E marte, 19.03.2024, 09:35 AM (GMT)

Sport » Legjenda

Del Piero: Historia e një jete plot suksese

E shtune, 28.03.2009, 12:30 AM


Fëmijëria, ëndrrat, fitoret dhe frika: Aleks rrëfen për jetën e tij

Dhoma është e gjitha e bardhë dhe Alesandro del Piero hyn duke buzëqeshur, ndërsa në dorë mban një lodër. Është një kositëse bari plastike. Me një familje që do të shtohet me një tjetër anëtar, nuk kishte si të ndodhte ndryshe. Një fëmijë i vogël nëpër këmbë dhe një tjetër që pritet të vijë shumë shpejt, por mbi të gjitha, një baba që ka shumë dëshirë për të luajtur. Nga një fëmijë province, në një yll në rang botëror, nga i sëmurë pas topit, te jeta e re në rolin e babait. Historia e një jete të mbushur me suksese dhe surpriza.

Të kujtohet Alesandro fëmijë, kur ishe shtatë apo tetë vjeç? Me se merrej?

Mendonte për futbollin. Sporti më ka pëlqyer gjithnjë. Luaja pak basketboll, pak tenis, megjithatë futbolli ishte sporti im i preferuar. Një pasion i jashtëzakonshëm. Isha në shkollë dhe mendoja për topin, haja bukë me topin e futbollit me vete dhe mezi prisja që të dilja jashtë të luaja.

Kushedi sa të kënaqur janë prindërit e tu?

Kanë qenë dy prindër fantastikë, sepse nuk më kanë sforcuar kurrë në atë që bëja. Ky ishte gabimi i tyre më i madh. Sjellja e prindërve është vendimtare për fëmijët sportistë. Unë kisha edhe shembullin e vëllait tim më të madh, Stefano, që lunte te skuadra e të rinjve me Lipin.

Çfarë ndodhte në kopshtin tënd?

Shpesh luaja vetëm, por për këtë, duhet shumë imagjinatë. Isha një kampion i Juves. Ia pasoja topin Kabrimit, Tardelit dhe luaja vetëm për vetëm me Platininë.

Vërtet? Del Piero dhe Platini vetëm, ky po që është lajm...

Juventusi i kopshtit tim kishte futbollistë të mëdhenj: sot Maradona, të nesërmen Van Basteni, të pasnesërmen Ziko e Gulit

Po ti ku qëndroje, në qendër?

Unë bëja gola.

Ke ndonjë kujtim të parë me topin?

Turneun e parë me një uniformë të vërtetë verdhë e blu me skuadrën e shkollës. Bluja dhe e verdha ishin ngjyrat e Koneljanos. Ngjyrat e bluzave, të gjitha njëlloj, nënkuptojnë një skuadër. Atë turne e humbëm në fund me penallti. Ndodh, nuk ishte hera e parë.

Si ishte jeta në provincën e krahinës së Venetos?

E thjeshtë dhe me ritme të rregullta. Të gjitha familjet e konsideronin shkollën si gjënë më të shtrenjtë. Kishte shumë solidaritet mes njerëzve. Sot, mendohet se një njeri i mirë është budalla, por mirësia është thelbësore. Në qytet është më e vështirë, ka ritme të tjera, të gjithë kërkojnë më shumë. Me pak fjalë, ka rrëmujë.

Je larguar nga shtëpia 13 vjeç. Ke derdhur lot?

Jo, isha i magjepsur. Të qëndroje në Padova ishte një tjetër ndjesi. Pastaj largimi ishte i domosdoshëm për të provuar se ishe vërtet një futbollist. Viti i parë ishte i vështirë. Isha një djalë i turpshëm, i tillë jam ende. Jetonim 14 veta në një dhomë, shkonim hanin drekë në mensë, sapo ktheheshim nga shkolla: thjesht e paimagjinueshme. Megjithatë, vetëm kështu mund të rritesh. Isha më i vogli në moshë dhe trup. Fillimi ishte me të vërtetë i vështirë.

Mendove ndonjëherë të ktheheshe te familja?

Unë jo, por te Padova e kishin me dy mendje nëse duhej të qëndroja apo jo. Prisnin më shumë nga unë. Sot, jam i kënaqur që ndenja aty dhe nuk u largova.

Kur e kuptove se ishe Del Piero?

Kur luajta në skuadrën e Padovës dhe u përballa me futbollistë të kalibrit të Albertinit, Di Livios, Benarrivos, Galderisit. Më krahasonin me ta.

Mendon se ke qenë një djalë i mirë për familjen?

Them se po. Ime më kujton se kur nisesha për të marrë trenin, më këshillonte: "Ki kujdes, qëndro afër me njerëzit e tjerë". Pastaj të dy vinin të më takonin në Padova. U thosha gjithmonë: Kini kujdes. Nëna ime thotë se në ato momente e kishte kuptuar se isha rritur. Ndodh sa herë që fëmijët kujdesen për prindërit dhe jo e kundërta.

Po tani, si e ndjen veten në rolin e babait?

Eh, nuk është botë e lehtë, edhe pse fëmijët e mi do të kenë shumë përparësi. Megjithatë, do të përpiqem t‘u mësoj se të hash duhet të punosh.

Një përvojë personale?

Jam krenar për tim atë, që punonte si elektricist dhe për time më që lante të gjitha shtëpitë e Koneljanos. Jam i lumtur që kam pasur atë fëmijëri, ku dëshirat ishin në raport me mundësitë, asnjëherë më shumë. Kur vinte vera, dilnim nëpër fusha, vilnim qershi nga pema, gjithmonë me topin me vete. Kohë jashtëzakonisht të bukura.

Çfarë mendon kur dëgjon fjalën krizë?

Edhe pse u bëra i pasur, mendimi për jetën është i njëjtë. Paratë zgjidhin një sërë problemesh praktike, por njoh shumë të pasur që nuk janë të lumtur. Kjo është e vërteta. Në këtë botë, ka vetmi dhe shpesh edhe depresion. Jemi njerëz me ndjenja dhe ndonjëherë edhe të brishtë. Ka nga ata që i dhurojnë për bamirësi, apo nga ata që i harxhojnë kot.

E ke menduar ndonjëherë largimin nga futbolli?

Shpesh. Nuk mund të jem gjithnjë numri 10 i Juventusit, duhet të mendoj për jetën e përditshme, për të ardhmen, edhe pse nuk e mendoj dot veten pas dhjetë pas njëzet vjetësh.

Ti je një nga idhujt e Juventusit?

Jam i lumtur për këtë dhe nuk ndiej keqardhje që nuk jam joshur kurrë nga ofertat e Realit të Madridit apo Mançesterit.

Po në Kombëtare, do të luash ende?

Lipi ishte shumë i qartë kur tha se ka nevojë për të parë fytyra të reja, por këtë nuk e jetoj si një problem dhe as si një humbje përfundimtare. Të paktën Lipi nuk ma ka thënë.

Mendon se Juve e ka zgjedhur trashëgimtarin tënd? Çdo të ndodhë nëse vjen Kasano?

Pa ofenduar askënd, mund them se nuk i trembem as ardhjes së Kasanos, e as të ndonjë tjetri. Megjithatë, nuk shoh konkurrencë të pamëshirshme. Kemi role të ndryshme dhe së bashku mund të "bashkëjetojmë".

Kush është sot Alesandro del Piero?

Një profesionit futbolli që dashuron sportin, stërvitet shumë dhe kërkon të aktivizohet. Shpresoj që të jem edhe një njeri serioz që ka pasur shumë fat në jetë, sepse e ka merituar.

Çdo të thotë të jesh i famshëm?

E ndjen sidomos nëpër aeroporte apo restorante, kur të vijnë dhe të kërkojnë autografe apo të shkrepin foto pa të pyetur. Pastaj vjen dita kur kupton se ka edhe më të famshëm se ty. Mua më ka ndodhur kur takova Bonon. U paralizova nga emocionet.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora