Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Ditëlindja e Vespasianit, Perandorit që i riktheu Romës lavdinë dhe "babait" të Koloseut

| E shtune, 28.03.2009, 01:38 AM |


Emri i tij është shndërruar në një mit në Itali, edhe pse është fjala që përdoret për tualetet publike, por sot, ky poshtërim do të marrë fund, ndërsa Roma ka festuar përmes një mbrëmjeje të madhe ditëlindjen e 2000 të Perandorit Vespasian. Sigurisht që romanët, por edhe të huajt, do t‘i mbeten përherë mirënjohës veçanërisht për ndërtimin e Koloseut

Konsiderohet si amfiteatri më i madh i ndërtuar nga romakët me një kapacitet prej 50 mijë vendesh. Kur u përurua, nën mbretërimin e birit të Vespasianit dhe trashëgimtarit Titus, 5000 kafshë u bënë kurban dhe për 100 ditë festimet në të gjithë qytetin nuk reshtën, pavarësisht se Konstantini, Perandori që u konvertua në krishtërim, bëri disa herë thirrje për ndaljen e festës. Që nga dita e përurimit, ai u shndërrua në teatrin e madh të luftimeve të përgjakshme të gladiatorëve. Ndeshjet e tyre ishin një nga ngjarjet më të rëndësishme të Romës dhe bëmat e tyre zgjatën deri në fillim të shekullit të pestë. Si një nga monumentet më të famshëm të qytetërimit romak, Koloseu ka pasur gjithmonë edhe kritizerët e tij. Për disa nga dijetarët e botës së lashtë, ai konsiderohet si një vend ku është derdhur vazhdimisht gjak, e si pasojë është një vend gjakatar. Për të tjerë, ajo është një megastrukturë, pa ndonjë meritë të veçantë arkitektonike. Megjithatë, ky ndërtim gjigant i njohur fillimisht si Amfiteatri Flavian, sipas mbiemrit të familjes së Vespasianit, Flavius, ishte një hap shumë më i madh, i bërë në krahasim me godinën që ekzistonte para tij. Ai ndodhej në afërsi të Domus Aurea "Shtëpia e Arit", e ndërtuar për nder të Perandorit Neron, një monument që shprehte e pasqyronte gjithë kotësinë dhe lakminë që karakterizonte Perandorin. Vespasiani i shkatërroi ndërtimet e Neronit dhe në vend të tyre ngriti një monument gjigant, që ndoshta nuk ishte shumë estetik dhe ornamental, por ishte madhështor dhe masiv e mbi të gjitha, i denjë për një njeri të jashtëzakonshëm. Për këtë, mjafton t‘i hedhësh një sy busteve të mermerta të Vespasianit dhe duket sikur mbi to nuk kanë kaluar aspak shekuj të tërë. Pasardhësit e tij i gjen sot në çdo rrugë të Romës. Ai ishte trupmadh dhe elegant, me një kokë pa flokë, vendosur mbi një qafë të bëshme, sy me vështrim të çeliktë, buzë që gjithmonë i mbante të rrudhura dhe dhëmbët të shtrënguar. Një nga bashkëkohësit e tij, thotë se fytyra e tij të kujtonte menjëherë atë të një njeriu që ndodhet në tualet, e ka vështirësi në të dalët jashtë. Megjithatë, ai kishte një fytyrë më se të zakonshme, pa asnjë lloj tipari aristokratik apo fin. Emrin e plotë e kishte Titus Flavius Sabinus Vespasianus dhe pas vdekjes, si të gjithë perandorët që nuk ishin më, u nderua me respektin e denjë për një zot. Jeta e tij nuk nisi, ashtu sikundër përfundoi. Vespasiani ishte nipi i një centurioni romak dhe biri i një taksambledhësi në distriktin e Sabinës, në veri të Romës. Shkollimi që mori ishte shumë i dobët, aq sa më vonë bashkëpunëtorët e tij talleshin me njohuritë e tij të cekta për latinishten. Nga ana tjetër, ai u shndërrua në një nga ushtarët e parë dhe më të dashur për njerëzit që komandonte. Ishte në fillim të të 30-ve kur nisi të shquhej, duke marrë pjesë në sulmin e dytë ndaj Britanisë, pas pushtimit të Isle of Wight për Romën. Vespasiani u shqua për zhvillimin e taktikave që shkatërruan plotësisht mbrojtjen e hekurt të britanikëve. Me t‘u kthyer në Romë, ai pa me sytë e tij se në çfarë situate të korruptuar ndodhej klasa qeverisëse. Në vitin 66 shkoi në Greqi në cilësinë e njërit prej anëtarëve të enturazhit të Neronit, por bëri gabimin tragjik të përgjumjes gjatë një shfaqjeje në të cilën Neroni po këndonte disa recitale. Mundi të shpëtonte vetëm duke ikur dhe u fshehur në një krahinë të largët. Një vit pas kësaj, akti i përgjumjes iu fal, kur Neroni e kuptoi se kishte nevojë të ngutshme për Vespasianin. Sapo kishin nisur rebelimet mes hebrenjve të Judesë dhe trupat romake kishin vështirësi për t‘i nxjerrë jashtë mureve të qytetit. Suksesi i Vespasianit në fushatën kundër britanikëve u mbajt mend gjatë dhe atë e dërguan në Jude me urdhrin e prerë për të shtypur rebelimin dhe për të nënshtruar hebrenjtë. Ai ia arriti qëllimit, dhe, edhe pse shumë qytete hebreje u shkatërruan dhe mijëra vetë humbën jetën, Vespasiani mbahet mend si një administrator i drejtë dhe i ndershëm. Mundja e rebelimit hebre ishte edhe guri i themelit në ngritjen e menjëhershme të Vespasianit. Për ushtrinë e tij, ai ishte një hero dhe gjithë pasuria që ai nxori nga Judea u përdor më pas për ndërtimin e Koloseut. Pas vetëvrasjes së Neronit, Roma u përfshi nga kaosi dhe lufta civile. Brenda një viti të vetëm e morën dhe e lanë pushtetin njëri pas tjetrit katër perandorë. Ndërkohë Vespasiani po planifikonte ardhjen në krye të Romës. Me ushtrinë e tij të devotshme dhe me dy djemtë e rritur që i ofronin vazhdimësinë e dinastisë, ai u shpall dy herë Perandor, së pari nga ushtria e tij në korrik të vitit 69 dhe gjashtë muaj më pas nga Senati. Vespasiani do të ishte gjithmonë i respektueshëm dhe shumë i kujdesshëm ndaj Senatit, por kurrë nuk do t‘i lejonte të tjerët që të vinin në dyshim pushtetin e tij. Sipas gjykimit të një historiani të kohës, Vespasiani ishte Perandori i parë, karakteri i të cilit u përmirësua ndjeshëm pas ardhjes në pushtet, ndryshe nga paraardhësit e tij që u bënë të gjithë tiranë me të hipur në fron. Me të marrë pushtetin, ai mori masa drastike për çështjet e shëndetit, e financave të Perandorisë Romake. Arka e shtetit ishte boshatisur krejtësisht nga jeta e shthurur dhe e papërgjegjshme e Neronit. Ai nisi të mblidhte taksa, duke u shndërruar në një Perandor jo shumë popullor, por kjo masë ishte e domosdoshme për rimëkëmbjen financiare të vendit. Një nga taksat ishte edhe ajo për banjot publike dhe kjo është arsyeja që përse sot në Itali, emri i Vespasianit lidhet me banjot publike. Pavarësisht se u bë një Perandor i madh dhe i fuqishëm, Vespasiani vazhdoi të ruante shijet e tij të thjeshta prej ushtari. Ishte shumë i prerë ndaj të gjitha llojeve të provokimeve dhe tentacioneve të pushtetit. Pavarësisht prejardhjes së tij shumë modeste dhe viteve të gjata të kaluara në brutalitetin e jetës ushtarake, Vespasiani ishte një njeri që bëri për kulturën dhe arsimin. Kështu krijoi shkolla për gramatikën dhe oratorinë, duke hedhur themelet e shkollimit klasik në Evropë. Ndër të tjera, rekrutoi një klasë të re administratorësh, që do të merreshin me qeverisjen e perandorisë në mënyrë më profesionale. Gjatë viteve të qeverisjes së tij, ai arriti që ta çonte vendin në momentin më të mirë ekonomik të shekullit. Kur erdhi në pushtet, Roma ishte me gërmadha dhe rrugë të braktisura e të shkreta, si pasojë e konfliktit civil që pasoi vetëvrasjen e Neronit dhe që i parapriu kurorëzimit të tij. Për ta risjellë qytetin në formën e tij të parë, Vespasiani mbështeti të gjithë ata njerëz që kishin ide dhe mentalitet të ri me fonde. Kështu nisi ndërtimi i ndërtesave dhe monumenteve të mëdha, që e rikthyen qytetin në formën e tij të viteve të lavdishëm. Vespasianit i takojnë edhe godinat përreth Forumit Roman ku turistët ende admirojnë përmasat dhe mrekullinë e formave që i kanë rezistuar shekujve. Ndër to, mund të përmendim Tempullin e Paqes, Domus Flavia dhe Tempullin e Divo Vespasiano, kulti i vetë Perandorit. Për të festuar këtë përvjetor të madh të këtij Perandori të dashur, Roma ka përgatitur festime në mbetjet e godinave të ndërtuara prej tij. Janë hapur ekspozita të shumta me buste, piktura, monedha dhe armë të kohës së tij, të cilat do të qëndrojnë të ekspozuara në Kolose deri në janarin e ardhshëm. Do të ketë edhe ture të veçanta në Forum me panele të posaçme e cicerone, që do të shpjegojnë ngjarjet e kohës dhe pasojat e sundimit të Vespasianit. Vespasiani ndërroi jetë në moshën 79-vjeçare dhe kur ai vdiq, Koloseu ende nuk kishte përfunduar.

G. Shqip