E diele, 25.09.2022, 12:03 AM (GMT+1)

Kulturë

Maks Velo: Enver Hoxha ishte një përbindësh

E shtune, 28.03.2009, 01:16 PM


Maks Velo gjatë një vizite në kampin e Spaçit, ku ka vuajtur dënimin
Maks Velo gjatë një vizite në kampin e Spaçit, ku ka vuajtur dënimin
Nga Ilda Lumani

“Kam pasur një jetë shumë të vështirë”... Kështu e cilëson jetën e vet, Maks Velo, arkitekti dhe artisti që ka krijuar në mjaft gjini si, pikturë, prozë, poezi, publicistikë. Ka jetuar 10 vjet në burgun e Spaçit, ku u dënua pasi bëri dhuratë për dasmë një pikturë. E më pas, puna për gati shtatë vjet në abrazivi ishte një ndëshkim tjetër për të. Por, ajo që e shqetëson më tepër Velon sot është se ata që bënë lojërat e dënimit të tij, vazhdojnë ta bëjnë edhe sot këtë gjë. Në këtë intervistë për “Bulevard VIP”, përtej rrëfi mit për jetën e tij në kohën e komunizmit, Maks Velo fl et për Shqipërinë sot, artin dhe imazhin e pandreqshëm që kemi ne...

Jeta juaj ka marrë shumë rrjedha të papritura. Ju vetë si do ta përshkruanit atë?

Kjo është një pyetje e vështirë, jo se unë nuk kam guxim t’iu them gjërat, por sepse në Shqipëri është shumë e vështirë të flasësh hapur akoma, sinqerisht, të thuash mendimin tënd. Dhe, në fakt, unë jam në gjyq me një të përditshme dhe vazhdoj në gjyq. Kam botuar 4 artikuj dhe në një prej tyre më kërcënojnë edhe me vrasje. Madje, unë i kam dërguar edhe një letër të hapur kryeministrit vitin e kaluar për këtë punë. Është shumë e vështirë tek ne të flasësh hapur. Megjithatë, unë do të thosha në mënyrë të përmbledhur, vështirë, dhe Shqipëri është një vend me mentalitet islamik.
Unë kam kaluar një periudhë të vështirë gjatë komunizmit, që jam burgosur kot. Nëse dënohesh me të drejtë, në rregull, por nëse dënohesh sepse punon, kjo është padrejtësia më e madhe. Kjo është aq e vërtet, sa aktakuzën dhe ekspertizën e gjyqit dhe vendimin e gjyqit e kam përkthyer në disa gjuhë dhe shumë nuk e besojnë. Shpesh më kanë thënë, e ke bërë vetë. Nuk ka mundësi që ky të jetë vendim gjyqi. Nuk ka kuptim, dënohem sepse i jap dhuratë për martesë dikujt një pastel, dhe kjo m’u mor si akt kriminal. Fakti është që ata që kanë bërë këto lojëra vazhdojnë edhe sot të bëjnë këtë. Ai që ka qenë kryehetues i artit në Shqipëri, është Kujtim Buza, sekretar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve. Është shumë e vështirë të jetosh në Shqipëri, ma kanë nxirë jetën. Ajo që më vjen më shumë keq nuk është fakti që kam vuajtur, jo materialisht, por që mund të bëja shumë më tepër në fushën time. Sepse, klasa intelektuale në Shqipëri është jashtëzakonisht e pahapur dhe të bllokojnë, siç edhe më kanë bllokuar, më kanë bllokuar piktorët... Fakti është që Galeria e Artit nuk ka blerë asnjë punë time, ajo pjesë që i takon gjyqit në vitet ’60 e deri në ’73-‘78, që më dënuan duhet të ishte e gjitha në Fondin e Galerisë. Ata nuk vijnë t’i shohin, sepse janë po ata njerëz. Ky drejtor i Galerisë sot është djali i Alush Shimës, i cili e shet veten si i persekutuar, por nuk ka qenë, sepse ka punuar normalisht në Kinostudio. Pra, interesat meskine janë ekzistente. Ne nuk pranojmë kurrë tjetrin dhe në qoftë se ai e ka bërë këtë gjë, mundohemi t’ia marrim, bile artikuj të tërë në gazeta thonë që Maksi u dënua për ne, por kur ishin në gjyq, ata duartrokisnin. Pra, jemi njerëz pa moral, pa ndërgjegje, pa mëshirë dhe kjo refl ektohet edhe sot.

Në çfarë aspekti refl ektohet sot kjo?

Jeta në Shqipëri duhet të jetë shumëshumë më ndryshe, duhet ta kishin bërë demokracinë shumë më shumë me rezultate. Ne kemi humbje të jashtëzakonshme, kemi humbje të mëdha materiale. Ne duhet të ishim vendi më i bukur në Ballkan, por jemi vendi i katastrofës, për shembull, sikurse e morët vesh, janë 355 mijë ndërtime pa leje. Unë po ju them me bindje se gjithë Europa deri në Urale, nuk ka 355 mijë ndërtesa të palegalizuara. Ka më pak, nuk mund të ketë as 30 mijë. Dhe, asnjë institucion nuk bën asnjë llogari të mbledh ndërtimet pa leje në Europë. Ka disa mënyra, por nuk ekziston ndërtimi pa leje, kjo tregon se çfarë jemi ne. Dhe, këtu merr fund çdo gjë. Një popull që pushton vetveten, që pushton shtetin e vet, nuk ka respekt për njeriun, kjo është e keqja jonë.

Si është përjetuar periudha e burgut në atë kohë dhe sot nga ju?

Sigurisht që ajo është një periudhë e paimagjinueshme, nuk mund një njeri normal të konceptojë këtë gjë. Mua më vjen keq që sot shihet me shumë neglizhencë, në mënyrë shumë sipërfaqësore ajo periudhë, por unë them se Enver Hoxha është përbindëshi i Europës. Nuk ka pasur në historinë e Europës një përbindësh të tillë. Edhe ajo që ishte e çuditshme, është se ai të gënjente. Ishte një burrë i bukur, shumë i pashëm dhe i gënjeu me këtë të gjithë, por ishte pa mëshirë, pa orientim, egoist, me përmasa që kalonte deri në përbindësh. Problemi është që po të bësh një krahasim, ai afrohet më shumë me Sadam Huseinin. Po përmend disa fakte: të dy ishin semit, ishin anti të krishterë, anti-europian, vranë njerëzit e familjes, vranë shokët e vet, ngritën monumente për vete dhe u rrëzuan nga populli. Domethënë, është e vështirë të gjesh një udhëheqës si Enver Hoxha. Ajo që është më e rëndë për ne, ishte armatimi. Nga gjitha ajo betejë, ajo punë gjigante që kanë bërë njerëzit në atë kohë, u ngritën disa uzina që kanë ngelur të zeza dhe simboli i tyre për mua është një teleferik, që sa herë shkoj me makinë, e shoh kur hyn në Elbasan, është teleferiku me vagonët që ka ngelur i varur që në 1991 dhe nuk lëvizin. Është një ngarkesë me gurë që ka ngelur ashtu. Pra, investoi në industri, por teknologjia ishte shumë e vjetruar dhe e dyta, Enver Hoxha futi nën sipërfaqen e Shqipërisë dinamit, e mbushi me dinamit dhe kallashnikovë, tanke, fishekë, bomba. Ky ishte produkti që na bëri, dhe ky produkt ka bërë gjithë ato dëme, që jemi bërë kërcënim i gjithë Ballkanit. Jemi bërë kërcënim për gjithë botën me Gërdecin, kemi vrarë veten, sepse gjithë armatimi nga depot u hap dhe është i shpërndarë në të gjithë Shqipërinë dhe janë me qindra njerëz që vriten nga ato armë. Unë do thosha që kemi fat që me një teori të paimagjinueshme, jemi vendi i vetëm në Europë kundër të gjithëve dhe një popull i tillë, me një varfëri të tillë dhe pa asnjë orientim të saktë, me një ndërgjegje dhe një mendje të deformuar, kjo reflektohet akoma edhe sot.

Po përjetimi juaj në burg... Si përfunduat aty...?

Ky është përjetimi im. Kjo ishte tragjedia ime. Unë i shihja qartë gjërat që në atë kohë dhe isha koshient për të gjitha gabimet e asaj kohe. E vetmja gjë që bëra ishte se punoja, punova si arkitekt, punova si piktor, bëra shkrime në revista të ndryshme dhe kjo mblodhi zilinë e shumë specialistëve, dhe ata indirekt e krijuan merimangën që unë të përfundoja në një tragjedi. Dhe, ajo që ishte më e tmerrshme, është se familja e përjetoi shumë keq atë kohë, sepse në fund të fundit, njeriu, mashkulli kupton, pranon dhe humbjen, por nuk mund të pranosh që për fatin tënd ta pësojë edhe familja. Kjo është një barrë që më ndjek vazhdimisht.

Cili është realitetit që gjetët kur ju dolët nga burgu?

Unë, kur dola nuk kisha asnjë mbështetje dhe Sigurimi më thirri shtatë herë të bashkëpunoja, dhe kështu që ata ma thanë që në Spaç, që do isha gjithë jetën punëtor. Më çuan tek abrazivi, punova nga janari '86 deri në korrik të 1992. E gjithë periudha ishte e tmerrshme, dhe megjithatë u përpoqa ta rikuperoj dhe me aq sa munda ta rikuperoj disi atë produktin tim.

Ju fajësoni regjimin apo persona për atë që ndodhi me ju?

Ne jemi ata njerëz që bëmë atë regjim. Ne jemi po ata njerëz që kemi qenë dhe jemi po ata sot. Në politikë nuk debaton njeri duke u marrë me familjen, kjo nuk ndodh as në Ballkan, e jo më në Europë. Ka veprime të palogjikshme, propozime depresive, premtime që nuk i mbajnë dot, që nuk u takojnë atyre. Nuk kërkojnë të falur për gabime të mëdha, për ca krime të bëra nuk kërkohet të falur kurrë. Por, ne të mos shkojmë më larg, kemi '97-ën. Duhet të kemi parasysh që për veprimin e '97 askush nuk kërkoi të falur.

I referoheni kryeministrit aktual?

Nuk dua të flas për këtë gjë, se më vë në pozitë të vështirë, aq më tepër që e kam pasur edhe mik. Por, jeta jonë është shumë e vështirë, me dhimbje të mëdha. E paimagjinueshme, janë dhjetëra, qindra, mijëra banesa të prishura, kur në botë nuk prishet asnjë metër kub, pasi gjithë ai investim që prishet është marrë nga natyra, si drurë, lëndë etj, i kthehet natyrës në gjendje të paasimilueshme. Domethënë, ne e kemi shkatërruar gjithë territorin, e kemi mbushur me plehra, rrugët po i ribëjmë nga dy-tri herë, vjedhje ka ngado dhe askush nuk dënohet, dhe kjo më dhemb në shpirt. Dhe, prapë e përsëris, ne do kishim qenë shumë-shumë më ndryshe. Nuk vjen njeri në Shqipëri për investime, janë gënjeshtra ato që na thuhen. dhe ata pak që vijnë janë nga kurioziteti, nuk ka turizëm masiv, të gjithë janë rastësorë, sepse ne të parët nuk respektojmë veten tonë.

Në kohën sot, a keni marrë vlerësimin e duhur për punën që ju keni bërë?

Unë gjithë jetën kam ndierë prapaskena të poshtra, të paimagjinueshme. Rasti i fundit ka qenë godina që projektova në fillim të "Komunës së Parisit" dhe investitori së bashku me disa të tjerë arritën deri sa të falsifikojnë firmën time, e shpërfytyruan godinën dhe më vjen shumë keq, se ishte i pari objekt që mora pas 30 vjetësh. Domethënë, këtu nuk ndalen përpara asnjë gjëje, nuk kanë asnjë gjë të shtrenjtë. Në botë profesioni është i shenjtë, ka kode të veçanta të tij, kurrë nuk mund të imagjinohet kjo që bëhet këtu nga veprimet më ordinere. Dua t'i drejtoj me këtë rast një falenderim Edi Ramës, që është i pari që më ka respektuar dhe i vetmi që u mundua të më rifutë edhe pjesërisht në arkitekturë, e kjo është merita e tij, qoftë me disa objekte që kam bërë, qoftë me komisionet ndërkombëtare në juritë që kam marrë pjesë apo në librat që janë botuar për arkitekturën.

Ju ndiqni mjaft ekspozita sot dhe në Tiranë hapen mjaft të tilla. Cili është vlerësimi juaj për artistët sot?

Nuk mund t'i thuash shoqërisë të paguaj këta njerëz që shkojnë në shkollë. Ka mjaft artistë që kanë zënë vende të njohura në botë. Por, në Shqipëri cilësia e universiteteve ka rënë shumë. Ka nivele të dobëta. Janë krijues, por nuk ka krijim, vetëm kopjime. Shohin internetin dhe nisin krijojnë në bazë të tyre. Të shohësh Tiranën sot, është si një kolazh reviste, nuk ka një mendim të qartë, një logjikë që duhet të ndiqte evoluimin e qendrës. Unë jam një njeri kurioz dhe i ndjek të gjitha ekspozitat, shfaqjet e reja, letërsinë, arkitekturën. Duhet të keni parasysh që vijmë nga një periudhë e regjimit otoman, që ishte shkatërrimtare dhe rimarrja e vetes ishte shumë e vështirë. Duket si e lehtë me shkollat jashtë që bëhen, por kjo nuk është identiteti yt, kjo është vlera e tjetrit, nuk është fytyra jote. Mendimi im është që Akademia është shumë e dobët, ata që janë nuk kanë bërë një bilanc publik, që sa kuadro ka nxjerrë dhe sa kuadro punojnë në këtë profesion. Në mënyrë të veçantë kjo vihet re mbas viteve'90. Para '90-ës, duke vazhduar shkollën e traditës ruse, kishte një rigorozitet dhe i jepej rëndësi vizatimit. Edhe ajo pak vlerë që është e realizmit socialist, është nga aftësitë profesionale, jo nga ana konceptuale apo vlerat artistike, por nga aftësitë profesionale. Artistët tanë ishin profesionalisht të aftë. Këtë mund ta shihni sidomos në skulpturë, të gjitha monumentet atëherë, si individualë edhe në grup, nga ana profesionale ishin të arrirë.
Kurse tani, gati-gati nuk kemi asnjë skulptor që të bëjë vepra të sakta. Monumenti i Nënë Terezës dhe i Skënderbeut në Shkup, që u bë nga Thoma Thomai, dy monumentet e tij janë vepra mesatare, por pa asnjë impuls dhe pa asnjë vlerë artistike të veçantë, dhe asnjë shenjë të dallueshme që janë ata personazhe. Këto dy vepra, aq më tepër Nënë Tereza, e them që nuk mund ta identifikojë Nënë Terezën. Pra, doja të thosha që shkolla nuk është më në gjendje të nxjerrë vizatues, nuk është në gjendje të nxjerrë artistë që kanë të dhëna profesionale. Unë do sugjeroja që ajo shkollë duhej të kthehej me kohë në një shkollë artizanale. Ne kemi nevojë për artistë të saktë. Unë ndaj në këtë rast të njëjtin mendim me Ramën, i cili thotë se ky vend ka nevojë për shkolla profesionale, në shumë fusha si; elektricist, në ujësjellës, zdrukthëtar, për punimin e gurit, për mjaft të tjera, që i kërkon sot dhe nuk ke profesionist në këto fusha. Sot të gjithë duan të bëhen ekonomistë, psikologë, juristë, artistë dhe s'janë asgjë pastaj, prandaj doja të thosha që në këtë kuadër duhet investuar. Dhe. akademia nuk e bën funksionin e vet në ata studentë që nxjerr, por ata e mbajnë shkollën për veten e tyre, dhe prandaj askush nuk do t'ia dijë se këta studentë që nxjerr në çdo fushë, edhe në të aktrimit për shembull, ku do të shkojnë ku do të punojnë? Nuk mund t'i kërkosh shoqërisë që të paguajë këta njerëz, por atë shkollë duhet ta vlerësojnë. Është ndryshe me artistët këngëtarë, që kanë zë dhe zënë vend në opera apo punojnë individualisht. Unë nuk jam për liberalizimin e universiteteve, që është një gabim i madh, por unë dikur kam propozuar edhe mbylljen e universitetit të arkitekturës, sepse nuk dalin arkitektë. Të gjithë që dalin janë në nivelin e gjeometrave, nuk janë fare të aftë, çdo punë e tyre është një kopjim, librat shikojnë dhe kjo nuk është zgjidhje. Po t'i shohësh, Tirana dhe gjithë Shqipëria është një kolazh revistash. Nuk ka një logjikë të ndërtimit, e cila duhet të ndiqte rregullimin e Tiranës, si nga anët klimaterike e materialet prioritare. Ka disa premisa që janë të domosdoshme për një arkitekt, mirëpo këta që mbarojnë nuk shohin asnjë parametër të tillë.

Po a ka talente sot?

Sigurisht që ka talente. Talenti është, por duhet edhe punë. Problemi është se talenti nuk mjafton. Ata që kanë talente punojnë që në fillim dhe u bëhet e qartë se talenti është, por talenti pa punë nuk bëhet, degjeneron dhe bëhet agresiv. Talenti këtu nuk kualifikohet dhe të ushtrohet, të bëhet brilant si një gur i çmuar, por kjo do punë, kurse këtu keqkuptohen dhe rinia. Sot po të shohësh ajo është shumë e dhënë pas qejfit ka një vetkënaqësi të tepruar, kujtuan se po të bëjnë diçka, janë superior dhe të gjitha këto janë imazhe të gabuara me të cilat ushqehen shumë.

Cila është ekspozita e fundit që ju ka lënë një shije të mirë dhe ka një artist që ju do të vlerësonit sot?

Sigurisht që ka ekspozita, por nuk janë shqiptare. Ishte një ekspozitë me italianë që shëtisnin në gjithë botën me printime. Ishte një studio printimesh në Romë, ku kishin punuar artistët më të mëdhenj europianë. Pastaj, unë dua të theksoj se po thellohet keqazi disniveli mes Tiranës dhe rretheve. Domethënë, po të shkosh në rrethe, disniveli është i madh. Është një profesionalizëm shumë i tmerrshëm dhe mua më ngjan me qytetin tim Korçën. Doja ta ndihmoja dhe u përpoqa, qoftë në bashki, qoftë me artistët dhe gati-gati më ngjau një incident, ju thashë atyre, që ju jeni shumë dobët dhe ata bënë një deklaratë kundër në qytetin e Korçës. Pra, është e pamundur, nuk merresh dot vesh, sepse kanë frikë, kanë frikë se ata nuk duan as të punojnë nuk duan as të ecin dhe janë gati të degjenerojnë qytetin, vlerat e qytetit. Qytete, që ato vlera që kishin duhet t'i ruanin. Shkova para pak javësh në qytetin e Elbasanit, të vizitoja kishën e Shën Mërisë. Më erdhi keq që në atë kala, brenda saj ishte një logjikë e pakuptimtë, diçka që i prish vlerën asaj kalaje, një vilë disakatëshe e ndërtuar brenda saj. Ashtu si edhe pazari i Korçës. U nisa kastile dhe shkova në Manastir, dhe pashë atë Pazar që ishte njësoj si i Korçës, e madje e ruajtur çdo gjë. Njësoj ishte me ato qepena, dritare, ishte i gjithi perlë, ndërkohë pazarin e Korçës po e prishin njerëzit, po e shkatërrojnë, dhe bashkia dhe qytetarët nuk janë në gjendje ta ruajnë pazarin. Ka disa hane aty që janë me emër dhe është e paimagjinueshme indiferenca e këtyre njerëzve, që të kapur nga rutina, mungesa e shpresës, dhe kjo mua më vret shumë, shkatërrimi i natyrës. Keqpërdorimi i lumenjve, për shembull, sa për rrugën janë të dobëta. Shihni në rrugën mbi Parlamentin, këtu vjet u bë ajo, është e pamundur të shohësh që një aty kishte nxjerrë një tabelë "Shesim qofte", dhe asnjë njeri nuk thotë gjë. Nuk janë në gjendje të kuptojnë vlerën e pronës publike. Ky është mentaliteti oriental dhe realiteti europian, që prona publike është e shenjtë. Dhe, këtë e kanë të ngulitur në mendje, pasi jetesa e tyre është më shumë në pronën publike sesa në pronën private dhe ka kaq demokraci jashtë, sa befasohesh, ke lumin që është i pastër, lulishtet, rrugët, fushat çdo gjë brilante, kurse te ne prona është toka e shtëpisë dhe brenda. Mbyllet porta dhe ç'është brenda është e jona, jashtë dere është e askujt.

Sot është kthyer gati në një tendencë që mjaft të rinj që mbarojnë për pikturë u përkushtohen instalacioneve, duke e konsideruar atë një art figurativ...
 
Është një gjë, instalacionet kanë bashkëjetuar me njeriun. Instalacion është edhe vendosja e dy poçave, sidomos gjatë mesjetës ka pasur shumë shfaqje të tilla, njerëzit rrugës që lëshonin flakë nga goja, fallxhore, orët që loznin në shkallë dhe kanë ekzistuar gjatë gjithë kohës. Nuk është e vërtet që sot duhet të bësh një gjë për çudi dhe për të sjellë diçka ndryshe. Instalacionet mund të jenë, dhe ato mund të jetojnë dhe t'i paraqesësh, por nuk kanë të drejtë të thonë që kjo është art figurativ. Nuk është e vërtetë, instalacionet nuk janë art figurativ, nuk kanë lidhje me artin. Arti figurativ është i bërë me dorë. Është aftësia e njeriut për të bërë një imazh, sikurse është aftësia për të pikturuar, aftësia për të bërë një poezi, një vizatim, për të bërë një copë baltë skulpturë, për të bërë një gdhendje në dru, dhe kjo nuk ka lidhje me instalacionin. Instalacioni është marrje e objekteve të huaja dhe kombinim për efekt. Aq më tepër videoja. Videot kanë vlerë dhe kush do i pranon, kush tjetër jo. Videot shumë mirë mund të shkojnë dhe të paraqiten tek Festivali i Filmit me Metrazh të Shkurtër, por nuk ka lidhje me pikturën, nuk ka lidhje me Galerinë e Artit. Është një festival në Shqipëri dhe që jep edhe çmime për këtë punë, e madje një nga këta është edhe Shpend Pengu, i cili edhe mori çmimin e parë për një video që kishte. Pse nuk shkojnë atje? Ajo nuk është art figurativ për arsyen e thjeshtë që ajo bëhet përmes kamerës. Në momentin që merr në dorë një kamer, që nuk ka lidhje me pikturën, ka lidhje me artin kinematografik dhe fakti që lançojnë fakte pikante, siç edhe ju keni parë, që të mos përmend unë se janë skandaloze, kjo nuk ndërron gjininë. Ajo prapë me kamer bëhet. Të tregosh pesë gra që heqin brekët dhe ndërrojnë brekët, ajo nuk është art figurativ, ajo është xhiruar me kamer. Filma porno sheh sa të duash, aty hyn nuk ka lidhje me pikturën, që vihet në pah nga galeria e arteve. Mua më duket se ka një ngatërrim zhanresh, të cilët kanë bllokuar edhe artin sot, të bëjë një statujë e më tej. Unë pashë në Paris së fundi, disa monumente, statujën e Churchill, Bregoviç, Jaferson, që ishin të përsosura. Atje ka gjithmonë artistë që nxjerrin vepra. Dhe, kjo është punë e lodhshme, por këtu bëhet sigurisht nga mungesa e aftësive profesionale.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora