh të krijonin mafiozë rivalë, që ishin të korruptuar moralisht dhe dredharakë. Don Vito Corleone paraqitet në film si një njeri i ashpër, por i drejtë dhe shpeshherë dashamirës - të paktën me ata që nuk i zënë rrugën e si rrjedhim nuk meritojnë ndëshkimin e tij. Eshtë interesant fakti që krijuesit e Kumbarit kanë shpenzuar shumë pak kohë në ekran për veprimtaritë e përditshme kriminale të familjes Corleone. Përshtypja që lë filmi i parë është se të shkretët Corleone po shihnin vetëm punën e tyre kur krejt papritur u gjendën të sulmuar, në momentin kur u bë atentati në rrugë ndaj patriarkut të tyre. Duke paraqitur Corleonet si gangsterët " e mirë" përballë rivalëve të tyre që shfaqen si gangsterët "e këqinj", Coppola dhe Puzo kanë dashur të fitojnë simpatinë e audiencës për protagonistët e tyre, që në thelb janë edhe vetë personazhe të ulët.

"BIZNES I NDYRË"

Fabula kryesore e Kumbarit, Pjesa I, përfshin atentatin kundër Don Vito Corleones, si dhe reagimin e familjes së tij ndaj këtij atentati. Don Corleone kishte zemëruar një familje rivale sepse kish refuzuar që të financonte një trafikant droge, Virgil "Turku" Sollozzo, i cili kishte plane të mëdha për të zgjeruar operacionet narkotikë të Mafias. Sollozzo e do bashkëpunimin e Don Corleones, sepse kumbari ka një rrjet të vyer politikanësh dhe gjykatësish në xhep, dhe mbrojtja e tij do të ishte një lehtësi për biznesin e Sollozzos. Ai përpiqet ta joshë me fitimin e jashtëzakonshëm që ofron trafiku i drogës, por Doni i përgjigjet se miqtë e tij në poste publikë nuk do të mbeteshin të tillë gjatë, nëse ai përfshihet në një "biznes të ndyrë". Ai thotë se bixhozi është një "ves i padëmshëm" - një mendi që pa asnjë dyshim e ndajnë qindra mijëra njerëz, që frekuentojnë përvit kazinotë e ligjshme.

Gjoja ndalimi që mafia i ka bërë trafikut të drogës në jetën reale është përmendur kaq shpesh, saqë përgjithësisht pranohet si fakt, por nuk mund të ishte më larg të vërtetës. Numri i madh i dënimeve të gangsterëve e mafiozëve të të gjithë rangjeve nëpër dekada e hedh poshtë këtë. Bosët e mafias vërtet lëshonin urdhëra herë pas here kundër trafikut të drogës, por këtë e bënin vetëm në interes të mbijetesës së tyre. Kur Kongresi miratoi Ligjin e Kontrollit të Narkotikëve në 1956, u rritën dënimet për trafikun e drogës. Një dënim i parë ishte 5 vite burgim, i dyti 10 dhe i treti 40. Duke menduar në terma afatgjatë, bosëve të mafias u duhej të mendonin nëse fitimet prej drogës ia vlenin kundrejt riskut të dënimeve kaq të gjatë me burgim. Por ajo që i shqetësonte më shumë bosët ishte frika në rritje që trafikantët e dënuar të drogës do të bënin marrëveshje me qeverinë dhe do të shndërroheshin në dëshmitarë të shtetit me synimin për të reduktuar kohëzgjatjen e dënimit të tyre. Një njeri i dënuar që të kalonte vitet më të bukur të jetës në burg mund të ishte më i prirur të hidhte tutje Omerta-në dhe të spiunonte kundër familjes së krimit në të cilën bënte pjesë, nëse qeveria i premtonte të ulte dënimin në këmbim të dëshmisë.

Disa mafiozë të zgjuar gjetën mënyra të tjera për të përfituar prej tregtisë së drogës pa shitur drogë. Gazetari Jerry Capeci shkruan në librin e tij "The Complete Idiot's Guide to the Mafia", se bosi i Filadelfias, Nicodemo, "Little Nicky" Scarfo, u jepte njerëzve të tij urdhëra mbi narkotikët që mishërojnë në fakt qasjen e bosëve: "Scalfo u thoshte se nuk mund të merreni me trafik droge, por mund t'u jepni para hua trafikantëve të drogës, t'i shkundni për t'u marrë para dhe t'i vidhni". Në botën e vërtetë të krimit, çdo familje mafioze që refuzonte të nxirrte fitime nga trafiku i drogës, direkt ose indirekt, do ta kishte shumë të vështirë që të mbante njerëzit e vetë e si rrjedhim do të zhdukej dalëngadalë.

KUMBARI I VËRTETË

Kur shohim për herë të parë Don Corleonen tek Kumbari, Pjesa e parë, ai është i veshur me smoking, një buton të kuq në jakë, duke pritur vizitorë në zyrën e tij të errët, ndërkohë që miqtë dhe familja festojnë në martesën e bijës së tij jashtë, nën rrezet e diellit, në kopshtin e vilës së tij. Ai është një mbret në kështjellën e tij. Por më vonë, kur e shohim në një ditë të zakonshme pune, kostumi i tij është i rëndomtë, pamja disi e zymtë. Ai e drejton perandorinë e tij që nga kompania e tij e importit të vajit të ullirit në qytet, por zyrat qendrore janë të zakonshme, madje pak si të vjetëruara. Pavarësisht pozicionit të tij si kreu i një prej familjeve më të fuqishme të krimit në vend, Don Corleone paraqitet si një njeri i përulur dhe dukja e tij vë edhe më shumë theksin mbi mungesën e interesit që ai tregon në pajimet e pasurisë dhe pushtetit. Kur shkrimtari Mario Puzo krijoi personazhin e Don Corleones në librin e tij "Kumbari", ai kishte shumë modele nga jeta reale për të zgjedhur, por njëri prej bosëve të mafias qëndron veç si frymëzimi më i mundshëm i tij: Carlo Gambino, bosi i familjes që mori emrin e tij.

Ndrysho nga Marlon Brando, Carlo Gambino vështirë se kish pamjen e duhur. Një burrë i vogël me sy si rruazë dhe një hundë të madhe, Gambino shfaqej shpeshherë i dobët fizikisht dhe i pamundur. Bosi mafioz, Joe Bonnano, një herë e quajti "një ketër, një njeri servil dhe i zhubrosur". Por pamja ishte mashtruese, pasi Carlo Gambino, ashtu si Don Corleone kishte aftësinë e një mjeshtri shahu për të parë dy lëvizje përtej kundërshtarëve, gjë që i jepte aftësinë t'u merrte krahët, ndërkohë që i mashtronte, duke i bërë të mendojnë se ishin në avantazh kundrejt tij.

Në vitet dyzetë, pesë familjet e Nju Jorkut ishin ende në krijim e sipër dhe aleancat mes bosëve që fuqizoheshin bëheshin dhe zhbëheshin me shpejtësi teksa gjithësesili luante për pozicionin më të avantazhuar. Shanset u rritën në momentin kur i Charles "Lucky" Luciano, një prej arkitektëve kryesorë të mafias amerikane, u dëbua për në Itli në vitin 1946 dhe mafiozi frank Costello udhëhoqi familjen e Lucianos në mungesë të tij. Costello, një mafioz i profilit të ulët që drejtonte me një stil drejtori njihej si "kryeministri i botës së paligjshme" për shkak të aftësisë së tij për të bërë marrëveshje me politikanë dhe sindikalistë. Ajo që i mungonte ishte forca brenda radhëve të familjes së tij. Për këtë arsye, ai bënte pakte me bosë të familjeve të tjera që, për një çmim të caktuar, i jepnin hua Costellos forcën njerëzore që i nevojitej. Gjenerali më i vlerësuar prej Costellos ishte Albert Anastasia, "ekzekutori" i dhunshëm që vetëm me dhunë arriti të ngjisë shkallët deri në majë të familjes Mangano. Bosi i Anastasias në atë kohë ishte Carlo Gambino. Bosi rival, Vito Genovese, nuk e fshihte aspak dëshirën e tij për t'u bërë bos i bosëve, në pritje për të bashkuar shumë familje nën udhëheqjen e tij, por forca e koalicionit Costello Anastasia arriti të mbajë larg për disa vite Genovesen. Më pas, në 1957 Genovese bëri lëvizjen e tij me një atentat ndaj Costellos teksa ky hynte në apartamentin e tij në Central Park në Nju Jork. Por atentatori nuk qëlloi në shenjë.

Atentati i dështuar shkaktoi zemërimin e kosheres së bletëve në mbretërinë e gangsterëve. Të gjithë pranuan si të vërtetë se pas atentatit qëndronte Genovese dhe ai e dinte se i kish ditët të numëruara nëse i linte gjërat si ishin. Nëse Costello do të vendoste të kundërpërgjigjej, ai do t'ia kërkonte këtë Albert Anastasias. Për t'i paraprirë gjithçkaje, Genovese pagoi për kokën e Anastasias, i cili u qëllua për vdekje nga dy vetë teksa qëndronte i relaksuar në karriken e berberit të tij, me sytë mbyllur.

Atentati u organizua nga vetë bosi i Anastasias, Carlo Gambino, i cili kish bërë një pakt të fshehtë me Genovesen. Gambinos i ishte premtuar pozicioni i Anstasias si bos i familjes Mangano, sapo Genovese të realizonte qëllimin e tij për t'u bërë bos i gjithë bosëve. Frank Costello, tashmë pa Anastasian dhe trupat e tij për ta mbështetur, vendosi se do të ishte më mirë të tërhiqej se sa të vazhdonte luftën me Genovesen. Gambino u bë bosi i ri i familjes Mangano.

"MË NGJYEJ SQEPIN"

"Kumbari", Pjesa e dytë, paraqet dy linja të ndryshme: maturimi i Michael Corleones si bos i familjes Corleone të krimit dhe ngjitjes së të riut Vito Corleone, babai i Michael. Në fillim të shekullit XX, mafiozë vendas në Siçili vrasin familjen e Vitos së vogël, duke e bërë këtë të fundit jetim. I frikësuar se djali i vogël do të rritet dhe kërkojë hakmarrje për këto vrasje, bosi lokal urdhëron edhe vrasjen e vitos. Miq të familjes e nxjerrin fshehtas nga Sicilia dhe e hipin në një anije që ish nisur për në Amerikë.

Një udhëtar i vetmuar dhe jo në gjendje të flasë anglisht, i riu Vito duhet ta çajë vetë rrugën e tij në tokën e shanseve të mëdha.

Në të njëzetat, Vito martohet dhe nis familjen në Nju Jorkun e atyre viteve. I luajtur nga aktori Robert de Niro, Vito Corleone është një njeri punëtor dhe besnik me miqtë, edhe me ata që nuk janë aq të fortë sa ai. Pasi është viktimizuar nga mafia në Sicili, ai irritohet veçanërisht kur sheh padrejtësitë që bën Don Fanuçi, bosi pompoz i lagjes që kërkon para nga çdo biznesmen në komunitetin italian ku jeton vito. Një mik i thotë Vitos se Fanuçi ka lidhje me dorën e zezë.

Në fillimin e shekullit XX në Amerikë, imigrantët italianë që merreshin me zhvatje përdornin emrin misterioz, Dora e Zezë për të frikësuar ata që u kishin vënë syrin që të paguanin, përndryshe do të vuanin pasojat e zemërimit të një shoqërie të madhe të fshehtë. Në të vërtetë, këta ishin njerëz që nuk kishin lidhje me asnjë organizatë kriminale. Megjithëkëtë, imigrantët e varfër italianë që ata zhvasnin, besonin se një organizatë me emrin Dora e Zezë ekzistonte dhe ata e dinin shumë mirë se këta zhvatës i çonin deri në fund kërcënimet e tyre kur nuk merrnin atë që donin. Nuk ishte e pazakontë që të rrëmbehej një fëmijë dhe një prej gishtave të dorës së tij t'i dërgohej familjes, për t'i bindur që të paguanin. Në vitin 1905, një kasap në Berlin u qëllua për vdekje në dyqanin e tij, pasi refuzoi të paguajë gjobën e një zhvatësi, që ishte 1000 dollarë. Tenori i famshëm i operas, Enrico Caruso pagoi një haraç prej 2000 dollarësh kur mori një letër kanosëse që ishte vulosur me shenjën e një dore në ngjyrë të zezë.

Më i famshmi ishte Ignazio Saietta, i njohur më mirë si Lupo (Ujku), i cili terrorizonte lagjen italiane në Harlem. Ai kishte atë që policia më vonë e quajti "Ahuri i Vrasjeve" në East 107th street, një kasaphanë për armiqtë e tij si dhe ata që refuzonin të paguanin. Siç shkruan Carl Sifakis tek "Enciklopedia e Mafias", "Lupo e shfaqte hapur veprimtarinë e tij të Dorës së Zezë para komunitetit italian, duke përforcuar kështu perceptimin se ishte i paprekshëm nga ligji. Ishte e zakonshme për italianët që të bënin kryqin edhe kur thjeshtë përmendej emri i tij". Banorët e lagjes së Vito Corleones tek "Kumbari", Pjesa e dytë, e trajtojnë në të njëjtën mënyrë Don Fanuçin. Por Don Fanuçi i trilluar ndryshon nga zhvatësit e dikurshëm. Këta punonin në hije dhe rrallë e tregonin fytyrën, veç rasteve kur u duhej absolutisht që ta bënin. Më mirë që viktimat të imagjinonin banda të mëdha monstrash vrasëse. Gjithashtu, siç shfaqet në film, Don Fanuçi nuk ka vartës që ta mbështesin. Ai kërkon thjeshtë haraç dhe njerëzit paguajnë nga frika. Refreni i zakonshëm është se do vetëm të "ngjyejë sqepin". Ngjan një figurë shumë publike për të qenë një prej atyre të Dorës së Zezë. Në këtë drejtim, duket më shumë një padron lagjeje.

Kur italianët nisën të imigrojnë në Amerikë, ata ashtu si grupe të tjerë etnikë qëndruan bashkë, duke krijuar lagjet e tyre. Por ndryshe nga grupet e tjerë të imigrantëve, ata hezitonin të asimiloheshin. I rezistonin mësimit të anglishtes dhe shumica kishin të bënin vetëm me njëri-tjetrin. Por kish raste kur u duhej të merreshin me botën e jashtme dhe për këtë kërkonin ndihmën e padronit të lagjes, një imigrant si ata, por që kish mësuar anglisht dhe vepronte si ndërmjetës. Kur duhej të paguheshin faturat e ujit dhe energjisë elektrike të një personi, një padron merrej me këtë - kundrejt një pagese. Në vitet e parë të imigrimit, kur pak italianë dinin anglisht, shërbimet e padronit ishin të domosdoshme dhe disa italianë arritën madje u bindën se disa gjëra nuk mund të bëheshin pa padronin - një përshtypje që padronët nuk bënin asgjë për ta korrigjuar. Marrja e pagesave për këta shërbime ishte në vetvete një formë zhvatjeje. Siç është krijuar nga Puzo dhe Coppola, Don Fanuçi është në personazh hibrid - Lupo me rrobat e një padroni.

MICHAEL

Michael Corleone, djali i tretë dhe më i vogli i Don Vitos, është personazhi qendror i sagës së Kumbarit. Kur shfaqet fillimisht, ai mban veshur uniformë ushtarake, teksa sa është kthyer nga shërbimi si marins gjatë Luftës së Dytë. Vetëm po ta shohësh, e kupton se është ndryshe nga familja.

E dashura e tij, Kay është një bjonde modeste dhe shumë naive për të ditur se nuk duhet të bëjë pyetje për Corleonet. Vetë fakti që ka zgjedhur një person të tillë tregon se sa jashtë sinkroni është me të afërmit. Familja e do Michaelin, por ata e bëjnë të qartë se nuk mendojnë se ai është i përshtatshëm për punët e familjes.

Refuzimi i Don Corleones për të ndihmuar Sollozzon shkakton atentatin kundër tij. Djali i tij kokënxehtë, Sony, betohet për një kundërpërgjigje të menjëhershme, por këshilltari i familjes dhe vëllai i adoptuar i Corleonëve, Tom Hagen, e bind të ndalet dhe të mendojë ashtu si do të bënte i ati. Sony, Tom dhe kapot e familjes peshojnë opsionet dhe në fund vendosin që Sollozzo duhet vrarë. Pyetja është si? Sollozzo ka një kapiten policie të korruptuar, McCluskey, që shërben si badigardi i tij personal. Për të vrarë Sollozzon, Corleonët duhet të vrasin McCluskeyn dhe vrasja e një polici është shkelje e rëndë e kodit të mafias, sepse policia do të kundërpërgjigjet dhunshëm ndaj gjithë familjeve mafioze në qytet. E teksa hierarkia Corleone përgjigjet të gjejë mënyrën më të mirë për goditjen, Michael ofron ndihmë. Thotë se është opsioni më i mirë, sepse askush nuk do të dyshojë tek vëllai i vogël, që nuk punon për familjen. Kështu vendoset. Kapoja Pete Clemenza mëson Michaelin se si të bëjë punën dhe e siguron se armën do ta gjejë në banjën e restorantit, ku do të takojë Sollozzon dhe McCluskeyn. Gjithçka ngjan shumë me një prej incidenteve më domethënës në historinë e mafias amerikane.

Në vitet '20, familjet mafioze në Nju Jork drejtoheshin nga njerëz makutër nga Sicilia që i keqtrajtonin njerëzit që i bënin të pasur. Gangsterët e rinj i vinin në lojë të vjetrit për shkak të metodave të tyre kokëtrasha e të dala mode. Dhe i quanin "Moustache Petes". Një prej këtyre ishte Giuseppe "Joe the Boss" Masseria, krahu i djathtë i të cilit ishte Charles Lucky Luciano. Ndonëse zyrtarisht krah familjes Masseria, Luciano i përkiste në fshehtësi një grupi të rinjsh nga të gjithë familjet e Nju Jorkut, që donin të përmbysnin të vjetrit prapanikë me qëllim që të merrnin në duar frenat dhe të zgjeronin perandorinë e mafias.

Në 15 prill 1931, Luciano shërbeu si karrem për Masserinë, duke e sjellë në një restorant në Coney Island të quajtur "Nuova villa tammaro", ku të dy shijuan një drekë të këndshme dhe më pas nisën një lojë me letra. Rreth orës 3:30 të pasdites, Luciano ashtu si Michael Corleone kërkoi lejë për të shkuar në banjë. Por në vend që të dilte me armë në duar, Luciano priti të dëgjojë krismën e një arme në dhomën e ngrënies. Teksa priste në banjën e burrave, katër të rinj hynë në restorant, nxorrën armët dhe nisën të qëllojnë.

Vrasësit ishin Vito Genovese, Joe Adonis, Albert Anastasia dhe Bugsy Siegel. Përfshirja e këtij të fundit ishte një shenjë e qartë se brezi i ri dëshironte të fuste të tjerë kriminelë nga grupe të tjerë etnikë, diçka që mafiozët e vjetër as nuk do ta mendonin. Ata nuk afronin madje as italianë josiçilianë në radhët e tyre. Tek Kumbari, Pjesa e parë, Michael e kryen vetë atentatin duke vrarë Sollozzon dhe McCluskeyn, por imazhi i tymit të armës mbi tryezat me mbulesa me katrorë bardhë e kuq të kujton më shumë me detajet e vrasjes së "Joe the Boss" Masseria.

Asnjë gangster në jetën reale nuk ka shërbyer si model për Michae Corleonen, por ka shumë gjasa që autori Mario Puzo të ketë menduar për Vito Genovesen kur ka dërguar Michaelin në Siçili pas vrasjes. Genovese u largua për në Itali për t'i shpëtuar akuzave për vraje në 1937 dhe qëndroi aty deri pas luftës. Ndërkohë që ishte atje ai u lidh me shërbimin e fshehtë të ushtrisë së SHBA duke i ndihmuar të shkatërrojnë operacionet në tregun e zi në jug të Italisë (që më pas i vijoi vetë në fshehtësi). Si falenderim për ndihmën e tij, qeveria amerikane bëri të mundur rrëzimin e akuzave për vrasje kundër tij, duke i lejuar kthimin në SHBA.

Tek "Kumbari", Pjesa e dytë, Michael tashmë i rehatuar si kreu i familjes, Corleone kërkon sipërmarrje të ligjshme. Si pjesë e planit të tij të riorganizimit, ai e zhvendos familjen nga Nju Jorku në Nevada. Në vitet gjashtëdhjetë, Joseph Bonanno, bosi i familjes së Nju Jorkut që mban emrin e tij, ngriti perandorinë në Arizonë, ku kërkoi të zgjerojë pushtetin në territoret e Perëndimit. Bonanno, ashtu si Michael Corleone, investoi gjithashtu shumë në aktivitete kumari dhe kazino në Kubën e para Kastros.

FRANKIE

Tek "Kumbari dhe rrëfime të tjerë", Mario Puzo përshkruan disa takime jo të pëlqyeshme që ka patur me këngëtarin Frank Sinatra, i cili thuhet se ishte tërbuar nga fakti që Puzo kish krijuar personazhin e Johnny Fontane. Ashtu si Sinatra, Fontane është një këngëtar që adhurohet nga çupëlinat e viteve '40. Fontane kërkon ndihmën e Kumbarit të tij për të siguruar një rol në një film të afërt, një shans që Fontane mendon se do t'i shpëtojë karrierën. Shumë lexues supozojnë se Puzo i referohej përpjekjeve të Sinatrës për të marrë rolin e Maggios tek "Nga këtu në përjetësi" në një kohë kur karriera e tij ishte në vështirësi. Puzo mbeti i druajtur sa herë flitej për Sinatrën dhe në fakt asnjëherë nuk doli të thotë që të thotë se Johny Fontane nuk bazohej tek ai, por gjithsesi është një lidhje që është vështirë të mohohet, duke parë ngjashmëritë mes këngëtarit të vërtetë dhe atij të librit.

Puzo përshkruan një incident që ndodhi në restorantin "Chasen" në Los Angeles, ku Sinatra refuzoi të takojë Puzon dhe i ulëriti me zemërim duke e quajtur një "të mjerë". Shtypi e kish lidhur Sinatrën me mafian në disa raste dhe personazhi i Puzos dukej se mbështeste këto akuza. Lidhjet e Sinatrës me mafian janë dokumentuar me kalimin e viteve, por ndoshta ajo që e zemëronte më shumë këngëtarin ishin aspektet e trilluar të Fontane që nuk kishin bazë të vërtetë.

Tek "Kumbari" Pjesa I, një regjisor i lig me emrin Jack Uoltz, refuzon që t'i japë Fontanes një rol në film që do të ishte i përsosur për të. Don Corleone dërgon këshilltarin Tom Hagen si emisar, në përpjekje për të ndërruar mendjen e tij, por producenti zemërohet kur shikon se kë përfaqëson Hagen dhe fyen familjen Corleone dhe italianët në përgjithësi. Hagen nuk zemërohet; ai lë gjithçka të kalojë. Mëngjesin tjetër, Uolz zgjohet dhe gjen veten dhe shtratin të mbuluar në gjak. Kur ngre jorganin sheh kokën e prerë të kalit të tij të preferuar të garave, Khartoum. Brenda pak orësh, Fontane merr rolin e dëshiruar.

Shumë fansa të "Kumbarit" thonë se Uoltz është mishërimi i kreut të Columbia Studio-s, Harry Cohn dhe që mafia e detyroi Cohnin të marrë Sinatran për rolin e Maggios tek "Nga këtu në përjetësi". Por në të vërtetë, mafia nuk kish fare të bënte me këtë. Aktori Eli Uallach ishte zgjedhja e parë e studios për këtë rol, por skenari kërkonte një skenë sherri ku Maggio, trupimët rrihet nga një reshter që luhet nga Ernest Borgnine. Kur ata vunë bashkë Uallach dhe Borgnine, Uallach që kishte një fizik prej atleti, nuk dukej aq trupimët krahasuar me tjetrin. Sinatra, që kish një trup më të imët dhe ishte italo-amerikan si personazhi, mori rolin sepse dukej njeriu i duhur. Por mafia ndërhyri në emër të Sinatras më herët në karrierën e tij kur ky kishte probleme me liderin e big band, Tommy Dorsey. I etur për të patur më shumë ekspozim me një grup të njohur në nivel kombëtar, 24-vjeçari Sinatra la grupin e trumbetistit Harry James dhe firmosi me trombonistin Tommy Dorsey. Ambiciet me siguri ia mjegulluan mendimin Sinatrës kur ra dakord me kushtet e rënda të Dorseyt. Për një shans që të këndonte në grupin e Doresyt, Sinatras do t'i duhej të paguante liderin e bandës një të tretën e fitimeve të gjithë jetës si dhe 10% për agjentin e Dorsey. Popullariteti i Sinatrës u rrit shumë me Dorseyn, por shumë shpejt u bë e qartë se njerëzit paguanin të dëgjonin Sinatrën dhe jo grupin.

Në 1943, Sinatra u përpoq të blejë kontratën e tij, duke i ofruar Dorseyt 60 000 dollarë për të prishur marrëveshjen, por Dorsey e kundërshtoi. Sinatra vlente shumë më tepër dhe Dorsey nuk donte të shiste pjatën e artë. Në këtë moment, Dorsey pati një vizitë të papritur nga tre xhentëlmenë që, sipas biografit të Sinatras, J. Randy Taraborrelli, "flisnin shtrembër dhe urdhëronin Dorseyn të shiste ose përndryshe...".

Bosi i mafias së Nju Xhersit, Uillie Moretti, kish qenë gjithmonë një fans i madh i këngëtarit nga Hoboken dhe ai mbronte interesat e Sinatras. Ka zëra që vetë Moretti kish qenë një prej tre vizitorëve të Dorseyt dhe ishte ai që i bëri liderit të bandës një ofertë që s'mund ta refuzonte, duke i futur grykën e armës në gojë. Dorsey ndërroi menjëherë mendje dhe ra dakord të grisë kontratën e Sinatras në këmbim të ... një dollari.

Të tjerë personazhe tek "Kumbari" tregojnë ngjashmëri me gangsterë nga jeta reale. Tek pjesa e dytë, Michael mat aftësinë e tij me Hyman Roth, gangsteri i vjetër që drejton përpjekjet e mafias për të kontrolluar kazinotë në Kubën e para Kastros. Roth predikon devocionin e tij ndaj kujtimit të babait të Michael, por ndryshe nga Corleonet, Roth nuk ndan sensin e tyre të familjes. Ai është pikësëpari një biznesmen, shqetësimi kryesor i të cilit është rezultati dhe sa do të përfundojë në xhepat e tij. Kur qeveria kubane bie në duart e rebelëve komunistë, mafia arratiset nga ishulli dhe Roth kërkon strehim në Izrael, por qeveria izraelite e nis menjëherë në SHBA.

Eshtë e qartë se personazhi i Roth është ndërtuar sipas gangsterit legjendar Meyer Lanksy, i cili bashkë me Lucky Lucianon transformoi krimin e organizuar në Amerikë, duke krijuar një sindikatë të fuqishme kombëtare që ata shpresonin se do të kapërcente zënkat e vogla të grupeve etnikë. Disa besonin se Lanksy ishte thjeshtë njeriu i parave për Lucianon, por në fakt ai ishte po aq i rrezikshëm me një armë sa edhe me një makinë llogaritëse, ndonëse ishte përherë i mençur dhe kish të tjerët që i bënin vrasjet për të. Në vitet njëzetë, ai u bë bashkë me Bugsy Siegel që shërbente si i forti i Lanksyt. Në vitet tridhjetë, Lanksy do të ishte forca shtytëse e Murder Inc., një grup vrasësish gjakftohtë që u organizuan për të mbajtur rregull në biznesin e sindikatës së krimit. Murder Inc u akuzua për deri 500 vrasje.

Në vitet '50, Lanksy mbajti lidhje të ngushta me diktatorin kuban Fulgencio Batista dhe orkestroi interesat e krimit të organizuar në biznesin e kazinove në ishull, ashtu si bën Roth në "Kumbari", Pjesa II. Por revolucioni komunist, i udhëhequr nga Fidel Castro, prishi planet e mëdha të mafias për Kubën, siç tregohet në film.

Në film, Roth arratiset për në Izrael për të përfituar nga Ligji i Kthimit në atë vend, ku çdokush i lindur nga një nënë hebreje mund t'i jepet nënshtetësi, por qeveria izraelite e refuzon kërkesën e Roth dhe e dërgon sërish në Amerikë, aty ku arrestohet. Lanksy pati të njëjtin problem me autoritetet izraelite, por telashet e tij ndodhën në fillim të viteve '70. Pas përmbysjes së viteve '50 në Kubë, ai vazhdoi të bëjë para për mafian, kaq shumë sa ishte praktikisht imun nga sulmet prej gangsterëve të tjerë. Ishte thjeshtë shumë i mirë për të patur fitime. Edhe ata që e urrenin nuk donin ta humbnin. Partneri dhe miku i tij i ngushtë, Lucky Luciano ka thënë dikur se i thoshte Lanksyt se "mund të ketë patur një nënë hebreje, por diku duhet t'i ketë dhënë gji një nënë siçiliane". Lanksy ishte në shumë drejtime gangsteri i përsosur, që kombinonte një dhunti natyrore për të bërë para me vullnetin e hekurt për të bërë gjithçka për të arritur qëllimin. Ai nuk kish interes të ishte në qendër të vëmendjes, duke i lënë kolegët më të zhurmshëm siçilianë që të bënin lajm.

Lucky Luciano, i mbushur me probleme ligjore dhe i dëbuar nga Amerika, nuk e pa kurrë të realizuar ëndrrën e tij të sindikatës kombëtare, por Lanksy i mbijetoi një ataku në zemër dhe pati një jetë të gjatë, duke shfrytëzuar çdo kënd të mundshëm që paraqiste sindikata. Kur vdiq në moshën 81-vjeçare në vitin 1983, kish një pasuri 400 milion dollarë. Tek "Kumbari", Pjesa III, Michael Corleone i moshuar tashmë duhet të përballet me një gangster - zengjin i ri me emrin Joey Zasa, që luhet nga aktori Joe Montegna. Zasa ndien që nuk po merr atë që i takon nga komisioni i mafias, kështu që urdhëron një atentat masiv ndaj komisionit. Zasa të kujton John Gottin, donin e familjes Gambino në Nju Jork.

Ndonëse Gotti nuk ka urdhëruar asnjëherë një masakër me helikopter kundër armiqve të tij, ai në fakt urdhëroi vrasjen e guximshme të bosit të tij, Paul Castellano, me qëllim që të merrte drejtimin e familjes.

Ashtu si Zasa, Gotti organizonte panairë të përvitshëm në lagjen "Queens", plot me ushqime falas dhe fishekzjarre. Por ndryshe nga Zasa, Gotti nuk u qëllua për vdekje në mes të rrugës. Në 2002, Gotti vdiq nga kanceri në kokë dhe në fyt në një spital të burgut federal në Springfield, Missouri, tek kryente burgimin e përjetshëm.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT