E enjte, 18.04.2024, 04:02 AM (GMT+1)

Shtesë » Historia

Antinazisti Hans Troschel dënohet nga Bilbil Klosi me akuzën e “nazistit”

E shtune, 28.03.2009, 12:39 PM


Nga Gazeta 55
 
Si u dënua piktori dhe botanisti gjerman. Si u zhdukën studimet e Troschel-it për florën dhe faunën e Shqipërisë

Jo vetëm shqiptarët kishin rastin të vuanin në burgjet më të tmerrshme të komunizmit gjakatar që u zbatua në Shqipëri. Të huaj të ngelur në vend nga Lufta e Dytë Botërore, kryesisht në të profileve civile, iu nënshtruan persekutimit mizor komunist vetëm për shkak të përkatësisë së tyre etnike. Në këtë nivel qëndronin edhe të huajt që kishin fituar me kohë shtetësinë shqiptare. Të gjitha ata që fundi i luftës i gjeti në Shqipëri u shikuan si “agjentë të Gestapos” apo si pjesë e ushtrisë së pushtuesit. Mbi këtë bazë u hartuan edhe akuzat e rreme ndaj tyre, të cilat në jo pak raste kundërshtonin njëra – tjetrën. Aq të trasha ishin këto përligjjeje saqë bëheshin lidhje midis ideologjive hitleriane dhe misionit amerikan apo të UNRRA-s në vendin tonë. Por shkrimi i sotëm përqendrohet në praktikën e largimit të 3 shtetasve gjermanë, risku i të cilëve kishte qëlluar të ishte në zonën lindore të Gjermanisë, në ndikimin sovjetik, në të ashtuquajturën Republika Demokratike Gjermane. Fill pas vdekjes së Stalinit, në lindjen komuniste vërsheu një erë e lehtë liberalizmi, e lidhur ngushtë kjo edhe me zbutje të përnjëhershme të metodave të përdorura nga organet e punëve të brendshme. Një rast i tillë është si pasojë e kësaj fryme të re edhe rasti i 3 shtetasve gjermanë. Për njërin prej tyre, pranohej hapur se ishte torturuar, por që ai nuk kishte pranuar asgjë.
Në shkrimin e sotëm do të shkruajmë për një piktor e botanist. E deshi Shqipërinë si askush i huaj tjetër. E donte këtë vend dhe i kishte kushtuar qindra ditë e javë studime. Edhe kur dënohej i drejtohej gjykatës me fjalët se ky studim i duhej Shqipërisë dhe ai nuk duhej humbur. Po kujt i drejtohej Troschel? Bilbil Klosit dhe atyre që e shoqëronin në një të ashtuquajtur “trup gjykues”. E si të ishte ndryshe për një regjim që kishte ardhur në pushtet në formën më të pamerituar duke vrarë e duke prerë, vjedhur e grabitur bashkëkombësit e vet e kishte punuar për jugosllavët në mënyrën më inferiore që mund të mendohej.

Letra e Troschel-it

Troschel nuk mund t’i harronte vuajtjet që kishte hequr në Shqipëri. E megjithatë ai e donte Shqipërinë. Rënien e komunizmit e priti me mjaft entuziazëm, ndërsa vendosi korrespondencë me bijtë e atyre që kishte njohur dikur. Një nga këta ishte edhe familja Harri në Elbasan. Në një letër të botuar nga gazeta jonë në vitin 2001, ai nxirrte me emra të gjithë persekutorët e tij, të gjitha që me “metodat” e tyre e kishin torturuar komunistët e Shqipërisë si dhe për dënimin e padrejtë që kishte marrë. Po ashtu torturimi i tij provohet edhe nga dokumentet e kohës në të cilat shfaqej keqardhja se megjithëse ishte torturuar shumë, nuk kishte pranuar gjë.

Dënimi i piktorit Hans Troschel

Troschel ishte një piktor gjerman i ardhur në Shqipëri gjatë kohës së Zogut. Nuk kishte si të mos shikoj armik nga partia, pasi me siguri ai diçka bënte me pikturat e tij. Ato që kishte hequr në Shqipëri ai do t’i tregonte më vonë edhe nëpërmjet një letre të cilën gazeta jonë e ka botuar në vitin 2001. Kishte ikur nga Gjermania për shkak se nuk dëshironte në anëtarësohej në partinë naziste.
Një trupë gjykuese e përbërë prej nënkolonel Bilbil Klosit (kryetar), Argjir Lipivani (oficer i Drejtorisë së Mbrojtjes së Popullit) dhe Gjylhani Shehu (oficer i Korpusit I), merrte të pandehur më 19 qershor 1945 në sallën e kinemasë “Tomori” piktorin gjerman, lindur më 1899 në Berlin, i martuar me një vajzë, me arsim të lartë, mësues vizatimi e gjeografie në gjimnazin e Tiranë, i arrestuar më 29 shtator 1944. Akuzohej se kishte qenë “vegël e ndërgjegjshme e okupatorit nazist”, kishte qenë “spiun” i tyre e kishte luftuar kundër interesave shqiptare. Por vetë piktori gjerman çfarë thoshte. Ai kishte ardhur në Shqipëri më 1938 për t’i shpëtuar nazizmit kishte ardhur në Shqipëri. Ishte marrë me studimin e zogjve. Më 1940 arrestohet nga italianët pse thoshte se ata po shfrytëzonin popullin shqiptar. Po fashistët në Shqipëri kishin përgatitur të gjitha aktet dhe e kishin dërguar në Gjermani. Atje ishte burgosur si antinazist për 18 muaj dhe pasi kishin pasur nevojë e kishin mobilizuar me forcë duke e ridërguar në Shqipëri. Me të ardhur në Shqipëri, ai rifillon punën e tij studimore duke u marrë me zogjtë. Ai ishte arrestuar në shtëpinë e Ahmet Ndroqit që e kishte gruan gjermane. Troschel njihte mirë edhe Omer Nishanin e për këtë gjë të takohej me të. Pengu i tij ishte se kishte bërë një studim të madh për Shqipërinë, gjë që donte t’ia tregonte trupit gjykues (Bilbilit gjasme).
Të njohurit e tij në Shqipëri kishin qenë edhe Ndue Paluca, Eqrem Çabej, Hasan Ceka, Et’hem Cara, Vehib Hoxha.
Dëshmi pro Troschel kishte sjellë Edith Ndoqi, bashkëshortja e Ahmet Ndroqit. Ajo pohonte miqësinë që Troschel kishte pasur me burrin e saj, ndërsa kujtonte se Troschleri merrej me studime të shkencave të natyrës në Shkodër e Divjakë, si dhe në çifligun e kësaj familje në Shijak. Po ashtu Edithi shpjegonte edhe kohën e ilegalitetit të Troschlerit për shkak të mos rënies në dorë të ushtrisë gjermane.
Kundër Troschelit akuza kishte nxjerrë dëshmitarin Piro F. Shpifjet e tij, piktori gjerman i kishte denoncuar në çast. Akuza mbështetej vetëm në akuzat e dëshmitarit Piro dhe në asgjë tjetër, që edhe kjo akuzë nuk provonte gjë.
Ajo që mëtohej në aktakuzën e prokurorit Ismail Çaushi, se Troschler ishte “vegël e verbër e okupatorit nazist” dhe se kishte pasur “lidhje me gjermanët vazhdimisht”, nuk mbështetej asgjëkund. E megjithatë ai kërkoi 30 vjet burg e Bilbili i vendosi 20 vjet heqje lirie. Po të ishte për Bilbilin në burg do kalbej deri në fund. Por ashtu erdhën rrethanat, dhe pas 5 vjetësh, ai i riatdhesua në Republikën Demokratike Gjermane. Sigurisht nuk kishte probleme të mëdha pasi ishte thjesht piktor dhe botanist për të cilin politika nuk kishte pasur asnjëherë rëndësi. Ky ishte Troschel, një njeri i papërkulur, me vullnet të hekurt që mishëronte aq shumë fisnikërinë e një kombi të shquar si ai gjerman.

Formulimi nga Sigurimi

Kur bëhej gati praktika e riatdhesimit të Troschelit për në Gjermaninë Lindore, më 1950, Sigurimi hartonte këtë raport për të:
“Hans Trochel, i biri Ernestit dhe e E1isa, lindur në Berlin me 1899 (zona Demokratike), i martuar, ka një vajzë, me arsim të lartë, profesor gjimnazi, gjuhë të huaja di të flasë frëngjisht dhe anglisht.
Hansi ka ardhur në Shqipëri në mars të vjetit 1938 (sipas deponimeve të tij si emigrant), por mundet që të ketë ardhur dhe me që­llim spiunazhi si agjent i zbulimit gjerman, mbasi ardhja e të sipërmit në Shqipëri ka qenë pak kohë përpara se Gjermania Hitleriane të lëshohej në luftën e saj imperialiste për skllavërinë e popujve.
Nga koha e sipërme dhe deri ne ardhjen e okupacionit gjerman në Shqipëri i sipërmi ka punuar pranë Ministrisë Arsimit si piktor. Mbas kësaj kohe mobilizohet ushtar nga komanda Gjermane me gradën tetar ku gjate kësaj kohe ka punuar në shtypshkronjën Tiranë.
Me largimin e forcave gjermane nga Tirana, i sipërmi, nga frika se po arrestohet qëndron i fshehur deri më 28 nëntor 1944, kohë në të cilën u arrestua dhe në vitin 1945 dënohet nga gjykata ushtarake në Tiranë me 20 vjet burg si bashkëpunëtor me okupatorin gjerman 
Është për t’u theksuar se Hansin në hetuesi, para kthesës është torturuar shumë, por megjithë këtë ai nuk ka pranuar asgjë.
Ky qëndron në kampin e internimit nr.1 ku punon si pikturist. Qëndrimi i tij është indiferent”.
Troschel u largua nga Shqipëria duke mos e hequr asnjëherë simpatinë për vendin të cilit i kushtoi një pjesë të jetës së tij me studimet e tij që nuk e panë kurrë dritën e botimit. Ky ishte edhe pengu më i madh i jetës së tij.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora